ATV

Tag: Ballina

  • Kurti e Murati në konferencë, njoftojnë për rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve për 20%

    Kurti e Murati në konferencë, njoftojnë për rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve për 20%

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media, raporton EO.

    “Tani që situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes. Kam një lajmë të mirë për pensionistët, nga 1 tetori do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet”.

    “Pensioni bazik i moshës, pensioni për personat me aftësi të kufizuar, pensioni për personat e verbër, pensioni familjare, pensioni invalidor i punës. Nga muaji janar 2025 do të rriten 20 për qind pensionet për kategoritë e luftës”, ka thënë ai.

  • Qeveria ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, bisedimet po vazhdojnë

    Qeveria ende nuk i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA e Proces të Berlinit, bisedimet po vazhdojnë

    Ndonëse kanë mbetur edhe një javë nga kur do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Qeveria e Kosovës ende s’ka ndërruar qëndrim sa i përket kërkesës gjermane rreth zhbllokimit të vendimarrjes në CEFTA dhe heqjes së masës së sigurisë për mallrat serbe që futen në territorin e Republikës së Kosovës.

    Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se aktualisht bisedimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Qeverisë së Gjermanisë janë duke vazhduar.

    “Për momentin, mund t’ju them vetëm se bisedimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisë gjermane janë ende në vazhdim”, ka thënë Bottcher për express.

    Sa i përket asaj nëse ka afate kohore brenda të cilës Qeveria e Kosovës duhet të vendos për pranimin ose jo të ofertës së Berlinit zyrtar, zëdhënësi i Ambasadës ka thënë se ka afate që dalin nga rregullat ndërkombëtare dhe procedurat e CEFTA-s dhe trupave të saj.

    “Kur është fjala për pyetjen tuaj në lidhje me afatin kohor, sigurisht që ekzistojnë afate të caktuara që ndodhin në bazë të rregullave dhe procedurave të brendshme të CEFTA-s dhe organeve të saj”, ka përfunduar për Gazetën Expresa zëdhdënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher.

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë radhazi Kosovën gjatë muajit shtator në përpjekjen gjermane për ta bindur Kurtin të pranojë ofertën e Berlinit zyrtar. Pa sukses, Sarrazin është larguar i deshpëruar nga Prishtina, derisa paralajmërimet si nga vetë ai, si nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kanë qenë që Kosova rrezikon të mbetet e vetme nëse nuk e pranon kërkesën e Qeverisë Gjermane.

  • Mbahet ceremonia solemne e pritjes së studentëve të Kolegjit AAB për vitin akademik 2024/25

    Mbahet ceremonia solemne e pritjes së studentëve të Kolegjit AAB për vitin akademik 2024/25

    Në Teatrin AAB “Faruk Begolli” është bërë pritja e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/25. Kjo pritje solemne u dedikohej enkas të gjithë të pranishmëve që kanë zgjedhur institucionin tonë për të nisur një nga pjesët më të rëndësishme të secilit individ, atë të studimeve.

    Prorektori i Kolegjit AAB Petrit Bushi, në emër të rektorit Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje të gjithë studentëve në një institucion si AAB, ndërsa e cilësoi si një nga ditët më të veçanta për ta.

    “Ju urojmë mirëseardhje në Kolegjin AAB, një institucion arsimor që nuk është thjesht një vend ku mësohet, por një hapësirë e gjallë e dijes, zhvillimit dhe inovacionit. Kjo është ditë e veçantë për ju, por edhe për ne sepse filloni një rrugëtim të rëndësishëm dhe vendimtar për jetën tuaj akademike, profesionale dhe personale”, tha në mesazhin e tij prorektori Bushi.

    Duke vazhduar misionin e përvitshëm të Kolegjit AAB “studenti në qendër”, kryetari i Unionit Studentor Gent Anadolli ftoi të gjithë studentët e rinj të bëhen pjesë e organizimeve, trajnimeve, aktiviteteve dhe të gjitha nismave në të ardhmen.

