ATV

Tag: Ballina

  • Posta e Serbisë funksionon lirshëm në Graçanicë, 100 metra larg Policisë

    Posta e Serbisë funksionon lirshëm në Graçanicë, 100 metra larg Policisë

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ  

    Vetëm afro 100 metra larg stacionit të Policisë të Komunës së Graçanicës po zhvillohet një aktivitet ilegal.

    Në këtë objekt me ngjyrë të verdhë, funksionon Posta e Serbisë, e cila edhe e ka Kodin postar të këtij shteti.

    Këtu, gjatë të martës, qytetarët vazhdonin të merrnin shërbime.

    Përveç qytetarëve, këtu qarkullonin fare lirshëm edhe postierët, të cilët të papenguar, gjatë ditës pareshtur bartnin materiale nga objekti.

    Por, pavarësisht se ofronin të njëjtat shërbime, të hënën Policia i mbylli 9 njësi të Postës Serbe në komunat veriore.

    Policia e Kosovës nuk tregoi nëse një aksion i ngjashëm do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të vendit, ku operojnë filiale të kësaj poste.

    Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ripërsëriti për ATV-në se i ka njoftuar institucionet se Posta e Serbisë funksionon ilegalisht.

    Mbyllja e filialeve vetëm në veri, derisa ato funksionojnë 10 kilometra larg Prishtinës, sipas një ish-zëvendësministri të Punëve të Brendshme, krijon hapësirë për keqkuptim.

    “Vendimet për mbylljen e këtyre filialeve do të duhej të ishin të shtrira në tërë territorin e vendit, pra duhej të mbyllej edhe pika në Graçanicë, sepse në të kundërt mbyllja e vetëm pikave në Veri, po krijon hapësirë të keqinterpretimit, nga ana e presidentit të Serbisë, të cilët luajnë rolin e viktimave”, deklaroi ish-zëvendësministri i punëve të brendshme, Valdet Hoxha.

    Në Graçanicë ekziston edhe filiali i Postës së Kosovës, por gjatë të martës nuk u pa ndonjë qytetar të merrte shërbime në të./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Mitrovicë, Qeveria nis testimet për hapjen e urës kryesor mbi Ibër

    Mitrovicë, Qeveria nis testimet për hapjen e urës kryesor mbi Ibër

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI      

    Një javë pasi ATV-ja raportoi ekskluzivisht, Qeveria nisi procesin e testimeve të stabilitetit të urës kryesore mbi Ibër, ndërmjet jugut dhe veriut të Mitrovicës, në kuadër të përgatitjeve për hapjen e saj për qarkullim edhe për automjete.

    Fillimisht, operatorët e përzgjedhur kryen matje e morën shënime.

    Për kryerjen e testimeve që do të përcaktojnë kapacitetin mbajtës të strukturës së urës, me ngarkesë testuese, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë për shërbime në vlerë 9 640 euro.

    Megjithatë, nuk dihet se kur e si do të bëhet testimi me ngarkesë.

    Pos zëvendësministrit të Infrastrukturës, HysenDurmishi, procesin në terren e përcollën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Në një deklarim të shkurtër, Sveçla tha se “nuk ka asnjë arsye që ura të mos hapet dhe kjo do të ndodhë kur ekspertët të vlerësojnë diçka të tillë.”

    Ndërkaq, javën e kaluar ambasadorët e QUINT-it, të prirë nga Jeffrey Hovenier i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, thanë se në këtë moment nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit të urës.

    Bashkimi Evropian, ndërkaq, kërkoi që hapja eventuale të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut.

    Megjithatë, nëpërmjet një kumtese, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, Qeveria e ka bërë të qartë synimin për hapjen e urës./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Mbyllja e postave ilegale, BE-ja kundër veprimeve të “Administratës Kurti”

    Mbyllja e postave ilegale, BE-ja kundër veprimeve të “Administratës Kurti”

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI  

    Veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe kundër dialogut, e cilësoi Bashkimi Evropian mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë të cilat funksiononin ilegalisht në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Duke përmendur marrëveshjen e Brukselit për telekomunikimin, e cila parasheh diskutime të mëvonshme për shërbimet postare, blloku 27-anëtarësh përsëriti se për këtë çështje duhet zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

    Duke iu referuar si “Administrata Kurti”, zëdhënësi për punë të jashtme dhe siguri i BE-së, foli për pasojat e “padëgjueshmërisë” së Qeverisë së Kosovës.


    “Kjo është kundër dialogut. Ky është një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga administrata Kurti. E dimë nga e kaluara se cilat janë rezultatet kur kjo administratë ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat kanë pasur ndikim negativ në popullatë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

    Kur u pyet për pasojat eventuale, në kohën kur Kosova po pret nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe përparim në aplikimin për anëtarësimin, Stano tregoi kërkesat ndaj Qeverisë.


