ATV

Tag: Ballina

  • SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Miliona euro investime në vit përfitonte Kosova nga Agjencia për zhvillim ndërkombëtar, USAID.

    Por projektet që qenë financuar nga kjo agjenci do të ndërpriten përkohësisht, pas vendimit të presidentit amerikan që t’i ndalojë të gjitha ndihmat për 90 ditë, deri në një rivlerësim të projekteve.

    Sipas ekonomistëve, vendimi të lë pasoja tek organizatat që financoheshin nga kjo agjenci, por edhe në ekonominë e vendit.

    “Ndihma e USAID-it në mënyrë direkt apo indirekte brenda një viti ka qenë nga 40-50 milionë euro dhe besoj që do të jetë dëm që do të ketë efekte negative në Kosovë. Çka është esenciale të zbërthehet është se orientimi kryesor i partneritetit përmes USAID-it ka qenë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe mbështetja e administratës, dhe në këtë drejtim ka qenë edhe sektori privat, në veçanti dikasteret e prodhimit duke filluar nga mobilieria, ndërtimi e prodhimet e ndryshme”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Disa nga projektet që aktualisht financohen nga USAID-i janë, ndihma për mbështetjen e reformave legjislative, përmirësimi i gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, sfidat e korrupsionit, kapacitetet industriale për zhvillim të tregut të energjisë, e shumë të tjera.

    Megjithatë pavarësish dëmeve, një ri-planifikim i mjeteve thuhet se mund të ketë edhe dobi, pasi jo të gjitha mjetet janë destinuar aty ku duhet.

    “Është e rrugës të dihet ku shkojnë këto mjete, në çfarë forma po shfrytëzohen dhe ndoshta do të jetë një vetëdijesim i shteteve tjera që këto mjete të kanalizohen aty ku gjenerojnë efekte”, tha Gërxhaliu.

    “Më ndërrimin e administratës ndërrojnë edhe qëllimet dhe për këtë shkak besoj që do të dëshirojnë të riorientojnë ndaj qëllimeve që kanë, d.t.th të verifikohen për qëllimet të cilat janë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Në fakt ky qe edhe qëllimi i vetë administratës së Trumpit, pasi siç thuhet edhe në vendim, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të sigurohen që çdo dollar që shpenzohet për ndihma të shkojë në projekte që përputhen me politiken e jashtme të SHBA-së.

    Lidhur me këtë vendim është deklaruar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.

    “SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt zhvillimit dhe stabilitetit, por gjithashtu presim angazhim të qartë për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

    Ndryshe, vlerësohet se USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

  • Sipas një hulumtimi të organizatës Sbunker në Kosovë ka narrativa të nacionalizmit e të populizmit

    Sipas një hulumtimi të organizatës Sbunker në Kosovë ka narrativa të nacionalizmit e të populizmit

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Sipas organizatës “Sbunker”, në rajonin tonë janë të kërcënuara liritë bazike dhe diversiteti i mendimeve. Të gjeturat nga hulumtimi për luftimin e ekstremizmit në Kosovë, tregojnë edhe për rritje të nacionalizmit dhe populizmit në Kosovë.

    “Mungesa e rezultateve që lënë boshllëqe që mund të përdoren nga grupet ekstreme që ushqejnë ndenjen e hakmarrjes dhe ndikojnë në ngritjen e ideologjive ekstreme”, tha Alban Bokshi, menaxher i Projektit “Sbunker”.

    Këto narrativa vërehen me të madhe, në rrjete sociale.

    “Ato ndikojnë në diskursin publik, formësojnë debatet tona publike dhe krijojnë mjedise në të cilat gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi bëhen të normalizuara”, tha drejtor Ekzekutiv i “Sbunker”, Bardh Bakija.

    Gjithashtu, hulumtuesit shprehin shqetësim për rritjen e ekstremit të djahtë, në veri të Kosovës, për të cilin ndikon edhe dezinformimi rus.

