ATV

Tag: Ballina

  • MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit zyrtar, nafta është caktuar me çmim maksimal prej 1.37 euro për litër, benzina 1.34 euro për litër, ndërsa gazi 0.67 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në njoftimin e radhës, respektivisht deri ditën e nesërme.

  • Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci.

    Hoxha ka bërë të ditur për takimin përmes një postimi në platformën “X”, ku tha se me Konjufcën kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, si dhe për dinamikat evropiane me interes të përbashkët.

    Ai theksoi se, ndërsa Kosova ndodhet në proces të analizimit të rezultateve zgjedhore dhe formimit të institucioneve të reja, Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo kërkon koordinim dhe shkëmbim të vazhdueshëm idesh ndërmjet dy vendeve.

    “Shkëmbimi i ideve, analizave dhe qasjeve, si dhe koordinimi i ngushtë me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, mbeten çelësi për avancimin e interesave tona reciproke e të përbashkëta”, ka shkruar Hoxha.

    Ai shtoi se veprimi i përbashkët dhe vizioni i qartë për të ardhmen do të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimit të Kosovës, si dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.

  • KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nesër do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

    ‘’Ju njoftoj se të shtunën (27 qershor 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor.’’, ka thënë Elezi.

  • “Gabojnë nëse mendojnë që nënshtrohemi”, Abdixhiku i gatshëm për takim me Kurtin: Në fillim presidenti, ose zgjedhje

    “Gabojnë nëse mendojnë që nënshtrohemi”, Abdixhiku i gatshëm për takim me Kurtin: Në fillim presidenti, ose zgjedhje

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë të enjten në Klan Kosova ka folur për përplasjet në parti, zgjedhjet e 7 qershorit dhe për qëndrimin e LDK’së sa i përket krijimit të institucioneve të reja.

    Abdixhiku kur ka folur për formimin e institucioneve të reja, ka thënë se fillimisht duhet të flitet për pozitën e presidentit, përndryshe do të ketë zgjedhje të reja.

    Këtë qëndrim Abdixhiku e ka dhënë pasi nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se duhet të zgjidhet Kuvendi, Qeveria dhe më pas presidenti.

    “Duhet nisur nga rëndësia nga pesha, nga presidenti. Nëse ndodh ndryshe do të kemi zgjedhje të reja. Kaq e thjeshtë është”, ka thënë Abdixhiku.

    Sipas kreut të LDK’së, pozicioni i LVV-së e përjashton marrëveshjen politike dhe sipas tij qëndrimi i tyre i shprehur ditëve të fundit është inkurajuar edhe nga zhvillimet e brendshme në LDK.

    Abdixhiku tutje ka thënë se kushdo që kërkon në këtë momentum zgjedhje të reja “është i çmendur”.

    “Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në Rubikon.

    Sa i përket negociatave të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, Lumir Abdixhiku ka thënë se me Kurtin nëse do të vijë ftesa për t’u takuar, do të flasë vetëm për parime.

    Ai ka thënë se s’do të ketë kurrfarë kompromisi dhe sipas tij LVV e ka keqlexuar situatën nëse mendon që Lidhja Demokratike do t’i nënshtrohet.

    “Që duhet të ketë marrëveshje politike, as që diskutohet”, ka thënë tutje Abdixhiku.

    Në këtë intervistë kreu i LDK’së ka folur edhe për përplasjet e tij me bashkëpartiakët, Gazmend Muhaxherin e Imri Ahmetin, derisa s’ka kursyer as kryetarin e Prishtinës, Perparim Ramën.

  • Pacolli i publikon konkluzionet e Gjykatës së Lartë në favor të MABCO për Aeroportin e Vlorës – përsërit thirrjen që SPAK të nisë hetimet

    Pacolli i publikon konkluzionet e Gjykatës së Lartë në favor të MABCO për Aeroportin e Vlorës – përsërit thirrjen që SPAK të nisë hetimet

    Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri rreth çështjes së Aeroportit të Vlorës ku iu dha të drejtë kompanisë MABCO ka reaguar Behgjet Pacolli.

    Kompania MABCO pritet të rikthehet në kantierin e Aeroportit të Vlorës për të vijuar punimet, së bashku me nënkontraktorët e saj. Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit i rikthen MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke rrëzuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit.

    Pacolli ka publikuar konkluzionet e gjykatës në këtë vendim dhe tha se një projekt strategjik kombëtar u mbajt peng.

    Për këtë, ai bëri thirrje që SPAK të nisë hetime.

    “Andaj edhe njëherë FTOJMË SPAK-un të vazhdojë HETIMIN e thellë që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj”.

    Postimi i plotë:

    Për hir të DREJTËSISË!

    VIA- Vlorë

    Në shtesë të ketij teksti gjeni edhe pikat kyqe të konkluzioneve të Vendimit të Gjylates së Lartë!

    Ju lutem lexoni!

    Të dashur miq!

    Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përbën vetëm korrigjimin e Vendimeve të gabuara gjyqësore të gjyqëtarëve që murën ata; ai evidenton se, për muaj të tërë, një projekt strategjik kombëtar u mbajt peng nga “masa të sigurimit” që u shpallën të paligjshme dhe nga mosveprimi i institucionit që ligji e ngarkon me detyrimin për të mbrojtur kontratën koncesionare dhe interesin publik. Pasojat ishin të rënda: u paralizua administrimi i shoqërisë koncesionare, u pengua zbatimi i kontratës, u shkaktuan dëme të konsiderueshme ekonomike dhe u cenua rëndë besimi i investitorëve në sigurinë juridike të Republikës së Shqipërisë.

    Po aq domethënës është fakti se Gjykata e Lartë rrëzoi edhe pretendimet lidhur me të ashtuquajturën çështje “Delphos”, duke i cilësuar ato si të pabazuara në ligj. Kjo tregon se narrativa e ndërtuar për muaj të tërë nga “2A Group”, e mbështetur nga vendime gjyqësore që më pas u shpallën të paligjshme dhe e përsëritur edhe nga disa zyrtarë apo struktura të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rezultoi e pambështetur në të drejtë. Gjykata e Lartë i dha përgjigje përfundimtare edhe këtij pretendimi, duke rrëzuar një nga argumentet kryesore mbi të cilin ishte ndërtuar fushata kundër MABCO-s.

    Kur Gjykata e Lartë konstaton se masat ishin të paligjshme dhe se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të ndërhynte për mbrojtjen e koncesionit, lind detyrimi që të HETOHËN me SERIOZITET përgjegjësitë individuale dhe institucionale për veprimet dhe mosveprimet që sollën këtë situatë. Sundimi i ligjit nuk rivendoset vetëm duke shfuqizuar një vendim të paligjshëm; ai rivendoset kur çdo person që, me veprim ose mosveprim, ka shkaktuar pasoja të tilla, mban përgjegjësi sipas ligjit. Vetëm në këtë mënyrë rikthehet besimi i qytetarëve dhe i investitorëve tek drejtësia dhe tek shteti i së drejtës.

    Andaj edhe njëherë FTOJMË SPAK.un të vazhdoj HETIMIN e thell që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj. Publikishtë, nepër televizione na kanë kercnuar se “do të shkojmë ne burg”, pra nuk mund të kaloj e gjithë kjo në heshtje.

    Edhe sot, ndërsa flasim, në Aeroportin e Vlorës grupe që veprojnë jashtë çdo baze ligjore vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët publike dhe hyrjet në kantier, në prani të forcave të Policisë së Shtetit. Kjo situatë e papranueshme kërkon reagim të menjëhershëm dhe rivendosjen e plotë të ligjshmërisë.

  • Vendimi për Thaçin dhe të tjerët: Dhomat e Specializuara mbesin brenda afatit të 20 korrikut

    Vendimi për Thaçin dhe të tjerët: Dhomat e Specializuara mbesin brenda afatit të 20 korrikut

    Dhomat e Specializuara në Hagë ende mbesin brenda afatit të fundit 20 korrik për shpalljen e verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një përgjigje me shkrim, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik.

    “Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.

    Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.

    Gjykata ka theksuar se “nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”, raporton Euronewalbania.

    Gjykata në Hagë është akuzuar në Kosovë për trajtimin e padinjitetshëm të katër të burgosurve, por zëdhënësja Angela Grip ka përmendur vizitat humanitare të lejuara për të paraburgosurit.

    “Korniza Ligjore e Dhomave të Specializuara u mundëson të paraburgusorve të paraqesin kërkesë për vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve. Deri tani, gjykatësit e Dhomave të Specialziuara kanë urdhëruar 14 vizita të të paraburgosurve në Kosovë, që janë organizuar dhe zbatuar nga gjykata, si për shembull, për t’i mundësuar një të paraburgosuri të vizitonte një të afërm të sëmurë ose për të nderuar kujtimin dhe për të qenë pranë anëtarëve të familjes pas vdekjes së një të afërmi. Në rastin e zotit Thaçi p.sh., janë kryer katër vizita të tilla”, tha Angela Grip, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara.

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbahen në Hagë që prej nëntorit 2020, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Ekonomiaonline

  • Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Publikohen çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas MINTI-t një litër naftë sot do të shitet për 1.37 euro, një litër benzinë 1.34 euro dhe një litër gas 0.67 euro.

    Sipas ministrisë këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

    Sipas të dhënave të publikuara, 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione si më të besueshmet në Republikën e Kosovës.

    Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Në kumtesë, Policia theksoi se besimi i qytetarëve përbën themelin e punës policore dhe një tregues të rëndësishëm të partneritetit ndërmjet institucionit dhe komunitetit. Sipas saj, ky vlerësim shërben si motiv shtesë për të vazhduar punën në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve.

    Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.

    Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë vlerësuar se forcimi i zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit duhet të mbeten në fokus të institucioneve.

    Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë publike. Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, transparencën institucionale dhe bashkëpunimin me qytetarët, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, duke premtuar se do të vazhdojë të punojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

  • Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Shteti pagoi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur

    Nga kuleta e shtetit janë paguar 91 mijë euro pensione pas vdekjes së përfituesve, gjatë vitit 2025.

    Auditori ka gjetur se në total janë kryer 517 pagesa, në kundërshtim me ligjet e skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme.

    Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Financave është zbuluar se pensionet janë lëshuar për këto skema:

    Pagesat pas vdekjes ndodhin kryesisht si rezultat iu lajmërimit me vonesë apo edhe kur vdekjet e qytetarëve nuk janë regjistruar me kohë.

    Si rrjedhojë, kjo shkakton pagesa të parregullta dhe dëmton buxhetin e ministrisë, transmeton Klankosova.tv

    Ndryshe, me këtë çështje tash duhet të merret Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, që u formua gjatë riorganizimit të qeverisë, duke ndarë ish-Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në dy dikastere.

  • Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s sepse nuk është shtet anëtar

    Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s sepse nuk është shtet anëtar

    Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në samite në cilësinë e anëtares.

    Sqarimi vjen pas raportimeve në media se Kosova nuk është ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s.

    Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se edhe në rastet e mëparshme Kosova nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s.

    “Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online.

    Sipas Ministrisë edhe në të kaluarën Kosova nuk ka marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës, por se ftesat kanë qenë për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit.

    “Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, thuhet më tutje në përgjigje.

    Ministria ka sqaruar se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.

    “Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta. Prandaj, theksojmë se Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës’, thuhet në përgjigje.

    Sipas Ministrisë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

    “Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Ekonomia Online