ATV

Tag: Ballina

  • Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës, në këtë organizatë ndërlidhëse të aleancës veri-atlantike, nga vëzhguese në anëtare bashkëpunëtore.

    Vendimi i marrë të hënën në Sofje të Bullgarisë, i mundëson Kuvendit të Kosovës pjesëmarrje në pothuajse të gjitha komitetet dhe nën-komitetet e asamblesë, si dhe të diskutojë e propozojë amendamente dhe rezoluta.

    Megjithatë, delegacioni kosovar nuk do të ketë të drejtë vote.

    “Kosova tani ka të drejtë të marrë pjesë në takime, në mbledhje të rëndësishme të asamblesë së NATO-s, megjithatë nuk e ka të drejtën e votimit për raportet, propozimet dhe vendimet që merren atje. Megjithatë, është një shkallë ose hap tutje drejt anëtarësimit, që është epilogu i synuar i yni, por edhe i NATO-s që ta ketë Kosovën brenda saj”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Asambleja Parlamentare funksionon institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si lidhje ndërmjet kuvendeve të shteteve anëtare.

    Në këtë kontekst, edhe pse avancimin e vlerësoi zhvillim të rëndësishëm, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, theksoi nevojën e përqendrimit te programi që i paraprin anëtarësimit të plotë.

    “Është një tregues dhe një trajektore e mirë në kontekstin afatgjatë, sepse Kosova e ka këtë synim edhe politik edhe ushtarak, të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike… Ne duhet të punojmë fuqishëm me partnerët tanë strategjikë që të jemi në programin e partneritetit për paqe, i cili është segmenti kryesor apo çelësi i derës për të hyrë në NATO”, tha Shala.

    Pasi shpjegoi se procesi i anëtarësimit ka gjithsej shtatë faza që përfshijnë një sërë çështjesh, ai vlerësoi se në situatën aktuale, zyrtarisht, Kosova është në atë zero.

    “Në hapin zero konsiderohet transformimi në Forca të Armatosura, përmbyllja e marrëveshjes finale me Serbinë, demarkimi i kufirit me Serbinë, sepse çdo anëtar i NATO-s i di kufijtë e tij shtetërorë. Dhe, në këtë mori (çështjesh) teknike të cilat Kosova duhet t’i përmbyllë në hapin zero, mendoj që në periudhën më të përshpejtuar të mundshme, më 2028-29 ne mund të jemi anëtar të plotë të NATO-s”, tha Shala.

    Kosova u bë anëtarja e 11-të e asociuar apo bashkëpunëtore e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Të njëjtin status e ka edhe Serbia.

    Aktualisht, Aleanca Veri-Atlantike ka 32 shtete anëtare, ndërsa Kosova ka shprehur haptas ambiciet për t’u bërë pjesë e saj.

  • Mirëpritet opinioni ligjor i KiE-së rreth projektligjit për KPM-në

    Mirëpritet opinioni ligjor i KiE-së rreth projektligjit për KPM-në

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Nga Kuvendi i Kosovës është kërkuar përmirësim i Projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave, pasi të hënën u publikua edhe opinioni ligjor i përgatitur nga Këshilli i Evropës. Sipas Këshillit të Evropës, disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane, derisa dokumenti mban datën e 24 majit.

    Si pjesë të rekomandimeve Këshillin i Evropës propozoi të qartësohen kërkesat për licencim dhe regjistrim – në përputhje me standardet evropiane, të rritet transparenca e pronësisë së medias, të krijohet një fondi për mbështetjen e medias e të tjera.

    Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ishte miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të shkuar, derisa u votua edhe nga Kuvendi në lexim të parë.

    Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Qysh atëherë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kërkuan nga Qeveria të heqë dorë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar si “sulm mbi mediat”.

    Përmirësimet eventuale gjatë ditës janë shqyrtuar edhe nga Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga ku u tha se rekomandimet e Këshillit të Evropës do të merren parasysh.

    Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, dha disa rekomandime.

    Duke kërkuar nga Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagimin e vet pas publikimit të opinionit të Këshillit të Evropës, rikujtoi se Kosova ka shënuar rënie alarmante në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, për 19 vende dhe pikërisht nisma për të ndryshuar Projektligjin e KPM-së kontribuoi në këtë.

  • Rinovohet salla, Kuvendi dy javë pa seanca plenare

    Rinovohet salla, Kuvendi dy javë pa seanca plenare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në dy javët e ardhshme, Kuvendi nuk do të mbajë seancë plenare për shkak të rinovimit të sallës së kuvendit. Kësisoj edhe seanca e paralajmëruar për të enjten e 30 majit, për shpërndarje të legjislaturës së tetë nuk dihet kur do të mbahet.

    Nga PDK-ja shpresojnë se në dy ditët e ardhshme do të mund t’ua ndryshojnë mendjen kolegëve tjerë opozitarë, në të kundërtën pranojnë që Qeveria mund ta përmbyllë mandatin.

    Por LDK-ja e AAK-ja nuk u bindën as nga letra e dërguar nga kryetari i PDK-së, i cili bënte thirrje për unitet mes partive, për zgjedhje të parakohshme.

    Edhe nga pushteti vazhdojnë të insistojnë në qëndrimin se opozita duhet të jetë e bashkuar, teksa vullnetin për zgjedhje të parakohshme e arsyetojnë me motin.

    Ndërkohë, Kuvendi do t’i kthehet punës më 12 qershor, me seancë solemne në shënim të Ditës së Çlirimit.

  • Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Rreth 1.6 milion banorë janë regjistruar në Kosovë, në procesin që përfundoi të premten e kaluar.

    Shifra e saktë nuk është bërë e ditur të hënën, në konferencën përmbyllëse të Agjencisë së Statistikave, meqë ende duhet kohë për mbledhjen e të dhënave.

    “ASK-ja ka kohë t’i publikojë të dhënat preliminare në fund të muajit gusht, do të mundohemi të dhënat preliminare të jenë më herët, pra pritjet janë që të dhënat paraprake të publikohen në muajin korrik, pjesën e parë. Praktikat janë që të dhënat finale publikohen një vit pas datës së regjistrimit, apo deri në 15 muaj”, tha Avni Kastrati, U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së.

    Mirëpo, demografi Besim Gollopeni vlerëson se Kosova nuk mund t’i ketë 1.6 milion banorë.

    “Statistikat janë zyrtare dhe duhet të merren si të tilla, mirëpo sipas disa vlerësimeve që kemi bërë, numri i banorëve rezidentë në Kosovë është 1.3, më së shumti 1.5 milion banorë, megjithatë duhet pranuar statistikat që janë zyrtare”, tha Gollopeni.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi vetëm për banorët rezidentë, ndërkaq kosovarët që jetojnë në diasporë do të kenë mundësi të regjistrohen deri në fund të muajit gusht.

    Deri më tani, sipas të dhënave të ASK-së, janë rreth 600 mijë qytetarë nga diaspora që janë regjistruar në e-Kosova.

    Sipas Lirim Krasniqit, nga Germini kjo shifër është e qëndrueshme, veçse ka numër më të madh të kosovarëve në diasporë. Por, megjithatë për të parë rezultatin final, duhet pritur publikimin e të dhënave.

    “Të dhënat që i kanë prezantua ne nuk i kemi deri në fund të dhënat që i kemi marrë rezultoi se janë 280 mijë përmes platformës e-Kosova, por ende nuk e dimë sa janë regjistruar nga familjarët e tyre. 600 mijë është një shifër përfaqësuese edhe pse vlerësimet janë që janë diku rreth 800 mijë deri në 1 milion që jetojnë jashtë Kosovës, sido që të jetë duhet të priten që të publikohen të dhënat nga ASK-ja, deri në fund të vitit”, tha Krasniqi.

    Në procesin e regjistrimit morën pjesë mbi 5 mijë regjistrues, shumica nga të cilët ishin gra.

  • Qeveria e re maqedonase drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

    Qeveria e re maqedonase drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

    VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i katër partive politike shqiptare, VLEN, thonë se kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

    Bazuar në prononcimet e zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, marrëveshja do të bëhet e ditur pas konstituimit të Kuvendit të ri, më 28 maj. Pas mbledhjes së Kuvendit, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, në afat prej 10 ditësh duhet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re nga presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova.

    “Bisedimet janë në një fazë të avancuar, por ende nuk kemi marrëveshje finale dhe derisa nuk e kemi një gjë të tillë, nuk do të mund të japim detaje. Bisedimet po zhvillohen për të gjitha çështjet, ndarjen e resorëve, por mbi të gjitha, për kuadrot që duhet të jenë të pranueshëm dhe të gatshëm të punojnë mbi parimet bazë të punës së Qeverisë së re”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

    Detaje nuk kanë dhënë as partitë politike shqiptare duke ia lënë këtë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

    Jozyrtarisht bëhet e ditur se partitë shqiptare që tani janë në opozitë, në Qeverinë e re do të drejtojnë gjashtë ministri; shëndetësinë, ekonominë, ambientin jetësor, sistemin politik, punën dhe politikën sociale, një ministër parësor, si dhe një zëvendëskryeministër. Pjesë e bisedimeve është edhe Sekretariati për Çështjeve Evropiane, shruan Radio Evropa e Lirë.

    Partitë shqiptare në Qeverinë e re, siç bëhet e ditur, do të kenë edhe gjashtë zëvendësministra në Ministrinë e Arsimit, atë të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

    Arben Taravari nga koalicioni VLEN nuk i ka hedhur poshtë këto të dhëna që tashmë përmenden në media dhe në opinionin e gjerë.

    “Mund të them se 95 për qind e zgjidhjeve kadrovike, për të cilat kemi rënë dakord tanimë, janë rrotulluar (raportuar) nëpër media. Besoj se këtyre ditëve do të bëhen publike pasi ajo [VMRO DPMNE-ja] synon të ketë mbi 80 vota në shumicën e re qeveritare, kështu që fjala përfundimtare është te mandatari i ardhshëm”, ka thënë Taravari.

    Në rast se bisedimet mbyllen me sukses, këto tri subjekte politike do të kenë një shumicë parlamentare prej 78 deputetësh, por VMRO DPMNE-ja synon numrin prej 83 deputetëve apo dy të tretat për t’i miratuar ligjet që kërkojnë këtë shumicë të votave.

    Partitë shqiptare, bazuar në prononcimet e tyre, do të udhëheqin edhe me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut që pritet të konstituohet të martën, më 28 maj.

    Në këtë pozitë pritet të emërohet Afrim Gashi nga parti Alternativa, që është pjesë e koalicionit VLEN.

    Gashi në një prononcim për mediat nuk e ka përgënjeshtruar lajmin duke thënë se “me rëndësi është që shqiptarët do të vazhdojnë të kryejnë një nga tri funksionet më të rëndësishme në shtet”, që nënkupton se kryetar i Kuvendit do të zgjidhet një shqiptar.

    Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

  • Kurti: Përkundër fushatës së Serbisë, sot bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik

    Kurti: Përkundër fushatës së Serbisë, sot bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Sofja sot ishte vendtakimi në të cilin u bë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë.

    Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka përgëzuar të gjithë zyrtarët e shtetit që punuan për këtë arritje.

    “Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, shkroi Kurti.

    Kreu i ekzekutivit ka falënderuar edhe partnerët që me votën e tyre i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë.

    “Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, shtoi më tej ai.

  • ​Szunyog i bën thirrje Kosovës që të heq ndalimin e produkteve serbe

    ​Szunyog i bën thirrje Kosovës që të heq ndalimin e produkteve serbe

    Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur Forumin e Parë të Investimeve të Qëndrueshme, që ka për qëllim ofrimin e një platforme për diskutim dhe prioritizim të nevojave për investime në vend, si sfidat mjedisore dhe ekonomike.

    Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani ka thënë se Këshilli i Investitorëve Evropianë do të eksplorojnë edhe temat thelbësore për projekte që drejtojnë drejt tërheqjes së kapitalit.

    “Ky forum ka si qëllim ofrimin e një platforme për diskutim dhe prioritizim të nevojave për investime në vend. Jemi mbledhur këtu kur investimet e qëndrueshme janë më të nevojshme si asnjëherë më parë duke u ballafaquar sidomos me sfidat mjedisore dhe ekonomike. Kosova gjithashtu është e angazhuar që të arrijë këto standarde dhe të kontribuojë përpjekjeve në nivel global, edhe si këshill kemi nderi t’i përkrahim këto iniciativa dhe përpjekje, të cilat na dërgojnë drejt arritjes së këtyre objektivave. Ne do të eksplorojmë edhe tema thelbësore sikurse transformimi i energjisë për projekte që na dërgojnë drejtë tërheqës së kapitalit”, ka thënë Ujkani.

    Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka shtuar se për Kosovën dhe Serbinë do të këtë disa kushte shtesë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive me rezultate të prekshme në përmirësimin e marrëdhënieve, duke inkurajuar Kosovën që të heq sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe në Kosovë.

    “Ky është një diskutim me kohë për Kosovën, në fazën e vet të zhvillimit dh pikë vështrimit të rrethanave ndërkombëtare. Kemi dëgjuar për investime të drejtpërdrejta të huaja, remitenca gjithnjë në rritje, rritjen e vendeve të punës, edhe disa zhvillime pozitive në rritjen e eksportit të gjitha këto janë zhvillime të mira në raporte të huaja. Po shohim gjëra pozitive që po ndodhin në sektorin e energjisë. Për Kosovën dhe Serbinë do të këtë disa kushte shtesë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive me rezultate të prekshme në përmirësimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim lëvizja e lirë e mallrave shërbimeve dhe punëtoreve, paraqite shumë në planin zhvillimor.. Inkurajojmë Kosovën që të heq sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe në Kosovë. Investimet e qëndrueshme kërkojnë vëmendjen e të gjithëve”, ka shtuar ai.

    Ndërkaq, shefi i kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi, ka theksuar se si Qeveri kanë qenë në gjendje që të kultivojmë disa vlera të filat kanë rezultuar me ndërtimin e sistemeve të mira, të cilat kanë rezultuar me arritjen e disa caqeve që janë shfaqur në indekse në nivel ndërkombëtar sikur se në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit.

    Sipas tij, Qeveria ka dy funksione tek biznesi, atë të zhvillimit dhe përkrahjes.

    “Si Qeveri kemi qenë në gjendje që t’i përforcojmë dhe kultivojmë disa vlera të cilat kanë rezultuar me ndërtimin e sistemeve te mira, të cilat në anën tjetër kanë rezultuar me arritjen e disa caqeve që janë shfaqur në indekse në nivel ndërkombëtar sikur së në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe kështu me radhë. Të gjitha këto janë mjedise të mira për zhvillimin të biznesit. Kjo tregon që kemi përmirësuar këtë mjedis duke përmirësuar edhe perspektiven e zhvillimit të biznesit…Shumë prej sukseseve të Kosovës janë si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi, duke pasur gjithmonë edhe ndihmën e eksperteve ndërkombëtarë. Kemi shumë për të bërë, e dimë këtë dhe e pranojmë, por mendoj që jemi në rrugën e duhur. Qeveria ka dy funksione kryesore tek biznesi, atë të zhvillimit dhe përkrahjes”, ka theksuar Dalipi.

  • Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku sot Kosova avancoi statusin e saj?

    Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku sot Kosova avancoi statusin e saj?

    Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar sot rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

    Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

    Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s?

    Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

    Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

    Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar. /REL/

  • Osmani: NATO është fati i Kosovës, do të vazhdojmë përpjekjet për rrugën drejt anëtarësimit

    Osmani: NATO është fati i Kosovës, do të vazhdojmë përpjekjet për rrugën drejt anëtarësimit

    Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Pas këtij vendimi, ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Osmani ka shkruar se NATO-ja është fati i Kosovës dhe se vendi do të vazhdojë përpjekjet me aleatët për rrugën drejt anëtarësimit.

    “Mirënjohës për të gjithë anëtarët që votuan në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në atë të një anëtari të asociuar. NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimin.” – ka deklaruar Osmani.

    Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

    Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.

    Në njoftimin e Parlamentit serb është thënë se dhënia e një statusi i tillë do të jetë shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

  • Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

    Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

    Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asocuar.

    Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar.

    Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme midis NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.