    “Nacionalizmi në Kosovë shënohet kryesisht nga armiqësia e thellë ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht shqiptarëve dhe serbëve”, tha Adelina Hasani, hulumtuese-autore e raportit.

    Në raport përmendet rëndësia e luftimit të ekstremizmit, përmes politikave të sigurisë, edukimit dhe fushatat kundër dezinformimit.

  • As në shkurt s’pritet të ketë takim të Komisionit për Personat e Pagjetur

    As në shkurt s’pritet të ketë takim të Komisionit për Personat e Pagjetur

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Edhe në muajin shkurt, zor se mund ketë takim në Bruksel, të Komisionit të Kosovës dhe Serbisë për Personat e Pagjetur.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, tha se pavarësisht kërkesës së tyre për takim, i cili sipas marrëveshjes duhet të zhvillohet çdo muaj gjatë gjashtë muajve të parë, ka gjasa që të mos realizohet.

    Sipas tij, arsye për këtë janë zgjedhjet në vend si dhe largimi i Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

    “Kryeses i komisionit Lajçaku e ka emëruar vetën ai prit të largohet në fund të javës, nuk dihet nëse do të emërohet pasuesi i Ljaçkut kryeses apo do ta emërojnë dikën tjetër, më pas ne kemi zgjedhje, kryenegociator është Besnik Bislimi nuk dihet kush i fiton zgjedhjet”, tha Hoti.

    As nga Bashkimi Evropian nuk ishin të gatshëm të japin një datë për caktimin e takimit.

    Ndërkohë, Hoti thotë se në takimet për të pagjeturit nuk duhet të përfshihet politika dhe se pala serbe duhet të vijë në takim e të tregoj për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Ndërkaq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thonë se Serbia do ta ketë gjithmonë këtë qasje, andaj zor se këto takime mund të sjellin rezultate.

    Më 15 janar ishe parapare të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur, por ky takim nuk u realizua, meqë pala serbe u tërhoq nga takimi për shkak të mbylljes së strukturave paralele në disa komuna, po atë ditë.

  • William Walker ftohet të dëshmojë pë Reçakun në Gjykatën Themelore

    William Walker ftohet të dëshmojë pë Reçakun në Gjykatën Themelore

    Përgatiti: Nora Luta

    Publiku e ka dëgjuar rrëfimin e tij për masakrën e Reçakut shpesh.

    Por, në institucionin që pritet të ndajë drejtësi për kryerësit e masakrës, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë Willam Walker rrëfeu për atë çfarë kishte parë para 25 viteve, për herë të parë këtë të mërkurë.

    “Më është bërë kërkesë që të vij në Gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij. Supozoj se po ka të bëjë me Masakrën e Reçakut. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”, deklaroi Walker.

    Ish ambasadori i është përgjigjur ftesës së Gjykatës së Prishtinës, e cila aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, e bazuar në nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

    “Prokurori i shtetit, pala e dëmtuar ose viktima, mbrojtësi i viktimave ose përfaqësuesi i viktimës, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake të merr dëshmi nga dëshmitari ose të kërkojë ekspertizë me qëllim të ruajtjes së provës kur ekziston një mundësi e veçantë për marrjen e provës së rëndësishme ose kur ka rrezik të konsiderueshëm se kjo provë nuk do të mund të merrej gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në Nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

    Ndërkohë, për shkak se janë duke u zhvilluar ende hetime lidhur me masakrën e Reçakut, dëshmia e 89-vjeçarit nuk ishte e hapur për publikun.

    Nën llupën e hetuesisë për këtë rast janë më shumë se dhjetë persona, ndërsa deri tash për këtë masakër është dënuar në mungesë Çedomir Aksiq, dhe Zoran Stanojoviq, i cili ndodhet në arrati.

    Ndërkohë, Willaim Walker e kishte vizituar Reçakun, një ditë pas ofensivës ku ishin masakruar 45 civilë. Për rastin që e konsideroi krimi kundër njerëzimit, Walker kishte drejtuar akuza në drejtim të forcave serbe.

    Imazhet e dokumentuara të kësaj masakre i treguan botës për tmerrin që po kalonin kosovarët dhe i hapën rrugë intervenimit të NATO-s.

  • Studimi tregon rritje të etnonacionalizmit dhe narrativit antigjinor në Kosovë

    Studimi tregon rritje të etnonacionalizmit dhe narrativit antigjinor në Kosovë

    Etnonacionalizmi, narrativi antigjinor, ekstremizmi fetar dhe narrativi antiserb në Kosovë ndërlidhen mes vete, janë në rritje dhe kontribuojnë në ndarjet në shoqëri, u tha në një konferencë rajonale që u mbajt në Prishtinë, më 29 janar.

    Konferenca u organizua në kuadër të projektit “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat”.

    Projekti, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, u zbatua nga organizata joqeveritare Sbunker në Prishtinë, me qëllim të ofrimit të një pasqyre të përgjithshme të ekstremizmit në Kosovë dhe të rekomandimeve për shtypjen e tij.

    Adelina Hasani, hulumtuese dhe autore e këtij raporti, tha se etnonacionalizmi në Kosovë është pasojë e çështjeve të pazgjidhura nga vitet 1990 dhe ndodhive në luftë.

    Nga mungesa e adresimit të drejtësisë tranzicionale, sipas saj, këtu dominon edhe diskursi politik.

    “Narrativët dhe ekstremizmi i djathtë janë duke u përhapur në Kosovë. Etnonacionalizmi është kryesisht i pranishëm mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe kjo është e kuptueshme marrë parasysh trashëgiminë e viteve 1990. Megjithatë, etnonacionalizmi e thellon ndarjen mes serbëve dhe shqiptarëve dhe e pengon procesin e pajtimit”, tha Hasani.

    Të dhënat për hulumtimin “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë” janë mbledhur kryesisht përmes diskutimeve publike në disa komuna të Kosovës, ndërsa janë përdorur edhe studime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ekstremizmin.

    Diskutime të tilla publike, megjithatë, nuk ka pasur në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, për shkak të, siç u tha, situatës politike.

    Në këto komuna, tensionet kanë qenë të larta viteve të fundit, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin edhe në atë zonë, përkundër refuzimeve të komunitetit serb për t’u integruar.

    Duke folur për trendin e etnonacionalizmit në mesin e komunitetit shqiptar në Kosovë, Hasani tha se ai vihet re kryesisht në narrativin në rrjetet sociale dhe në diskursin publik.

    Sipas saj, ka një “stigmatizim të komunitetit serb”.

    Hasani theksoi, gjithashtu, se Kosova është një vend multietnik, por se përballet me “pengesa” për t’u bërë një shoqëri gjithëpërfshirëse, sepse autoritetet tregojnë mospërputhje në përdorimin e simboleve të Kosovës, siç është flamuri.

    “Përdorimi i flamurit shqiptar në shumë institucione sjell pasiguri jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për komunitetet tjera pakicë në Kosovë”, tha ajo.

    Hasani shtoi se etnonacionalizmi në mesin e komunitetit serb është kryesisht i pranishëm në komunat në veri të Kosovës.

    Sipas saj, ai është pjesërisht pasojë e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe përhapen përmes mediave në Serbi.

    “Ne kemi narrativë që thonë se duan t’i dëbojnë serbët nga veriu i Kosovës – gjë që rrit frikën në mesin e komunitetit serb”, tha ajo.

    Përndryshe, edhe zyrtarët e Serbisë, edhe ata të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i përshkruajnë shpeshherë veprimet e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në veri si “persekutim i serbëve nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

    Studimi “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat” identifikon edhe një narrativ antigjinor, që është i drejtuar kryesisht kundër popullatës LGBT dhe abortit.

    “Grupi që përdor narrativ të tillë, përpiqet ta mbrojë familjen tradicionale. Ai e sheh komunitetin LGBT si kërcënim, sepse beson se ai i shkatërron vlerat e familjes, se familja përbëhet nga babai, nëna dhe fëmija”, tha studiuesja Adelina Hasani.

