ATV

Tag: Ballina

  • Haradinaj i reagon Kurtit: 211.789 persona e braktisën Kosovën në 4 vjetët e fundit – ky s’është migrim, por dyndje

    Haradinaj i reagon Kurtit: 211.789 persona e braktisën Kosovën në 4 vjetët e fundit – ky s’është migrim, por dyndje

    “Pikërisht ashtu siç e patëm paraparë, liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen”.

    Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Pas kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës”.

    Haradinaj kërkoi të mos keqkuptohet meqë, sipas tij, është e drejtë njerëzore lëvizja, por thotë se ikja në Kosovë është “fenomen që po merr karakter të dyndjes”.

    “Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”.

    Haradinaj thotë se “qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres”.

    “Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë!”.

  • Vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit nga përmbytjet në Bosnje

    Vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit nga përmbytjet në Bosnje

    Në Bosnjë e Hercegovinë, ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për persona të zhdukur, pas vërshimeve vdekjeprurëse.

    Për shkak të shirave dhe rrëshqitjes së dheut të enjten dhe të premten, në Bosnje e Hercegovinë kanë vdekur të paktën 16 persona dhe janë lënduar shumë të tjerë.

    Qeveria e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK) tha më 5 tetor se 13 trupa të pajetë janë gjetur në territorin e këtij kantoni dhe jo 16, siç ishte thënë një ditë më parë. Autoritetet shpjeguan se tri viktima ishin numëruar dy herë.

    Dymbëdhjetë nga viktimat në këtë qark ishin nga Donja Jabllanica dhe një nga Konjiqi.

    Në Jabllanicë konsiderohen të zhdukur gjashtë persona dhe katër të tjerë në Konjiq.

    Autoritetet në Jabllanicë kanë raportuar për dëme të mëdha materiale, teksa makina të ndërtimit më 5 tetor po punojnë për të larguar gurët dhe rrënojat.

    Si pasojë e fatkeqësisë natyre, disa fshatra vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të dëmeve në infrastrukturën rrugore, raporton REL.

    Po ashtu, për shkak të vërshimeve mbajtja e zgjedhjeve lokale në Jabllanicë, Konjiq, Kishelak dhe Kreshevo është shtyrë.

    Kështu vendosi më 5 tetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje e Hercegovinës.

    Në Fojnica, mbajtja e zgjedhjeve është shtyrë në tri qendra votimi.

    Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, thanë autoritetet.

    Zgjedhjet lokale në Bosnje janë caktuar për të dielën, më 6 tetor.

    Përveç në Bosnje, edhe në shtetet e tjera të rajonit ditëve të fundit ka pasur vërshime, përfshirë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci.

  • Kurti: Kosova ka përparuar si kurrë më parë në tri vitet e fundit, përkundër tkurrjes së popullsisë

    Kurti: Kosova ka përparuar si kurrë më parë në tri vitet e fundit, përkundër tkurrjes së popullsisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën “Balkan Leadership Conference” me temën “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, shefi i ekzekutivit ka thënë se rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind, ndërsa Bruto Produkti Vendor është gjashtëfishuar që nga paslufta.

    “Valët e imigrimit si dhe qëndrimi në vetëm një vend nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit XX, madje as nga fillimi i shekullit të ri. Nga viti 2011 e deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë për 8 për qind. Në të njëjtën kohë ka rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet që jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit dhe nuk janë të përfshirë në shifrat e popullsisë”.

    “Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. Rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind. Ekonomia e vendit, përkatësisht BPV është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000 e tri herë më i madh se në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport-import krahasuar në vitin 2021, është përmirësuar në 1 me 6 nga 1 me 9 sa ishte aso kohe”, u shpreh Kurti.

    Ai tutje është shprehur se me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente.

    “Paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente”.

    “Natyrisht paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë, por është edhe një punë që realizohet edhe përbrenda, këtu nuk e vë në dyshim vullnetin e një populli për ta ndërtuar dhe forcuar paqen. Popujt janë të mirë dhe popujt e duan të mirën”, ka thënë Kurti.

  • Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ-ja në pritje

    Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ-ja në pritje

    Që nga shpallja e datës 9 shkurt 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, partitë politike kanë filluar që herë pas here të publikojnë emrin e ndonjë kandidati për deputet.

    Por, ndonëse ka një muaj që është hapur afati për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën me emrat e kandidatëve.

    Zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit dhe afatet e gjata ligjore, kanë krijuar komoditetin për partitë politike që dalëngadalë të hartojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në këtë institucion listën e kandidatëve për deputetë.

    “Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, bëri të ditur Elezi.

    Sipas KQZ-së, të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme, me qëllim që të vërtetohen nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Në mesin e institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.

    Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it./EO/

  • Sadiku apelon te qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal: Metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive

    Sadiku apelon te qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal: Metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka apeluar te qytetarët që të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal, pasi konsiderohet si metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Sadiku ka treguar edhe për kategoritë e qytetarëve më të rrezikuara nga gripi sezonal, siç janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna e personat me sëmundje kronike. Vaksinimi ka filluar më datë 30 shtator dhe jepet në 15 qendrat e mjekësisë familjare në Kryeqytet.

    “Po siç e dini që prej 30 shtatorit ka filluar vaksinimi në 15 qendrat mjekësisë familjare në Kryeqytet me vaksina të gripit sezonal, për arsye siç e dini është një sëmundje sezonale i cili tashmë gjatë muajit të dimrit, sidomos në muajin dhjetor e janar kur njerëzit grumbullohen më shumë dhe është një virus që përhapet çdo vit tek njerëzit dhe realisht ne kemi ftuar qytetarët që të vaksinohen”.

