ATV

Tag: Ballina

  • Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit

    Kurti publikon marrëveshjet e nënshkruara në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar marrëveshjet e nënshkruara gjatë 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, të hënën e kaluar.

    Në një postim në “X”, shefi i qeverisë thotë se Procesi i Berlinit për një dekadë ka afruar rajonin tonë dhe ka çuar Kosovën përpara drejt integrimit në BE.

    “Kosova ka qenë dhe do të jetë një anëtare proaktive dhe standarde në Procesin e Berlinit, duke avokuar për përparim më të madh me rregullat dhe vlerat e BE-së në thelb të tij”, ka shkruar Kurti.

    Në postimin e Kurtit mund t’i shihni marrëveshjet e nënshkruara dhe deklaratat e miratuara.

  • Osmani mban takim më Kongresistin Ritchie Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon

    Osmani mban takim më Kongresistin Ritchie Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mbajtur një takim me Kongresistin, Rithchie Torres.

    Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se e kanë mbajtur një takim përmbajtësor me të për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, shkruan EO.

    Tutje, Osmani shprehet mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ajo falënderon mërgatën për organizimin dhe që sipas saj vazhdon të luajë rol kyç në kultivimin dhe fuqizimin e vazhdueshëm të kësaj aleance.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    IHMK ka njoftuar se sot temperaturat minimale do të shkojnë deri në -1 gradë, ndërsa maksimalet deri në 18 gradë.

    “E hënë- Mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gardë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.”

  • Zbatim i mangët i marrëveshjeve milionëshe

    Zbatim i mangët i marrëveshjeve milionëshe

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Marrëveshja në letër u nënshkrua para rreth një viti, e për të u thanë edhe fjalë të mëdha.

    Por zbatimi i projektit në vlerë 13.2 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim, për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, sipas zyrtarëve në këtë komunë është krejt në fazën fillestare.

    “Ka nisur diçka shumë e vogël, një përqindje shumë e vogël, është projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët që njëherë e mirë me u luftua ujërat e zeza…”, tha Donat Lushaku, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.

    Pak para përfundimit të vitit 2023, Ministria e Financave nënshkroi marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, ku morën kredi 20 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza edhe për komunën e Ferizajt, por veç nënshkrimit asnjë hap tjetër nuk është bërë.

    Veç tyre, Ministria e Financave gjatë mandatit të saj nënshkroi dhjetëra marrëveshje miliona euro, për të cilat paratë kryesisht u morën hua.

    Vitin e kaluar, ministri Harkuan Murati nënshkroi marrëveshje 90 milionëshe me Bankën Botërore, për Financimin e Politikave Zhvillimore dhe Fiskale.

    Po ashtu, nënshkroi marrëveshje me komunën e Prishtinës, garant me vlerë 1 milionë euro, si dhe 5 milionë euro kredi të butë për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë.

    Marrëveshje në vlerë 23.5 milionë euro u nënshkrua edhe për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

    Praktikë të gabuar e quan ish-ministri i Financave, Haki Shatri, marrjen e huave për projekte që, sipas tij, 40 për qind prej tyre as që i kanë nisur punimet.

    “Miliona euro i ka në buxhet që i mbesin çdo vit, marrin kredi për projekte, obligimet e kredisë janë duke u paguar por…”, tha Haki Shatri, ish-ministër i Financave.

    Hua nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro u morën edhe për Reformën në skemën sociale dhe pensionale. Për nivelin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe të tjerave të nënshkruara deri më tani, Ministria e Financave nuk dha detaje të mërkurën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ndryshimet e shifrave të të punësuarve, s’lidhen me punëtorë të rinj

    Ndryshimet e shifrave të të punësuarve, s’lidhen me punëtorë të rinj

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në gusht të këtij viti, në Administratën Tatimore të Kosovës ishin të regjistruar 417 mijë e 300 punëtorë. Kjo shifër është rreth 13 mijë më shumë, se ajo e muajit janar.

    Por, sipas të dhënave zyrtare të ATK-së, më shumë punëtorë pati të regjistruar në muajt prill deri korrik.

    Ndryshime të tilla, sipas ekonomistëve, nuk përbëjnë argument për shtim të vendeve të punës.

    “Këta persona nuk janë të rinj edhe pse regjistrohen si të tillë, këta vetëm e këta persona e janë shkëputur nga një marrëdhënie pune dhe janë rikthyer serish..” , tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Lëvizjet e shpeshta të punëtorëve, sipas ekonomistit Jakup Bellaqa, ndodhin për shkak të kushteve të rënda për punëtorët, në veçanti në sektorin privat.

    Andaj ekonomistët bëjnë thirrje që vendi të fokusohet në punësime të qëndrueshme e jo të përkohshme.

    Ndërkaq, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, vetëm 37.1% e qytetarëve në moshë pune, janë aktiv në treg të punës. Kjo përqindje është më e ulëta në rajon.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dhjetëra Projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero

    Dhjetëra Projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë mbi 50 projektligje që kanë ngecur në mes të dy leximeve.

    Disa prej tyre, sikurse Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, Kodi Civil apo Projektligji për zyrtarët publikë ka më shumë se një vit që nuk kanë lëvizur para.

    Dhe me përmbylljen e mandatit të legjislaturës së tetë, të gjitha këto projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero.

    Kuvendi i Kosovës tash e një kohë të gjatë ballafaqohet me mosfunksionim si pasojë e mungesës së kuorumit në seanca. Rrjedhimisht në ‘mëshirë’ të kuorumit kanë mbetur edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

    Përpos ngërçit të krijuar në mosvotimin e projektligjeve për shkak të dallimeve mes pushtetit e opozitës, deri në fund të këtij mandati edhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka 3 deputetë më pak.

    Asaj iu larguan Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Drita Millaku.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Pajisjet për “IVF” gati, por projektligji s’është miratuar

    Pajisjet për “IVF” gati, por projektligji s’është miratuar

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Pajisjet e reja dhe të standarteve të larta që nevojiten për IVF, tashmë janë vendosur në sallat e Repartit të Inferlitetit në Klinikën e Gjinekologjisë në QKU.

    Kompletimi i tyre pritet të bëhet së shpejti, derisa nga Klinika e vlerësojnë të domosdoshme nisjen e këtij shërbimi gjinekologjik mjekësor në institucionin publik.

    ‘’Po presim edhe një pjesë të fundit të pajisjeve që janë tenderu, janë pajisje të kyëura me me softëer të vet me kode me gjana që na mbrojnë prej gabimeve prej përzimjes se qelizave. Nëse e mendoni si të vonuar pas luftës ekziston vonesa por saj përket projektit si projekt është aprovuar për mu zbatu prej Ministrisë së Shëndetësisë prej periudhës 2023-2025’’, tha Leandrit Bejtullahu, shef i repartit të Gjinokologjisë.

    Deri në 200 pacientë brenda vitit, pritet të kryejnë IVF-in.

    ‘’Brenda ditës është pak me vështirë me fol por unë kisha fol në baza vjetore na kemi paraparë për momentin diku deri në 200 pacienta në vjet por tash varësisht edhe se si do të jemi të furnizum edhe sa ka me pas interesim’’, tha ajo.

    Madje edhe hapësirat e laboratorëve që nevojiten për analiza më specifike për Fertilizimin in vitro, tani janë gati.

    ‘’Sikurse që e shihni labaratori për fertilizim të asistuar mjekësorë përbëhet nga tri hapësira momentalisht ndodhemi në hapësirën e embriologjisë, në anën tjetër kemi hapësirën e antrologjisë dhe hapësirën e krijoprezevimit’’, tha Syzana Jonuzi-Maxharraj, embriologe klinike.

    Por pavarësisht që nga Klinika Gjinekologjike shprehen të gatshëm që brenda këtij viti të ofrojnë këtë shërbim mjekësor, në Kuvend të Kosovës për të disaten herë ka dështuar të votohet në lexim të dytë Projektligji për shëndetin riprodhues.

    Bazuar në këtë, sipas anëtarit të Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, blerja e pajisjeve pa kaluar ligji është vetëm lojë e Qeverisë.

    ‘Blerja e pajisjeve pa kaluar ligji është bërë për shkak të deromanisë dhe jo për ti shërbyer qytetarëve sepse cila është rëndësia e blerjes se pajisjeve për IVF në sektorin publik nëse ligji nuk ka kalu që një vit e gjysmë për shkak të problemeve të brendshme edhe kundërshtimeve që vetë Lëvizja Vetëvendosje I ka pasur brenda grupit paralamentar’’, tha Haxhiu.

    Në fillim të tetorit, Ministri Arben Vitia njoftoi se barnat e nevojshme për këtë procedurë mjekësore i kanë futur në Listën e barnave esenciale dhe tha se IVF-i deri në fund të vitit shërbimi do të ofrohet edhe në sistemin publik shëndetësor.

    Vlera totale e pajisjeve të blera sipas Ministrisë së Shëndetësisë është 1.081.744.20.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kaos a bashkëpunim? Dilema e Ballkanit Perëndimor

    Kaos a bashkëpunim? Dilema e Ballkanit Perëndimor

    Në njërën anë, bashkëpunim dhe optimizëm. Në anën tjetër, paralajmërime për paqëndrueshmëri. Ky dualizëm karakterizon prej kohësh Ballkanin Perëndimor – rajonin ku aspiratat për partneritet dhe përparim ndeshen shpesh me përçarjet dhe mosbesimin historik.

    Përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tij – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – u ulën më 14 tetor bashkë në një tryezë në Berlin dhe nënshkruan një Plan Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Marrëveshje për Qasje në Arsimin e Lartë në vendet e njëri-tjetrit.

    Nikoqiri i takimit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e trumbetoi këtë si përparim të madh.

    “Kjo do ta bëjë punën përtej kufijve më pak të komplikuar dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së”, tha ai.

    Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përçoi tjetër mesazh nga Brukseli:

    “Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese për shkak të kërcënimeve secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimit të vogël në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

    Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, bashkë me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata.

    Deri më tash kanë prodhuar mbi 40 deklarata dhe marrëveshje në fusha të ndryshme – nga tregtia deri te lëvizja e lirë e njerëzve – por një pjesë e madhe e tyre ka mbetur pa u zbatuar.

    Flamujt e vendeve pjesëmarrëse dhe BE-së gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, në Berlin, 3 nëntor 2022.

    Marika Djolai, anëtare e Grupit Këshillimor Ballkani në Evropë dhe bashkautore e një studimi për ecurinë 10-vjeçare të Procesit të Berlinit, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përse ka ngecje në përmbushjen e zotimeve që merren përsipër:

    “Janë disa marrëveshje, që janë më pak relevante në një moment të caktuar gjeopolitik, por nganjëherë ka edhe mungesë angazhimi nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar ato. Pra, nganjëherë bëhet fjalë për çështje politike, nganjëherë për çështje ekonomike apo financash, e nganjëherë, thjesht, nisma është shumë komplekse për t’u realizuar shpejt”.

    Për Silavana Mojsovskën, nga Instituti i Ekonomisë në Universitetin e Shën Cirilit dhe Metodit në Shkup, zbatimi i marrëveshjeve kërkon përshtatje të politikave kombëtare, e që shpesh nuk bëhet, sepse qeveritë zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ndjekin prioritete të tjera. Presioni, sipas saj, është po ashtu i pashmangshëm.

    “Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, janë krijuar korridoret e gjelbra në Ballkanin Perëndimor për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë qarkullimin e mallrave thelbësore mes vendeve të rajonit”, kujton ajo.

    “Ky ka qenë një model i mirë sesi vendet i kanë zbatuar masat që u janë dashur – edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të krizës nga COVID-19. Ndaj, nëse nuk ka presion – qoftë pozitiv, qoftë negativ – disa marrëveshje kanë tendencë të mos zbatohen”, thotë Mojsovska.

    Të dyja këto vëzhguese thonë se Procesi i Berlinit është duke shkuar përpara dhe se kjo është një gjë e mirë. Me fjalët e Marika Djolait, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara, “ulen në një tryezë tash e dhjetë vjet dhe negociojnë projekte praktike që japin shpresë”.

    Por, ndryshe prej tyre, Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, ofron një pamje më kritike të gjendjes së Procesit të Berlinit. Sipas tij, ai është në status quo – Qeveria gjermane përpiqet të nxisë pajtimin me ide e politika të reja, por në mesin e vendeve të rajonit ka pak gatishmëri e entuziazëm.

    “Mendimi i shtyrë nga Berlini është se, nëse këto vende tregtojnë mes vete – pra kanë shkëmbime më të mëdha tregtare – ato do të kenë zhvillim ekonomik dhe problemet politike do të tejkalohen. Ky është një lloj mendimi që Berlini e ka përdorur edhe me Rusinë më herët, duke thënë se nëse BE-ja dhe Ukraina tregtojnë më shumë me të, duke blerë naftën dhe gazin e saj, atëherë Rusia, në një mënyrë, do të hyjë në orbitën e Perëndimit dhe nuk do të ketë incentiva për të krijuar probleme”, thotë Gërgi.

    “Me pushtimin rus të Ukrainës, e kemi parë se kjo nuk qëndron. Pa marrë parasysh marrëdhëniet ekonomike, janë marrëdhëniet politike ato që kanë epërsi ndaj të gjitha të tjerave”, thekson ai.

    Si çështjen më problematike në rajon, Gërgi sheh kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se Serbia ka gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, por jo edhe për t’i zbatuar ato.

    Edhe në Bosnje e Hercegovinë kujton se ka probleme në raport me Kosovën, për shkak të mospajtimeve në vendimmarrje midis Sarajevës zyrtare dhe Banjallukës. Gërgi thotë se rrugëdalja qëndron vetëm te zgjidhja e çështjeve të hapura politike – pa këtë zgjidhje nuk mund të ketë përparim në Procesin e Berlinit apo në çfarëdolloj mekanizmi tjetër rajonal, thotë ai.

    “Për të marrë një shembull nga arena ndërkombëtare – Kina dhe SHBA-ja me dekada kanë pasur probleme, derisa Amerika e ka pranuar politikën e një Kine, duke e njohur zyrtarisht Pekinin si kryeqytet të saj dhe Qeverinë komuniste si qeveri të vetme në Kinë”, thotë Gërgi.

    Në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Edhe në këtë proces, ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar, dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.

    Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në fund të gushtit, ndërmjetësuesi evropian i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim.

    Intervista e plotë e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak, për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, në Pragë, më 30 gusht 2024.

    Sipas tij, sa herë që udhëheqësit bëjnë marrëveshje, ata kritikohen se kanë bërë lëshime, por “njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi kërkon kompromis”.

    Gërgi thotë se Perëndimi shpesh ndjek “politika të zbutjes” me Serbinë, e të cilën gjë e përmend herë pas here edhe Qeveria e Kosovës. Sipas analistit, Perëndimi duhet ta kuptojë më qartë “rrezikun real”.

    “Shpeshherë thuhet se në politikë nuk duhet të shikohen fjalët, por veprat. Dhe, veprat e qeverive zakonisht shikohen me shpenzimet e tyre. Nëse flasim për vitet e fundit – në vitin 2020, shpenzimet ushtarake të Serbisë ishin 786 milionë euro, ndërsa sivjet buxheti i miratuar ishte 1.35 miliard euro. Pra, kemi gati dyfishim për katër vjet – dhe kjo në një periudhë post-pandemike, kur shumica e qeverive janë fokusuar në ekonomi, Qeveria serbe është fokusuar në riarmatim”, thotë Gërgi.

    Perëndimi i ka siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre qëndron në BE, me kusht që i zgjidhin çështjet e hapura. Për t’iu dhënë shtysa në këtë drejtim, BE-ja vazhdimisht ndan edhe mjete financiare për to. Aktualisht, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në bllok.

    Në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet shikuar nga një e ardhme, ku “të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”.

    Duke i dhënë mbështetje këtij vizioni, Jellena Xhankiq, nga Instituti Universitar Evropian në Firence, thekson nevojën për ndryshimin e mendësisë dhe të kursit. Duke folur për Exposenë, ajo vë në pah këndvështrimin aktual të qytetarëve të rajonit:

    “Ajo çka kam vënë re, sidomos në dy-tre vjetët e fundit, është se ata janë lodhur nga krizat, nga problemet e vazhdueshme politike, nga çështjet historike që ringjallen vetëm në mbështetje të narrativëve politikë. Si nga bisedat me qytetarë të rëndomtë, ashtu edhe me disa përfaqësues politikë, kam parë një lloj lodhjeje nga shpikja e vazhdueshme e krizave. Ndaj, është koha për të shikuar përpara”.

    E, për të shikuar përpara, duhet të ketë angazhim të sinqertë kolektiv. Në fund të fundit, kush nuk do të donte të dilte nga cikli i pafund i krizave? Por, në këtë rajon me histori komplekse, përparimi kërkon, para së gjithash, njohje të vërtetë të realitetit, ndërsa paralajmërimet e NATO-s mund të shërbejnë si thirrje për veprim.

  • KE për Planin e Rritjes: Gjysma e fondeve do të përdoren për infrastrukturë

    KE për Planin e Rritjes: Gjysma e fondeve do të përdoren për infrastrukturë

    Të paktën gjysma e paketës së fondit të përgjithshëm të Planit të Rritjes të KE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbështesë investimet në infrastrukturë, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.

    Sipas European Western Balkans (EWB) shkruan se, pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare”, thekson Komisioni Evropian, duke shpjeguar mekanizmat e shpenzimit të parave nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Fondet e para nga ky instrument financiar pritet të dalin së shpejti, pasi Komisioni Evropian të miratojë zyrtarisht Agjendat e Reformave të paraqitura nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova. Nga ana tjetër, është e pasigurt nëse Bosnja dhe Hercegovina do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë sepse ky vend është vonuar me miratimin e Agjendës së Reformës.

    BE-ja synon të ndajë shtatë për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Axhendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë gjashtë miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme.

    Nga shuma totale, dy miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, katër miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme. Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi 383.5 milionë.

    Duke folur për procedurat e lirimit të fondeve nga Plani i Rritjes, Komisioni Evropian shprehet për EËB- në se “do të kushtëzohet me zbatimin e suksesshëm të Agjendave të Reformës, që mbulojnë si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në. Komisioni”.

    “Fondet në kuadër të Facilitetit duhet të lirohen sipas një plani fiks gjashtëmujor, bazuar në kërkesën për lirimin e fondeve të paraqitur nga partnerët dhe pas verifikimit nga Komisioni për përmbushjen e kënaqshme të të dyja kushteve të përgjithshme lidhur me makro- asistencë financiare, menaxhim të shëndoshë të financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje të buxhetit dhe kushteve përkatëse të pagesës, dhe me parakushtet që përfituesit të respektojnë parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, thotë KE.

    Komisioni Evropian shton se, në Agjendat e Reformës, “reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi”.

    “Marrëveshjet e lehtësive dhe huasë do të përfshijnë detyrime për përfituesit për të ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, zbuluar dhe korrigjuar mashtrimin, korrupsionin, konfliktet e interesave dhe parregullsitë që prekin interesat financiare të Unionit, për të shmangur financimin e dyfishtë dhe për të ndërmarrë veprime ligjore për të rikuperuar fondet që janë përvetësuar, mbledhja e të dhënave adekuate për përfituesit e fondeve në kuadër të Instrumentit dhe të drejtat që duhet t’i jepen Komisionit, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) aty ku është e aplikueshme”. sqaron KE.

    Së fundi, Komisioni Evropian thekson se KE-ja “mund të zvogëlojë ose rikuperojë shuma nëse preken interesat financiare të Bashkimit ose nëse përfituesit kanë shkelur seriozisht një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e lidhura në kuadër të Lehtës”./rtk/

  • Komandant Jashari me vizitë zyrtare në ShBA, diskuton për bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive

    Komandant Jashari me vizitë zyrtare në ShBA, diskuton për bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive

    Me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2024” në Washington D.C, SHBA.

    Fillimisht, Gjeneral Jashari u takua me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Randy A. George, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive, stërvitjet e përbashkëta si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta. Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneralin George për mbështetjen e vazhdueshme si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

    Më pas Gjeneral Jashari u takua me Komandantin e Komandës së Asistencës Ushtarake të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Brigade Allan J. Pepper, ku u diskutua lidhur me asistencën në projektet e sistemeve të armatimit, pakot e trajnimit si dhe fusha tjera përkatëse.

    Përveç pjesëmarrjes në sesionet kryesore të konferencës dhe panairit, Gjeneral Jashari gjithashtu u takua me përfaqësuesit e disa prej agjencive kyçe të mbrojtjes me fokus të veçantë rreth bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, u njoftua me zhvillimet më të fundit teknologjike, përmes prezantimeve informuese dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Në aktivitetet përkatëse, Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar, për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake dhe avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate.

    Vizita e Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa FSK po hyn në fazën përfundimtare të procesit të tranzicionit. Gjithashtu kjo vizitë shprehu rëndësinë e partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.