    Sipas saj, narrativë të tillë kanë mbrojtur edhe deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës.

    “Narrativi antigjinor është i pranishëm edhe në mediat sociale. Ai është i drejtuar kundër aktivisteve për të drejtat e grave”, shtoi ajo.

    Kur bëhet fjalë për ekstremizmin fetar, Hasani theksoi se ky fenomen në Kosovë ka arritur kulmin në vitin 2014, por se është ende i pranishëm në shoqëri.

    “Institucionet e sigurisë kanë qenë shumë të rrepta ndaj radikalizmit fetar dhe tani ai shprehet kryesisht në rrethe familjare. Ajo që unë shoh si kërcënim, është se ekstremizmi fetar mund të ndikojë në zhvillimin e vlerave demokratike dhe të të gjithë shoqërisë. Ata që promovojnë ekstremizmin fetar, duan ta portretizojnë demokracinë si një sistem të korruptuar, të dështuar dhe ta promovojnë veten si alternativë”, tha Hasani.

    Kuptimi i këtyre trendëve, sipas saj, do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjate për luftimin e tyre.

    Studimi “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat” ofron një sërë rekomandimesh për institucionet në lidhje me rritjen e këtij fenomeni, duke përfshirë zhvillimin e programeve socio-kulturore për të rinjtë, gjetjen e mënyrave për të reduktuar ekstremizmin online dhe adresimin e çështjeve të drejtësisë tranzicionale dhe të narrativëve historikë.

    Si pjesë e këtij projekti u hap edhe një faqe interneti që do të përfshijë një paketë mjetesh praktike, të krijuara për mësimdhënësit, edukatorët, udhëheqësit lokalë dhe të komunitetit, për t’i ndihmuar ata në parandalimin e ekstremizmit në një fazë të hershme.

  • Përfundojnë procedurat: Krerët e UÇK-së në Hagë do të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Përfundojnë procedurat: Krerët e UÇK-së në Hagë do të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Të gjithë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që aktualisht ndodhen në Hagë në paraburgim, do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhje më 9 shkurt.

    Tashmë, të gjitha masat janë marrë që kjo e drejtë e Thaçit dhe të tjerëve, të realizohet.

    Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat që ata të votojnë.

    “Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës për Nacionale.

    Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt të vazhdueshëm me Dhomat e Specializuara që votimi të realizohet.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se votimi do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së.

    Aktualisht në Hagë janë duke u mbajtur: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari, Isni Kilaj, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Pjetër Shala, Salih Mustafa dhe Haxhi Shala.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndryshe edhe dje ka dëshmuar Naser Krasniqi. Seanca në këtë rast gjyqësor do të ketë sot dhe nesër.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Murati: Financat publike i kemi vënë në binarë

    Murati: Financat publike i kemi vënë në binarë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria aktuale i ka vënë në binarë financat publike.

    Sipas Muratit, dëshmia për këtë stabilitet qëndron në rritjen e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, duke e mbajtur borxhin publik nën kontroll.

    “Tash për tash e kemi qitë financat publike në binarë dhe shifrat domethënë janë dëshmia më e mirë për këtë. Ne kur e kemi marrë buxhetin e shtetit ka qenë me të hyra prej 1.9 miliardë euro, kurse tash kur po e përfundojmë mandatin, pra të hyrat e buxhetuara për vitin dy 2025 janë 3.3 miliardë euro, apo 74 për qind rritje, është një rritje enorme. Ngjashëm ka ndodhë edhe tek shpenzimet. Kur e kemi marrë buxhetin e vitit 2021 që ishte buxhetu nga qeverisja paraprake, ka qenë të buxhetuara 2.4 miliardë, kurse tash në fund të mandatit e kemi buxhetin 3.6 miliardë dhe e gjithë kjo pra është ba duke mbajte edhe borxhin publik nën kontroll, e madje në raport me bruto prodhimin vendor kemi rënie. Plani ka qenë prej qeverisë paraprake, që borxhi publik të shkojë në 35 për qind të bruto prodhimit vendor në fund të vitit 2023, kurse ne tash e kemi në 15”, tha Murati.

