ATV

Tag: Ballina

  • Hidhet shorti, subjekte politike mësojnë renditjen për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Hidhet shorti, subjekte politike mësojnë renditjen për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje do të ketë numrin 118.

    Subjekti i parë opozitar, PDK-ja do të ketë numrin 131.

    LDK-ja e Lumir Abidxhikut do të ketë numrin 124, ndërsa koalicioni AAK-Nisma numrin 137.

    Përfaqësues të Listës Serbe nuk kanë marr pjesë në tërheqjen e shortit, por kjo parti do të ketë numrin 112.

  • ​“Proces kompleks”, si do ta iniciojë Kosova padinë për gjenocid?

    ​“Proces kompleks”, si do ta iniciojë Kosova padinë për gjenocid?

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova synon ta padisë Serbinë për gjenocid, por as katër vjet pas mandatit, një padi e tillë nuk është hartuar. Zyrtarë qeveritarë thonë se janë duke punuar në këtë drejtim por që nuk mund të jepen detaje për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Në anën tjetër, në Kosovë ka skepticizëm se një premtim i tillë do të mund të realizohet.

    Mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress, se janë duke punuar për padinë për gjenocid dhe se janë në konsultime me ekspertë.

    “Adresimin e krimeve të luftës e kemi prioritet në kuadër të programit qeverisës. Dhe nëse shohim se cilat janë veprimet që ne i kemi dhënë si zotime, të gjitha i kemi adresuar përveç se në padinë për gjenocid jemi duke punuar. Por, për këtë të fundit nuk kam mundësi që të jap më shumë informacione, për shkak se është tepër proces i ndjeshëm…Në konsultime me ekspertë, por nuk mund as që t’i përmendi si emra të përveçëm për faktin se çfarëdo dhënie e informacionit në raport me këtë çështje mund të dëmtojë Kosovën, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të mos dhënë llogari për të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së luftës”, thotë ajo.

    Por sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, qeveria e ka kuptuar që ky është një proces kompleks.

    “Qeveritë në vazhdimësi kanë premtuar, edhe qeveria aktuale. Ne e dimë në fillim të mandatit e ka pasur një prioritet padinë për gjenocid, por po kalojnë katër vjet të mandatit dhe akoma nuk e kemi atë padi. Mendoj që edhe kryeministri e ka kuptuar që ky është një proces shumë kompleksiv dhe se nuk është një proces për të eksperimentuar, sepse do të mund ta dëmtojmë shumë shtetin në qoftë se e humbim rastin. Humbja eventuale e rastit do ta rehabilitonte komplet Serbinë për atë çfarë ka bërë. Për këtë çështje të padisë ne duhet konsensus mbi partiak, nacional, akademik, shtetëror, shoqëror, që ta bëjmë këtë padi”, deklaron Bajrami.

    Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve. Në GJND mund të iniciojnë procedura vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

    Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë do të jetë sfiduese për institucionet e Kosovës është procedura e inicimit të rastit – duke qenë se vendi nuk është anëtar i OKB-së.

    “Ne e kemi parë në fushata zgjedhore se një prej premtimeve ka qenë ngritja e padisë kundër Serbisë pranë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo çfarë është sfiduese fillimisht për organet shtetërore të Kosovës është procedura se, si dhe në çfarë forme do ta iniciojë rastin Kosova pranë kësaj gjykate, duke marrë parasysh se vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara mund të iniciojnë procedura. Dhe në rastin konkret, Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Pastaj këto krimet që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga Tribunali i Hagës, nga prokurorë dhe nga gjyqtarë, kryesisht krimet janë proceduar si krim kundër njerëzimit dhe për këtë kemi edhe personat të cilat janë dënuar për krime lufte. Se si Kosova tani do të rikualifikojë krimet e njëjta në krimet si gjenocid do të jetë e sfiduese për juristët kosovarë”, deklaron ai.

    Kosova duhet të padisë Serbinë për gjenocid kur është e sigurt se do ta fitojë rastin, thotë njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami.

    “Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, shumë e përgatitur dhe duhet ta bëjë këtë padi në momentin kur është e sigurt se do ta fitojë rastin. Për këtë arsye unë i kam sugjeruar udhëheqësve, krerëve të shtetit që të autorizojnë një kompani të fortë ndërkombëtare, me juristë dhe ekspertë kulminant të gjenocidit dhe ata të marrin përsipër, të përgatisin dosjen e gjenocidit. Ndërkohë, institucionet vendore, në radhë të parë Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës të sistemojë dhe të dokumentojë komplet dokumentacionin për gjenocid. Më mirë të jemi pak të vonuar se sa të nxituar dhe të humbasim rastin”, deklaron ai.

    Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.

    Vendimet e GJND-së me seli në Hagë, janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen./kp

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, sot hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike

    Zgjedhjet e 9 shkurtit, sot hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të bëjë hedhjen e shortit për subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Nëpërmjet këtij shorti, partitë politike do të mësojnë renditjen për këto zgjedhje.

    Tërheqja e numrave do të bëhet me fillim nga ora 11:00.

  • KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    Shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit do të tërhiqet , nesër (e hënë).

    Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për EO se shorti për renditjen do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 11:00.

    “Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, tha ai.

    Sipas Elezit tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe transparencë të plotë.

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë aktiviteteve zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.

    Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

  • Tre persona arrestohen në Leposaviq, u zunë duke shkruar grafite në një objekt

    Tre persona arrestohen në Leposaviq, u zunë duke shkruar grafite në një objekt

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tre persona në Leposaviq, të cilët u zunë duke shkruar grafite në një objekt, raporton Ekonomia Online.

    Të arrestuarit më pas, sipas njoftimit të policisë janë liruar në procedurë të rregullt.

    “PRISHJE E RENDIT DHE QETËSISË PUBLIKE- Rr. 24 Nëntori, Leposaviq / 04.01.2025 – 02:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar pasi që, janë hasur duke shkruar grafite të ndryshme në një objekt. Gjatë kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar katër sprejë dhe një maskë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Kushtetuta dhe vendimet gjyqësore u njohin të drejtën në dy pensione, shteti i detyron të heqin dorë

    Kushtetuta dhe vendimet gjyqësore u njohin të drejtën në dy pensione, shteti i detyron të heqin dorë

    Tash e sa vite të drejtat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës po shkelen, duke u mohuar atyre të drejtën për të marrë pensionin kontribut pagues, si dhe atë luftës, raporton EO.

    Në lidhje me këtë Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Demokraci Plus (D+) kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe institucionet përkatëse të marrin masa urgjente për të rregulluar kornizën ligjore dhe për të garantuar se të drejtat e qytetarëve për përfitim nga dy skemat pensionale respektohen në përputhje me vendimet gjyqësore dhe me të drejtat kushtetuese.

    Ata theksuan se e drejta për të marrë dy pensione është një e drejtë themelore e njeriut, e cila është e njohur edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se kjo problematikë është identifikuar që në vitin 2018, kur institucioni i tij kishte rekomanduar ndryshimin e ligjit për skemat pensionale për të shmangur kufizimin e të drejtave të dyfishta.

    “Avokati i popullit në vitin 2018 ka dal me një raport, me rekomandime ku i ka kërkuar qeverisë, ministrive përkatëse të ndryshohet ligji për skemat pensionale ku përfshihen edhe kategoritë e pensioneve, si pasojë e luftës për arsye se ky ligj ka një kufizim dhe ndalon gëzimin e të drejtave të dyfishta. Pra, nëse t’i gëzon një pension të pleqërisë nuk mund, ta gëzosh edhe pensionin e invalidit të luftës- veteranit, familjarit të dëshmorit, viktimave civile të luftës e kështu me radhë”, ka thënë ai.

    Avokati i Popullit ka thënë se shkelja në këtë çështje qëndron në atë që pensionet e rregulluar me ligj nuk e kanë bazën e njëjtë, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute.

    Ai tha se si shkak i kësaj, administrata pensionale e Kosovës tash e sa vite ka detyruar qytetarët të heqin dorë nga njëri prej pensioneve, duke u krijuar një zgjedhje të padrejtë mes mundësive për të marrë përfitime.

    “Natyrshëm pastaj autoritetet, administrata pensionale e Kosovës për momentin kur qytetari paraqitet para tyre për të gëzuar pensionin e dytë e detyron që të heq dorë nga njëri. Pra, kërkon nga qytetari që të zgjedh se cilin pension do ta gëzoj. Ku ekziston shkelja, ekziston në atë që pensionet e rregulluara me ligj nuk e kanë bazën e njëjte, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute, ose satisfaksion moral dhe material që u jepet familjeve, personave të cilët kanë pësuar si pasojëe luftës”, ka thënë Qelaj.

    Ndërsa, Marigona Berisha, zyrtare e projekteve në Demokraci Plus (D+), prezantoi një raport që nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen qytetarët në këtë drejtim, bazuar në dy raste të monitoruara në gjykata.

    Ajo tha se në dy rastet, gjykata ka vendosur në mënyrë meritore në favor të qytetarëve, duke obliguar Ministrinë e Financave të kompensojë dëmin dhe të njoh të drejtat e këtyre individëve për të përfituar nga dy skema pensionale të financuara nga shteti.

    Berisha ka theksuar se me këto raste përveç sfidave që po përballen qytetaret, është duke u dëmtuar edhe buxheti i shtetit.

    “Raporti ynë bazohet në dy raste të monitoruara në gjykatë të cilat nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballën qytetarët kur bëjnë kërkesa për pension të dyfishtë, është fjala për pension bazë të pleqërisë dhe pensionin që rrjedh nga ligji për kategoritë e dala nga lufta. Tashmë është krijuar një praktikë e qëndrueshme gjyqësore e vërtetuar deri në Gjykatën Supreme e cila thekson, do të thotë që ka vendosur standarde që rastet e tilla për pensione të dyfishta të trajtohen edhe nga instancat më të ulëta. Raporti i D+ përfshin dy raste të tilla ky gjykata ka vendosur në mënyrë meritore në favor të palëve paditëse duke e obliguar Ministrinë e Financave që të kompensoj për dëmin e shkaktuar, t’ua njoh të drejtën e këtyre personave për përfitim nga dy skema pensionale të financuar nga shteti, por përfshirë edhe një kamat ligjore që është 8 për qind e përcaktuar me ligj”, ka thënë ajo.

    Ajo tha se problematika qëndron te konfliktet mes Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe Ligjit për Kategoritë e Dala nga Lufta. Ky i fundit u lejon përfituesve të pensionit bazë të realizojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në të, por Ligji për Skemat e Financuara, që është më i vonshëm, ndalon përfitimin e dyfishtë.

    Berisha deklaroi se kanë rekomanduar MFPT-në që të zbatoj në mënyrë të plotë dispozitat ligjore që rregullojnë pensionet bazë dhe pensionet që rrjedhin për kategoritë e dala nga lufta, si dhe kanë rekomanduar që të ndërmarrin masa urgjente që të rregullohet edhe korniza ligjore në lidhje me pensionet kontribut pagues edhe pensionet për Kategoritë e Dala nga Lufta, duke u bazuar në vendimet gjyqësore.

    “Mos zbatimi i duhur nga ana e autoriteteve publike ka dërguar në mohimin e së drejtës së qytetarëve lidhur më këtë të drejtë, kjo pastaj e ka rënduar shumë situatën edhe për sistemin gjyqësor duke e ngarkuar atë edhe qytetarë janë detyruara që tu nënshtrohen procedurave të gjata gjyqësore që zakonisht po zgjasin me vite deri në realizmin e të drejtave të tyre. Problematike është ligji për shkak se autoritetet publike Ministria e Financave po thirret për Ligjin për Skemat e Financuara nga Shteti, i cili thotë se personat që janë përfitues të cilit do pension të financuar nga shteti në asnjë rrethanë nuk mund të jenë përfitues edhe të ndonjë pensioni tjetër. Mirëpo, është edhe ligji tjetër, është Ligji për Kategoritë e dala nga lufta i cili thotë që shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe benificionet e përcaktuara me këtë ligj, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara. Ligji për Skemat e Financuara nga Shteti është ligj i më vonshëm, ka përparësi ligjore ndaj Ligjit për Kategoritë e Dala nga Lufta i cili është ligj i më hershem i cili nuk është shfuqizuar me ndonjë dispozitë ligjore me Ligjin për Skemat e Financuar nga Shteti”, tha Berisha për EO.

    Ajo ka thënë se vendimet gjyqësore theksojnë që kjo është një e drejtë Kushtetuese themelore e njeriut, për më tepër mbështetët edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

  • Maqedonci: Me konceptin e ri të furnizimit me ushqim për FSK-në kemi kursyer 9 milionë euro nga buxheti i shtetit

    Maqedonci: Me konceptin e ri të furnizimit me ushqim për FSK-në kemi kursyer 9 milionë euro nga buxheti i shtetit

    Lajmet që qarkulluan në tetorin e vitit të kaluar mbi mungesën e furnizimit më ushqim për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kanë qenë shpifje dhe se janë bërë me qëllim të dezinformimit, pasi sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur mungesë ushqimi për FSK-në.

    Maqedonci në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se për të garantuar furnizim të sigurt dhe me kualitet, Ministria e Mbrojtjes ka krijuar konceptin e ri të shërbimit me ushqim, ndërsa ushqimi tani ofrohet nga profesionistët brenda FSK-së, të cilët janë rekrutuar brenda muajit dhjetor.

    Sipas Ministrit, ky sistem ka ulur ndjeshëm kostot dhe ka siguruar që shërbimi të ofrohet me një çmim shumë më të ulët, krahasuar me ofertat e mëparshme. Ai shpjegoi se një kontratë që ishte planifikuar të nënshkruhej me një vlerë prej 13 milionë euro, tani është zëvendësuar me një sistem që e realizon këtë shërbim për vetëm 4 milionë euro, duke kursyer 9 milionë euro nga buxheti i shtetit.

    “Me konceptin e ri të ushqimit të shërbimit me ushqim, ne kemi krijuar një vetëqëndrueshmëri. Ne tani shërbejmë ushqimin me profesionistët tanë brenda FSK-së të cilët i kemi rekrutuar dhe rekrutimi i tyre ka përfunduar pikërisht me 16 dhjetor. Kurse, artikujt ushqimor i sigurojmë përmes Autoritetit Qendror të Prokurimit. Në këtë mënyrë ne garantojmë një furnizimin dhe shërbim më ushqim të sigurt në FSK, garantojmë një çmim shumë më të ulët, një kosto shumë më të ulët të shërbimit me ushqim. Është për t’u theksuar që kontrata që ishte planifikuar të nënshkruhej kishte vlerën 13 milionë, kurse pas një analize që kemi bërë në Ministrin e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës na del që përmes këtij koncepti të ri që e kemi futur tani brenda FSK-së, gjithë këtë shërbim e kryejmë vetëm me 4 milion, që i bie që të kursejmë 9 milion nga buxhetit i shtetit”, ka thënë ai.

    Ai gjithashtu theksoi se ky model do të sjellë më shumë siguri dhe kualitet, duke i garantuar FSK-së një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ushqim, veçanërisht në situata të ndryshme operacionale, ku ushtria mund të përballet me rreziqe të mungesës së ushqimit kur varej nga kompanitë private.

    “Në të njëjtën kohë ofrojmë kualitet më të mirë me ushqim, por edhe siguri të furnizimit me ushqim dhe kjo e bënë FSK-në të vetëqëndrueshmërisë dhe dihet që varësia nga operatoret, sidomos kur bëhet fjalë për ushqimin është element dobësie në ushtri për shkak që në rrethana të ndryshme ushtria me të vërtet mund të mbetet pa bukë pikërisht kur operon apo kur lufton në fushëbetejë, për faktin që nuk ka garanci që kompanitë private do ta kenë mundësin që të ofrojmë edhe në ato situata ushqim. Ne këtë shërbim me ushqim e kryejmë vetë dhe vlerësoj që kjo mund të plasoj kuotë ndër arritjet kryesore”, ka thënë ai.

    Maqedonci theksoi se ka pasur spekulime të pabaza dhe dezinformata në lidhje me mungesën e ushqimit në FSK nga shumë personalitete publike, duke përmendur edhe letrën e komandantit të FSK-së Bashkim Jashari, e cila sipas ministri kjo letër ishte keqinterpretuar qëllimisht.

    Sipas Ministrit, kjo letër ishte publikuar pas afatit që komandanti kishte caktuar për ndonjë rrezik të mundshëm për mungesë ushqimi, ndërsa vetë çështja sipas tij, tashmë ishte rregulluar.

    “Shumë personalitet publike kanë dhënë deklaratat që bazament kanë pasur lajmet e rreme dhe dizinformata, as një herë në Forcën e Sigurisë nuk ka munguar ushqimi, gjithmonë janë servuar, pra janë shërbyer shujta dhe atë me shumëllojshmëri të ushqimeve. Normalisht që janë shfrytëzuar shumë portale për të prezantuar diçka që me të vërtet nuk ka qenë, mua më vjen keq që një pjesë e këtyre personaliteteve publike ndoshta në një të ardhme të afërt do të jenë subjekt i rasteve studimore për ndikimin e lajmeve të rreme të ta apo duke qenë vetë gjenerues të lajmeve të rreme. Përndryshe në as një moment nuk ka ndodhur mungesa e ushqimeve në FSK-së. Ka pasur një letër të komandantit e cila është keqinterpretuar me qëllim, ku ka shfaqur shqetësimin për mundësin për të mbetur pa ushqim, e letra është publikuar dy ditë pas afatit kur e ka përcaktuar komandanti rrezikun për mbetje pa ushqim, kurse në ndërkohë vetëm patëm rregulluar çështjen e ushqimit”, ka thënë ai për EO.

  • Shtohen pritjet në Merdar e te Dheu i Bardhë

    Shtohen pritjet në Merdar e te Dheu i Bardhë

    Të dhënat mbi pritjet në pikat kufitare për të dalë nga Kosova rezultojnë se te Dheu i Bardhë pritjet po zgjasin deri në 1 orë e gjysmë, derisa në Merdar dy orë e gjysmë, raporton Ekonomia Online.

    Pritjet më të gjata për mërgimtarët që po dalin nga Kosova, janë edhe ato te pika kufitare në Merdarë.

    Qytetarët në këtë pikë kifitare po presin deri në katër orë dhe kolona në këtë pikë kufitare është tre kilometra.

    Edhe në Mutivodë pritjet janë deri në dy orë, pasi kolona aty sipas të dhënave të fundit është 400 metra.

  • KQZ: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 9 shkurtit

    KQZ: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 9 shkurtit

    2 milionë 75 mijë e 868 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 9 shkurtit ndërsa rreth 105 mijë votues janë regjistruar për votim jashtë vendit, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Përgjatë mbledhjes së KQZ-së që u mbajt të shtunën është marrë vendim edhe për rritjen e numrit maksimal të votuesve në një vendvotim.

    Megjithatë sipas, Arianit Elshanit, nga Partia Demokratike e Kosovës lista përfundimtare e votuesve nuk është pastruar.

    “Nuk është një listë tërësisht e pastër, për faktin që figurojnë ende personat e vdekur në këto lista, për shkak se qytetarët nuk ia kanë njoftuar organet kompetente”, tha Elshani.

    E për dallim nga herët e shkuara, në zgjedhjet e 9 shkurtit qytetarët që jetojnë jashtë vendit, do të mund të votojnë edhe nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete.

    Por, shqetësime pati për numrin e madh të votuesve në disa qytete.

    Në këtë mbledhje të KQZ-së u mor vendim edhe për decertifikimin e kandidatit të subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, Agim Elezi.

    Në total, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 27 subjekte politike, prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Zgjedhjet ndërkaq do të zhvillohen në 903 qendra të votimit, 2 mije e 533 vendvotime dhe 56 vendvotime me kusht./atvlive.tv

  • Lojërat Mesdhetare, Kosova nuk guxon të humbasë kohë në ndërtimin e infrastrukturës sportive

    Lojërat Mesdhetare, Kosova nuk guxon të humbasë kohë në ndërtimin e infrastrukturës sportive

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Janë bërë më shumë se 1 vit prej kur Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare që do ta mbahen në vitin 2030. Por, për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive që i bënë bashkë 26 shtete të botës ka frikë se mund të dështojë.

    Andaj Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi thotë për të garantuar sukses ky vit duhet të jetë ai që do të përcaktojë rrjedhën e punëve.

    “Ne i frikësohemi kohës dhe çdo minutë duhet ta kursejmë sepse sa më shumë që humbasim kohë, atëherë do të jetë edhe më i vështirë organizimi i Lojërave Mesdhetare. Ky është interes kombëtar dhe duhet të gjithë të bashkohemi kur janë në pyetje Lojërat Mesdhetare dhe të fokusohemi në organizimin e tyre”, tha Krasniqi.

    Thirrje për të evituar çdo neglizhencë apo vonesë që do të rrezikonte mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, ka bërë edhe ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

    “Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë organizimi i Lojërave Mesdhetare për imazhin e shtetit, të mos flasim për ne qe jemi nëpër federata, sa është e rëndësishme për sportistët tanë dhe jo vetëm për sportistët por edhe për trajnerët e administratorët, përvoja që fitohet këtu jam i bindur që askush nuk guxon dhe nuk e ka kurajën që të mos e kryejë punën dhe obligimin që e ka për t’u organizuar dhe ndërtuar gjithë infrastruktura në kohë për t’u mbajtur Lojërat Mesdhetare këtu në Kosovë”, tha Hasani.

    Për organizmin e tyre, Kosova është zotuar se do të investojë 250 milionë euro derisa, Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare pritet të themelohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

    Detaje për themelimin e komitetit nuk dihen akoma, teksa sipas ligjit një gjë e tillë duhet të bëhet jo më shumë se 1 muaj nga miratimi në Kuvend.

    “Nuk ka vonesa të mëdha, tani veçse është krijuar një grup, një organizim tre palësh në mënyrë që të organizohen Lojërat Mesdhetare, merr pjesë Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik dhe Qeveria e Kosovës…Në bazë të ligjit pastaj jepen edhe disa përparësi dhe tejkalohen disa ligje të tjera sepse është ligj special për Lojërat Mesdhetare”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

    Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” por partia më e madhe opozitare, PDK e ka dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.