    Ai tha se përkrahja e studentëve dhe dëshira për ndihmë gjatë sfidave ose ballafaqimeve që studentët mund të kenë, dëshmon përkushtimin e institucionit.

    “Në këtë institucion ne përveç diplomës bëjmë edhe miq të rinj, partnerë bashkëpunues dhe mentor që na frymëzojnë dhe ndihmojnë në rrugën tonë drejt karrierës”, shtoi Genti.

    Gjatë ceremonisë pati edhe pika muzikore nga ish studenti i Kolegjit AAB tashmë këngëtar i njohur Arbër Krasniqi.

    Në fund studentët e rinj takuan dekanët e fakulteteve dhe një pjesë të stafit akademik, ku u njoftuan për fillimin e ligjëratave, sistemin e-service, përditësimet e ndryshme etj.

  • Këshilli i Sigurimit shqyrton miratimin e një deklarate për “shmangien e veprimeve të njëanshme”

    Këshilli i Sigurimit shqyrton miratimin e një deklarate për “shmangien e veprimeve të njëanshme”

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që në këtë muaj të mbajë mbledhjen e dytë të vitit, ku do të diskutohet mbi situatën në Kosovë.

    Përfaqësuesja e Posaçme dhe udhëheqësja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, do të raportojë mbi zhvillimet e fundit dhe mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm.

    Në dokumentin që trajton diskutimet e mundshme përmenden edhe veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, të cilat u kritikuan se ishin të njëanshme si dhe dështimi i palëve për të nisur zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

    “Nuk ka pasur përparim domethënës në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më 27 shkurt 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Marrëveshja prej 11 pikash përfshinte angazhime për mos-përfaqësimin e njëri-tjetrit në arenën ndërkombëtare dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në raportin “Security Council Report”.

    Tutje si zhvillim tjetër që ka ndodhur në Kosovë, e që mund të diskutohet në OKB përmendet edhe sulmi terrorist në Baanjskë ku mbeti i vdekur rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

    “Një incident i rëndë ndodhi më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës, në fshatin Banjska/Banjskë, ku përplasjet e armatosura mes personave të armatosur dhe policisë kosovare çuan në vdekjen e një polici dhe tre sulmuesve. Milan Radoiçq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, pranoi pjesëmarrjen e tij në incident dhe dha dorëheqje, por Serbia refuzon ta ekstradojë atë.”, thuhet në dokument.

    Aty theksohet se Këshilli i Sigurimit është i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe uljen e tensioneve në veri.

    “Prioritete të Këshillit janë ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ai do të vazhdojë t’i monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Për këtë qëllim Këshilli mund të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në raport.

    Më tej në dokument theksohet edhe dështimi i palëve për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, e cila ndalon përdorimin e dinarit si mjet pagese me para të gatshme.

    Megjithëse anëtarët e Këshillit janë unikë në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporti konfirmon dallimet e thella midis anëtarëve të përhershëm sa i përket Kosovës./RTV Dukagjini

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet mbledhja e rradhës e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

    Mbledhja pritet të nis nga ora 11:00 dhe në rend të ditës janë paraparë shumë pika diskutimi.

    Rendi i ditës:

    Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    1. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    III. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024:

    1. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 12 dhe 26 shtator 2024:

    1. Votimi për emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
    5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
    14. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
    15. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
    16. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    17. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    18. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
    19. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
    20. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
    21. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
    22. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
    23. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
    24. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.
  • Kurti për aleatët ndërkombëtarë: Me ta konsultohemi, por vendimet për veten duhet t’i marrim vetë

    Kurti për aleatët ndërkombëtarë: Me ta konsultohemi, por vendimet për veten duhet t’i marrim vetë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për së fundi për aleatët ndërkombëtarë, gjë për të cilën ai ka thënë se është një rrezik që ja vlen, kur “parimësia është e drejtë”.

    I pyetur se “aventurë e rrezikshme” ani pse e mirëpritur tek populli, kreu i Qeverisë tha se me ShBA-në, Bashkimin Evropian e NATO-n ndajnë vlera të përbashkëta, por që vendimet për Kosovën duhet t’i marrin vet si Qeveri, ani pse ka konsultime me aleatët, por përgjegjësia i takon Kosovës.

    “Parimësia në politik sidomos kur përfaqëson nivelet e larta të saj në shërbim të interesit të popullit, të drejtave dhe nevoja të tij, në kohëra të ndryshme mund të paraqes rrezik të ndryshëm, mirëpo unë besoj që është një rrezik që gjithmonë ja vlen, meqenëse parimësia është e drejtë. Kjo nuk do të thotë që s’kemi strategji, mirëpo s’jemi dakord me veprime strategjike pa kurrfarë parimësie vlerore. Me ShBA-në, me BE-në, me NATO-n ne ndajmë në mënyrë të plotë vlerat e përbashkët, por edhe interesa e qëllime të njëjta. Në Republikën e Kosovës jemi qeveri demokratike dhe duhet të marrim vet vendime për veten tonë, me që rast konsultohemi edhe me aleatët, por barrën e përgjegjësisë duhet ta marrim vetë. Kjo mund të duket e çuditshme te disa njerëz që na krahasojnë me qeveritë e kaluara, por kjo është gjëja më normale për një Republikë demokratike e të pavarur si puna e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane Struga në SHBA.

    Rreth akuzave si anti-amerikan nga opozita, Kurti tha se këta të fundit bëjnë konstatime të tilla iracionale, pasi s’arrijnë të gjegjnë arumente racionale.

    Sipas tij deklarata të tilla vijnë nga dëshprimi opozitar i tyre.

    “ShBA-ja janë partneri, miku dhe aleati ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm. Kundërshtarët e VV-së dhe Qeverisë së Kosovës, duke mos arritur të gjejnë argumente racionale bëjnë konstatime të tilla irracionale. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë anti-amerikanizmi tek kushdo nga kabineti ynë qeveritar, apo lëvizja ynë politike, përkundrazi, por ata që bëjnë akuza të tilla mbase më shumë shprehën në këtë mënyrë dëshpërimin opozitar, sesa ndonjë kritikë të vlefshme”, tha Kurti.

  • Në Hagë nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nesër mbahet seancat përgatitore në procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit e Ismet Bahtijarit.

    Sabit Januzi u arrestua një vit më parë bashkë me Ismet Bahtijarin. Ata akuzohen për krim kundër administrimit të drejtësisë. Seanca fillon në orën 09:30.

    Ndërkohë, në kalendarin e Speciales, procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, vazhdon nga 21 tetori.

  • Vdekja e tre personave në Badoc, Rama: Këto janë momente të rënda

    Vdekja e tre personave në Badoc, Rama: Këto janë momente të rënda

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj aksidentit të djeshëm me fatalitet në rrugën Gjilan-Prishtinë, ku vetura ra në Liqenin e Badoci dhe humbën jetën tre persona, raporton EO.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve.

    Tutje, ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, duke thënë se këto janë momente të rënda për ta.

    “Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”

    “Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë”, ka deklaruar Rama.

    Ndryshe, për EO Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 23:00, viktimat me veturën që kanë udhëtuar ka rënë në Liqenin e Badocit.

  • Mot i vranët sot, pritet të ketë edhe shi

    Mot i vranët sot, pritet të ketë edhe shi

    Moti sot parashihet të jetë kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga të dobëta shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsis, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimit e lehtë deri mesatare”, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Një neurolog i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është sulmuar dhe kafshuar nga qen endacakë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

    Lidhur me këtë, ka reaguar anesteziologia, Kumrije Shabani.

    Ajo i ka kërkuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, që të ndërmarr masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe.

    “Është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi.  Z. Rama, kërkoj nga ju që të ndërmerrni masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe. Kafshimet nga qentë endacakë nuk mund të jenë më një ngjarje e zakonshme në qytetin tonë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve është prioriteti kryesor. Ftoj urgjentisht që të adresoni këtë situatë dhe të jepni llogari për vonesat e zgjidhjes së saj”, ka shkruar Shabani në Facebook.