    Ministri shtoi se mbetet sfidë reformimi i Ligjit të Prokurimit Publik, për të kaluar fokusin nga procedurat drejt rezultateve konkrete.

    “Çka ka mbetë për t’u rregullu edhe më tutje, që e kemi pasë si sfidë gjatë këtij mandati, ka qenë Ligji i Prokurimit Publik. Reformimi sa i përket prokurimit publik, meqenëse në të kaluarën, në bazë të ligjit, në mënyrë ashtu është e rregullume, fokusi ka qenë më tepër në procedurë se sa në rezultat. Dmth. Sikur ajo thania që thuhet që ‘operacioni shkoi me sukses, por pacienti vdiq’. Edhe këtu ka qenë më tepër fokusi tek procedura, se a po ndiqen procedurat, por fare s’ka qenë problem se a po rezulton që ajo procedurë e prokurimit me rezultate konkrete”, theksoi Murati.

    Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështon të fillojë gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve

    Dështon të fillojë gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi i shoqëruar nga i njëjti avokat, por për t’u ballafaquar me akuza të reja, erdhi sërish të martën në Gjykatën e Prishtinës.

    Krasniqi, bashkë me ish-ushtruesin e Drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe juristin Isuf Zejna akuzohen për keqpërdorime milionëshe në KEK.

    Në fakt, kjo është aktakuza e dytë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Krasniqit.

    Por, shqyrtimi fillestar në mungesë të Ymer Dragushës, i cili sipas aktakuzës ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, dështoi të mbahet.

    Megjithatë Dragusha, i cili edhe është dëshmitar bashkëpunues i PSRK-së në këtë rast, është pajtuar që Gjykatës t’i propozojnë dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh.

    “Në bazë të KPRK-së të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, nëse nuk kryen tjetër vepër penale gjatë periudhës dy vjeçare të kushtëzimit”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës si rezultat i veprimeve të Krasniqit e Dragushës nga korriku i 2022-s deri në maj të 2023-s i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës, dëm rreth 37 milionë euro”.

    Ndërsa, Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

    Ndërkohë, në prill të vitit 2023, Bordi i KEK-ut pezulloi Krasniqin nga detyra e kryeshefit ekzekutiv, ndërsa e shkarkoi atë një vit më vonë.

    Aktakuza e parë ndaj tij është ngritur në Gusht të 2024-s, dhe në shqyrtimin fillestar e ka mohuar fajësinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbyllen tri qendra votimi jashtë vendit

    Mbyllen tri qendra votimi jashtë vendit

    Pergatiti: Diellëza Krasniqi

    Për shkak të numrit të vogël të mërgimtarëve që janë regjistruar për votim fizik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën mbylli tri qendra votimi në Kanberra të Australisë, Ankara të Turqisë dhe Ioëa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Për votim fizik në përfaqësitë diplomatike atje ishin regjistruar 18, 25 dhe respektivisht 32 votues.

    Ata tashmë do të kenë mundësi tjetër për ta ushtruar të drejtën e tyre.

    “Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tre përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë në kuti postare në vendin përkatës”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së.

    Ndërsa për qendrat e votimit brenda territorit më 9 shkurt, në mbledhje u akredituan 1 mijë e 680 vëzhgues. Prej tyre, 81 u takojnë ambasadave ose misioneve tjera, dhe 393 të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
    Edhe pse u miratuan të gjithë, nga partia në pushtet u vu në pikëpyetje numri i madh i vëzhguesve nga disa organizata të brendshme.

    “Kemi pasë raste në të kaluarën, prej 2010, që kanë qenë vëzhgues por nuk e kanë luajtur rolin e vëzhguesve pastaj”, tha Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga LVV.

    KQZ-ja tashmë e ka edhe sloganin për fushatën e informimit, për këto zgjedhje të përgjithshme, që do të jetë “Vota jote për Kosovën 2025”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: