ATV

Tag: Ballina

  • Kërkohet shkarkimi i bordit të RTK-së, mazhoranca lëshon seancën

    Kërkohet shkarkimi i bordit të RTK-së, mazhoranca lëshon seancën

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në rend dite në seancën e Kuvendit ishin 20 pika.

    Prezent për të diskutuar për to, ishin deputetë nga opozita e pak deputetë nga pushteti.

    Edhe ata që ishin pas deklarimit të deputetit nga Vetëvendosja, Valon Ramadani, së bashku e lëshuan sallën.

    Kjo për shkak të kërkesës së PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    “RTK-në nuk e kemi kapur ne, nuk e ka kapur askush, por vetëm e kemi shkapur nga ju. Puna nuk është kapje, puna ka produkt dhe shihet në dritë të diellit. Për këtë arsye ju shqetësimet e juaja mund të ja thoni njëri-tjetrit, por ne nuk jemi të interesuar që t’i dëgjojmë ato. E besa as qytetarët nuk janë. Prandaj ne po shkojmë te ta e ju vajtoni mes vete pse nuk e keni të kapur RTK-në”, tha Ramadani.

    “Me mujtë ia kisha shtuar edhe 10 minuta këtij me folë. Këtë margaritar nuk duhet me hjekë prej foltores. Ky është përfaqësuesi më i mirë, më i denjë i kësaj mendësie që udhëheq sot Republikën e Kosovës. Ky sot gjithë ditën duhet me lënë në këtë foltore me nejtë, me pa qytetarët e Kosovës çfarë mendësie na udhëheq, çfarë mentaliteti dhe çfarë strukture politike dhe çfarë mendimi politik”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

    Se transmetuesi publik nuk po e mbron dhe përfaqëson interesin e qytetarëve, e tha edhe deputeti nga LDK-ja, Arben Gashi.

    Ndërkaq, mendim të njëjtë kanë edhe nga AAK-ja. Deputeti Pal Lekaj madje shkurtesës RTK i dha një emër tjetër.

    Ndërkaq, propozimi i PDK-së nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

    Shkak i kësaj, edhe pikat e tjera të ditës nuk u diskutuan dhe seanca u mbyll për të vazhduar një ditë tjetër.

  • Luksemburgu dhe Kosova nënshkruajnë dy memorandume, 35 milionë euro

    Luksemburgu dhe Kosova nënshkruajnë dy memorandume, 35 milionë euro

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nëpërmjet dy memorandumeve të nënshkruara të hënën pasdite, Luksemburgu do të mbështesë Kosovën me rreth 35 milionë euro për zhvillimin e sektorit privat me fokus në fushën e IT-së, inovacionit dhe zhvillim të qëndrueshëm.

    Me këto investime ndryshe nga ato infrastrukturore, zëvendëskryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, tha se duan të ndikojnë në zhvillim, në mënyrë që rinia ta shohë Kosovën si vend ku mund të jetojë.

    “Mendoj se këto marrëveshje nuk janë të reja, por fakti se kemi sektorë të rinj, me sektorin privat, IT-në, klimën, shohim ndryshime. Kur shohim 20 vjet prapa dhe tani, nuk është njësoj. Kur i shoh numrat, dhe folëm më herët për papunësinë, them që nuk është një shpenzim është një investim në njerëz, investim në të ardhmen, investim në mundësinë që kosovarët e rinj të shohin një potencial dhe të jetë pjesë e këtij potenciali”, tha Bettel.

    Teksa shprehu falënderime, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ndihma e përgjithshme e Luksemburgut ndaj Kosovës tejkalon shifrën 100 milionë euro.

    “Dukati i Madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtetndërtuese”, tha Bislimi.

    Paraprakisht, Bettel, i cili pos zëvendëskryeministër është dhe ministër për Punë të Jashtme, takoi edhe homologen Donika Gërvalla.

    Në këtë takim, ai foli për rëndësinë e shmangies së tensioneve në rajon dhe, siç u shpreh, ndërtimin e së ardhmes së bashku, pavarësisht faktit se nuk mund t’i zgjedhësh fqinjët.

    Në vizitën e dytë në Kosovë për të dytin vit radhazi – pas asaj si kryeministër në korrik 2023 – kryediplomati i Luksemburgut takoi edhe presidenten Vjosa Osmani.

  • Përkundër vendimit të KQZ-së, MPJD-ja insiston për “vendvotime alternative” në diasporë

    Përkundër vendimit të KQZ-së, MPJD-ja insiston për “vendvotime alternative” në diasporë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përmend vetëm përfaqësitë diplomatike si vendvotime jashtë vendit dhe një vendimi të KQZ-së, Qeveria këmbëngul në kërkesën e saj për “vendvotime alternative”.

    Kërkesën e refuzuar nga KQZ-ja për marrjen e objekteve me qira, MPJD-ja e kishte arsyetuar me numrin e lartë të votuesve në mërgatë.

    “E di që ka një vendim të KQZ-së që është marrë sapo kanë filluar përgatitjet për zgjedhje. Ne jemi në kontakt dhe në biseda të vazhdueshme me KQZ-në. Të jeni të sigurt, që të dyja palët do të bëjmë çmos me qëllim që qytetarët të jenë ata që vendosin si e japin votën, jo t’ju imponohet në njëfarë mënyre… P.sh, vetëm në Stuttgart dhe rrethinë kemi votues më shumë se në Prizren dhe ne jemi të detyruar të gjejmë mënyrë se si t’u mundësohet të japin votën në mënyrën që ata e kërkojnë”, tha ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.

    Këtë këmbëngulje, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, e vlerësoi si përpjekje për të shkelur ligjin dhe rregullat – që krahas tri formave të votimit nga jashtë – përcaktojnë edhe numrin e votuesve në përfaqësi diplomatike.

    “Është rrezik i madh sepse tregon se ka tentativë të partisë në pushtet për të manipuluar zgjedhjet në diasporë, sepse me gjasë e ka nuhatur që nuk i ka votat që i kanë pasur në zgjedhjet e kaluara dhe tani mundohen me veprime të kundërligjshme me mbërri me marrë sa më shumë vota në diasporë”, tha Demhasaj.

    Takimet me diasporën gjatë vizitave në vende të ndryshme, për të cilat ka njoftime nga ambasadat dhe partia në pushtet, ministrja refuzoi t’i përfshijë në kuadrin e fushatës – duke thënë se kur ajo të nis “do të ndërroj gjuha”.

    “Takimet e formës së bashkëbisedimit mes kryeministrit dhe mërgatës, të ministres së jashtme dhe diasporës dhe mërgatës, apo të presidentes dhe mërgatës, janë një format që ka qenë edhe në vitet e 90ta. Edhe, është në një traditë të mirë të bisedave të vazhdueshme. Ka raste kur organizohen nga shoqatat, ka raste, si dje, kur organizohen nga misionet tona diplomatike”, tha Gërvalla.

    Kjo formë, ku ambasadat përdoren për njoftime të tilla, sipas Demhasajt, është keqpërdorim i pushtetit.
    “Në këtë rast, Vetëvendosje çka po bën? Apo kryeministri dhe zëvendëskryeministrja? Po i keqpërdorin resurset publike, shtetërore, për agjendat e tyre elektorale. Mendoj se kjo duhet të ndalohet. Në të kaluarën kanë ndodhë disa raste, ka qenë ajo LV-ja që ka ajo që i ka kritiku këto veprime, në anën tjetër tash po i bën vet”, tha Demhasaj.

    Në vendimin e datës 29 Gusht, KQZ-ja përcaktoi se numri i shtetasve që mund të votojnë fizikisht në diasporë është 47 mijë, në 47 vendvotime – secila me nga 1 mijë sish – në 22 shtete të ndryshme.

  • Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat

    Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat, raporton EO.

    Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.

    Zëvendëskryeministri Bettel, tha se si dy vende mike duke të jenë të dobishëm dhe përkrahës. Bettel tha se kjo vizitë e tij, pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

    “Kjo është për ta dëshmuar në 25 vjet marrëdhënieve dhe miqësisë që kemi. Miqësi do të thotë të jemi të dobishëm aty ku mundemi. Kjo marrëveshje nuk është diçka e re, të gjitha ndryshojnë tash e 20 vite. Mund të themi se nuk është shpenzim por investim në të ardhmen, për ta parë potencialin”, ka theksuae Bettel.

    E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takime të tilla tregon përkushtimin e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Takimet dhe bisedat e sotme ishin konfirmim i radhës i përkushtimit tonë për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët. Dukati i madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtet-ndërtuese. Përmes projekteve të ndryshme financiare Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin tonë ekonomik dhe shoqëror. Sot zëvendëskryeministri Bettel dhe ministrja e MINT, Hajdari sapo nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për dy fonde për mbështetjen e sektorit privat”, ka thënë Bislimi.

  • ​Amerikanët në Kosovë presin proces zgjedhor demokratik në SHBA

    ​Amerikanët në Kosovë presin proces zgjedhor demokratik në SHBA

    Shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë presin një proces zgjedhor demokratik në Shtetet e Bashkuara. Atje nesër votohet për presidentin e ri ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.

    Për zgjedhjet presidenciale kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.

    Aaron Sybrant tash e 20 vjet jeton me familje në Krushë të Vogël të Prizrenit.

    Megjithatë, ai tregon për KosovaPress se nuk kanë dashur të mungojnë në këtë proces zgjedhor të cilin amerikanët po e konsiderojnë historik.

    Ata kanë votuar në mënyrë elektronike.

    “Familja ime, bashkëshortja ime dhe unë kemi votuar në mënyrë elektronike përmes një procesi regjistrimi online. Na është dërguar një fletë votimi e siguruar dhe më pas ne e dorëzojmë votimin tonë përmes saj. Dhe për sa i përket zgjedhjeve dhe pritshmërive të mia, mendoj se këtë vit do të jenë vërtet shumë afër dhe nuk jam i sigurt se kush do të fitojë, por thjesht do të besoj dhe besoj në procesin demokratik, që njerëzit e duhur dhe mbështetja e duhur do të jenë përreth për t’i bërë katër vitet e ardhshme katër vitet më të mira që mund të jenë. Pra, do të jetë një [garë] e ngushtë”, tregon ai për KosovaPress.

    Ndërkaq, për Caleb Chesnut është hera e tretë që voton nga Kosova për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

    “Kemi votuar ne më herët. Çdo shtet i ka opsionet e ndryshme, përmes postës kur kemi qenë në Amerikë e bën kërkesën që nuk mundemi me qenë në Amerikë në kohën e zgjedhjeve. Përmes shtetit na dërgojnë votimet dhe përmes postës ose përmes ambasadës këtu”, tregon Caleb.

    Amerikani i cili jeton në Orllan tash e dy dekada, tregon për KosovaPress kandidatin e tij të preferuar për president, ku pret se do të zhvillohet ekonomia në Amerikë.

    “Janë gjëra të rëndësishme fillimisht për abortin, ligji që është në Amerikë jam kundër kësaj ideje. Edhe kjo është një prej gjërave më të rëndësishme, gati më e rëndësishmja pse votoj. E dyta është se ekonomia në Amerikë është goxha keq, besoj që Trumpi e kthen ekonominë më mirë”, deklaron ai.

    Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.

    Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021./kp

  • ​Kuvendi do ta shqyrtojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2025, opozita s’do ta votojë

    ​Kuvendi do ta shqyrtojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2025, opozita s’do ta votojë

    Kuvendi i Kosovës do mbajë seancë plenare më 11 nëntor, ku do të trajtohet buxheti për vitin 2025. Partitë opozitare thanë se nuk do të votojnë Projektligjin për buxhetin, derisa theksuan se i njëjti ka mangësi të mëdha.

    Madje, sipas tyre, ky buxhet ka edhe probleme ligjore dhe kushtetuese, duke përmendur vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik.

    Në anën tjetër, në partinë në pushtet, deklaruan se i kanë votat për miratimin e buxhetit, ndërkaq potencuan se i njëjti është proceduar në Kuvend në bazë të afateve dhe procedurave të përcaktuara të legjislativit.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se buxheti për vitin 2025 ka mangësi, mirëpo siç konsideroi ai i njëjti do të jetë jetëshkurtër, pasi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qeveria e re do të rishikojë atë.

    “Java e ardhshme është përcaktuese për mënyrën se si do të shihet buxheti për vitin e ardhshme. Por sido që të shkojë, ky buxhet do të jetë jetëshkurtër pasi qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të rishikojë dhe të jep një buxhet zhvillimor, të jap një buxhet ku do të rriten pagat, mirëqenia dhe ekonomia e Kosovës…Ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtjet tona, propozimet tona dhe nëse merren në konsideratë ne do të shohim si mundësi. Buxheti ka dy probleme ligjore dhe kushtetuese që qeveria e Kosovës i ka propozuar gabimisht. E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit të shtetit në Ligjin për pagat në sektorin publik. Tentojmë me një ligj të karakterit vjetor të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për pagat në sektorin publik. Kjo është e pamundur. Ndërhyrja e dytë e këtij ligji është që të tentojnë që në ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, pasi në ligjin specifik ndryhet me një ligj të karakterit të përkohshme. Të dyja janë shkelje ligjore”, tha Gashi.

    Kritika për buxhetin adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili quajti si Projektligj që konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik dhe që s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm për vendin.

    “Buxheti i kësaj qeverie, që po përfundon vitin e katërt është buxheti që e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ia ka varrosur shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjiteshme. Është buxhet i cili realisht s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. Është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm. E mira e kësaj pune është se 9 shkurt janë zgjedhjet dhe pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo duhet të rishikojë në plotni këtë buxhet. S’ka mundësi ky ligj as me u përmirësuar ma. Me u përmirësuar buxheti i vitit që po vjen së paku duhet të ndodhin nja 50 amendamentime të cilat do të rregullonin prej sistemit të pagave në sektorin publik, deri te çështjet më minore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, theksoi Tahiri.

    Mirëpo, pavarësisht kritikave, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se mazhoranca i ka votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.

    Sipas saj, vendimmarrja e opozitës është çështje e tyre, mirëpo siç tha ajo ky buxhet është proceduar në Kuvend sipas procedurës dhe në afatet e rregullta.

    “Në asnjë nga miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, opozita s’ka marrë pjesë. Ne e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera. Për opozitën, s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Kjo është çështje e vendimmarrjes së tyre”, deklaroi Kusari-Lila.

    Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është miratuar javën e kaluar në qeverinë e Kosovës.

    Përmes këtij projektligji është paraparë edhe ngritja e pagës për punëtorët e sektorit publik.

    Po ashtu, është shtyrë edhe afati për normat e reja tatimore./kp

  • Vizita e ministrit të jashtëm të Luksemburgut në Kosovë, nis nga takimi me Gërvallën

    Vizita e ministrit të jashtëm të Luksemburgut në Kosovë, nis nga takimi me Gërvallën

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve kosovare, raporton EO.

    Bettel vizitën e tij e fillon me një takim me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

    Pas këtij takimi, në orën 13:55, ai do të pritet nga zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë, ku të dy liderët do të zhvillojnë bisedime për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një ceremoni të veçantë, Bislimi dhe Bettel do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit.

    Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut. Në fund të vizitës së tij, Bettel do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim zyrtar ku do të diskutohen temat e përbashkëta dhe mbështetja e Luksemburgut për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kjo vizitë pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

  • Stano: Themelimi i Asociacionit obligim i paplotësuar i Kosovës

    Stano: Themelimi i Asociacionit obligim i paplotësuar i Kosovës

    Bashkimi Evropian ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës së fundmi ka refuzuar ta themelojë Asociacionin mbi një draft Evropian duke e quajtur e quajtur një dokument pa nënshkrim. Zëdhënësi i BE-se, Peter Stano, në një përgjigje tha se Asociacioni është obligim për Kosovën.

    “BE-ja dëshiron të kujtojë se themelimi i ASM-së është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013, e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash. Prandaj është obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, Kosova që nga viti 2013 nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt themelimit të saj dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njerëzve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

    Stano ka rikujtuar se sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e ASM-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në Dialog. Kjo, sipas tij, do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e 2013 dhe 2015.

    “Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu. si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, tha Stano.

    BE-ja i ka bërër thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draft Statutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme.

    “BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draft Statutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga Lehtësuesi i BE-së”, tha Stano.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, në një përgjigje për RTV21 ka thënë se draft-statuti evropian është një dokument pa nënshkrim si shumë propozime të tjera.

    “Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu.

  • Në raportin vjetor të KE-së, Kosova shënoi regres në arsim

    Në raportin vjetor të KE-së, Kosova shënoi regres në arsim

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pak para se të vinte në pushtet, premtimet ishin me bollëk për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

    Lëvizja Vetëvendosje premtoi se, për një vit qeverisje, do të trajnohen 5 mijë mësimdhënës dhe do të licencohen 9 mijë të tjerë në bazë të vlerësimit të performancës. Por, as pas këtyre viteve, vlerësim formal të mësimdhënësve nuk pati, e as përmirësim në cilësinë e arsimit, për çka u kritikua edhe në raportin e progresit nga BE-ja.

    Dukagjin Pupovci, ish-ministri i Arsimit, thotë se kjo nuk u bë e mundur për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.

    “Për numrin janë 21 prej 23 inspektorë, pse nuk po rekrutohen sepse po dështojnë konkurset një nga një për arsye administrative. Cilësia e arsimit është çështje më komplekse se kaq; duhet të bëhet përpjekje për përmirësim të mësimdhënies,” tha Pupovci.

    Për njohësin e arsimit, Egzon Gashi, inspektorët e arsimit nuk janë kompetentë për vlerësim të mësimdhënësve. Ai thotë se ata duhet të jenë auditorë të procesit.

    “Vlerësimi duhet të bëhet nga nxënësit, nga drejtori, ministria i ka inspektorët që bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve. Për mendimin tim nuk është mekanizmi më i duhuri; janë larg procesit të edukimit çdo ditë në shkollë dhe nuk kanë kompetencë për t’i vlerësuar. Ajo duhet t’i kalojë drejtorit dhe ata duhet të jenë auditorë të procesit për të parë nëse po bëhet vlerësimi,” tha Gashi.

    Në raport u tha se Kosova nuk pati progres as në përfshirjen e fëmijëve nga komunitetet ashkali, rom dhe egjiptas në shkollim, për çka rekomanduan Ministrinë që të koordinohet me DKAtë për përfshirjen e tyre në shkolla.

  • Kurti udhëton drejt Austrisë, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës

    Kurti udhëton drejt Austrisë, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës

    Kryeministri i Kosovës, Ablin Kurti ka udhëtuar sot për në Austri për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se drejt Vjenës, Kurti ka udhëtuar me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Poashtu bëhet e ditur se Kurti dhe Gërvalla do të takohen edhe me bashkëatdhetarë atje në një organizim të Ambasadës së Kosovës në Austro.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Vjenë të Austrisë, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

    Në kuadër të qëndrimit në Austri, ai së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, sot do të takohen me bashkatdhetarë tanë dhe miq të shtetit të Kosovës në një organizim të Ambasadës së Kosovës në Austri”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.