ATV

Tag: Ballina

  • Sot në Kuvend mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita

    Sot në Kuvend mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita

    Me iniciativën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, e cila pritet të nis në ora 12:00.

    Temë e kësaj seance pritet të jetë procesi i përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Nesër nga ora 12:00/h, në emër të 41 deputetëve të opozitës kemi ftuar Seancë të Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të trajtuar keqpërdorimet e rreth 11 milion eurove të faljes së kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, për të cilin rast tashmë ka edhe të arrestuar, e procesi është nën hetime penale. Në këtë seancë, domosdoshmërisht do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetik nga Dejona Mihali”, ka shkruar ai dje në një postim në Facebook.

    Falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit dhe mesazhet e Mihalit me Krasniqin, PDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme

  • Ndahet nga jeta Mike Jackson, gjenerali britanik që udhëhoqi hyrjen e KFOR-it në Kosovë

    Ndahet nga jeta Mike Jackson, gjenerali britanik që udhëhoqi hyrjen e KFOR-it në Kosovë

    Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it, forcës paqeruajtëse të NATO-s për të zbatuar marrëveshjen e paqes në Kosovë, ka vdekur në moshën 80 vjeçare.

    Lajmi për vdekjen e gjeneralit Mike Jackson e dha ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

    Jackson mori rolin e udhëheqjes së KFOR-it pas fushatës 78-ditore të bombardimeve kundër Jugosllavisë, që synonte t’i jepte fund gjenocidit në Kosovë.

  • Dy ndeshje, dy fitore në muajin tetor: Kosova mposht edhe Qipron, me lehtësi

    Dy ndeshje, dy fitore në muajin tetor: Kosova mposht edhe Qipron, me lehtësi

    Kosova e ka kompletuar këtë tetor me dy fitore nga dy ndeshje, duke mposhtur edhe Qipron me rezultat 3-0, pas fitores ndaj Lituanisë (2-1).

    Dardanët e nisën me dominim ndeshjen, ndërsa qipriotët kishin vendosur të luanin ashpër, duke bërë disa ndërhyrje të palejuara.

    Por, Amir Rrahmani shënoi në minutën e 30-të, duke thyer mbrojtjen kundërshtare me një super kalim në stilin e sulmuesit.

    Pjesa e parë përfundoi me këtë gol, përkundërt se kishim raste të dyfishonin epërsinë.

    Mirëpo, këtë gjë e bëri Ermal Krasniqi, kur realizoi një gol të bukur në minutë e 52-të për 2-0.

    Dardanët nuk ndaleshin së kërkuari golin e tretë dhe ai erdhi në minutën e 71-të.

    Emir Sahiti që ishte inkuadruar vetëm katër minuta më parë, realizoi për 3-0, për ta vulosur fitoren e Kosovës.

    Kosova gjendet në vendin e dytë me nëntë pikë, tri më pak se Rumania që na pret në muajin nëntor, ndërsa Qipro ka tri dhe Lituania pa pikë.

  • Murati: Sot u ekzekutuan pensionet me rritje

    Murati: Sot u ekzekutuan pensionet me rritje

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pensionet për të gjitha kategoritë, me rritjen prej 20%.

    “Qeveria për të gjithë!”, ka shkruar Murati.

    Kjo rritje prej 20 % është kritikuar nga opozita si një lëvizje politike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Postimi i plotë:

    Sot është bërë ekzekutimi i pensioneve siç bëhet rëndom sipas kalendarit me datën 15 të muajit.
    Duke filluar nga ky muaj, skemat si vijon ekzekutohen me rritjen prej 20%:
    – Pensioni Bazik i Moshës,
    – Pensioni Kontributpagues, i plotë dhe parcial,
    – Pensionet për Aftësi të Kufizuara,
    – Pensioni për Personat e Verbër,
    – Pensioni për Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë,
    – Pensioni Invalidor i Punës,
    – Pensioni Familjar, dhe
    – Pensioni i Parakohshëm i Trepçës.
    Qeveria për të gjithë!

  • MPJD: Serbia liron Sadik Durakun

    MPJD: Serbia liron Sadik Durakun

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka Serbia ka liruar nga paraburgimi kosovarin Sadik Duraku, që ishte arrestuar më herët gjatë këtij vitit nën dyshime për krime lufte më 1999.

    Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës ishte arrestuar më 17 prill në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci.

    Autoritetet serbe dyshonin se ai kishte kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.

    Sipas Serbisë, dyshohej që Duraku “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

    Avokati i tij më herët i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Duraku, shtetas i Britanisë së Madhe, që nga dhjetori i vitit 1998 kishte qenë në këtë shtet dhe nuk ishte kthyer në Kosovës deri në vitin 2004.

    Edhe familja e tij kishte thënë për REL-in se Duraku kishte jetuar në Britani të madhe para se të niste lufta në Kosovë.

    Edhe shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa.

    Ndërkaq, ditë më parë MPJD po ashtu konfirmoi se M.I, i ndaluar në Serbi nën dyshime për krime lufte është shtetas i Kosovës.

    Autoritetet e Kosovës i kanë dërguar kërkesë Serbisë që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen nga autoritetet serbe. Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar në korrik të këtij viti se nuk pret që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese.

  • ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist që do të fillojë një dinamikë e re në dialogun me Serbinë, pas konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga BE-ja, ku sipas tij kjo dëshmon zmbrapsje nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Përkitazi me këtë, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e nënshkrimit të marrëveshjes.

    Kurti në një adresim për media pas samitit të Procesit të Berlinit, foli edhe për vendimin që unilateralisht të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë Hercegovinën si dhe kërkesat që i ka paraqitur në takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    “Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohen kryekrimineli Milan Radoiçiq që na vrau rreshterin, heroin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij që tashmë ndodhën në aktakuzën 160 faqesh të Prokurorisë. Ne kërkojmë që letra e ish kryeministres Bërnabiq të tërhiqet, pasi me atë letër që i është dërguar 27 vendeve të BE-së ajo është tërhequr nga marrëveshja. Njëkohësisht ajo çka jemi marrë vesh, marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, pasi nënshkrimi është garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit ndërmjet palëve. Sa herë flasim për dialog unë insistoj të përmend faktin se kemi marrëveshje bazike dhe se dialogu ka pasur sukses. Por neve na duhet të respektojmë dhe zbatojmë marrëveshjen”, tha ai.

    Ai shtoi se në takim me kancelarin gjerman ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta. T’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë që të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje që me shumë përgjegjësi, durim dhe disiplinë do t’i përgjigjemi atyre pyetjeve. As nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

    Duke folur heqjen e vizave për Bosnjën në mënyrë unilaterale prej 1 janarit 2025, Kurti e arsyetoi këtë vendim, derisa tha se shteti boshnjak për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

    “Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm. Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor… Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha Kurti.

    Ndërkaq e përmendi edhe nevojën që avionët që nisen ose aterojnë nga aeroporti “Adem Jashari” në Kosovë të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë, pasi e njëjta vazhdon të jetë e mbyllur tash e 25 vjet.

    “Kemi bërë kërkesa konkrete, siç është ajo kur avionët aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet që nga intervenimi i NATO-s. Kjo shkakton kosto për kompanitë, kosto për udhëtarët dhe ndotje të ambientit. Kemi pasur kërkesa të tilla që i kemi thënë në këto takime”, përfundoi Kurti./KP/

  • Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Policia e Kosovës ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të ndërmarrin veprime ndaj palës serbe, pasi sot tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe.

    Sipas informacioneve nga kompetentët, njofton Policia, aty shiheshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth dhjetë minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe!

    Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.

    Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.

    Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar.

  • Ekzekutivi mburret me rritjen e pagave, ekonomistët: Paga mesatare nuk i mbulon shpenzimet

    Ekzekutivi mburret me rritjen e pagave, ekonomistët: Paga mesatare nuk i mbulon shpenzimet

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Paga mesatare mujore bruto në Kosovë, gjatë vitit 2023 ishte 570 euro, 49 euro më shumë sesa në vitin 2022.

    Ndërsa, krahasuar me vitin 2020 kur ajo ishte 466, deri në vitin 2023, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ajo për tri vite ka shënuar rritje për 104 euro.

    Me këto të dhëna është mburrur ministri Hekuran Murati, duke shtuar se të njëjtat demantojnë ata që kanë mohuar rritjen e pagave.

    Megjithatë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e pagave nuk është në proporcion me ngritjen e çmimeve.

    “Në qoftë se e analizojmë nivelin apo fuqinë blerëse të këtyre pagave “të rritura”, krahasuar me vitin 2020, janë shumë më të ulëta sesa kanë qenë. Varësisht nga trendet ekonomike, inflacionin duke e përcjellë duhet të vendoset në rritje të pagës. Është shqetësuese që në Kosovë flitet për pagë mesatare e minimale, por askush nuk e kalkulon nevojën për një pagë të jetës ku dihet që shkencërisht e analizuar që për një familje katëranëtarëshe duhet një pagë 1140 euro”, tha Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

    “Ne kemi nevojë për ribalancim të pagës, sepse shpenzimet mbi të ardhurat nuk janë të barabarta dhe ne atëherë kemi jo rritje, por në keqrritje apo në një mosbalancim ekonomik, sepse çdo rritje goditet me pjesën e inflacionit, me shportën e konsumit”, tha Adem Qorrolli, njohës i ekonomisë.

    Brenda vitit 2022-2023, në sektorin publik janë ngritur pagat për 18 %, ndërsa në atë privat për vetëm 8,9 %.

    Ndërkaq, nga mbi 400 mijë të punësuar në Kosovë, vetëm mbi 80 mijë janë të punësuar në sektorin publik.

    “Në vend se ata të jenë të stimuluar dhe të motivuar, sot frytet e mundin e sektorit privat i shfrytëzon administrata dhe ndërmarrjet publike që çdo ditë e më tepër janë duke dështuar”, tha Gërxhaliu.

    “Rritja ekonomike nuk kalon 4% dhe kur inflacioni më 2023 është 16% dhe 2024 është duke u ribalancu me 3 deri 6% atëherë neve nuk na japin këto shifra sepse e dimë që sektori shtetëror udhëheq me 80 mijë të punësuar, kurse pjesa tjetër është e sektorit privat atëherë këtu matet mirëqenia”, tha Qorrolli.

    Megjithatë, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është punuar edhe në ngadalësimin e rritjes së inflacionit, derisa ka publikuar një tabelë të TradingEconomics që Kosovën e ngre në shtetet me shkallën më të ulët të inflacionit në Evropë.

  • Pa pushtetin, opozita diskuton në Kuvend për ushqimin në FSK

    Pa pushtetin, opozita diskuton në Kuvend për ushqimin në FSK

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Deputetët opozitarë diskutuan vetëm me njëri-tjetrin rreth çështjes së ushqimit në FSK, pasi pushteti refuzoi të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur pikërisht për këtë.

    Madje, në mungesë të pushtetit, edhe seanca u udhëhoq nga nënkryetari Enver Hoxhaj që vjen nga Partia Demokratike.

    Sidoqoftë, foltoren e Kuvendit e shfrytëzuan për akuza ndaj ekzekutivit, që la ushtarët në këtë gjendje.

    Kjo s’do të guxonte të ndodhë, sipas kreut të AAK-së, nëse në krye të Qeverisë do të ishte vetë ai.

    Madje, sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ushtria për herë të parë po shënon rënie pas shumë vitesh.

    Veçse kjo sipas opozitës nuk është e para çështje që Qeveria dështoi.

    Andaj një tjetër deputete ka një mendim paksa interesat.

    Për ushqimin në Forcën e Sigurisë, folën pothuajse të gjithë deputetët opozitarë, teksa të gjithë janë të të njëjtit mendim se për këtë çështje, dikush duhet të japë llogari.

    Krahas opozitës, seancës së jashtëzakonshme iu përgjigjën edhe deputetët Haki Abazi, Eman Rrahmani e Fatmir Humolli, të tre të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Procesi i Berlinit-Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi

    Procesi i Berlinit-Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për Mobilitetin, si dhe miratimin e deklaratës për fqinjësi të mirë, ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Pasi theksoi se Bashkimi Evropian është i plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor brenda, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz vlerësoi se me këto ujdi rajoni po bën hapa të mëdhenj drejt integrimit.

    “Dua t’ju falënderoj për zhbllokimin e CEFTA-s. Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak sesa një hap i madh përpara në bashkëpunim rajonal. Dhe zhbllokimi i CEFTA-s lejon, tani lejon një mori marrëveshjesh të aktivizohen, për shembull: në punën e kalimeve kufitare, lejeve dhe rregullat tregtare rajonale. Kjo do të ndihmojë për thellimin e mëtejmë të Tregut të Përbashkët Rajonal. Do të doja të përshëndes Kosovën për kontributin në këtë sukses, duke vendosur që të hapë në mënyrë permanente një pikë kufitare për mallrat nga Serbia, javën e kaluar”, tha kancelari Olaf Scholz.

    Teksa negociatat i vlerësoi si të vështira, kancelari Scholz përmendi deklaratën e dakorduar dhe theksoi rëndësinë e, siç u shpreh ai, tejkalimit të së kaluarës dhe angazhimit për pajtim.

    “Kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, ju lutem mos lejoni të kaluarën t’ju mbajë prapa në rrugën drejt një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Mbetem i bindur se e ardhmja është në BE dhe ka vetëm një rrugë që çon atje, mirëbesimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve që tashmë keni arritur”, tha Scholz.

    Në frymën e bashkëpunimit rajonal, në Berlin, kryeministri Albin Kurti njoftoi për lehtësimin e njëanshëm të lëvizjes me Bosnjë e Hercegovinën, përkundër se ky shtet nuk e njeh Kosovën.

    “Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.

    Me këtë rast, kryeministri kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

    Ndërsa, edhe në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, kancelari gjerman rëndësi të veçantë i kushtoi deklaratës së darkorduar për fqinjësi të mirë, si dhe zhbllokimit të CEFTA-s.

    Pasi tha se tani, për dallim nga dekada e kaluar, zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, Von der Leyen theksoi rëndësinë e Planit 6 miliardësh të Rritjes si plotësim i Procesit të Berlinit, me qëllim përshpejtimin e integrimit të rajonit.

    “Me Planin e Rritjes, ne hapim derën ndaj sektorëve specifikë të Tregut Unik Evropian. Për të përdorur këtë hapje, Ballkani Perëndimor duhet të miratojë reforma relevante për të një fushë të nivelizuar të lojës dhe këto reforma mbështeten, si kthim, me investime evropiane në secilin shtet”, tha Von der Leyen.

    Të dy liderët evropianë theksuan se procesi i anëtarësimit do të jetë i bazuar në merita dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund ta bllokojnë njëra-tjetrën.