ATV

Tag: Ballina

  • Sot, zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore

    Sot, zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore

    Sot, më 2 qershor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    Në kuadër të këtyre zgjedhjeve, së fundmi me sloganin “Me mendje dhe zemër” në Prishtinë u mbajt një tubim mbështetës, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

    Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Kosovën Lindore për t’i tejkaluar pabarazitë që po i bëhen nga shteti serb.

    Në fjalën e tij, Kurti tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.

    “Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme, kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojnë të investojnë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje. Tani me zgjedhjet qe po afrohen në Luginë kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim.

    Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marrin pjesë vetëm dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”, tha Kurti.

    Pjesëmarrja e Kurtit në këtë tubim të Partisë për Veprim Demokratik, që u mbajt në Prishtinë, në përgjithësi u mirëprit, por kishte edhe nga ata që e kritikuan dhe e cilësuan si ndërhyrje të tij në zgjedhjet në Kosovën Lindore.

  • Komuniteti serb që refuzoi të regjistrohet, “faturën” do ta paguajë vet

    Komuniteti serb që refuzoi të regjistrohet, “faturën” do ta paguajë vet

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Pjesa më e madhe e banorëve të komunitetit serb në katër komunat veriore, refuzoi t’i nënshtrohet procesit të regjistrimit të popullsisë. Efektet nga mospjesëmarrja në këtë proces që llogaritet të jetë shumë i rëndësishëm pritet të vërehen në disa fusha.

    “E para, duhet të kihet parasysh që buxheti për komunat ndahet edhe bazuar në numrin e popullatës, numri i asamblistëve nëpër komuna caktohet bazuar në numrin e popullatës. Pastaj investimet kapitale nga qendra, sidomos në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë ndahen në bazë të numrit të popullatës. Numri i popullatës si tërësi është qendror, sidomos të kategoria e grantit të përgjithshëm. Pastaj granti për çështje sociale e arsimore është formulë tjetër, mirëpo te granti i përgjithshëm ku komunat marrin më së shumti mjete, këto komuna që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë pritet që kushtimisht të varfërohen me buxhet.”, deklaroi Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Sipas Bekim Salihut nga Instituti GAP, duke marrë parasysh statistikat e ASK-së që pritet të publikohen në korrik, ekzekutivi mundet që këto katër komuna t’i konsiderojë komuna me pak banorë.

    “Për nga territori, Leposaviqi është komuna e dytë më e madhe, andaj Qeveria e Kosovës në një të ardhme mund ta ndjekë formulën që të nxjerrë buxhet ekstra për komunat e vogla e ku Leposaviqi si rezultat i një qasje destruktive, refuzuese e kundërshtuese që e ka ndjekë, nga një komunë e rëndësishme të kthehet në një komunë të parëndësishme”, shtoi tutje ai.

    Se vetë banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut do ta paguajnë faturën e bojkotimit e thotë edhe njohësi i ekonomisë, Lavdim Hamidi.

    “Të gjitha projeksionet janë bërë duke u bazuar në statistikat e regjistrimit të vitit 2011, mirëpo me këtë regjistrimin e fundit disa komuna kanë dalë me më shumti banor si Fushë Kosova dhe rrjedhimisht buxheti për të do të rritet, kurse komunat veriore do të dëmtohen financiarisht.”, tha Hamidi.

    Sidoqoftë, bazuar në vlerësimin e popullsisë të vitit 2022, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në katër komunat veriore jetojnë afër 40 mijë banorë.

    Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi, Lista Serbe kishte thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Serbët nuk morën pjesë as në regjistrimin e vitit 2011./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/rWnnUSRxSgc?si=rIOmh1r_aUCKLXU7

  • Diplomon gjenerata e shtatë në “The British School of Kosova”

    Diplomon gjenerata e shtatë në “The British School of Kosova”

    Hap pas hapi, nxënësit e gjeneratës së shtatë të “The British School of Kosova”, arritën në ditën e diplomimit të tyre.

    Të emocionuar e krenarë, secili prej tyre po priste që emri t’i thirrej, e diplomën e shkollës së mesme të lartë, ta marr.

    Duke i quajtur gjeneratë e artë, drejtori i shkollës Lulzim Tytynxhiu, tha se avancimi akademik është celës i rëndësishëm i të ardhmes.

    Më e emocionuar për përcjelljen e kësaj gjenerate ishte kryemësimdhënësja e nivelit të mesëm të lartë të “The British School of Kosova”, Liridashe Vaka, e cila mes tjerash iu uroi secilit prej tyre fat në të ardhmen e tyre.

    Ndërkaq mirënjohes për stafin menaxherial të shkollës por edhe mësimdhënësit, ishin nxënësit.

    Për nxënësit e dalluar, u ndanë edhe mirënjohje.

    Ndërsa krejt në fund të gjithë u argëtuan duke marr me vete kujtime e momente të paharruara.

    Të gjithë këta prindër, familjarë e pedagogë u mblodhën për të festuar ceremoninë e diplomimit të nxënëseve të gjeneratës së shtatë në Institucionin edukativo-arsimor, “The British School of Kosova”.

    Gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për nxënësit e dalluar, gjenerata e klasave të 12-ta u prezantua një nga një duke përfunduar zyrtarisht shkollimin e mesëm tëlartë me suksese akademike, sociale dhe personale.

    Ata të cilët kontribuan në dijen e nxënëseve po ndihen krenar dhe thanë se me të vërtetë janë një gjeneratë e shkëlqyer.

    Plot emocione u përcollën në natën e fundit të tyre, ku nxënësit u shprehen jashtëzakonisht mirënjohës.

    Ceremonia u përmbyll me aheng dhe një atmosferë mbresëlënëse./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/N1BZ3BfL5cA?si=R8aHQHJLCfgK3ntV

     

     

  • Nga shtatori, shkollat e Prishtinës me mësim gjithëditor

    Nga shtatori, shkollat e Prishtinës me mësim gjithëditor

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNQI

    Nga shtatori, mësimi për nxënësit e ciklit fillor në Prishtinë, do të zgjasë deri në pasditen e vonë.

    Kjo pasi që, Shkolla fillore “Model” nga viti i ri akademik do ta aplikojë mësimin gjithëditor, si pjesë e pilot-projektit të Komunës së Prishtinës.

    Përveç kësaj, pilot-projekti do të zbatohet edhe në disa shkolla të tjera në kryeqytet.

    Metodën e re mësimore po e përkrahin edhe nga Këshilli i prindërve, megjithëse kanë disa kërkesa specifike.

    Gatishmëri për të ndihmuar në zbatimin e këtij plani kanë shprehur nga Ministria e Arsimit.

    Pavarësisht mbështetjes që premton ministria, njohës të arsimit kanë dyshime nëse projekti mund të realizohet.

    Qysh nga viti 2015, ekziston pilot-projekti për mësimin gjithëditor.

    Pilotimi i mësimit gjithëditor, madje disa herë është realizuar në disa shkolla të kryeqytetit.
    Kjo metodë mësimore aplikohet me qëllim që të tejkalohet pabarazia apo efektet që gjendja socio-ekonomike e krijon te nxënësit./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/nSMUsyGjius?si=Z7wR-vgoshQocxRQ

  • Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.

    Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike.

    Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, thekson se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin.

    Përmes kësaj, ministri Maqedonci deklaron se deputetët kosovarë që do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan.

    “Avancimi i statusit të Kosovës nga anëtar vëzhgues në vend të asociuar, ka rëndësi të madhe për vendin tonë, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës. Legjislativi tani e tutje do të ketë mundësi të zhvillojë shumë më shumë aktivitete në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në krahasim me ato që ka pasur mundësi të zhvillojë gjatë kohës sa ka qenë vetëm vend vëzhgues. Kuvendi i Kosovës, parlamentarët tanë që do të jenë pjesë e Asamblesë së NATO-s, do të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha takimet e komitetet dhe nën komitetet të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme, të marrin pjesë në amendamentin e rezolutave, të jenë si raportues special të asociuar kur komitetet bëjnë raporte rreth gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

    Maqedonci deklaron se Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.

    “Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e NATO-s. Institucionet tona kanë bërë veprime të vazhdueshme. Pikë së pari Kosova është një vend demokratik, një vend që përfaqëson të gjitha vlerat e vendeve të NATO-s. Në aspektin politik, në aspektin sesi duket shteti i Kosovës ne i kemi të gjitha parametrat që të jemi pjesë e NATO-s. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ne kemi ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë, sipas standardeve të NATO-s. Ne trajnojmë pjesëtarët e FSK-së sipas standardeve dhe shkollës së NATO-s”, shton Maqedonci.

    Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.

    “FSK-ja të gjithë organizimin e saj, strukturën e ka të dizajnuar në atë format që të jetë i mundshëm ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s. Ne taktikat që i zhvillojmë në nivel taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet i kemi të sinkronizuara me ato të vendet e NATO-s. Ne përdorim kalibrat e municionit dhe sistemet e armatimit që përdorën në vendet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FSK-së që gjatë operimit të përbashkët me vendet e NATO-s, të ketë mundësi e ndërveprimit me ushtritë e vendeve të NATO-s. FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme si luftarake, ashtu edhe kapacitete të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile që janë ato kapacitete që janë parë shumë herë në FSK-në, si deminimi, kërkim shpëtimi që janë kapacitete të gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, thotë Maqedonci.

    Krahas sigurisë për Kosovën, ministri i Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në NATO do të paraqiste siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

    “Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk paraqet vetëm siguri për vendin tonë por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë vlerësoj se të gjithë Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në NATO, madje edhe Serbinë edhe pse deri tani nuk ka shfaqur as dëshirën më të vogël për të qenë pjesë e NATO-s. Megjithatë, integrimi në NATO do të jetë një hap i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe një objektiv strategjik për Kosovën me qëllim që të mbrojë interesat e saj që ndërlidhen me mbrojtjen dhe sigurisë”, përfundon Maqedonci.

  • ​QKUK-ja pa objekt të veçantë për trajtimin e pacientëve me sulm në tru

    ​QKUK-ja pa objekt të veçantë për trajtimin e pacientëve me sulm në tru

    Funksionalizimi i një qendre të veçantë në Kosovë për goditjet në tru, po konsiderohet si nevojë e domosdoshme nga neurokirurgët dhe neurologët. Ani pse ky intervenim bëhet aktualisht në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të disa klinikave, vlerësohet se duhet ndërtuar një objekt për Qendrën Strok, me staf mjekësor dhe aparatura të veçanta.

    Rastet e shpeshta të pacientëve me sulm në tru dhe koha e kufizuar për intervenim, janë ndër arsyet që profesionistët shëndetësor renditin, derisa potencojnë rëndësinë e ndërtimit të një qendre të tillë.

    Drejtori i Klinikës së Neurologjisë në QKUK, Edmond Komoni ka thënë për KosovaPress, se në kuadër të klinikës, është e ndarë një pjesë për trajtimin pacientëve me goditje në tru.

    Sfidë kryesore në trajtimin e rasteve me sulm në tru, Komani potencon kohën e intervenimit, e cila sipas tij, më së largu duhet të jetë deri në 3 orë pas goditjes.

    “Është krijuar një plan nacional në kuadër të cilit përveç organizmit brenda vetë shëndetësisë, janë të nevojshme edhe kampanjat për informimin e popullsisë, pasi që këto simptome mund të njihen edhe prej vetë popullatës dhe ata të dijnë që sa më herët pacientët të dërgohen në qendrat mjekësore…Në kuadër të këtij plani është e paraparë që të krijohet edhe Qendra e Strokut, e cila është një objekt me të gjitha pajisjet tjera. Ne ende nuk e kemi komplet të krijuar këtë qendër. Mirëpo, jemi duke i kryer, si objekt po flas fizikisht, mirëpo procedurat të cilat janë të nevojshme për pacientin jemi duke i kryer…Bashkë me Klinikën e Emergjencës, me Urgjencën e qytetit të Prishtinës, që të vijnë pacientët dhe me spitalet rajonale…Problemi kryesor është te koha, zakonisht ende nuk e kemi arritur një standard evropian të arritjes sa më herët të pacientëve në QKUK. Është mirë që terapia të aplikohet për tre orë, mirëpo rezultate sa më herë janë më të mira”, thotë Komoni.

    Ndër të tjera, Komoni tregon se intervenimi te pacientët me goditje në tru bëhet përmes dy metodave, njëra me terapi intravenoze dhe tjetra mekanike, përmes kateterëve.

    Duke qenë se trajtimi rekomandohet të bëhet në tre orët e para, pas sulmit, Komoni për KosovaPress, thekson faktin se i gjithë sistemi shëndetësor duhet të jetë i organizuar, që pacientët të arrijnë sa më shpejtë në klinikë.

    “Bëhet fjalë për, në popull njihet si sulmi në tru, pika në tru. Është një sëmundje më e shpeshta në pjesën e Neurologjisë e cila është pasojë e ndërprerjes së përnjëhershme të qarkullimit të gjakut në tru dhe me pasojat e saj të cilat shkaktojnë lloje të ndryshme të deficiteve ose pengesave të pacientëve…Në ditët e sotme trajtohet në dy metoda, me të cilën ne tentojmë që atë ndërprerje të qarkullimit të gjakut që ka ndodhur për arsye të ndryshme, ta rivendosim përsëri në trup. Kjo bëhet në dy mënyra, me terapi intravenoze, me infuzion, me ilaç i cili quhet alteplast, të cilin e posedojmë. Po ashtu, metoda tjetër është mekanike, përmes kateterëve depërtohet deri tek ena e gjakut që është e mbyllur të tentohet që të hapet…Trajtimi rekomandohet të bëhet në tre orët e para, duhet të jetë i organizuar i gjithë sistemi shëndetësor që këta pacientë të arrijnë sa më shpejtë në QKUK, që të vijnë sa më herë”, thotë Komoni.

    Derisa goditja në tru konsiderohet të jetë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë, domosdoshmërinë për funksionalizmin e një qendre në Kosova, ku bëhet trajtimi i saj, e thekson edhe neurokirurgu, shef i Njësisë së Neuroradiologjisë Intervencionuese në Spitalin “Lariboisiere” në Paris, Emanuel Houdart.

    Në një prononcim për KosovaPress, Houdart tregon se si bëhet trajtimi i këtyre pacientëve në Francë.

    “Përparimi në specializimin tim ka qenë trajtimi i goditjes në tru, që është shkaku kryesor i paaftësisë dhe shkaku kryesor i vdekshmërisë. Pra, e dini, ndoshta ajo goditje nuk trajtohet nga neuroradiologu intervenues dhe nga një ndërhyrje e quajtur trombektomi që nënkupton faktin për të tërhequr trombin në një arterie intra-arteriale. Për këtë ndërhyrje duhet të bëjmë gjashtë deri në tetë orë pas fillimit të deficitit neurologjik. Kur një pacient bie në hemiplegji, kur humb aftësinë për të folur, kemi 6 orë për ndërhyrje, kështu që pika kryesore në specializimin tim do të ishte që Kosova të kishte një ekip që do të mund të centralizonte në Prishtinë goditjen në tru dhe gjithashtu të ketë organizatën që lejon pranimin e atyre pacientëve në atë kohë, që do të thotë se zakonisht në Francë, ne, pacienti, familja, i afërmi i pacientit, nuk telefonon mjekun e përgjithshëm, ata thërrasin një numër urgjence ku ka një mjek që merr telefonatën dhe i shpjegoni mirë që burri juaj nuk mund të lëvizë, nuk mund të flasë më, po përjeton një goditje në tru, ne dërgojmë ambulancën, e marrim nga shtëpia dhe e sjellim në qendrën e infarktit ku do të bëhet trombektomia. Pra, në aspektin teknik, Kosova do të duhet të zhvillojë vitin e ardhshëm një qendër për trajtimin e goditjes në tru”, thotëHoudart.

    Goditja në tru, përveç që paraqitet në raste me të shpeshta te moshat e shtyra, ajo i prek edhe të rinjtë. Sipas profesionistëve shëndetësorë, sulmi në tru konsiderohet kur një person është në gjendje të mirë shëndetësore dhe papritmas i shfaqen simptoma si probleme me shikim, të folur, dobësim i forcës, çrregullim i vetëdijes e simptoma të tjera shoqëruese.

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

    Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

    Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

    Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

    Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

    “I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

    Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

    Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

    Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

    Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

    “Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

    Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

    Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

    Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv

  • Uniformat policore, Sveçla: Dëshmi se Serbia është përgjegjëse për tentativën destabilizimit dhe aneksimit të veriut

    Uniformat policore, Sveçla: Dëshmi se Serbia është përgjegjëse për tentativën destabilizimit dhe aneksimit të veriut

    Ministri i Punëve  të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi policia dje në Leposaviq gjeti dhjetëra uniforma të policisë serbe e asaj të Kosovës.

    Sveçla tha se mekanizimi terrorist i Serbisë në veri të Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë, teksa shtoi se aksioni në fshatin Isev i Poshtëm u krye pas marrjes së informatave inteligjente.

    “Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, tha Sveçla.

    “Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”, tha Sveçla.

    Më tej, Sveçla tha se është detyrë dhe obligim i qeverisë shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

    “Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, tha ai.

  • Bundestagu vendos javën tjetër për vendimin e Qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të ushtarëve të KFOR-it

    Bundestagu vendos javën tjetër për vendimin e Qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të ushtarëve të KFOR-it

    Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë për një vit tjetër qëndrimin e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të KFOR-it për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon. Si më parë, deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision.

    Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, tha: “Prej tashmë 25 vjetësh, Bundeswehr-i po kontribuon në mënyrë aktive në stabilizimin dhe sigurimin e paqes në Kosovë.” Ai theksoi se kontributi i KFOR-it është i nevojshëm për stabilizimin e sigurisë dhe konsiderohet si një shtyllë kryesore e stabilitetit në rajon.”

    Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Müller, tha se mandati mbetet i pandryshuar. “Ne veprojmë sipas mandatit ekzistues. Kompania gjermane në NATO është në gatishmëri dhe ka marrë kompetenca shtesë, si kontrolli i turmave dhe trazirave.” I pyetur për një strategji daljeje nga Kosova, Müller shtoi: “Operacionet e kësaj përmasash diskutohen dhe miratohen gjithmonë nga parlamenti. Ne zbatojmë këtë mandat derisa të vendoset që nuk është më i nevojshëm.”

    Vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman

    Bundestagu do ta trajtojë këtë vendim të qeverisë më 6 qershor 2024, me një debat 40-minutësh. Pas debatit, kërkesa do të kalojë për shqyrtim të mëtejshëm në komisionet përkatëse, të kryesuar nga Komisioni i Jashtëm. Pritet që vendimi, sikurse edhe vitet e mëparshme,  të miratohet me shumicë dërrmuese të votave nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë, SPD, FDP dhe Të gjelbrit, dhe nga grupi më i madh opozitar, CDU/CSU.

    Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Qeveria gjermane e paraqet mandatin çdo vit për rishikim dhe miratim në parlament për të siguruar një proces demokratik dhe transparent. Kostoja e misionit për një vit përllogaritet të jetë rreth 21,8 milionë euro. Në prill, qeveria gjermane forcoi përkohësisht kontributin e saj në KFOR me një kompani shtesë për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës.

    Situtata e sigurisë në veri mbetet e brishtë 

    Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përkeqësuar që nga viti 2022, me përleshje të dhunshme në Zveçan dhe një sulm paramilitar në Banjskë. Tensionet politike vazhduan edhe në fillim të vitit 2024, përfshirë zgjedhjet e mundshme në komunat veriore dhe rregullimet financiare midis Serbisë dhe Kosovës.

    Duke marrë parasysh tensionet, stabilizimi përmes KFOR-it dhe prania e Bundeswehr-it në Kosovë mbeten thelbësore. Në planin afatgjatë, Gjermania synon kalimin e përgjegjësisë së sigurisë tek institucionet kosovare. Deri atëherë, prania e KFOR-it mbetet e nevojshme për të parandaluar konfliktet dhe përshkallëzimet afatshkurtra, thuhet në kërkesën e qeverisë gjermane drejtuar parlamentit.

    KFOR-i mbetet garant për sigurinë në rajon

    KFOR është krijuar për të garantuar sigurinë në Kosovë dhe mbikëqyrjen e strukturave profesionale, demokratike dhe multi-etnike. Përfshirja e Bundeswehr-it përfshin mbështetjen e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe aktorëve të tjerë në kuadër të reformës së sektorit të sigurisë.

    Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet baza për KFOR-in, të cilën të dyja vendet dëshirojnë ta vazhdojnë. Politikat e qeverisë gjermane synojnë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetjen e stabilitetit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës./DW

  • ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    Pas kërkesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore për hapjen e urës së Ibrit për automjete ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se çdo vendim që merret me këtë çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se hapja e urës në Mitrovicë është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016.

    “Natyrisht, ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë, ka pasur mjaft kriza tashmë, dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkallëzimit. Sa i përket pyetjes suaj për urën, hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Evropian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim”, tha Stano.

    Sipas tij çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut.

    “Dhe duke qenë se kjo është një çështje që i përket kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, kjo është shumë e qartë. Prandaj ne vazhdojmë thirrjen tonë për të dyja palët që të ecin përpara me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në pritje, përsëri, marrëveshja për urën e Kosovës është pjesë e marrëveshjeve të arritura në dialog dy herë”, ka thënë ai.

    Stano ka paralajmëruar se të gjitha detyrimet e marrëveshjeve në pritje duhet të përmbushen pa vonesë, dhe e njëjta gjë sipas tij vlen edhe për marrëveshjen për urën dhe gjithashtu për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar po ndërmerren dhe po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor, dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë arritja e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shtoi Stano.

    Këshilltarja komunale e Mitrovicës Veriore, Aida Doli, ka kërkuar hapjen e urës kryesore të Ibrit edhe për automjete sa më shpejtë, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve.