ATV

Tag: Ballina

  • KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

    “Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.

    Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

    Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

    “Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.

    Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

    Aktualisht në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, po ashtu nga Lëvizje Vetëvendosje.

    Pas thirjeve për hapje të urës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano ka thënë, po ashtu, se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    “Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano të premten.

    Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

    Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

    Kundër hapjes së urës ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

    Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”. /REL

  • Cilët janë kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s?

    Cilët janë kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s?

    Siç raportohet, më 30 dhe 31 maj në Pragë të Çekisë do të mblidhen ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s për të vendosur se kush duhet ta udhëheqë aleancën transatlantike në vitet e ardhshme.

    Jens Stoltenberg i Norvegjisë i cili mori detyrën në vitin 2014, do të largohet nga pozita si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s më 1 tetor.

    Aleatët pothuajse janë pajtuar për një emër, por thuhet se ende ka pengesa në rrugë.

    Ndërkohë, vendimi i tyre vjen në një moment kyç për aleancën më të madhe ushtarake, pasi ajo po përballet me kërcënimin e një Rusie gjithnjë e më luftarake dhe një presidencë të dytë nga Donald Trump.

    Si e zgjedh NATO Sekretarin e saj të Përgjithshëm?

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është nëpunësi më i lartë civil i aleancës dhe zgjidhet me konsensus të anëtarëve të paktit ushtarak.

    Historikisht, ai kryeson komitetet kryesore të NATO-s, vepron si zëdhënës dhe rekruton staf ndërkombëtar, shkruan Euronews.

    Në praktikë, përzgjedhja e tij bëhet përmes kanaleve diplomatike joformale, por gjetja e një kandidati të përshtatshëm nuk është e lehtë.

    Kush janë kandidatët?

    Një prej kandidatëve, është Mark Rutte, kryeministër i Holandës që nga viti 2010. Kandidatura e tij ka fituar mbështetje nga 29 prej 32 anëtarëve të aleancës, duke përfshirë edhe atë nga SHBA.

    Pas muajsh bisedimesh, ish-shefi i spiunazhit Dirk Schoof me sa duket do të emërohet kryeministër i Holandës, që do të thotë se Rutte mund të largohet brenda disa javësh nga pozita.

    Por, ai nuk është i vetmi kandidat.

    Kandidatët e tjerë përfshijnë presidentin rumun Klaus Iohannis, kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe ish-ministrin britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace.

    Megjithatë, disa janë të shqetësuar se emërimi i Rutte si kreu i NATO-s, i cili është shumë anti-rus, mund të përshkallëzojë më tej tensionet.

    Ndërsa Rutte duket i preferuari, për përzgjedhjen e tij ka disa pengesa.

    Midis tyre është Hungaria dhe lideri i ekstremit të djathtë, Viktor Orban, i cili e sheh Perëndimin si nxitës të luftës dhe ka vënë veton ndaj ndihmës së BE-së për Ukrainën.

    Madje, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka konfirmuar se nuk do ta mbështesë Rutte.

    Ndryshe, mbledhja në Pragë mund të jetë “politikisht e vogël” për ta zgjidhur ngërçin brenda aleancës.

    Shpresat janë të përqendruara në një samit të NATO-s në Uashington gjatë muajit korrik, pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes në mes të qershorit.

    Shtyrja e një vendimi deri pas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit e bën të mundshme që ai të përfshihet në një seri më të gjerë vendimesh për postet kryesore të BE-së.

    Supozohet se Iohannis do të drejtojë Komisionin Evropian, megjithëse kjo punë ka më shumë gjasa t’i shkojë presidentes aktuale, gjermanes Ursula von der Leyen.

    Gjithashtu, Kallas mund të jetë zgjedhja e Estonisë për komisionere të BE-së, apo të përfundojë në krye të shërbimit diplomatik të bllokut.

    Të gjithë sytë janë nga zgjedhjet amerikane që do të zhvillohen në nëntor, me disa që kanë frikë se rezultati mund të dëmtojë tërësisht aleancën transatlantike.

  • Roth thotë se është i zhgënjyer që Serbia po vazhdon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit

    Roth thotë se është i zhgënjyer që Serbia po vazhdon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit

    Shefi i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, i cili gjatë vizitës së tij në Serbi u takua edhe me presidentin Aleksandër Vuçiq, vlerësoi se atmosfera politike në Serbi është gjithnjë e më agresive dhe tha se është i shqetësuar për ofendimin e Gjermanisë.

    Në një intervistë për TV N1, ai tha se “situata është jashtëzakonisht shqetësuese dhe se nuk po shkon në drejtimin e duhur”.

    “Në Serbi nevojitet një pikë kthese, një përkushtim i fortë për demokracinë, zgjedhje të ndershme dhe të ndershme” sepse “koha po ikën, tani kemi një dritare”, tha ai.

    “do të doja të ftoja kolegët (në Serbi) për të diskutuar mbi demokracinë, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave”.

    Roth tha se kolegët e tij në parlamentin gjerman ndajnë shqetësimin për situatën në Serbi

    “Unë pres që qeveria dhe presidenti (i Serbisë) të përmbushin kritere të tjera. Duhet bërë shumë për një gjyqësor të pavarur, sundimin e ligjit, lirinë e mediave, lirinë e shprehjes. Kam përshtypjen se shoqëria është gjithnjë e më e ndarë. Kjo është një shenjë paralajmëruese”, tha Roth, duke kujtuar sulmin ndaj gazetarit të së përjavshmes “Radar” Vuk Cvijiq të mërkurën në Beograd.

    Ai tha se “të gjitha viktimat e sulmeve duhet të ndjejnë solidaritetin e politikanëve”, se sulmet fizike dhe shantazhet janë të papranueshme dhe se edhe ai “ka marrë shumë mesazhe agresive nga serbët”, gjë që e trishton.

    I pyetur nga N1 se si e vlerëson deklaratën e kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, se nuk ka të ardhme në politikën gjermane, ai është përgjigjur me deklaratën e Michelle Obamës: “Kur të godasin poshtë, ne do të ngrihemi mbi të”.

    Ai vuri në dukje se “atmosfera politike (në Serbi) është gjithnjë e më agresive dhe për këtë arsye politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike mbajnë një përgjegjësi të veçantë”.

    Ai iu referua gjithashtu rezolutës së javës së kaluar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënimin e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, gjë që e kundërshtoi Beogradi zyrtar dhe tha se ky reagim ishte “i turpshëm” dhe kjo e ka zhgënjyer.

    Ai shtoi se askush nuk dëshiron të fajësojë serbët sepse “faji është gjithmonë një çështje individuale, por është përgjegjësi kolektive e shoqërisë serbe dhe gjermane që të thonë hapur se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më”.

    “Pra, unë jam shumë i zhgënjyer nga një reagim dhe retorikë e tillë toksike në Serbi”, tha ai.

    Roth tha se “ne duhet të kujtojmë viktimat, pavarësisht nga kombësia e tyre” dhe përsëriti se ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

    Ai vlerësoi regjimet autoritare si Kina dhe Rusia do të rrisin ndikimin e tyre në rajon. “Ata nuk ndajnë vlerat tona”.

    Në këtë kontekst, ai shtoi – raportoi N1 – se “agresioni rus kundër Ukrainës nuk është vetëm një konflikt i armatosur, por një luftë kundër vlerave tona, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të bashkuar”.

  • Donald Trump shpallet fajtor në gjykimin historik

    Donald Trump shpallet fajtor në gjykimin historik

    Një juri në Manhattan e shpalli fajtor ish presidentin amerikan Donald Trump për të gjitha 34 akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit me të cilin u përball në gjyqin e tij penal në Nju Jork.

    Trump është presidenti i parë në historinë e SHBA që dënohet për një krim.

    Prokurorët e akuzuan Trump se mori pjesë në një komplot të paligjshëm për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe një plan të paligjshëm për të shtypur informacionin negativ, i cili përfshinte fshehjen e një pagese të heshtur për yllin e filmave për të rritur, Stormy Daniels.

    Gjykatësi Juan Merchan caktoi një seancë dëgjimore për 11 korrik. /CNN

  • “Telefon” politika e jashtme, “joserioze dhe e pasuksesshme”

    “Telefon” politika e jashtme, “joserioze dhe e pasuksesshme”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, në fushën e politikës së jashtme, kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit”.

    Kjo deklaratë e presidentes Vjosa Osmani, e cila shpërfaqi mungesën e bashkërendimit të veprimeve me Kuvendin dhe Qeverinë, nga politologë e opinionistë vlerësohet si dëshmi e joseriozitetit në politikën e jashtme.

    Këtë praktikë, politologu Fidan Ukaj e cilësoi mungesë kujdesi dhe vëmendjeje ndaj çështjeve dhe detyrave shtetërore.

    “Nëse ndalemi dhe analizojmë këto koordinime të institucioneve, nëpërmjet telefonit, atëherë rezultatet veçse i kemi prezente: nuk kemi asnjë njohje të re, e po ashtu nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Përpjekja e fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, dështoi. Dhe, nga deklarimi i presidentes tregohet qartë se nuk ka pasur një seriozitet, e po ashtu ka pasur një neglizhencë, në koordinimin e veprimeve ndërinstitucionale”, tha Ukaj.

    As bashkërendimi i derivonshëm, në çfarëdo forme të komunikimit, në vlerësimin e gazetarit Bekim Kabashi nuk i solli suksese diplomatike Kosovës.

    “Bërja e politikës së jashtme ose koordinimi përmes telefonit, siç tha presidentja, nuk e di – në aspektin e sigurisë nuk mund të flas, janë njerëzit tjerë që mund të thonë – por, shihet që edhe nëse vlerësohet prej tyre që ka pasur koordinim, ky koordinim nuk ka qenë i duhuri, pra nuk është që kanë ndjekur një politikë të jashtme të duhur, sepse rezultatet po e tregojnë të kundërtën”, tha Kabashi.

    Veprimet e pakoordinuara nga Qeveria, përkatësisht letra e ministres Donika Gërvalla, sipas presidentes Vjosa Osmani, ndryshoi zotimin e krerëve të shtetit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në raport me përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

  • Procesi i avancimit të statusit të Kosovës në asamblenë e NATO-s

    Procesi i avancimit të statusit të Kosovës në asamblenë e NATO-s

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me shumicë votash, Asambleja Parlamentare e NATO-s, të hënën, avancoi statusin e Kosovës, nga anëtare vëzhguese në të asociuar.

    Sipas kryesuesit të delegacionit kosovar, Driton Hyseni, që ishte pjesë e punimeve në Sofje të Bullgarisë, për shtetin ky është moment i rëndësisë së veçantë.

    “Një hap i rëndësishëm drejt prezencës në kuadër të asamblesë së NATO-s, por edhe për faktin se do të kemi një delegacion më të gjerë në punimet e asamblesë. Një mundësi që zëri i Kosovës të dëgjohet në asamble”, tha Hyseni.

    Megjithatë, për delegacionin kosovar pjesë e të cilit është edhe Xhavit Haliti, sigurimi i votave nuk ishte punë e lehtë.

    “Kemi takuar veç e veç të gjitha delegacionet, edhe ato të shteteve mosnjohëse”, tha Hyseni.

    Bindja e shteteve anëtare për votë pro avancimit, bëhej edhe më e vështirë nga lobi i Serbisë.

    “Delegacioni serb ishte mjaft i madh në kuadër të punimeve, duke tentuar t’i takojë të gjithë delegatët, me qëllim që të pengohet avancimi i Kosovës. Por fatmirësisht dështuan”, tha Hyseni.

    “Delegacionin e Serbisë e kishim shumë afër. Dhe, normalisht që kishim përplasje, sa u përket argumenteve për zhvillimet në Kosovë, dhe qasjen tonë ndaj komunitetit serb. Ky delegacion shërbehej me të pavërteta. Kosovën e quanin “Kosova dhe Metohija””, tha Hyseni.

    Por, angazhimi kundër Kosovës, palës serbe i shkoi huq.

    “Vendimin pozitiv për Kosovën, pala serbe e ka pritur me fytyra të ngrysura. Menjëherë janë ngritur të dalin nga asambleja. Sepse ka qenë e paparashikueshme për ta që të kemi epilog të tillë. Vetëm një deputet të Bullgarisë nuk e di si e kanë bindur të mos votojë pro avancimit të Kosovës”, tha Hyseni.

    Tani mbi statusin e anëtarit të asociuar, mbetet veç anëtarësimi në NATO.

    “Statusi i asociuar është stadi më i lartë. Tani na pret veç anëtarësimi në NATO”, tha Hyseni.

    Para se ta merrte statusin e vëzhguesit në asamblenë e NATO-s, në vitin 2014, Kosova mbante statusin e mysafirit.

  • Hetimet rreth grupit “Albkings”, arrestohen shtatë persona

    Hetimet rreth grupit “Albkings”, arrestohen shtatë persona

    Përgatiti: Nora Luta

    Në shtatë ka arritur numri i të arrestuarve në rastin Albkings.

    Më 23 maj, Prokuroria e Prishtinës thotë se ka arritur të arrestojë administratorin kryesor të grupit, i cili dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.

    Prokuroria, të enjten, njoftoi se grupi është mbyllur përfundimisht, pasi ishte hapur dy herë tjera.

    Në kuadër të hetimeve u përdorën edhe masa të fshehta të vëzhgimit.

    “Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, si dhe kemi ndërmarrë disa veprime të tjera hetimore, me ç’rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha prokurorja e rastit, Erza Bajrami – Kastrati.

    Për rastin, që shkaktoi pasiguri te qytetarët, në konferencën për media u paraqit edhe kryeprokurori Zejnullah Gashi.

    Teksa tha se hetimet janë duke vazhduar dhe po zgjerohen edhe në drejtim të personave të tjerë, kërkoi mirëkuptim nga gazetarët për mosparashtrim të pyetjeve.

    “Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat, sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre, sa i përket shpërndarjes së fotografive, video-incizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

    I dyshuari i parë i arrestuar lidhur me këtë rast është Edin Nevzadi, i cili që nga prilli është në paraburgim.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, ai vazhdimisht nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024, në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram, e duke vepruar në bashkëkryerje, ka ofruar dhe shpërndarë fotografi intime dhe ua merrte identitetet qytetarëve të Kosovës.

  • Osmani: Mosndëshkimi të marrë fund, ua kemi borxh ushtarëve të KFOR-it që humbën gjymtyrët

    Osmani: Mosndëshkimi të marrë fund, ua kemi borxh ushtarëve të KFOR-it që humbën gjymtyrët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një vjetorin e sulmit të 29 majit ndaj ushtarëve të NATO-s në veri të Kosovës, ka thënë se mosndëshkimi i grupeve serbe të krimit vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia.

    Osmani ka shkruar në X, se siç dëshmohet qartë nga pamjet me video dhe hetimet kriminale të kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit, 93 ushtarë u plagosën, disa me lëndime të rënda, nga sulmet e grupeve serbe të krimit të organizuar me urdhra të qarta politike nga regjimi i Vuçiqit dhe krerët e bandës së tij.

    “Autorët, të cilët ende vrapojnë të lirë nëpër Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiqit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Mosndëshkimi vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia. Ky ishte një sulm kundër NATO-s dhe ata që e urdhëruan dhe e ekzekutuan dihen qartë. Mosndëshkimi duhet të marrë fund! Të gjithë u jemi borxh ushtarëve të rinj që humbën gjymtyrët dhe jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë, sepse ata vendosën jetën e tyre në vijën e paqes, mbrojtjes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai.

  • Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore e Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë me dije janë arrestuar të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentitetit dhe kredencialeve që publikoheshin në grupin famëkeq me emrin “Albkings” i cili funksionon në rrjetin social “Telegram”, e ku shpërndahen fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e shpeshherë ngacmimin seksual.

    Në një konferencë për media, Gashi tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.

    Përveç administratorit të parë është arrestuar edhe administratorja e grupit femër.

    “Ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë.

    Ndërkohë, prokurorja e rastit, Erza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht.

    “Kemi arritur që kërtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë Bajrami-Kastrati.

  • Ngjarja tronditëse e raportuar si dhunim dhe grabitje në Gjilan, doli të jetë inskenim

    Ngjarja tronditëse e raportuar si dhunim dhe grabitje në Gjilan, doli të jetë inskenim

    Një ngjarje tronditëse e raportuar në media si dhunim dhe grabitje në Gjilan ka rezultuar të jetë një inskenim. Prokuroria Themelore në Gjilan e ka konfirmuar për ATV-në se incidenti që përfshinte një grua dhe djalin e saj ishte i rremë.

    Ngjarja fillimisht u raportua se kishte ndodhur natën mes të premtes dhe të shtunës, kur dy persona të maskuar supozohet se kishin sulmuar gruan dhe djalin e saj, duke kryer tri vepra penale: dhunim, grabitje dhe lëndim trupor. Sipas raportit fillestar, të maskuarit i kishin marrë viktimës stoli ari dhe një shumë parash.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘’Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, i tha Prokuroria ATV-së.

    Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.

    Ditën e raportimit, një qytetar tha se në 50 vitet që jeton në atë lagje, nuk kishte dëgjuar kurrë për raste të tilla.

    Po ashtu, edhe drejtori i spitalit rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, kishte raportuar për plagët fizike dhe gjendjen e rëndë emocionale të viktimave. Gruaja kishte shenja gjakderdhjeje dhe gërvishtje në kofshë, ndërsa djali kishte marrë trajtim mjekësor për gërvishtje dhe hematoma.

    Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi motivet pas inskenimit dhe do të vijojë të hetohet më tej nga autoritetet përkatëse. /atvlive.tv