Ka vdekur personi i cili mbeti i ngujuar në makinën që u përfshi nga flakët në aksidentin me kombibusin në Preqevë të Klinës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Personi i cili kishte mbetur i bllokuar në makinë e cila ishte përfshirë nga flakët bashkë me kombibusin ka vdekur. Vdekjen e tij e ka konfirmuar mjeku kujdestar”, tha Gashi për Klankosova.tv.
Gashi më herët njoftoi se kishte ndodhur një aksident në Preqevë të Klinës mes një veture dhe një kombibusi.
“Në rastin e aksidentit, në momentin kur ka ndodhur, veturat i ka kapluar zjarri dhe po dyshohet se një person ka mbetur brenda”, tha Gashi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se kanë caktuar çmimin dhe masat tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, me arsyetimin e mbrojtjes së konsumatorit, konkurrencës dhe mënjanimin e çrregullimit të tregut.
Marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë euro centë për litër.
MINT-i njofton se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ditëve në vijim do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar këtë javë një takim me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe USAID-it, sipas një njoftimi të Presidencës.
Në takim është diskutuar për koordinim në promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat.
“Para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se Zyra e Presidentes është vazhdimisht e hapur për koordinim të veprimeve për promovim të potencialit ekonomik të Kosovës dhe shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Odën Ekonomike Amerikane”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, Osmani foli edhe kontributin e SHBA-së në fuqizimin ekonomik dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim rreth gjendjes në pikëkalimet kufitare.
Sipas këtij përditësimi, më së shumti pritje ka në Merdare. Në hyrje të kësaj pike pritjet po zgjasin 1 orë, e në dalje nga 1 orë deri në 1 orë e 20 minuta.
Pritje 1 orëshe ka edhe te Dheu i Bardhë, në dalje. Kolona është 400 metra.
Në pikëkalimet kufitare, Kullë, Qafë e Morinës dhe Qafë e Prushit, pritjet janë nga 5-10 minuta.
Pritjet në pikëkalimet tjera janë 3 deri në 5 minuta.
Në pamje të parë ngjan si të jetë ndonjë liqen. Por në fakt është Ujëvara e Mirushës, vetëm se e shterur.
Për të parë bukuritë e rrjedhës së ujit, rrugë deri në Mirushë mori edhe Hamid Muja, mërgimtar nga Gjermania, por u befasua kur pa ujëvarën në këtë gjendje.
“Shokët na kanë tregu, edhe në internet i kemi pa shumë fotografi e tash po çuditna qysh koka shterë, s’paska ujë tash, duhet me këqyrë a me ndejtë këtu a çka me bo” tha ai.
Pritshmëri tjetër pati edhe çifti Ajet e Hatixhe Veseli. Megjithëse, vendi thonë se iu pëlqeu goxha shumë.
“Kemi ardhur me e vizitu ujëvarën po sot s’paskemi çka me pa se s’paska ujë, po natyra si natyrë shumë e bukur, shumë vend i mirë mu relaksu, po ujë s’paska”, deklaroi Ajet Veseli, vizitor.
Veçse rruga qe pak e lodhshme, për shkak të infrastrukturës së dobët.
“Rrugën ish kanë mirë pasi që këtu vijnë shumë vizitorë dhe kish me qenë mirë pak me rregullu, sepse kishin ardhur vizitorë më shumë”, u shpreh vizitorja tjetër, Hatixhe Veseli.
E shkak i mosrrjedhës, edhe uji ishte i papastër, saqë pamundësoi freskimin e vizitorëve.
Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ujëvara e Mirushës shteron.
Pronarë biznesesh që operojnë në këtë pjesë, duke mos dashur të flasin para kamerës treguan për televizionin se shkak i temperaturave të larta ujëvara kishte shterur disa herë edhe në vitet e kaluara./atvlive.tv/
Tri ditë pasi ATV-ja raportoi ekskluzivisht se Qeveria së shpejti do të kryejë disa testime në urën kryesore mbi lumin Ibër, që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës, kryeministri Albin Kurti planin për hapjen e saj ua paraqiti ambasadorëve të QUINT-it.
Pikërisht plani që kryeministri shpalosi të premten, parasheh testimet për stabilitetin e strukturës së urës.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit, si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, u tha nga Qeveria.
Por, Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë përkrahjen e ndërkombëtarëve. Pas takimit që u zhvillua saktë 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës, Ambasadori, Jeffrey Hovenier, tha se QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në këtë kohë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë.”, deklaroi Hovenier.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri Kurti insiston se ura duhet të hapet.
“Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet.”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Kryeministrisë.
Për hapjen e urës ekzistojnë dy marrëveshje të arritura në dialogun e Brukselit, ajo më 2015 dhe ajo më 2016, teksa Bashkimi Evropian të enjten për ATV-në përsëriti se çdo vendim për hapjen duhet të merret në dialogun Kosovë – Serbi.