    “Në këtë fazë, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga administrata Kurti. Presim që të ri-konsiderojnë dhe ta trajtojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe që të vijnë me propozime që do të merreshin me ndikimin e mundshëm negativ të këtyre vendimeve te popullata në veri të Kosovës. Por, të gjitha çështjet që listuat, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim ndaj hapave që çuan në përshkallëzim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, shtoi tutje Stano.

    Në një reagim, teksa kërkoi që BE-ja të fokusohet te marrëveshja bazë, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, tha se, përveçse ilegal, funksionimi i zyrave Postës së Serbisë në Kosovë përbën shkelje të parimeve të fqinjësisë së mirë.


    “Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Bislimi.

    Kundër aksionit të së hënës, doli edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila tha se “veprimet e pakoordinuara vënë në rrezik të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

    Ndërkaq, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shtoi se veprimet e pakoordinuara rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Maqedonci: Për herë të parë, Kosova akrediton atashe të mbrojtjes në Slloveni, Kanada, Zvicër e Holandë

    Maqedonci: Për herë të parë, Kosova akrediton atashe të mbrojtjes në Slloveni, Kanada, Zvicër e Holandë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se FSK ka ngritur kapacitetet profesionale dhe operacionale, duke zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake.

    Maqedonci ka njoftuar se gjatë këtij viti janë akreditur për herë të parë atashë të mbrojtjes jorezident në disa shtete.

    “Krahas ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake përmes akreditimit të atasheve të mbrojtjes në shtetet partnere.Vetëm gjatë një viti janë akredituar për herë të parë atashe të mbrojtjes jorezident në këto shtete: Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë”, është shprehur ministri.

    Tutje, ai ka pohuar se “përfaqësuesit tanë ushtarakë tanimë janë të pranishëm edhe në disa shtete të tjera me të cilat kemi bashkëpunim të shkëlqyer bilateral si në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci e Shqipëri, ndërsa në proces është akreditimi i atasheve në Itali, Japoni e Republikë Çeke”.

    “Zgjerojmë përfaqësimin dhe partneritetin për të ruajtur paqen, marrëdhëniet ndërkombëtare që ne zotohemi të mbrojmë: një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla”, ka bërë të ditur Maqedonci.

  • EKSKLUZIVE: Nis matja e stabilitetit të Urës së Ibrit, të pranishëm ministrat Sveçla, Krasniqi e Durmishi

    EKSKLUZIVE: Nis matja e stabilitetit të Urës së Ibrit, të pranishëm ministrat Sveçla, Krasniqi e Durmishi

    Pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, sot ka filluar matja e stabilitetit të Urës së Ibrit.

    ATV-ja raporton se të pranishëm janë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Të njëjtit janë parë dhe nën përcjellje të Njësisë Speciale.

    Ndryshe, paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve, ka nxitur reagime të shumta edhe nga faktori ndërkombëtar, të cilët kërkuan që çdo vendim që lidhet me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

  • Edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

    Edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

    Policia e Kosovës të hënën ka realizuar një aksion në veri, ku ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë.

    Ky aksion nuk u mirëprit nga ndërkombëtarët, të cilët po i cilësojnë si veprime të njëanshme nga Qeveria Kurti.

    Përmes një postimi në platformën X, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se hapat e njëanshëm bien ndesh me marrëveshjet e arritur në dialog.

    “Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thotë mes tjerash ambasadori Rohde.

    Kundërshtime për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë kanë pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa të njëanshëm, dhe se këto çështje duhet diskutuar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

    LEXONI EDHE:

    Policia në aksion, mbyll nëntë pika të Postës së Serbisë

  • Plagoset me armë zjarri një grua në Fushë Kosovë

    Plagoset me armë zjarri një grua në Fushë Kosovë

    Të shtëna me armë janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, ku një burrë ka plagosur gruan e tij.

    Raportohet se viktima tashmë është transportuar në QKUK dhe ka plagë në kokë, abdomen e në njërin krah.

    Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe tashmë është shoqëruar në stacion policor, për procedurat e mëtejme.

  • Organizohet pritje shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës

    Organizohet pritje shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës

    Për ekipin olimpik i cili përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024, është organizuar një pritje shtetërore.

    Ajo fillon nga ora 19:00 në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Organizimi u bë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

  • “Humbja e aleatëve” rrezikon integrimin euro-atlantik të Kosovës

    “Humbja e aleatëve” rrezikon integrimin euro-atlantik të Kosovës

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI      

    Në një deklaratë të rrallë nga një lider shteti, presidenti kroat Zoran Milanovic në prani të homologes kosovare,Vjosa Osmani, dhe haptas, tha se “Kosova humbi mbështetjen që e kishte në fillim nga aleatët e saj”.

    Në këtë kontekst, ai përmendi rëndësinë që kishte për Kroacinë fitimi i aleatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Teksa tha se duhet komunikim sistematik diplomatik dhe me gjuhë të kujdesshme me aleatët, profesori Abit Hoxha vlerësoi se Kosova është në këtë pikë për shkak të pamaturitetit.

    “Kosova ka përfunduar me sanksione si rezultat i keqkomunikimit të institucioneve të Kosovës me BE-në, por edhe si rezultat i ndryshimeve të BE-së, ndryshimit të një gjenerate të tërë në BE, të cilët 25 vjet pas konfliktit ose luftës në Kosovë kanë shkuar në pension dhe gjenerata e re ka një qasje tjetër për Kosovën”, u shpreh Hoxha.

    Në këtë kontekst, profesori Hoxha theksoi se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, pasi më nuk është në epiqendër të vendimmarrjes ndërkombëtare, por trajtohet si një shtet i vogël.

    “Kosova është krijuar si rezultat i një marrëveshjeje, si të themi, mes partnerëve ndërkombëtarë dhe Kosova do të duhej të bashkërendisë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare. Tani në Kosovë është bërë pak qesharake ky koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare, por është esenciale që Kosova të ruajë aleancën me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se Kosova është krijesë e tillë që nuk duhet ta vërë bashkësinë ndërkombëtare në pozitë të vështirë, në raport me zhvillimet e tjera ndërkombëtare”, tha tutje Hoxha.

    Deklaratën e Milanovicit, sipas politologut Fidan Ukaj, Kosova duhet ta marrë si një këshillë nga një vend mik, për rëndësinë e aleatëve në synimet e saj për integrim euro-atlantik.

    “Kroacia nuk kishte në fillim, por më vonë i fitoi këta miq dhe aleatë, e pikërisht nëpërmjet këtyre miqve e aleatëve arriti të hyjë në BE dhe në NATO. E që mendoj se ka qenë mesazh i qartë për Kosovën se zbehja e përkrahjes ndërkombëtare ose humbja e aleatëve ndërkombëtarë, sigurisht se vështirëson rrugën e Kosovës për njohjen nga pesëshja e BE-së, organizata ndërkombëtare dhe pashmangshëm në NATO”, deklaroi Ukaj.

    Për më shumë se një vit, Kosova aktualisht është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

    Ndërsa, në momente të caktuara ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka përsëritur se veprimet e pakoordinuara nga Kosova mund të ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve ndërshtetërore./atvlive.tv

  • Kosova, me vite larg sigurimeve shëndetësore

    Kosova, me vite larg sigurimeve shëndetësore

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Partia në pushtet trumbetoi në fushatën e 2019-ës, se me ardhjen në qeverisje, qytetarët do të bëhen me sigurim shëndetësor.

    Mirëpo, as pas gati katër vjet në krye të shtetit, nuk është instaluar sistemi informativ shëndetësor, si parakusht për implementimin e Ligjit për Sigurimin shëndetësor.

    Sistemi digjital do të menaxhojë të dhënat adekuate, duke mundësuar shërbime më efikase për çdo pacient.

    Bazuar në vonesat në proces, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, nuk shpreson se kosovarët do të kenë sigurime shëndetësore së shpejti.

    “Pa një sistem të informimit shëndetësor, nuk mund të pretendohet asnjëherë për një sigurim shëndetësor të mirëfilltë, për shkak se nuk e dimë asnjëherë gjendjen shëndetësore të popullatës, nuk e dimë sa shërbime po ofrohen, sa barna po përshkruhen, sa punëtorë duhet t’i kemi etj…”, deklaroi Kodra.

    Në prill, Qeveria e Kosovës e pati miratuar Planin Strategjik për SISH-in, ku përmendet se deri në vitin 2030, do të ketë progres në funksionalizimin e sistemit digjital.

    Mungesa e SISH-it, sipas Kodrës, favorizon grupe të interesit në Kosovë.

    Projektligji për Sigurime Shëndetësore nuk u miratua as nga Qeveria, përkundër se Ministri i Shëndetësisë tha se do t’ia përcjellë ekzekutivit për votim, në fund të qershorit.

    Ish-ministri i këtij dikasteri, Armend Zemaj, thotë se Qeveria po e zvarrit qëllimshëm dërgimin e ligjit për votim.

    “Është tepër e pashpjegueshme nëse ti tenton të imponosh një ligj sa për sy e faqe, ndërsa zbatueshmëria të jetë zero, pa pjesët funksionale të saj, siç e thashë, SISH-i, lista e çmimeve tavan të barnave”, tha Zemaj.

    Derisa sigurimet shëndetësore të bëhen, qytetarët e Republikës do ta kenë hall qasjen në shërbimemjekësore, në mungesë të të ardhurave financiare.

    “Mungesa e sigurimit shëndetësor e pengon qasjen e njerëzve në shërbime shëndetësore për shkaqe ekonomike, siç thotë edhe raporti i progresit, deri në 20% e qytetarëve e kanë të pamundur ose shumë të vështirë qasjen në shërbime shëndetësore”, thotë tutje Kodra.

    Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2014 pati synuar që 30% e territorit të Kosovës, të mbulohej nga sistemi digjital i të dhënave.

    Deri në vitin 2020, SISH-i do të duhej ta mbulonte gjithë vendin./ atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: