ATV

Tag: Ballina

  • Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

    Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

    Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

    Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

    Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

    Scholz tha se marrëveshjet e reja “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.

    “Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

    Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

    Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

    Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

    Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme./REL

  • ​Presidentja e KE-së mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

    ​Presidentja e KE-së mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mirëpritur zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA dhe avancimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm rajonal të bashkëpunimit.

    Pas samitit të Procesit të Berlinit, Von der Leyen përmendi edhe largimin e kufizimeve për hyrjen në Kosovë të mallrave serbe.

    Ajo tha se këto veprime janë të dobishme për normalizim në Ballkanin Perëndimor.

    “Procesi i Berlinit është bërë promotor i tregun rajonal ekonomik, të përbërë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është qenësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë në mënyrë të lehtë, pasi i mundëson kompanive të Ballkanit Perëndimor që të tregtojnë dhe krijojnë vende pune. Pasi ky rajon është afër nesh është edhe afër tregut tonë të përbashkët. Unë mirëpres shumë marrëveshjen e javës së kaluar që është bërë në nivel të CEFTA-s. Sidomos që kufizimi i eksporteve nga Serbia në Kosovë do të pezullohen. Uroj për shfaqjen e këtij vullneti politik po ashtu edhe juve Olaf Scholz për shkathtësitë e ndërmjetësimit, pasi ky është një hap për normalizim”, theksoi ajo.

    Krahas kësaj, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ajo tha se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të miratuara të vendeve të rajonit do të adaptohen këtë javë nga BE-ja.

    Ajo tha se pagesat e para të pakos prej 6 miliardë eurove do të bëhen para përfundimit të vitit.

    “Na nevojitet një urë ndërmjet tregut rajonal të përbashkët dhe tregut të vetëm evropian. Kjo urë është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në vlerë 6 miliardë euro investimesh. Plani i rritjes dhe Procesi i Berlinit janë të ndërlidhur. Me Planin e Rritjes e hapim dorën për sektorë të caktuar të tregut të vetëm. Që të përdoret kjo hapje, Ballkani Perëndimor duhet të ketë reforma në nivelin horizontal”, theksoi ajo./KP/

  • Ministria e Mbrojtjes: Kemi pranu 106 persona për zgjidhjen e problemit, FSK së shpejti do servohet me ushqim cilësor

    Ministria e Mbrojtjes: Kemi pranu 106 persona për zgjidhjen e problemit, FSK së shpejti do servohet me ushqim cilësor

    Ministria e Mbrojtjes ka thënë se së shpejti pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor.

    Në komunikatën e lëshuar thuhet se pas pranimit të stafit profesional të kuzhinerëve, kjo problematik do t’i përkasë të së kaluarës.

    “Fillimisht duam të sqarojmë që është i pavërtetë lajmi se ministri Maqedonci ka dërguar letër te kryeministri Kurti përmes së cilë gjoja ministri thekson se refuzon të nënshkruaj kontratën e furnizimit me ushqim me operatorin e ri ekonomik. Një letër e tillë nuk është dërguar”, thuhet në sqarim.

    Sipas ministrisë, me udhëzimin e ministrit Maqedonci dërguar të premten e 11 tetorit, tenderi është anuluar, për shkak të kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve të shpallur fitues, njëri nga të cilët ka dërguar dhe personalisht kërkesë për anulim të tenderit. Kjo pasiguri ligjore e prodhuar me këtë rast ka bërë që ministri Maqedonci të mos e nënshkruajë kontratën, e që rrjedhimisht një tender i tillë i panënshkruar nuk prodhon asnjë pasojë juridike apo financiare.

    “Duke marrë shkasë dhe nga ky rast, ministri në konsultim me zëvendësministrin, këshilltarët, komandantin dhe strukturat relevante te FSK-së ka gjeneruar konceptin e vetqëndrushmërisë si opsionin më të mirë për zgjidhjen e problemit të kahmotshëm të ushqimit. Mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi”.

    “Pavarësisht asaj që po tentohet të paraqitet në publik përmes përhapjes së lajmeve të pavërteta, ritheksojmë se ministria e mbrojtjes për herë të parë ka inicuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake. Gjersa çdo kazermë aktualisht ka të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, më 10 tetor në web faqen e Ministrisë së Mbrojtjes është hapur konkursi për pranimin e stafit profesional të kuzhinerëve. Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematikë do t’i përkas së kaluarës. Pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • ​Kurti: Kosova nga 1 janari do të lejojë lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës

    ​Kurti: Kosova nga 1 janari do të lejojë lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën Kosova ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, ai ka vendosur t’i jap fund pritjes.

    Kurti në Samitin e Berlinit, ka thënë se duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Adresimi im në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit:

    I nderuar Kancelari Scholz,

    E nderuara Presidentja von der Leyen,

    Anëtarë të Procesit të Berlinit,

    1. Procesi i Berlinit filloi në gusht të vitit 2014, pak pasi zgjerimi i BE-së pauzoi dhe Rusia aneksoi Krimenë.

    2. Dhjetë vjet më vonë, siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për të mirë, por përgjigjja ndaj invazionit të Rusisë në Ukrainë ka qenë ndryshe. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë kandidatë të BE-së, Suedia dhe Finlanda i janë bashkuar NATO-s dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përsëri në agjendën e BE-së.

    3. Qe një dekadë, Procesi i Berlinit po luan një rol në përafrimin e vendeve të rajonit tonë bashkë dhe drejt BE-së. Pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, Procesi i Berlinit mbetet një forcë shtyse për integrimin evropian dhe fija që i mban të lidhura gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo çka e njohim dhe festojmë këtu në Berlin.

    4. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi. Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit.

    5. Plani i Rritjes i BE-së është tani një Agjendë e miratuar e Reformave; zbatimi i tij duhet të ndjekë qasjen e “garës për në majë”.

    6. Përgjatë një dekade, në Procesin e Berlinit është shënuar progres domethënës ,por nevojiten më shumë veprime. Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    7. Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    8. Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën.

    9. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo “Procesi i Pekinit”, i cili çon drejt BRICS-it.

    10. Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së.

    Kancelar Scholz,

    Presidente von der Leyen,

    Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe qëndrueshmëri institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj.

    Ju falemnderit.

  • ​Kurti pritet nga Scholz: Tash është momenti për ta bërë të suksesshëm Procesin e Berlinit

    ​Kurti pritet nga Scholz: Tash është momenti për ta bërë të suksesshëm Procesin e Berlinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në prag të nisjes së samitit të Procesit të Berlinit.

    Ai ka vlerësuar lartë rolin që sipas tij ka luajtur Procesi i Berlinit për të sjell më afër BE-në në vendet e Ballkanit e Perëndimor.

    “10-vjetori i Procesit të Berlinit vendtakim e ka pikërisht kryeqendrën e Gjermanisë. Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së. Berlini është vendi dhe tash është momenti për më shumë progres, e për ta bërë këtë samit jubilar të suksesshëm”,ka shkruar Kurti në rrjetin social X./KP

  • Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

    Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

    “Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

    “Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

    I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.

    Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

    Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

    Duke folur për rëndësinë e Procesit të Berlinit, Scholz tha se ai “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

    “Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.

    Scholz, po ashtu, paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

    I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti ne një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.

    “Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, shkroi në Facebook kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është i pranishëm në samit.

    Përgjatë viteve, në Procesin e Berlinit janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar. /REL/

  • ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror. Nga të gjitha rastet e trajtuara gjatë periudhës janar-shtator 2024, në Klinikën e Gjinekologjisë, prej 26 rasteve të trajtuara, 11 prej tyre kanë rezultuar në braktisje. Ndërsa në vitin 2023, prej 30 rasteve të trajtuara vetëm katër fëmijë janë braktisur.

    Për momentin në SOS Fshatrat e Kosovës janë 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Shkak i pritjes së gjatë për adoptim, për të cilin ndodh se familjet presin deri në 10 vjet, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala po është numri i vogël i fëmijëve me status për adoptim.

    “Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror me status të zgjidhur e potencial për adoptim, është shumë i vogël. Kjo ndodh për shkak që ka numër të lartë të familjeve që parashtrojnë kërkesa dhe janë të vlerësuara pozitivisht për adoptim, por numri i fëmijëve me status për adoptim është i vogël. Andaj, kjo është arsyeja e pritjeve të gjata”, ka thënë Shala në një përgjigje me shkrim.

    Punëtorja sociale në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Hafize Hamza-Geci ka potencuar se gjendja ekonomike është ndër shkaqet kryesore të braktisjes së fëmijëve.

