ATV

Tag: Ballina

  • Opozita thotë se dallimet në mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti janë të dukshme

    Opozita thotë se dallimet në mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti janë të dukshme

    Opozita në vend, e sheh si shpërfaqje të dallimeve që gjithmonë kanë ekzistuar, përplasjen ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, pasi këta të fundit nuk e kontaktuan fare Osmanin kur dërguan letrën në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Sipas tyre, tyre këto dallime tregojnë që ka probleme serioze të funksionimit të shtetit.

    Dallimet ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, opozita i sheh si shpërfaqje të dallimeve që këto institucione kanë ndërmjet vete. Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një prononcim për Radio Kosovën ka thënë se për të janë të habitshme dallimet ndërmjet presidentes dhe ministrisë së Jashtme, pasi siç thotë ai, kompetencat e politikës së Jashtme bien të Presidenca. Ndërkaq, Haziri ka thënë se mosdakordimi institucional, tregon që shteti ka probleme serioze.

    “Ka qenë obligim që Kuvendi dhe Qeveria të koordinohen, në mënyrë që letra e zotimeve që presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri e kanë bërë të jetë një letër më e fuqishme si garanci, si siguri që kanë për t’i zbatuar obligimet, por ndodhi e kundërta. Kjo tregon qartë se ka probleme serioze në kuptim të funksionimit të shtetit dhe shumica prej tyre e kanë Republikën e Kosovës të përkohshme, fatkeqësisht”, ka deklaruar Haziri.

    Sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës, Time Kadrijaj, deri më tani presidentja ka qenë e heshtur edhe përballë gabimeve që sipas saj, i ka bërë kryeministri Albin Kurdi, ndërkaq, ka thënë se reagimet e saj të fundit janë të befasishme.

    “Edhe pse kryeministri Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme, është deshtë presidentja që t’i evidentojë ato të bëma të kryeministrit, por megjithatë ka qëndruar e heshtur dhe tani befasisht po del që po e kundërshton. Do të thotë u shpërfaqen dallimet ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë”, ka deklaruar Kadrijaj.

    Radio Kosova ka tentuar të marrë edhe opinionin e Partisë Demokratike të Kosovës për sa i përket përplasjeve ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, mirëpo PDK-ja nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

  • ​Biden me emisar special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së

    ​Biden me emisar special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA), Joe Biden, duhet të emërojë një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

    Biden propozoi Edward Joseph në këtë pozicion, ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, në një raport të fundit.

    Joseph, në pjesën kushtuar rolit të ShBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë ‘unifikim’ të këtyre dy vendeve të pavarura.

    “Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të ShBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

    Ai argumentoi se emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mosnjohësit në BE, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së: një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen demokratike të çështjeve të hapura në këtë rajon.

    “Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës… Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, nënvizoi Joseph.

    “ShBA-ja duhet ta bëjë të qartë, ashtu siç bëri kur sponsorizoi pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, se të gjitha format e ndarjes dhe bashkimit janë të papranueshme dhe se ata që e promovojnë ndarjen apo bashkimin do të sanksionohen. Duke bërë kështu, administrata do të rrisë konvergjencën midis të gjithë homologëve evropianë – njohësve dhe mosnjohësve”. /Euronews.al/

  • Kurti: Kosova do t’i fuqizojë raportet me Turqinë në dy fusha

    Kurti: Kosova do t’i fuqizojë raportet me Turqinë në dy fusha

    Kryeministri Albin Kurti në Forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, ka çmuar raportin me këtë shet mik, teksa ka shpalosur të arriturat ekonomike të vendit.

    Kurti ka theksuar se marrëdhëniet mes dy kombeve kanë rrënjët në respekt të thellë dhe vazhdojnë edhe më tej të krijojnë mundësi të bashkëpunimit.

    “Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke treguar marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Ky është një testament i angazhimit të Turqisë”, ka thënë Kurti.

    Kurti në fjalimin e tij tha se janë dy fusha ku Kosova do që t’i fuqizojë raportet mes dy shtetve që u quajtën të shkëlqyera në nisje të kësaj ngjarjeje.

    Sipas tij, ato fusha janë siguria dhe mbrojtja si dhe zhvillimi ekonomik. Madje Kurti tha se në fjalim ia kanë shkruar dy herë “I ftoj inverstitorët e rinj” por ai e ka bërë një thirrje të tillë tri herë

    Ai ka përmendur rritjen e dyfishtë të investimeve ekonomike, faktin që Kosova ka borxhin publik më të ulët dhe e ka cilësuar vendin të pozicionuar në “zemër të Ballkanit si udhëkryq mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”.

    “Ka dhjetëra kompani në Turqi që janë nga Kosova. Duke qenë pjesë e asociacioneve dhe bashkëpunimeve të ndryshme që edhe Kosova ju ofron investitorëve turq”, ka deklaruar ai.

    Në fjalimin e tij Kurti ka përmendur Sami Frashërin, shkrimtarin e njohur shqiptar i cili zhvilloi veprimtarinë e tij në Turqi, duke e marrë si referencë për formimin e një klubi futbollistik.

    Ministri i Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, ka theksuar se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojnë gjatë. Bolat ka thënë se raportet tregtare mes dy vendeve do të rriten, dhe shpreson se do të arrihet në vlerën 1 miliard euro.

    “Përparimi tregtar mes Kosovës dhe Turqisë ka vazhduar të kontribuoj për dy vendet. Prandaj Turqia e njeh sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Stabiliteti i Kosovës do të thotë stabilitet i Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

  • Szunyog: BE mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Paketës energjetike

    Szunyog: BE mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Paketës energjetike

    Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog ka deklaruar gjatë takimit me delegacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë se BE-ja e mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Pakos për Mbështetjen e Energjisë.

    Siç ka kumtuar Szunyog përmes rrjetit social “X”, në takim u konstatua se Plani i Rritjes ofron një nxitje shtesë për reforma të përshpejtuara dhe siguron burime financiare për projekte të rëndësishme.

    “Duke theksuar se tranzicioni i gjelbër, integrimi dhe dekarbonizimi i sektorit të energjisë janë pjesë integrale e Agjendës së Reformës së Kosovës, diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë. U theksua se BE-ja e mbështet Kosovën me 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetjen e Energjisë”, thuhet në njoftim.

  • Vdiq polici që u plagos në sulmin me thikë në Gjermani

    Vdiq polici që u plagos në sulmin me thikë në Gjermani

    Polici që është plagosur rëndë në një sulm me thikë në qytetin gjerman, Manhajm, të premten e kaluar, ka vdekur, thanë autoritetet lokale.

    Polici 29 vjeç ka qenë një nga gjashtë personat që janë plagosur nga sulmuesi, i cili është ndaluar në vendin e ngjarjes.

    Ai është goditur disa herë me thikë në kokë.

    Pavarësisht se i është nënshtruar një operacioni urgjent, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pasditen e së dielës.

    “Ky lajm më ka tronditur deri në palcë”, tha lideri i landit Baden-Vyrtemberg, ku ndodhet qyteti Manhajm.

    Sulmi tregon “rrezikun – shpesh të pallogaritshëm – me të cilin përballen oficerët e policisë çdo ditë”, tha Winfried Kretschmann.

    Sulmi ka ndodhur të premten në një shesh të qytetit Manhajm.

    Sulmuesi i dyshuar, që besohet të jetë një afgan 25-vjeçar, i cili ka arritur në Gjermani në vitin 2014, është qëlluar dhe plagosur nga policia në vendngjarje.

    Sipas policisë, motivi i tij mbetet i paqartë.

  • Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë

    Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë

    Ardita Sinani ka shpallur fitoren në Komunën e Preshevës pas zgjedhjeve të së dielës.

    Sipas saj, Partia për Veprim Demokratik ka arritur të marrë 4 mijë e 75 vota.

    Ajo ka thënë më tej se PDSH-ja i ka 3 mijë e703, Aleanca 1 mijë e185 dhe APN 2 mijë e 850.

    “Kjo fitore përpos që është rritje për subjektin tonë politik, krahasim me numrin në rënie të votuesve, për neve është shumëfish më e madh e ne kemi dominuar në të gjitha bastionet e jemi dominues në bastionet e APN-së”, tha Sinani, raporton Telegrafi.

    Sinani ka thënë se për katër vjetët e ardhshme do të qeverisë “me maturi e përgjegjësi”.

    Rezultatet preliminare në zgjedhjet lokale në Preshevë:

    Partia për Veprim Demokratik – 4078 vota – 11 këshilltarë

    Partia Demokratike Shqiptare – 3093 vota – 8 këshilltarë

    Alternativa për Ndryshim – 2856 vota – 8 këshilltarë

    Lëvizja për reforma – 2140 vota – 6 këshilltarë

    Aleanca për Luginën – 1154 vota – 3 këshilltarë

    Unioni Demokratik Shqiptar – 566 vota – 1 këshilltar

    Lista serbe – 641 vota – 1 këshilltar

    Fronti për Ndryshim nga ana tjetër, ka shpallur fitoren e zgjedhjeve në Bujanoc.

  • Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

    Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

    Raporti: Fatlum Jashari

    Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk e ka shpallur tenderin për investimet e planifikuara për këtë vit, në vlerë 105 milionë euro, për rehabilitimin dhe modernizimin e një njësie prodhuese të Termocentralit Kosova A.

    “Plani është që të hapet shpallja e interesit. Kompanitë ose konsorcuimet të kenë një periudhë rreth dy-mujore ku mund të vizitojnë termocentralin, të marrin informacione teknike shtesë, të japin komentet e tyre, duke qenë se është një punë shumë e madhe dhe e ndërlikuar teknikisht dhe pastaj dokumentacioni i plotë i tenderit të lansohet pas kësaj periudhe”, tha minsitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Përkundër këtyre paralajmërimeve, ATV-ja kuptoi se ende është kryer vlerësimi i gjendjes, e rrjedhimisht as vizitat nga palët eventualisht të interesuara.
    Në Ministrinë e Ekonomisë nuk dhanë një përgjigje të re.

    Ndërsa në KEK, muajin e kaluar, njoftuan se po përgatisin dokumentacionin.

    “Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton së aktualisht zyrtarët e korporatës janë duke finalizuar dokumentacionin e nevojshëm për inicim të procedurës për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

    Në këto rrethana, marrë parasysh procedurat, afatet dhe praktikat e prokurimit, Kosova rrezikon edhe një dimër pa investime në njësitë prodhuese, të vjetruara.

    “Çdo vonesë, sigurisht, ndikon në sigurinë e furnizimit me energji, sepse bie besueshmëria e këtyre termocentraleve. Besueshmëri më e ulët do të thotë kapacitete të disponueshme më të ulëta gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.

    Muaj më parë Ministria e Ekonomisë konfirmoi shtyrjen për vitin tjetër, të investimeve në termocentralin Kosova B, për reduktimin e ndotjes, nëpërmjet fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro; si dhe për modernizimin e turbinave në vlerë 56 milionë euro, nëpërmjet kontratës me General Electric.

    Ndalja e përkohshme e prodhimit për investime eventuale në dy njësi prodhuese, në dy termocentrale më 2025, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, mund të ndikojë në tarifat e energjisë në vitin pasues.

    “Shkëmbimet me Shqipërinë nuk mund ta kompensojnë tërë këtë energji, tërë këtë kapacitet prodhues, dhe atëherë i bie se duhet të importohet nga tregu rajonal, sigurisht, me çmime më të larta… Gjithmonë importi është më i shtrenjtë se çmimi i energjisë që prodhohet në vend dhe ajo diferencë duhet të paguhet nga qytetarët e Kosovës”, tha Bujupi.

    Zingjiri i vonesave pritet të prekë edhe njësinë e dytë prodhuese të Kosovës B, që sipas programit për zbatimin e Strategjisë së Energjisë, më 2025 do të duhej t’i nënshtrohej një rehabilitimi të thellë, në vlerë 88 milionë euro.

