ATV

Tag: Ballina

  • Seanca konstituive, Hasani: Përveç Donikës e Albulenës të gjithë të tjerët janë të mirëpritur

    Seanca konstituive, Hasani: Përveç Donikës e Albulenës të gjithë të tjerët janë të mirëpritur

    Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani derisa ka hyrë në ndërtesën e Kuvendit, ka bërë me dije edhe një herë se PDK-ja nuk e voton Albulena Haxhin për kryetare të Kuvendit.

    Tutje, ai shtoi se përveç Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, të gjithë të tjerët që do të propozohen për kryetar të Kuvendit do të jenë të mirëpritur.

    “Ajo nuk  i ka votat e Kuvendit, nuk i ka votat e partisë së vetë, andaj nuk kemi nevojë me e votu ne, ta votojnë ata të vetit. Çdo kush tjetër përveç Donika Gërvallës dhe Albulena Haxhiut të gjithë të tjerët janë të mirëpritur”, deklaroi ai./atvlive.tv

  • Seanca konstituive, a do t’i ketë VV-ja sot votat?

    Seanca konstituive, a do t’i ketë VV-ja sot votat?

    Me fillim nga ora 10:00 pritet të vazhdojë sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

    Punimet kanë ngelur tek pika e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

    Në dy tentimet e para, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të legjislativit.

    E në herën e tretë, propozimi nuk u hodh fare në votim, pasi që ish-kryetari Glauk Konjufca, kërkoi kohë për gjetjen e një zgjidhje për dalje nga kjo situatë, e me këtë rast kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja e ndërpreu seancën për të vazhduar sot.

    Mbetet të shihet nëse partia e cila i ka fituar zgjedhjet do ta ketë numrin magjik “61”.

    Derisa, partitë e tjera, PDK, LDK e AAK, nuk pritet të ndryshojnë qëndrim lidhur me këtë temë.

    Subjektet që deri dje ishin në opozitë, deklaruan se nuk do të ketë votë për kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Sot në ora 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbahet konferenca e parë pas përfundimit të fazës së Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave më 15 prill 2025, dhe tashmë mbrojtja ka paralajmëruar mocione për rrëzimin e një ose më shumë pikave të aktakuzës.

    Në konferencën e sotme do të diskutohet për hapat e ardhshëm procedural, ndërsa avokatët e të akuzuarve kanë njoftuar se planifikojnë të paraqesin dëshmitarët e tyre, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të merret vendimi për mocionet për rrëzimin e akuzave.

    Kujtojmë se në deklarimet e tyre të para, të bërë në vitin 2020, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që u janë ngritur.

  • Vrasësit e policëve dhe drejtësia

    Vrasësit e policëve dhe drejtësia

    Këtyre ditëve lajmi më tronditës në Kosovë ka qenë vrasja e policit Muhamed Lika. Krejt ajo që e ka pasur rastin mund të lexohet në dy mënyra. E para – shteti ishte në gjendje të reagojë mirë dhe Brenda javës të arrestojë një grup të të dyshuarve që kishin organizuar vrasjen – ose e dyta – që në një komunë që ka eksportuar veç pajisje kimike dhe terroristë – nën hundë të organeve të sigurisë është zhvilluar edhe një grup deri në nivel që një të mitur ta rekrutojë në një vrasës.

    Mirëpo, diçka që u bë publike kohëve të fundit, është se edhe ky rast indirekt lidhet me një dështim tjetër të fëlliqte të sistemit tonë të drejtësisë.

    BIRN-i ka raportuar se zbuloi se i dyshuari si vrasës i policit Muhabed Lika, R. B., ishte i njohur për drejtësinë. Kjo pasi që ishte dënuar me masë institucionale edukative për një vepër penale atë të dhunimit. Por këtë masë i mituri nuk e vuajti dënimin asnjëherë, pasi nuk iu përgjigj atij dënimi, ndërsa për këtë ishte vendosur edhe në listën e personave në kërkim me urdhër- arrest. Ky urdhër-arrest ishte aktiv edhe gjatë kohës sa ishte kryer vrasja deri tek arrestimi i të njëjtit.

    Pra, një dhunues gjykata e lë të lirë dhe ai më pas prej dhunimit, vec edhe një shkallë e ka – vrasjen – dhe shndërrohet nga dhunuesi në vrasës!

    Ky sistemi drejtësisë mund të jetë më i mirin ë rajon, por ka dështime të fëlliqta shumë dhe në momentin që i lëshon dhunuesit, kërcënuesit dhe kapadaitë që e enden me armë pa leje, ky sistem i drejtësisë është pjesa e sektorit publik që ka besueshmëri qytetarë shumë të ulët.

    Mirëpo, nuk e kisha nisë krejt këtë editorial, vetëm një rast të izoluar. Sot bre, hiç më larg, u dëshmua që sistemi i drejtësisë, jo vetëm që e butë e dënon, e gati e toleron dhunimin seksual, kërcënimin, armëmbajtjen pa leje, por s’është që fort me zell merret edhe me rastet e policëve të vrarë.

    Sot, hic më larg, Gjyqtari Agim Kuçi, i cili i kishte hequr masën e sigurisë të akuzuarit Enver Sekiraqa, lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza, është sanksionuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vërejtje publike me shkrim dhe 20% zbritje në pagë për periudhën prej 6 muajsh. 6 muajt e ardhshëm, paska me e marrë 20% të pagës më pak njeri që e ka lënë të lirë Enver Sekiraqën.

    Qe për çka jemi kah flasim!

    Për krejt juve që keni qenë duke jetu dikah tjetër – qe një rikujtim i shkurtër. Më 2007 është vrarë polici Triumf Riza! Para 18 vjetëve.

    Ky sistem i joni i drejtësisë, është aq I mirë sa dorasin, gjegjësisht vrasësin, Arben Berishën e kishte dënuar me 35 vjet burgim, kurse për nxitje në vrasje, Enver Sekiraqën e kishte dënuar më 2016 me 36 vite burgim, më pas më 2019 me 20 vite burgim dhe më 2024, edhe një herë, më 2024, për vrasje të 2008-ës, më 25 vite burgim.

    Në shpallje të Aktgjykimit, Gjyqtari i çështjes Agim Kuçi kishte marrë Vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa. Por, Gjykata e Apelit, më 17.05.2024, mori Vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën, mirëpo, nuk e kanë gjetë tash e gati një vjet.

    Nëse e shikojmë një rast tjetër të prillit, plagosjen në Gjakovë, ka qenë plagosja e katërt që e bën e bën i njëjti person. E katërta.
    Këqyre, në një sistem të drejtësisë që ta lejon katër herë me plagosë njerëz, që ta heqë arrestin shtëpiak pasi të ka dënuar 25 vjet, që të lën të lirë pasi të dënon për dhunim që të mund të vrasësh më pas një polic…

    Nëse nuk I besojmë sistemit të drejtësisë, ose kemi me u kthy në Kanun të Lekës, ose në ndonjë kanun tjetër, ose secili prej neve, kemi me e marrë drejtësinë në duart tona dhe mandej nuk na duhet shteti.

    Nëse disa njerëz në Kosovë mund të mbajnë armë pa leje, të dhunojnë cika, dhunojnë djem, të vrasin polic, vrasin kundërshtarë dhe për ta ka dënime të buta ose masa gjyqësore që ua mundësojnë të kryejnë krime sërish – ky më nuk është sistem i drejtësisë.

    Kështu që, shumë më shumë sesa kush bëhet kryetar ose kryetare e kuvendit, shumë më shumë sesa kush i merr do ministri që nuk punojnë kurrgjë, është e rëndësishme kush bëhet Kryeprokuror, kush bëhet shef i Këshillit Gjyqësor, kush bëhet ministër i drejtësisë dhe a e ka seriozisht shteti angazhimin për drejtësi.

    Tash, pyetja e krejt pyetjeve është çka duhet politika të bëjë në këtë rast? Deri tash i kemi parë dy qasje – e para është e famshme, ajo e Adem Grabovcit:

    E dyta është kjo e Alban Krasniqit:

    Pra, politika nuk e ndihmon sistemin e drejtësisë dhe nëse kjo qasje nuk ndryshon, jemi kah hyjmë në stad kur më nuk I besohet shtetit, sepse kanë dështuar gjykatat, mediat, spitalet dhe shkollat.

    Shteti i dështuar nuk duket ndryshe!

  • Pas seancës gjyqësore, flasin avokatët e të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

    Pas seancës gjyqësore, flasin avokatët e të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

    Pas mbajtjes së seancës për caktimin e paraburgimit ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, janë deklaruar edhe avokatët e të dyshuarve, raporton ATV.

    Ata kërkuan që rasti të trajtohet me kujdes dhe pa paragjykime publike.

    Avokati Musa Kongjeli, i cili mbron të dyshuarin Rilind Murati, deklaroi se klienti i tij mohon përfshirjen në këtë vepër penale, duke treguar ku ka qenë gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vepra.

    “Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ në bashkëkryerje. Megjithatë, bazuar në provat e deritanishme, ne konsiderojmë se klienti im nuk ka qenë i përfshirë në këtë vepër. Ai deklaron se nga ora 22:00 deri në 03:00 të mëngjesit ka qenë me të fejuarën e tij, me të cilën është në martesë te hoxha”, tha avokati Kongjeli.

    Ndërsa avokatja Fehmije Bytyqi, e cila mbron të dyshuarin Diamant Gashi, tha se në dokumentet zyrtare nuk ka asnjë përmendje për ndonjë motiv ideologjik apo fetar që lidhet me këtë rast, duke
    apeluar për kujdes në raportimet mediale.

    “Unë kërkova që Prokuroria dhe Kryeprokurori i Ferizajt të dalin publikisht dhe të qartësojnë se në kërkesën për paraburgim nuk është përmendur askund ndonjë lidhje ideologjike, fetare apo islamiste. Familjet e të dyshuarve po etiketohet padrejtësisht në publik”, u shpreh ajo.

    Ndërkohë, sipas kërkesës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën e ka siguruar ATV, ndaj të dyshuarve për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, është kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në hetime. /atvlive.tv

  • Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, sillen para gjykatës nën masa të rrepta sigurie

    Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, sillen para gjykatës nën masa të rrepta sigurie

    Gjashtë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika janë sjellë sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë.

    Të shoqëruar nga forca të shumta të sigurisë, të dyshuarit janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta, raporton ATV.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të gjashtë personave, të cilët dyshohen për përfshirje në organizimin dhe realizimin e vrasjes së rreshterit Lika.

    Tashmë nën masën e paraburgimit është i mituri R.B., që dyshohet të ketë qenë dorasi.

    Muhamed Lika u vra më 1 prill në shkallët e ndërtesës ku banonte në Kaçanik, në një akt që autoritetet e kanë cilësuar si sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. /atvlive.tv

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika

    Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkoi caktimin e masës së paraburgimin ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika.

    Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, do të paraqiten sot para gjykatës.

    Seanca dëgjimore do të mbahet sot nga ora 13:00.

    Derisa dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit Rejan Bela, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit, viktima M.L., ka ndërruar jetë, me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë”nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074.

  • Ramadani: Nëse pretendimet për vrasjen në Kaçanik vërtetohen, situata është alarmante

    Ramadani: Nëse pretendimet për vrasjen në Kaçanik vërtetohen, situata është alarmante

    Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, përmes një postimi në facebook, ka reaguar pas detajeve të publikuara nga Policia e Kosovës lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, transmeton ATV.

    Ramadani tha se nëse konfirmohen pretendimet e Prokurorisë dhe Policisë, atëherë rasti paraqet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.

    “Nëse vërtetohen pretendimet aktuale të Prokurorisë dhe Policisë në rastin e vrasjes së Rreshterit Muhamet Lika në Kaçanik, atëherë kjo situatë është edhe serioze, edhe alarmante,” shkroi Ramadani.

    Ai vlerësoi si të papranueshme aftësinë organizative të individëve me të kaluar kriminale dhe ekstremiste, duke theksuar se një vrasje e tillë mund të shihet si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj shtetit.

    “Terrorizmi është i patolerueshëm në secilin lloj të manifestimit të tij,” u shpreh Ramadani./atvlive.tv

  • Kusari-Lila: Ose dakordim për konstituimin e Kuvendit, ose zgjedhje të reja

    Kusari-Lila: Ose dakordim për konstituimin e Kuvendit, ose zgjedhje të reja

    Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se situata aktuale nuk mund të zvarritet pafundësisht dhe se ekzistojnë vetëm dy zgjidhje: dakordimi ndërmjet partive për formimin e institucioneve ose shkuarja në zgjedhje të reja, raporton ATV.

    Ajo tha se ishte kërkesë e grupit të saj parlamentar që kandidatura e Albulena Haxhiut të mos procedohej në votim, duke pasur parasysh qëndrimet publike të partive opozitare, të cilat e kishin bërë të qartë se nuk do ta përkrahnin.

    “Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe është obligim për të gjitha grupet parlamentare,” tha Kusari-Lila, duke shtuar se qëndrimi i opozitës synon të bllokojë edhe procesin për nënkryetarët, në rast se votohet kryeparlamentari.

    “Me këtë qasje, duhet të dakordohemi, t’i thërrasim të gjitha partitë dhe ta konstituojmë Kuvendin, ose të shkojmë në zgjedhje të reja. Nëse pas dy ditësh partitë reflektojnë, mund ta përmbyllim këtë proces”, theksoi ajo. /atvlive.tv

  • Krasniqi: Haxhiu s’ka vota, Vetëvendosje duhet të propozojë tjetër kandidat

    Krasniqi: Haxhiu s’ka vota, Vetëvendosje duhet të propozojë tjetër kandidat

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Albulena Haxhiu nuk do të ketë kurrë mbështetjen e PDK-së për postin e kryetares së Kuvendit, ndërsa e cilësoi situatën aktuale si të paprecedent dhe të dëmshme për institucionet.

    Në një prononcim për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Krasniqi u shpreh se koalicioni VV–Guxo–Alternativa e ka të drejtën të propozojë kandidatin, por jo të imponojë një emër që nuk ka votat e mjaftueshme.

    “Po vazhdojnë ta bllokojnë Kuvendin, sepse një kandidate që s’i ka votat nuk është më e rëndësishme se vetë Kuvendi”, deklaroi ai.

    Ai tha se Albulena Haxhiu është përgjegjëse për disa skandale, duke përmendur humbjen e mostrave të Astrit Deharit dhe uljen e fondeve për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Sipas tij, Vetëvendosje duhet të tërhiqet nga kjo kandidaturë dhe të propozojë një emër tjetër. /atvlive.tv