ATV

Tag: Ballina

  • Shpërthen një cisternë në Pejë, raportohet për një të vdekur

    Shpërthen një cisternë në Pejë, raportohet për një të vdekur

    Një incident i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Pejë, ku një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një cisterne.

    Lajmin e ka konfirmuar tashmë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

    “Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, kryeprokurori, policia dhe të gjitha organet kompetente”, tha Nikçi.

    Ndryshe, më herët, Policia e konfirmoi se rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, në rrugën “Tahir Zemaj”.

    Rastin e ka konfirmuar tashmë edhe Prokuroria Themelore në Pejë.

     

  • Të paktën 11 persona të vdekur nga uragani Milton në Floridë

    Të paktën 11 persona të vdekur nga uragani Milton në Floridë

    Të paktën 11 persona kanë vdekur si pasojë e erërave që ka shtyrë përpara uragani Milton në Floridë, kanë thënë zyrtarët, ndonëse stuhia nuk ka qenë në përmasat katastrofike, siç ishte parashikuar.

    Uragani është shtrirë në Floridë të mërkurën pasdite, dhe ka lënë rrugë të bllokuara, si pasojë e rrëzimit të drunjve dhe kabllove elektrike.

    Rreth 3 milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.

    Autoritetet kanë thënë se erërat, dhe jo sasia e madhe e ujit, i kanë shkaktuar vdekjet e 11 njerëzve.

    “Ka qenë goxha e frikshme”, ka thënë Susan Stepp, 70-vjeçare, banore në brigjet lindore të Floridës, ku kanë vdekur katër banorë të një shtëpie për të moshuarit.

    “Kanë gjetur njerëz të vdekur në pemë”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

    “Do të dëshiroja që ata të ishin evakuuar”.

    Vdekjet janë regjistruar në qarkun Shën Lucia, në Volusia, në Petersburg dhe në qytetin Tampa.

    Uragani Milton ka zbarkuar në brigjet e Floridës si stuhi e kategorisë së tretë, duke goditur ashpër këtë rajon, që ende nuk është ngritur në këmbë nga uragani tjetër, Helene, i cili e ka goditur vendin dy javë më parë, dhe ka vrarë 237 persona.

    Shkencëtarët besojnë se shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë shkatërruese, janë bërë më të ashpra dhe më të shpeshta, për shkak të ndryshimeve klimatike.

    Secilën herë që ngrohet uji në sipërfaqe të oqeaneve, mundësitë për stuhi bëhen më të mëdha.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit mesatar.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-9 m/s”, thuhet në njoftim.

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

    Poeti Lulzim Tafa nderohet nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

    Në një ceremoni solemne të organizuar të enjten, profesori dhe poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë shqipe.

    Në praninë e personaliteteve të shumta publike të Kosovës e Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Sh.T. Petrit Malaj, i ndau poetit Tafa mirënjohjen, duke çmuar lart veprën dhe kontributin e Tafajt për artin dhe letërsinë shqipe.

    “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin në fushën e letërsisë, si poet dhe shkrimtar. Vepra juaj e ka pasuruar kulturën dhe artin tonë kombëtar. Anëtarësimi juaj si akademik i jashtëm në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë është nder i merituar, na forcon lidhjet kulturore dhe shkencore të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori Malaj.

    Ndërsa poeti Lulzim Tafa, duke shprehur falëndërimet e tij theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë mirënjohje.

    “Ndihem shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe bashkë me ju kam kënaqësinë ta pranoj këtë mirënjohje… nderime të tilla nuk e bëjnë shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por më të sigurt në punën e tij krijuese”, u shpreh Tafa.

    Për veprën e Lulzim Tafës, fjalët më të mira i thanë edhe personalitete e pjeësmarrës në këtë ceremoni. Ndërsa edhe më madhështore e bëri atë, deklamimi i njërës nga poezitë monumentale të Lulzim Tafës (“Sa shpejt më harroi nana”), nga ambasadori shqiptar, Petrit Malaj.

    Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe është në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare.

    Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.

    Në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, Lulzim Tafa ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

  • ​Osmani: Forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

    ​Osmani: Forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se liria e demokracia gjithmonë do të triumfoj.

    Sipas saj ashtu siç kanë dështuar forcat barbare në Kosovë, do të dështojnë edhe në Ukrainë.

    “Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë!”, tha Osmani.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, ka theksuar se mësimet e së kaluarës ua kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme.

    “Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, ka shkruar Osmani.

  • Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë.

    Kjo seancë pritet të fillojë në ora 11:00.

    Rendi i ditës

    1. Votimi për emërimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
    5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
    14. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
    15. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
    16. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    17. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    18. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
    19. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
    20. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
    21. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
    22. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
    23. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
    24. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.
  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të mbajë mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale sipas IHMK do të lëvizin ndërmjet 5-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

  • Një muaj arrest shtëpiak për zv.sekretarin e MMPHI-së, Izedin Bytyqi

    Një muaj arrest shtëpiak për zv.sekretarin e MMPHI-së, Izedin Bytyqi

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj zëvendëssekretarit të Përgjithshëm Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.

    ATV-ja mëson se ndaj Bytyqit u caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

    PSRK-ja e kërkoi këtë masë ndaj Bytyqit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e armëmbajtje pa leje.

    Bytyqi bashkë me zyrtarin tjetër dyshohen për keqpërdorime që arrijnë vlerën miliona euro, duke u mundësuar kompanive që merren me ambalazhimin e ujit të shlyejnë borxhin kundërligjshëm.

     

  • “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdarë – pengohen nga Policia

    “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdarë – pengohen nga Policia

    Policia e Kosovës ka penguar anëtarët e Partia Socialdemokrate (PSD) të vendosin disa pankarta në rrethojat në pikën kufitare në Merdarë. Policia ka kërkuar nga anëtarët e PSD-së që pankarta t’i vendosin jashtë rrethojave, raporton Ekonomia Online. Por një gjë e tillë u kundërshtuan nga aktivistët e kësaj parie, me ç’rast pati edhe një përplasje ndërmjet tyre.

    Më pas ata kanë vendosur një pankartë me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti me një mbishkrim “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”.

    Aksioni i PSD-së vjen një ditë pasi ky pikëkalimin kufitar me Serbinë, me vendim të Qeverisë është hapur për kalimin e mallrave serbe.

    Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje për Ekonomia Online ka thënë se kamionët me mallra që kanë origjinë Serbinë, kanë qarkulluar pa ndonjë problem gjatë këtyre ditëve por që numri i tyre gjatë dy ditëve ka qenë i vogël.

    Kurse ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë dje gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

    Andaj, siç bëri të ditur ai, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

    Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare.

    Importimi i mallrave serbe rifilloi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dy ditë më parë për ta hequr kufizimin ndaj mallrave nga Serbia për këtë pikëkalim kufitar.

  • Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Europian ka kërkuar “aprovimin e kësaj agjende të reformave”, ndërsa tregoi se ajo u negociua me Komisionin Europian nga një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    “Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.

    Kurti tha se Kosova “ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive”.

    Ai tregoi se “si rezultat i këtij plani”, Kosova “mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro”. Afër 30% e kësaj shume, Kurti tha se “janë grante” ndërsa “rreth 70% janë hua afatgjate”.

    Agjenda, siç tha Kurti, përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë “qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”.

    “Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

    Ai tha se Komisioni Europian më pas “do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua”.

    Bislimi, ndërkaq, tha se kjo agjendë është “rezultat i një pune pothuajse njëvjeçare”.

    Këshilli i Bashkimit Europian e ka miratuar në maj Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

    Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u kërkohet “progres i matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.

    Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.