  • Asnjë lëvizje për “rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit”

    Asnjë lëvizje për “rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit”

    Përgatiti: Haris Ademi

    Ka kaluar një muaj e gjysmë prej kur qeveria vendosi që Agjencia Kadastrale t’i regjistrojë 24 hektarë pronë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Por, brenda kësaj periudhe, ATV-ja mëson se institucionet e shtetit nuk kanë bërë asnjë hap që ky objekt ortodoks të mos jetë në listën e monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, të organizatës “Europa Nostra”.

    Kjo e fundit, më 2021 e listoi Manastirin e Deçanit në Programin e 7 Monumenteve më të rrezikuara në Evropë, ndërsa një nga arsyet kryesore kishte qenë moszbatimi i vendimit të Kushtetueses.

    “Europa Nostra” nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke e rishqyrtuar rrezikshmërinë e manastirit, pavarësisht disa tentimeve të televizionit, që nga muaji mars.

    Përgjigje zyrtare nuk ktheu as Ministria e Kulturës në Prishtinë, që kishte qenë e zëshme kundër vendimit të organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në kontinent. Madje, as presidenca, meqë më 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin dërguar letër shqetësuese ndaj listës.

    Historiani Shkodran Imeraj vlerëson se institucionet do të duhej të ishin më aktive për ta bindur Europa Nostran, sidomos pas zhvillimeve të fundit.

    “Tashmë janë larguar edhe rreziqet juridike, përkundër që nuk ka pasur asnjëherë rreziqe faktike për Manastirin e Deçanit… Qeveria do të duhej të kërkonte heqjen…”, tha Imeraj.

    Në anën tjetër, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, tha për ATV-në se vendime si kjo e Europa Nostras, nuk kanë pasur motive politike. Ndërsa, përmend edhe listën e UNESCO-s, ku po ashtu përfshihet monumenti i udhëhequr nga klerikët serbë.

    “Manastiri i Deçanit ka mbetur në listën e UNESCO-s të vendeve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, që nga viti 2005. Duke marrë parasysh vitet e trazuara të pasluftës në Kosovë dhe situatën e paqëndrueshme politike, ka shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Unë besoj fuqishëm se situata do të bëhet më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, do ta respektojnë trashëgiminë kulturore të të gjitha grupeve, pasi ajo përbën thesarin e gjithë neve”, tha Janjiq.

    Në korrik të 2022-ës, një ekip i Europa Nostras qëndroi në Kosovë, ku vizitoi edhe Manastirin e Deçanit. Më pas nxori komunikatë duke thënë se shqetësimet e përmendura në Programin e 2021-ës qëndrojnë ende.

    Përveç çështjes së pronave, përmenden edhe planet për rrugën Deçan-Plavë skaj manastirit, si Zonë e Veçantë e Mbrojtur, nevojat për ruajtjen e objektit 24/7 nga ana e KFOR-it, si dhe përpjekjet për ta rishikuar identitetin kulturor e historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, nëse u përket shqiptarëve apo serbëve.

    Kur doli lista e re me 7 monumentet e rrezikuara, vitin e kaluar, kjo organizatë kishte konfirmuar se është duke e monitoruar vazhdimisht situatën me Manastirin e Deçanit. Prandaj mbetet të shihet nëse regjistrimi i pronave do të mjaftojë për ta ndryshuar opinionin lidhur me këtë temë.

  • “Faji i klientëve”, sekuestrimi i veturave me qira problem për kompanitë

    “Faji i klientëve”, sekuestrimi i veturave me qira problem për kompanitë

    Raporti: Fatlum Jashari

    Kompanitë që ofrojnë automjete me qira po kërkojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të ri për rregullat e komunikacionit rrugor.

    Në shoqatën me rreth 100 biznese të rentave u shprehën të shqetësuar për faktin se po u sekuestrohen automjetet, si pasojë e shkeljeve të kryera nga klientët.

    “Automjeti konfiskohet në kohëzgjatje derisa ai person ka ndalesë në patentë shofer, që për biznesin është absurde, sepse ai person që merr makinën me qira, nuk është pronë e tij, dhe biznesi nuk ka mundësi të bëjë verifikimin”, tha Albion Shala, kryetar i shoqatës.

    Bizneset ankohen për koston e lartë financiare dhe procedurat e gjata për kthimin e automjeteve.