    “Vitin 2023 kemi pasur rënie të numrit të fëmijëve të braktisur në klinikën tonë. Gjithsej, kemi trajtuar 30 raste, kurse në braktisje, refuzim të kujdesit ndaj fëmijës së tyre kanë rezultuar 4 raste. Këtë vit, deri më 30 shtator 2024 kemi një ngritje shumë më të madhe të braktisjes së fëmijëve, pas lindjes nga prindërit. Nga të gjitha rastet që janë trajtuar gjatë 2024, prej 26 rasteve, 11 kanë rezultuar në braktisje. Arsyet më të shpeshta të braktisjes së fëmijëve menjëherë pas lindjes nga nënat, janë shkaqe ekonomike, por edhe arsye të ndryshme, si braktisja e partnerit dhe mospërkrahja e familjes së tyre”, ka potencuar Geci.

    Drejtoresha e SOS Fshatit, Ora Bytyçi, tregon se momentalisht në SOS janë gjashtë familje, të cilat jetojnë në banesa me qira. Ai ka theksuar se SOS Fshatrat nuk përkrahen financiarisht nga qeveria, si çdo organizatë tjetër aplikojnë për grande me projekte.

    “Momentalisht, kujdesemi për 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Momentalisht, kemi 6 familje SOS. Ne, kemi vendosur që së bashku me SOS nënat dhe tezet që të marrin banesa me qira në Prishtinë… Kur fëmijët tanë arrijnë moshën 18-vjeç, ne kemi edhe programin e gjysmë pavarësimit. Në programin e gjysmë pavarësimit i kemi 12 të rinj, ndërsa ata të cilët kanë kaluar edhe atë trevjeçarin e gjysmë pavarësimit, janë mbi 30 të rinj… Për momentin, nuk përkrahemi financiarisht nga shteti, sigurisht i kemi disa prej projekteve që aplikojmë dhe fitojmë grante, por aplikojmë si çdo organizatë tjetër. Në të ardhmen shpresojmë të jemi në buxhetin e Republikës së Kosovës sepse, këta fëmijë janë të Kosovës, janë brengë e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

    Fëmijët pa përkujdesje prindërore janë në kompetencë të organit të kujdestarisë në Qendrën për Punë Sociale, i cili sipas kompetencës territoriale dhe mandatit si dhe në përputhje me dispozitat e ligjeve që rregullojnë mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të fëmijëve ndërmerr hapa e veprime për mbrojtjen e fëmijës. /kp

  • Mbahet samiti i Procesit të Berlinit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Kurti

    Mbahet samiti i Procesit të Berlinit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Kurti

    Sot në kryeqendren gjermane, do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit.

    Kosova, aty do të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ky vit do të jetë jubilar i 10-ti me radhë, kumbara e së cilës ishte kancelarja Angela Merkel.

    Qëllimi i kësaj nisme ishte nxitja e bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.

    Në kuadër të kësaj deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.

    Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.

    Në mungesë të përparimit të dukshëm shteteve të rajonit në proceset e integrimeve evropiane, ku shtete e rajonit janë në faza të pabarabarta, procesi i Berlinit ka ndihmuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbahet lart në agjendë të Brukselit.

    Procesi i Berlinit vazhdon të luajë një rol vendimtar në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor.

    Këtë vit, Kosovës iu mundësua pjesëmarrja falë zhbllokimit të CEFTA-s, gjë që e parandaloi përjashtimin e vendit tonë nga ky samitm të vetmes platformë ku Kosova përfaqësohet e barabartë.

    Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.

  • Ushqimi në FSK, Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme

    Ushqimi në FSK, Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

    Në rend dite do të jetë trajtimi i problemit të furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Seanca nis nga ora 12:00.

    Deputetët sot do të mblidhen me iniciativën e AAK-së.

  • Maqedonci ia kthen Serbisë: Prej kur keni filluar t’a ruani prerjen e pyllit me ushtarë të armatosur?

    Maqedonci ia kthen Serbisë: Prej kur keni filluar t’a ruani prerjen e pyllit me ushtarë të armatosur?

    Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë tha se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

    Por, ndaj këtij deklarimi të Kurtit, reagoi Ministria serbe e Mbrojtjes e cila ka akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”, duke thënë se “autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.

    Ndaj kësaj deklarate të autoriteteve serbe ka reaguar ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se Serbia pas rasteve të tilla gjithmonë mundohet të arsyetohet.

    “Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë. Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai ka thënë se veprime të tilla të Serbisë janë tregues të qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

    “Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë. Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, ka shkruar Maqedonci.