    “Sivjet ka filluar vaksinimi më herët, me qëllim që kjo të jep imunitet ndaj kësaj sëmundjeje, duke pasur parasysh se kjo sëmundje edhe pse është virale, të disa kategori të qytetarëve që kanë probleme më shumë shëndetësore, dhe këtë vit janë ato grupet më të rrezikshme sipas OBSh-së, siç janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, pastaj personat që kanë sëmundje kronike e kështu më radhë”.

    Sadiku ka thënë se zakonisht në Kryeqytet, numri i të vaksinuarve shkon në 11 mijë.

    “Prandaj, ne i kemi ftuar këto kategori që të vaksinohen dhe deri tash për këto ditë kemi mbi 500 qytetarë që kanë marrë vaksinën kundër gripit. Zakonisht, Prishtina mbi 11 mijë qytetarë e marrin këtë vaksinë gjatë kësaj periudhe, kështu që besojmë për këto ditë sa ka filluar vaksinimi procesi po shkon mirë”, u shpreh Sadiku, teksa apeloi që qytetarët që t’i marrin këto vaksina.

    Ndonëse e pranon se ka efekte anësore, Sadiku ka thënë se qytetarët nuk duhen të shqetësohen, pasi efekti parandalues është më i madh, raporton EO.

    “Efekti i vaksinës te gripi është shumë i mirë dhe zakonisht ata qytetarë të cilët e marrin vaksinën, shumica e tyre nuk sëmurën fare, ndërsa tek ndonjë rast i veçantë ata të cilët sëmurën e kalojnë pa simptoma, kështu që ky është efekti shumë i mirë i vaksinës, prandaj duke pas parasysh që vaksina jepet gratis, qytetarët po i ftoj që ofrohen në QKM-të dhe të marrin vaksinën, për arsye se ajo është një metodë shumë e mirë për ta mbrojtur nga sëmundjet infektive, këtë rast nga gripi sezonal”.

    “Zakonisht, efektet anësore janë të padiskutueshme, krahasim me efektet pozitive që ka vaksina e gripit. Efektet anësore mund të jenë ndonjë temperaturë, ndonjë dhimbje muskuli që zgjatin gjatë ditës që merret por janë shumë më të paketa se simptomat që i ka gripit, prandaj për këtë arsye janë të padiskutueshme”, deklaroi Sadiku.

  • Kapet anija me 4 mijë kilogram kokainë në ishujt e Oqeanit Atlantik, arrestohen 10 persona, mes tyre turq e holandez

    Kapet anija me 4 mijë kilogram kokainë në ishujt e Oqeanit Atlantik, arrestohen 10 persona, mes tyre turq e holandez

    Një anije me një ngarkesë prej 4 mijë kg kokainë u kap nga autoritetet 130 milje në veri-lindje të Lanzarote (Ishujt Kanarie).

    Kështu kanë bërë të ditur agjencitë kryesore të shtypit iberik. Dhjetë persona u arrestuan: kapiteni i varkës dhe disa marinarë nga ekuipazhi.

    Anija e mbante flamurin e Tanzanisë, ndërsa mes të arrestuarve janë shtatë shtetas turq, dy nga Azerbajxhani dhe një holandez.

    Autoritetet spanjolle dhe franceze morën pjesë në operacion duke kryer kontrollin e anijes së mallrave.

  • Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat maksimale

    Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat maksimale

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet kohë pas kohe të ketë reshje lokale shiu, të cilat në momente dhe zona të caktuara, pritet të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me disa shkarkesa elektrike.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-44 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 12 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 21°C.

  • Hovenier: Pastrimi nga minat i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit

    Hovenier: Pastrimi nga minat i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit

    Ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier është shprehur se që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aktivitetet e deminimit në Kosovë.

    Ai është shprehur se nga këto aktivitete, janë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë.

    Hovenier u shpreh se pastrimi me sukses nga minat, i Parkut Kombëtar të Zatras siç tha ai, na sjell një hap më afër qëllimit.

    “Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aktivitetet e deminimit në Kosovë, të cilat kanë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë dhe kanë demonstruar një angazhim afatgjatë për një Kosovë pa mina. Pastrimi me sukses i Parkut Kombëtar të Zatras na sjell një hap më afër qëllimit”, ka shkruar Hovenier në “X”.

  • Osmani takohet me presidentin francez Emmanuel Macron

    Osmani takohet me presidentin francez Emmanuel Macron

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Zonjën e Parë, Brigitte Macron.

    Osmani ka publikuar pamje nga pritja atje, derisa ka thënë se Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe fuqizim të pozitës së saj.

    “Pritja nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Zonja e Parë, Brigitte Macron dhe Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë Louise Mushikiëabo në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë. Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe për fuqizim të pozitës së saj ndërkombëtare! ”, ka shkruar Osmani.

  • ​Moti për vikend, ja kur pritet rritja e temperaturave

    ​Moti për vikend, ja kur pritet rritja e temperaturave

    Mot kryesisht i vranët dhe me riga të kohëpaskohshme të shiut do të mbajë në dy ditët e fundit të kësaj jave mbi vendin tonë.

    Të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

    Të dielën do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit e lehtë deri mesatare.

    Java e ardhshme parashihet me kushte të mira meteorologjike, me temperatura mbi 20 gradë Celsius, thuhet në komunikatën e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.