ATV

Tag: Ballina

  • Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve e votojnë qeverinë Kurti

    Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve e votojnë qeverinë Kurti

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Krasniqi ka thënë se grupi multietnik është i interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.

    “Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm edhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe se qytetarët presin që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.

    Sipas Krasniqit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një kuvend funksional dhe zgjidhje të çështjes së zgjedhjes së presidentit.

    “Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, ka thënë ai.

    Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, do t’i ketë 53 deputetë. Për ta formuar qeverinë duhen 61 vota.

  • Eksportet e Kosovës rriten me 15.7 për qind, por deficiti tregtar arrin në 544 milionë euro

    Eksportet e Kosovës rriten me 15.7 për qind, por deficiti tregtar arrin në 544 milionë euro

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin Maj 2026.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se eksporti në muajin maj 2026 mbulon importin me 14,7 për qind.

    “Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 për qind në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 për qind”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milion euro, ndërsa importi 638,6 milion euro, që është një rritje prej 15,7 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,5 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,0 për qind e përbëjnë produktet minerale; etj.

    Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2 për qind e përbëjnë produktet minerale, 12,6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 30,8 milion Euro, ose rreth 32,7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,9 për qind), Italia (4,9), Holanda (2,7 për qind), etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 301,3 milion Euro, ose 47,2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,7 për qind . Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,1për qind), Italia (8,8 për qind), Polonia (4,1për qind ), etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 43,1 milion Euro, ose 45,7 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,4%), Shqipëria (14,8%), Mali i Zi (6,6 për qind), Serbia (6,4 për qind), etj. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85,3 milion Euro, ose 13,4 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22,5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (4,1%), Serbia (3,2%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 20,3 milion Euro, ose 21,6 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,6%) dhe Turqia (4,5%).

    Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 252,0 milion Euro, ose 39,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (12,2%) dhe Turqia (13,9%).

    Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin maj 2026, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/Themes/ForeignTrade

  • Qeveria në detyrë ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

    Qeveria në detyrë ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

    Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet do të shërbejnë për zbatimin e masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, duke filluar nga muaji korrik e tutje.

    “Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, tha ai.

    Në mbledhjen e Qeverisë, janë miratuar edhe 13 pika të rendit të ditës, përfshi shqyrtimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit për projektin e qasjes gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor, e edhe ndarje buxhetore për financimin e disa projekteve kapitale në jug të Mitrovicës, Shtime, Pejë dhe Podujevë.

  • Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

    Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishin të nevojshme dhe se rezultati i tyre e dëshmon këtë, duke theksuar se qytetarët kanë folur sërish qartë.

    “Në të parën në të cilën po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë para se ato të ndodhnin. Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet dhe të respektohet”, ka thënë Kurti në mbledhjen e parë fizike të Qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme.

    Ai shtoi se pas certifikimit të rezultatit do të nisin punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

    “Andaj, porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, u shpreh ai.

  • MINT-i publikon çmimet e reja të derivateve

    MINT-i publikon çmimet e reja të derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar çmimet e reja të derivateve, për ditën e sotme.

    Sipas çmimores, nafta do të shitet maksimalisht 1.37 euro për litër, benzina 1.34 euro për litër, si dhe gazi 0.67 euro për litër.

  • Dega e dytë e LDK në Prishtinë i del kundër Abdixhikut: Iu dhanë të gjitha mundësitë, të japë dorëheqje

    Dega e dytë e LDK në Prishtinë i del kundër Abdixhikut: Iu dhanë të gjitha mundësitë, të japë dorëheqje

    Dega e II-të e LDK-së në Prishtinë po kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga kryetari i partisë, pikërisht kur një gjë e tillë u kërkua edhe nga dega e Pejës dhe e Lipjanit.

    Në reagimin e kësaj dege thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”.

    Sipas kësaj dege, “Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar”.

    Andaj, kjo degë kërkon që “LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore”.

    Reagimi i plotë:

  • Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi dy degë të partisë ia kërkuan dorëheqjen, dega në Pejë në krye me Gazmend Muhaxherin dhe ajo në Lipjan e udhëhequr nga Imri Ahmeti. Fillimisht, Abdixhiku, thotë se do kishte qenë më korrekte që dorëheqjen t’ia kërkonin ballë për ballë, për shkak të “bashkëpunimit të gjatë”, më pas konfirmon se nuk do dorëhiqet sepse thotë se çështja është trajtuar në Kuvendin e 31 janarit.

    Dy kryetarët, Abdixhiku i quan sabotues, duke ua kërkuar dorëheqjet atyre.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Si nuk u ngopën kurrë?!

    I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.

    Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.

    Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.

    E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha oengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-se të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe me pas shuarjen e LDK-së.

    Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër.

    Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.

    Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!

  • Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i është bashkuar reagimeve ndaj Dritan Goxhajt, i cili ka dalë në krye të artikulimit të kërkesave të protestës të së hënës. Në një reagim publik, ministri i Mbrojtjes shprehet se nuk mund të përdoret emri i UÇK-së për interesa personale apo politike.

    Ministri shpërndau postimin e Ramës dhe e shoqëroi me një koment ku vë në kontrast ata që morën pjesë në luftë me ata që, sipas tij, e mbështesin atë vetëm në fjalë.

    Më tej, Nufi ka kritikuar gjithashtu protestën, duke pretenduar se ajo nuk ka një drejtim apo objektiva të qarta.

    “Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njejtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë. Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka”, ka shkruar Nufi.

    Ministri ka shtuar se komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht.

    “Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!” shkroi Nufi.

  • Agron Maxhuni dhe Valentina Sopjani zgjidhen anëtarë të KGJK-së

    Agron Maxhuni dhe Valentina Sopjani zgjidhen anëtarë të KGJK-së

    Gjyqtarët Agron Maxhuni dhe Valentina Sopjani janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjykatave të shkallës së parë.

    Dy gjyqtarët u zgjodhën në pozitën e anëtarit të KGJK-së, në tubimin qendror që u mbajt të martën, pas zhvillimit të procesit të brendshëm në gjykata themelore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në proces të votimit, nga 354 gjyqtarë me të drejtë vote, morën pjesë 303 gjyqtarë. Nga 303 fletëvotimet, një ishte i pavlefshëm.

    Sa i përket votave të kandidatëve fitues, Agron Maxhuni mori 204 vota, kurse Valentina Sopjani mori 212 vota.

    Në anën tjetër, dy kandidatët tjerë: gjyqtarja Diora Bajrami mori 64 vota dhe Ilir Bytyqi 84 vota.

    Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 8 korrik pas përfundimit të mandati të dy anëtarëve aktual (më 7 korrik).

    KGJK parashihet të ketë 13 anëtarë, aktualisht ka 11, për një anëtar nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme procesi ka marrë rrugët ligjore, ndërkaq edhe një anëtar tjetër duhet ta zgjedh Kuvendi Republikës së Kosovës që të kompletohet përbërja e KGJK-së.

    Procesi zhvillohet bazuar në Rregulloren 09/2019 për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së nga radhët e gjyqësorit.

  • Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.

    Kryetari i saj, Hysni Gucati, e ka cilësuar si të papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës që në emër të UÇK-së në Tiranë, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.

    “OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”, ka thënë ai.

    OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.

    Kreu i veteranëve ka thënë se UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike.