ATV

Tag: Ballina

  • Zyrtari i NATO-s: Jemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, mirëpresim përparimin e FSK-së

    Zyrtari i NATO-s: Jemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, mirëpresim përparimin e FSK-së

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të mërkurën ka bërë bashkë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, ambasadorë dhe atashe ushtarak nga vendet mike në Konferencën vjetore “FSK dhe Partnerët 2024”.

    Christian Nawrat, drejtori i Ekipit ndërlidhës këshillues të NATO-s, tha se Aleanca mbetet e përkushtuar për rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

    Ai garantoi se NATO do ta ndihmojë FSK-në në ngritjen e kapaciteteve.

    “NATO mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e mbarë rajonin. Ne po punojmë, por brenda këtij mandati ka edhe shumë për të bërë. Duke ofruar këshilla tona si ekip shumë-kombësh bazuar në mandati e FSK-së, ne luajmë rol unik në mesin e ndërkombëtarëve që mbështesin FSK”.

    “Aleatët tanë mbesin në të njëjtin synim, që të mbështesin FSK-në për të krijuar një forcë të aftë për të i’u ofruar mundësi individëve pa dallime gjinie e përkatësi etnike. NATO mirëpret përparimin e një FSK-je më gjithëpërfshirëse”, ka thënë Nawrat.

  • Komandanti i FSK-së: Siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar

    Komandanti i FSK-së: Siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtant Bashkim Jashari, në konferencën “FSK dhe Partnerët 2024” ka thënë se siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar.

    Ai e ka vlerësuar lart ndihmën e parterëve ndërkombëtar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.

    Jashari ka theksuar se ka ardhur koha që ushtarët e FSK-së të shkojnë drejt një niveli tjetër të avancimit.

    “Vetëm kështu mund të jemi gati që t’i shërbejmë paqes dhe parandalojmë luftërat”, tha Jashari në fjalimin e tij.

    Në aktivitetin që po mbahet në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, po marrin pjesë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, ambasadorë dhe atashe ushtarak nga vendet mike.

  • Sarrazin sot në Prishtinë – pritet të flasë për Procesin e Berlinit, Forumi hapet nga Rohde dhe Bislimi

    Sarrazin sot në Prishtinë – pritet të flasë për Procesin e Berlinit, Forumi hapet nga Rohde dhe Bislimi

    Sot edhe nesër në Prishtinë mbahet Forumi i Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar. Në ngjarjen që sipas komunikatës së Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare premton të jetë më e madhja në Kosovë.

    Të pranishëm përveç kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe Ambasadori Gjerman Jörn Rohde, do të jenë edhe Manuel Sarrazin, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor si dhe deputeti i Bundestagut, Peter Beyer.

    Ky forum i cili në vitin 2022 i solli Kosovës një investim prej 20 milionë euro në sektorin e prodhimit, do të mbahet dy ditë me radhë, sot dhe nesër.

    “Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane (Ost-Ausschuss der deutschen Ëirtschaft), ka kënaqësinë t’ju ftojë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet më 2-3 Tetor 2024 në Klan Arena, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, forumi do të mirëpresë përfaqësues të njohur nga kompanitë gjermane dhe jo vetëm. Panele të nivelit të lartë, përfshirë përfaqësues nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik (BMWK) dhe liderë të kompanive gjermane, do të diskutojnë zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë.

    “Ky forum do të shërbejë si një platformë e veçantë ku liderët e politikës dhe biznesit nga Gjermania dhe Kosova do të diskutojnë sfidat gjeopolitike dhe mundësitë e reja ekonomike. Forumi do të hapet nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Besnik Bislimi, dhe Ambasadori Gjerman, z. Jörn Rohde. Të pranishëm do të jenë gjithashtu z. Manuel Sarrazin, i Dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dhe deputeti i Bundestag, z. Peter Beyer”.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë sot pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës, seanca fillon në orën 09:00.

    Të martën, (01. 10. 2024), Dhomat e Specializuara në Hagë kanë mbajtur konferencën e radhës përgatitore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur që kanë mbetur edhe 24 ditë gjykim deri në pushimin dimëror të gjykatës, kurse janë edhe 60 ditë pune deri në ditën kur ZPS synon t’i marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e saj, përkatësisht deri në fund të prillit.

    Nga Prokuroria kanë thënë se planifikojnë që ta shkurtojnë këtë afat për përfundimin e dëshmitarëve të planifikuar, por numrin e saktë të dëshmitarëve do ta bëjnë të ditur më 1 nëntor. Gjykatësi po ashtu ka kërkuar që dëshmitarët më pak të rëndësishëm të merren në pyetje në fund, në mënyrë që mos të humben dëshmitë e dëshmitarëve më të rëndësishëm për këtë proces.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” këtë javë pritet të mbahen tri seanca gjyqësore.

    Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

  • Kurti e uron Rutten për detyrën e re në krye të NATO-s

    Kurti e uron Rutten për detyrën e re në krye të NATO-s

    Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Mark Rutten, me marrjen zyrtarisht të detyrës së sekretarit gjeneral të NATO-s.

    I pari i qeverisë kosovare ndër tjera ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejmë me aleancën veriatlantike.

    ”Urime Mark Rutte për fillimin zyrtar të rolit tuaj në krye të NATO-s. Ne në Kosovë ju dëshirojmë suksese të mëdha dhe mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në kapacitetin tuaj të ri”.

    LEXONI EDHE:

    Osmani uron Rutten: Nën udhëheqjen tuaj, partneriteti me NATO-n do të forcohet

  • Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Gjermani, takohet me Presidentin Steinmeier

    Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Gjermani, takohet me Presidentin Steinmeier

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Gjermani. Gjatë kësaj vizite do të ketë takim pune me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter- Steinmeier.

    Gjithashtu, Presidentja Osmani do të realizojë takime të ndara me ministra e deputetë gjermanë.

    Presidentja Osmani do të jetë folëse në sesionin Dialogu i Liderëve në kuadër të Berlin Global Dialogue me ç’rast do të diskutojë në temën: “Rimendimi i qëndrueshmërisë – përgjigjja ndaj ndryshimeve gjeopolitike”.

    Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në ceremoninë hapëse të Festivalit Shqiptar të Gastronomisë në Berlin me ç’rast do të mbajë fjalim para pjesëmarrësve.

    Ndryshe, Presidentja Osmani vizitën zyrtare bilaterale në Gjermani me ftesë të Presidentit Steinemier e ka realizuar në shtator të vitit 2021 ku është pritur me nderime ushtarake. Pas vizitës zyrtare bilaterale, ajo gjatë kësaj periudhe tre vjeçare ka pasur edhe një sërë takimesh pune e telefonata me Presidentin Steinmeier, i cili është përkrahës i fuqishëm i të ardhmes euroatlantike të vendit tonë.

  • Mark Rutte sot merr udhëheqjen e NATO-s

    Mark Rutte sot merr udhëheqjen e NATO-s

    Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, sot do ta marrë udhëheqjen e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

    Rutte merr postin e shefit të NATO-s me detyrën që ta mbajë bashkë aleancën, teksa lufta në Ukrainë është në një moment kritik dhe zgjedhjet e rëndësishme presidenciale amerikane po afrohen.

    Në ceremoninë që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, ai do të marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm, që deri më tani është mbajtur nga norvegjezi Jens Stoltenberg.

    Stoltenberg ka qenë në krye të aleancës gjatë një dekade turbulente, që mbi të gjitha është shënuar me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.

  • ​Dy vjet nga aplikimi për anëtarësim në BE, qeveria thotë se Kosovës po i bëhet padrejtësi

    ​Dy vjet nga aplikimi për anëtarësim në BE, qeveria thotë se Kosovës po i bëhet padrejtësi

    Qeveria e Kosovës thotë se po i bëhet padrejtësi vendit me zvarritjen e shqyrtimit të aplikimit për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas ekzekutivit kosovar opinioni i BE-së ndaj këtij aplikimi dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm që duhet të merren nga unioni evropian. Dy vjet nga aplikimi, në qeveri shpresojnë që presidenca hungareze e Këshillit të BE-së të trajtojë me seriozitet të merituar kërkesën e Kosovës. Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës akuzojnë qeverinë se s’ka punuar asgjë në integrimet evropiane, derisa këtë proces e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkaq, njohësit e integrimeve evropiane janë skeptik se do të ketë vendim pozitiv nën presidencën e Hungarisë.

    Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale.

    “Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thekson Kadiu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Ai shton se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit-vend kandidat për anëtarësim në BE ishte si rezultat siç thotë ai i progresit të gjithmbarshëm dhe sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së.

    “Aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetorin e para dy viteve, erdhi si rezultat i progresit të gjithmbarshëm që njohu vendi, i cili u pasqyrua bindshëm edhe në Raportin për Vendin për Kosovën 2022 të vetë Bashkimit Evropian. Gjithashtu, aplikimi ishte edhe një sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë, dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së. Tashmë 8 vite nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, kur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë marrë atë menjëherë, në raste edhe pak javë pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje”, thuhet më tej në përgjigjen e Kadiut.

    Mirëpo, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se qeveria s’ka punuar asgjë për integrim evropian.

    Marrjen e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim në BE, ajo e ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

    “Me 15 dhjetor të këtij viti bëhen 2 vjet që nga aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne tashmë kemi masa nga Bashkimi Evropian sepse kjo qeveri s’ka punuar asgjë në integrim evropian. Sa i përket përkrahjes edhe pse jemi opozitë ne jemi gëzuar këtij aplikimi, mirëpo po shohim se kemi ngecje në procesin integrues sepse të gjitha proceset janë të lidhura me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ajo.

    Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, është skeptik se do të ketë lëvizje nën presidencën hungareze për dhënien e statusit Kosovës si vend-kandidat për anëtarësim në BE.

    Megjithatë, ai shton se edhe nëse Kosova merr dritën e gjelbër, anëtarësimi në BE në rrethana aktuale është i pamundur për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendeve të BE-së.

    “Të dyja palët po luajnë një poker (ping-pong) me sy mbyllur. Është e kotë BE-ja çka po thotë, mirëpo edhe Kosova. Pa njohjen e Kosovës ne nuk mund të bëhemi anëtarë sipas Traktatit të Lisbonës. Kjo i bie që Këshilli i Evropës e autorizon komisionin evropian për me pa si është gjendja, por para se të merret vendimi duhet të kyçet edhe Parlamenti Evropian…Edhe nëse kushtimisht po themi se mund ta marrim statusin e vendit-kandidat, po themi mund të gjendet ndonjë vrimë por që të bëhemi anëtarë duhet gjithsesi aprovimi i 27 vendeve të BE-së, e kjo është misioni pamundur”, thekson Arifi.

    Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Aplikimi deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.

    Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE./kp

  • Qeveria ndan 100 mijë euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS-it

    Qeveria ndan 100 mijë euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS-it

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë dy vendime.

    Në këtë mbledhje sipas njoftimit Qeveria ka marr vendim që të ndajë 100,000.00 euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS/DAESH.

    Gjithashtu Qeveria ka emëruar Komisionin ad hoc të pranimit për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Inspektor i përgjithshëm, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

  • Dështon votimi i buxhetit për vitin 2025 në Kuvendin Komunal të Prishtinës

    Dështon votimi i buxhetit për vitin 2025 në Kuvendin Komunal të Prishtinës

    Ka dështuar votimi i buxhetit për vitin 2025 në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për shkak të mungesës së korumit.

    Mësohet se asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën, ndërsa asambleistët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë fare në këtë seancë.