Ndaj kësaj deklarate reagoi presidentja Vjosa Osmani duke theksuar se për hapjen e urës mbi lumin Ibër nuk do të pyetet presidenti serb, Aleksandër Vucic./atvlive.tv/
Arrestimi ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, me fletarrestim të Serbisë, patrullimet e përbashkëta me policinë serbe dhe incidenti me presidenten Vjosa Osmani, kanë ngritur shqetësime për raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut.
Derisa thelbin e ngjarjeve e lidhi me qeverinë e re në Shkup, opinionisti Bekim Kabashi vlerësoi se ato më shumë mund të ndikojnë brenda vetë shtetit fqinj.
“Situata në Maqedoni (të Veriut) është në vlim e sipër, vetë fakti që atje ka fituar në zgjedhje aq shumë një parti nacionaliste. Bindshëm. Pra, 58 deputetë i ka VMRO-DPMNE, tregon se ka njëfarë sentimenti antishqiptar. Nuk lidhet krejt me raportet ndërmjet dy shteteve, por tregon se ka një sentiment antishqiptar, që pastaj që sigurisht se reflekton te rasti i Kosovës, sepse Kosova është me shumicë shqiptare dhe shqiptarët e Kosovës janë të lidhur ngushtë me shqiptarët e Maqedonisë”, tha Kabashi.
Referuar ngjarjeve të fundit, opinionisti nga Gostivari, Albert Musliu, vuri theksin te orientimi i partisë së rikthyer në pushtet në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk i shoh vetëm si përkeqësim ose ftohje të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, por e shoh si një tendencë të gabuar të partisë më të madhe në pushtet në Maqedoni, VMRO-DPMNE, ngase qysh prej fillimit të mandatit shohim një tendencë të përafrimit shumë të madh me kryetarin e Serbisë, Vucic”, u përgjigj Musliu.
Pasi tha se mungojnë vizitat e takimet zyrtare me Kosovën, Musliu foli për rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore.
“Fatkeqësisht shoh mungesë vizioni nga VMRO-DPMNE-ja. Nuk është Kosova ajo që varet nga Maqedonia, por Maqedonia ajo që varet nga marrëdhëniet e mira me Kosovën. Popullata shqiptare në Maqedoni është më se një e treta dhe normalisht asnjë shqiptar në Maqedoni nuk është indiferent nga marrëdhëniet me Kosovën”, shtoi tutje Musliu.
Teksa vlerësoi se situatës, siç u shpreh, “deri në një pikë i ka kontribuuar edhe Kosova, me ndërhyrjen e kryeministrit në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, Kabashi tha se tensionimi eventual do të ishte në dëm të shqiptarëve.
“Nuk është në interes të shqiptarëve që acarimi i raporteve mes Kosovës dhe Maqedonisë të shkojë më tutje, sepse ajo do të reflektojë drejtpërdrejt në të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni. Të arriturat, po them për integrimin në institucione”, tha po ashtu Kabashi.
Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, përkrahën haptas koalicionin e partive shqiptare VLEN – në zgjedhjet e fundit në shtetin fqinj – që më pas u bë pjesë e koalicionit qeverisës të pritë nga VMRO-DPMNE./atvlive.tv
Kryetari i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, tha se sesioni pranveror i Kuvendit është përmbyllur me rreth 30 pika të papërfunduara.
Sipas Abelard Tahirit të PDK-së, kjo tregon për efikasitetin e punës së Kuvendit.
“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti, me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”, foli Tahiri.
Megjithatë, Tahiri theksoi se ky sesion ka qenë periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së, në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik.
“Beteja e parë që ka të bëjë me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër, ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20-vjeçar nga fondet tona, si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE-së.”, deklaroi tutje Tahiri.
Ndërkaq, Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron jotransparente, teksa për punën e Kuvendit, Besnik Tahiri nga ky subjekt tha se shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve.
“Ky sesion nuk ka qenë i lehtë për shkak se shumica parlamentare ka vazhduar në masë të madhe të shpërfaqë arrogancën, duke mos dhënë llogari dhe përgjegjësi në raport me besimin. Shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve, duke e pamundësuar punën në Kuvendin e Kosovës.”, u shpreh Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se gjatë këtij sesioni pushteti e ka penguar edhe punën në komisione hetimore.
“Ndërsa, në komisione hetimore ka pasur puç dhe është tentuar të merret pozita e kryesuesit në komisionin që udhëheq Shemsedin Dreshaj. Ky Kuvend e ka trajtuar në aspektin e njëanshëm gjithë politikën që lidhet me temat e konsensusit në Kuvend.”, tha po ashtu ai.
Ndryshe, në bazë të punës së deritashme, monitoruesit e Kuvendit shprehen skeptikë nëse do të përmbushet agjenda legjislative, deri në fund të këtij mandati, që i kanë mbetur edhe disa muaj./atvlive.tv/
Pavarësisht se shtetet e QUINT-it dhe NATO nuk po e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston se ura e Ibrit duhet të hapet.
Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së, Kurti ka thënë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që sipas tij “parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.
Kurti ka shtuar se Qeveria është për lëvizje të lirë dhe për të simbol është ura e Ibrit.
“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.