ATV

Tag: Ballina

  • Osmani: Autorët e sulmit ndaj KFOR-it ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi, mbrohen nga regjimi i Vuçiqit

    Osmani: Autorët e sulmit ndaj KFOR-it ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi, mbrohen nga regjimi i Vuçiqit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar për sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të NATO-s në veri të Kosovës, ku u plagosën 93 ushtarë.

    Osmani tha se ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi autorët e grupeve kriminale dhe krerët e bandës.

    “Dje u bë një vit nga sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të NATO-s në veri të Kosovës. Siç dëshmohet qartë nga pamjet video dhe hetimet kriminale të kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit, 93 ushtarë u plagosën, disa me lëndime të rënda, përmes sulmeve nga grupet e krimit të organizuar serbë me urdhra të qarta politike nga regjimi i Vuçiqit dhe krerët e bandës së tij. Autorët, të cilët ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi!’, ka shkruar presidentja në platformë “X”.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me shi.

    Sipas institutit, në disa zona parashihen edhe shkarkime rrufesh.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-6m/s. Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile. Ditët e para të qershorit parashihen të jenë me kushte të qëndrueshme meteorologjike”, thuhet në njoftim.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara pritet të vazhdoj edhe sot me paraqitjen e dëshmitarit të radhës.

    Kurse dje diplomati austriak, Jan Kickert e ka përfunduar dëshminë e tij dyditëshe në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për dy ditë dëshmitari është marrë në pyetje nga prokuroria, trupi gjykues e po ashtu edhe nga mbrojtja.

    Gjatë seancës së djeshme, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka marrë disa vendime lidhur me dëshmitarët dhe provat që synon që të nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Vendimet kanë dal si rrjedhojë e parashtrimeve në konferencën për ecurinë e çështjes gjyqësore të 27 majit 2024 në këtë rast.

    Trupi gjykues, urdhëroi ZPS-në që palëve të i njoftojë në mënyrë të hollësishme për të gjitha masat që do i ndërmarrin për shkurtimin dhe përshpejtimin e paraqitjes së provave të veta. Gjithashtu, ai urdhëroi ZPS-në që të shqyrtojnë mundësinë që seancat përgatitor të kryhen edhe në distancë.

  • Osmani: Të gjitha ranë në ujë me letrën e Qeverisë në KiE

    Osmani: Të gjitha ranë në ujë me letrën e Qeverisë në KiE

    Përgatiti: Haris Ademi

    Në këso forme, kryeministri Albin Kurti i zhvillon bisedat në distancë me politikanë ndërkombëtarë.

    Të njëjtën metodë komunikimi përmes teknologjisë, presidentja Vjosa Osmani po konsideron se do të mundë ta kishte përdorur Kurti, apo ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për t’u konsultuar për idenë e dërgimit të letrës në Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur ajo ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes letrës dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kryediplomatja Gërvalla zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit.

    Presidentja pohoi se kjo i prish punën dhe përpjekjet e bëra që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit.

    “Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha Osmani.

    Disa orë para këtij deklarimi, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk ka qenë mungesë e vullnetit të Qeverisë dhe MPJ-së të koordinohet me Presidencën, por ka ndikuar distanca.

    “Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri”, tha Konjufca.

    Por, presidentja shtroi një dilemë, si letra e Gërvallës ra në duar të personave jozyrtarë, para institucioneve të shtetit.

    “Në qoftë se tema paska qenë te mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter”, tha Osmani.

    Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, Ministrja Gërvalla, një ditë më vonë, pohoi se letra ku ajo është zotuar për dërgim në Gjykatë Kushtetuese të projekt statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thjesht nuk ka më relevancë.

  • Një vit nga protesta e dhunshme në Zveçan, u lënduan mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it

    Një vit nga protesta e dhunshme në Zveçan, u lënduan mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga përleshja me protestuesit serbë, më 29 maj të vitit të kaluar.

    Por fare pak nga serbët që sulmuan zyrtarët e KFOR-it janë arrestuar.

    Nga 10 sa u ndaluan si të dyshuar për sulm, vetëm 4 u dënuan, teksa edhe ata lirinë e blenë me para.

    Nën akuzat për huliganizëm, një ditë pas sulmit ishin arrestuar Sinisha Jevtic e Ivan Sekulic, ndaj të cilëve, në gusht të atij viti, Gjykata Themelore kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, dënim ky që u ishte zëvendësuar me gjobë prej 16 mijë eurosh për të dy dhe dëbim nga Kosova për 3 vjet.

    Gjashtë muaj më pas, në shkurt të këtij viti, për pjesëmarrje në protestë e sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Gjykata Themelore kishte dënuar me nga gjashtë muaj burg edhe Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, dënim ky që Petroviqit iu zëvendësua me gjobë prej 6 mijë eurosh, ndërsa Obrenoviqit i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim.

    Si organizator i asaj proteste, ishte identifikuar Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe nga atëherë vazhdon të jetë në paraburgim.
    Mirëpo, dënimet e ekzekutuara deri më tani, për juristin Ardian Bajraktari, janë të vogla.

    “Kemi një numër të vogël të atyre që ballafaqohen me procese gjyqësore, përkatësisht ka aktakuza të ngritura e një numër edhe më të vogël të atyre që kanë marrë verdikte, përkatësisht dënime e që janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

    Prokuroria speciale nuk tregoi të mërkurën, nëse është ngritur ndonjë aktakuzë edhe ndaj të arrestuarve të tjerë nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it e ndaj gazetarëve.

    Sulmeve të 29 majit, që vazhduan edhe në ditët në vijim, kryesisht ndaj ekipeve të mediave, iu parapriu zgjedhja e kryetarëve të rinj shqiptarë, në katër komunat veriore.

    Serbët fillimisht bojkotuan qetësisht procesin zgjedhor, por u revoltuan në ditën kur kryetarët e zgjedhur filluan punën në objektet e komunave.

    Protesta e serbëve vazhdoi me muaj, teksa për aq kohë, objektet zyrtare u ruajtën nga KFOR-i, derisa dy nga kryetarët, ai i Zveçanit dhe Zubin-Potokut, funksionin e ushtruan nga zyra alternative.

    Për sulmin ndaj tyre, një vit pas reagoi edhe misioni i NATO-s, teksa kërkoi që personat që sulmuan pjesëtarët e saj në Zveçan, të mbahen përgjegjës.

  • Përfundimisht s’ka shpërndarje të Kuvendit

    Përfundimisht s’ka shpërndarje të Kuvendit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shpërndarja e Kuvendit, si opsion për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, më nuk është e mundur.

    Derisa thekson se është i befasuar me vendimin e LDK-së dhe AAK-së, që të mos e përkrahin thirrjen e PDK-së, për koordinim në lidhje me këtë proces, Krasniqi thotë se veprimi i tyre nuk mund të arsyetohet, duke shtuar se këto dy parti mbase nuk janë të gatshme për zgjedhje.

    “E kam të vështirë të kuptoj dhe të arsyetoj opozitën se si Qeveria thotë hajde shkojmë në zgjedhje e opozita thotë rrini deri në fund të mandatit”, tha Krasniqi.

    Krasniqi, po ashtu, tha se kjo ishte e vetmja mundësi e artë, që Qeverisë Kurti t’i ndërpritet mandati dhe ka mohuar një koalicion të mundshëm mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes.

    Për moskonsensusin e partive opozitare, gjatë të mërkurës foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Partia Demokratike e Kosovës kishte thënë se 30 maji do të ishte data e fundit për ta shpërndarë Kuvendin, që më pas zgjedhjet të mbahen më 30 qershor, ose 7 korrik.

    Mirëpo, kundër shpërndarjes së Kuvendit kanë qenë vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto që insistuan në dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Osmani: Prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes – shembull i partneritetit Kosovë-ShBA

    Osmani: Prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes – shembull i partneritetit Kosovë-ShBA

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Drejtoreshën e Korpusit për Paqe (Peace Corps) të ShBA-ve, Carol Spahn.

    Në një konferencë të përbashkët për media, Osmani ka thënë se Korpusi i Paqes këtë javë shënon 10 vjetorin e themelimit të misionit të tyre në Kosovë.

    “Është gjithnjë kënaqësi të mirëpresim miqtë tanë amerikanë. Kemi diskutuar për misionin e jashtëzakonshëm të vullnetarëve amerikanë, bashkëpunimin Kosovë-SHBA, dhe nismat e ndryshme që kanë për qëllim përafrimin edhe më të madh të popujve tanë”, u shpreh ajo.

    Sipas Osmanit, një raport i tillë ndërtohet, mirëmbahet dhe zhvillohet pikërisht si rezultat i lidhjes së fortë ndërmjet popujve të dy vendeve.

    Ajo shtoi se një investim i tillë rezulton në impakt afatgjatë pozitiv në Kosovë.

    “Prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes është shembull i ndritshëm i aleancës dhe thellësisë së partneritetit Kosovë-SHBA. Ky mision përgjatë 10 viteve ka ndihmuar dhe po vazhdon të ndihmojë me optimizëm, gjithëpërfshirës, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë”, shtoi Osmani.

    Nismat e tilla sipas Osmanit janë dëshmi e qëndrueshmërisë së palëkundur të bashkëpunimit midis dy vendeve.

    “Uroj që projektet dhe nismat e përbashkëta të shtohen edhe më shumë. Këto nisma janë dëshmi e qëndrueshmërisë së palëkundur të bashkëpunimit tonë si dhe potencialit të pakufishëm të qytetarëve tanë për të punuar krah për krah me njëri tjetrin”, tha ajo.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin ish-presidentit Thaçi

    Specialja ia vazhdon paraburgimin ish-presidentit Thaçi

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Kjo pasi trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

    Në dokumentin publik thuhet se vendimi është marrë më 24 maj.

    “Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të gjashtëdhjetë e pestë (65th) dëshmitarë dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, është thënë nga DhSK-ja në vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qeveria gjermane voton pro zgjatjes së mandatit të ushtarëve në Kosovë

    Qeveria gjermane voton pro zgjatjes së mandatit të ushtarëve në Kosovë

    Kabineti qeveritar i Gjermanisë, nën udhëheqjen e kancelarit të Olaf Scholz, ka miratuar vendimin për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Njoftimi u dha nga Ministria Federale e Mbrojtjes së Gjermanisë.

    Kjo ministri thekson se ky vendim vjen pas ngritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ushtarët e dislokuar aktualisht përfshijnë rreth 210 të një kompanie operative gjermane që do të vendosen në terren për një vit në të ashtuquajturën Komanda Rajonale Perëndimore. Kompania e re synon të zëvendësojë forcat austriake dhe të trajnohet për të kontrolluar trazirat”, thuhet në njoftim.
    Bundeswehr-i gjerman është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999.

    Në përgjigje të trazirave të vitit 2023 dhe situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës, NATO ka bërë thirrje për përforcime për forcat e sigurisë së KFOR-it.

    Misioni është të krijojë dhe të mbajë një mjedis të sigurt në Kosovë për vendosjen e rendit civil të paqes dhe të garantojë sigurinë dhe rendin publik.

    KFOR-i gjithashtu ofron ndihmë humanitare në situata emergjente, promovon kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe mbështet organizatat ndërkombëtare të ndihmës në punën e tyre.

    Aktualisht në Kosovë ka një prezemcë prej 290 ushtarësh gjermanë.

    Tani i mbetet në dorë Bundestagut të votojë për këtë vendim.

  • ​Një vit nga sulmi i protestuesve serbë në Zveçan, reagon komandanti i KFOR-it

    ​Një vit nga sulmi i protestuesve serbë në Zveçan, reagon komandanti i KFOR-it

    Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit, thuhet në një reagim të KFOR-it.

    Sipas njoftimit thuhet se 93 efektivë u plagosën, disa prej të cilëve me lëndime të rënda.

    Këto sulme thuhet se ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme.

    “Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën në vijën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë…. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.

    Në reagim po ashtu thuhet se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës.

    Pas dhunës, sipas komunikatës thuhet se NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

    Tutje është bërë me dije se është rritur qëndrimi i KFOR-it në veri të Kosovës dhe se është trefishuar numri i patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.

    Sipas KFOR-it, kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.

    “Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë,” tha gjeneralmajor Ulutaş.