    “Është liruar automjeti pas 29 dite. Në fund të kësaj periudhe, unë jam detyruar të shkoj dhe ta marrë automjetin prej pikës grumbulluese, dhe më është dashur të paguajë bartjen e automjetit, plus qiranë ditore të atij biznesi privat…Shuma të cilën e kam paguar është 175 euro për bartje dhe qiranë ditore”, tha Kushtrim Shaqiri, pronar i një “Rent a Car”.

    Nëse kërkesat e tyre nuk merret parasysh, sipas Shaqirit, dëmet mund të jenë të pariparueshme.

    “Nëse vazhdon kjo problematikë na largon prej punës, sepse, humbjet financiare janë të mëdha marrë parasysh që funksionojnë si biznese sezonale”, tha Shaqiri.
    Deputetë të partive opozitare në Kuvend e vlerësuan të domosdoshëm plotësim-ndryshimin e ligjit.

    “Konsideroj se do duhej të rikthehet ligji me një procedurë krejtësisht të re nga fillimi dhe të rishkruhet, ripërpunohet, ri dizajnohet në shumë pika dhe jo vetëm në këtë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Është e padrejtë nëse ke rent dhe konfiskohet automjeti i Rentës, duhet të rishikohet ligji dhe të amandamentohet, sepse nuk ka dokument të vdekur”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Pushtetarët tashmë janë në dijeni të këtij shqetësimi.

    “Do të konsultohemi me institucionet tjera relevante, dhe shumë shpejtë do të kemi një përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrim ne dhe kompanitë në fjalë në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.

    Ligji i ri për rregullat në trafikun rrugor, me të cilin janë ashpërsuar ndëshkimet për kundërvajtësit, ka hyrë në fuqi më 3 Prill.

  • Roth: Shqetësuese lidhjet e ngushta të disa politikanëve malazez me Vuçiqin – Kisha Ortodose Serbe kanal i ndikimit rus

    Roth: Shqetësuese lidhjet e ngushta të disa politikanëve malazez me Vuçiqin – Kisha Ortodose Serbe kanal i ndikimit rus

    Michael Roth, Kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme i Bundestagut dhe ish-Ministër për Evropë i Gjermanisë në një intervistë për gazetën e Malit të Zi “Pobjeda” ka thënë se është i shqetësuar për lidhjet e ngushta të disa politikanëve malazez me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas, Roth Vuçiq e ka dëshmuar që është një partner jo i besueshëm për rajonin. Aleanca të tilla, sipas tij, i minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi.

    “Është shqetësuese kur politikanë malazezë janë në lidhje ngushta me një lider që ka dëshmuar të jetë një partner jo i besueshëm për BE-në dhe rajonin. Aleanca të tilla mund të minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi. Udhëheqësit e vendit duhet të kenë prioritet angazhimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve demokratike të BE-së për të qëndruar në rrugën e duhur. Vendi tani ka një shans real për të kapërcyer ndarjet, qofshin ato etnike, fetare apo politike, në një përpjekje të përbashkët për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – ky shans është unik dhe i ndjeshëm ndaj kohës dhe nuk duhet të minohet” ka theksuar deputeti.

    Duke folur për rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe konstatimet se ajo është nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të Vuçiq dhe si një ekzekutuese i influences ruse Roth thotë se është i shqetësuar për këtë.

    “Unë e kuptoj dhe e respektoj plotësisht që shumë qytetarë të Malit të Zi e gjejnë shtëpinë e tyre shpirtërore në Kishën Ortodokse Serbe; kjo është një çështje e lirisë fetare, një e drejtë themelore e njeriut. Megjithatë, jam thellësisht i shqetësuar për ndikimin politik të Kishës Ortodokse Serbe, veçanërisht përfshirjen e saj në sistemin arsimor të Malit të Zi dhe ndikimin e saj tek të rinjtë. Në këtë kuptim, roli i Kishës në Mal të Zi është shqetësues. Jam dakord me vlerësimin e Parlamentit Evropian se Kisha Ortodokse Serbe vepron si një kanal i ndikimit rus dhe se paraqet një kërcënim për integrimin evropian të Malit të Zi”.