ATV

Tag: Ballina

  • “Lëshimi i perit” nga njëra palë zgjidhja për konstituimin e Kuvendit

    “Lëshimi i perit” nga njëra palë zgjidhja për konstituimin e Kuvendit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    “Ne ndërtojmë ura, rogovasit punojnë tokën, e shiu është për bereqet…”
    Kjo ishte përgjigja e Albin Kurtit, kur u pyet nëse i ka votat, për kandidaten Albulena Haxhiu, për kryetare të kuvendit.

    Sidoqoftë, me apo pa votat e nevojshme, deputetët do të mblidhen sërish të premten për të disatën herë me synim finalizimin e konstituimit.

    Dalja nga kjo situatë, konsiderohet se mund të jetë pikërisht tek, Albin Kurti.

    “Zgjidhja e situatës është në duar të Albin Kurtit i cili ka shumicën. Opsioni I parë është që ta vendosë një kandidat që ka mbështetjen e deputetëve tjerë”, deklaroi Gëzim Qerimi, njohës i çështjeve politike.

    Por, vlerësohet se ekziston edhe një opsion i dytë.

    Por, kjo mundësi, duket edhe më vështirë e realizueshme.
    Vonesat në zgjidhjen e situatës, nga një tjetër interpretim, konsiderohen të qëllimshme.

    Në tri tentimet e fundit, profili i Albulena Haxhiut i ka siguruar vetëm 57 vota për.

  • ​BE-ja thotë se është në interes të Kosovës t’i formojë sa më parë institucionet

    ​BE-ja thotë se është në interes të Kosovës t’i formojë sa më parë institucionet

    Bashkimi Evropian tha se është në interes të Kosovës që me shpejtësi të formojë institucionet e saj.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier tha të enjten më 24 prill se formimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës është i rëndësishëm në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë.

    “Ajo që mund të them është se është në interes të Kosovës që me shpejtësi t’i formojë institucionet, gjë që është shumë e rëndësishme në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë. Është gjithashtu e rëndësishme për çështje të tjera, si Plani i Rritjes, siç e dini duhet që Parlamenti i Kosovës të jetë i konstituuar për të vazhduar punën në këtë drejtim”, deklaroi Mercier kur u pyet nëse dështimi për të konstituuar Kuvendin ka pasoja në raportet e Kosovës me bllokun.

    Kosova nuk mund të përfitojë pagesat e para nga Plani i Rritjes derisa në Kuvend të ratifikohet marrëveshja për mjetet dhe kredinë me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me dy të tretat e votave.

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituuohet edhe në përpjekjen e pestë të mërkurën më 23 prill.

    Deputetët do të mblidhen edhe të premten më 25 prill në një tentim të radhës për të votuar kryeparlamentarin.

    Ky proces ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

    Partitë që deri më tash ishin në opozitë nuk e mbështesin emrin e Haxhiut për këtë pozitë, ndërkaq nga LVV-ja kanë deklaruar se nuk e ndërrojnë propozimin./KP

  • ​Dështimi i konstituimit të Kuvendit, kërkohet nga Osmani t’i ftojë për konsultime partitë

    ​Dështimi i konstituimit të Kuvendit, kërkohet nga Osmani t’i ftojë për konsultime partitë

    Shoqëria civile po kërkon nga presidentja Vjosa Osmani t’i ftojë partitë parlamentare për konsultime, pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Kuvendit. Një ditë para vazhdimit të seancës, po shihet e domosdoshme përfshirja e së parës së shtetit, nëse ngërçi politik vazhdon. Sipas tyre, Osmani duhet të gjejë mënyrat për të dalë nga ngërçi politik, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidencës në lidhje me ftesën e mundshme që shefja e shtetit mund t’iu dërgojë partive politike për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sidoqoftë, presidentja Osmani e ka lënë të hapur këtë mundësi në një letër drejtuar kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari më 16 prill, pas dështimit për herë të parë që të votohet verifikimi i mandateve të deputetëve.

    Në Kuvendin e Kosovës për herë të pestë ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.

    Mirëpo, e njëjta në tri tentime ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentare deputeten Albulena Haxhiun. Ajo në seancat e 19 prillit dhe të 23 prillit mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

    Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nisma Socialdemokrate po abstenojnë.

    Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e fundit nuk morën pjesë në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.

    Kjo situatë e krijuar në Kuvend, sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku reflekton krizën politike në të cilën ka hyrë vendi. Andaj ai e sheh të domosdoshme përfshirjen e presidentes Osmani për gjetjen e një zgjidhje, duke ftuar në takim krerët e partive parlamentare.

    “Në këtë fazë, kur kemi një ngërç në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për shkak të pamundësisë së grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidatin e propozuar nga ky subjekt politik. Meqenëse, nuk ka ndonjë mekanizëm ligjor që e detyron kufizimin se deri në çfarë mase mund të propozohet dhe ri-propozohet një kandidat për kryetar të Kuvendit. As Kushtetuta, as ligji dhe as Rregullorja e Kuvendit, dhe as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese 2014, kur është sqaruar çështja e grupit më të madh parlamentar dhe aspekti i propozimit për pozitën e kryetarit të Kuvendit, nuk kanë specifikuar se kur apo si konsumohet kjo çështje. Meqenëse, jemi në një bllokadë politike, roli i presidentes në këtë situatë mund të jetë më tepër si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që e njëjta të ftojë të gjithë krerët e partive politike dhe nga ajo të shikohet se si të dilet nga kjo krizë politike”, thekson ajo.

    Monitoruesi i punës së Kuvendit nga radhët e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se takimi i mundshëm i presidentes Osmani me partitë politike mund të prodhojë votimin e një kandidati koncensual nga radhët e LVV-së ose edhe votimin e kandidates së tyre, Albulena Haxhiu nga partitë të tjera parlamentare.

    Rrugë tjetër sipas tij është edhe që presidentja të dërgojë këtë situatë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    Ai e sheh të nevojshme që Kushtetuesja të jep një rrugë sesi të shkohet tutje në rast se partia e parë në zgjedhje nuk i ka votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

    “Në seancën, e cila pritet të mbahet të premten, vërehet që nuk do të ketë ndonjë kalim tjetër nga kjo situatë. Meqenëse nuk ka, atëherë kryesuesi i seancës duhet të lejojë që përfaqësuesit politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës të marrin secili fjalën, dhe jo në takime të fshehta dhe pa transparencë. Nga ai takim i Kuvendit, në rast se dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të shkohet me kërkesë te presidentja e Kosovës për dy rrugë: qe nga ai takim të prodhohet një kandidat koncensual ose që ky kandidat të votohet, dhe nëse nuk ka sukses, të shkohet me kërkesë ndaj presidentes që ajo të adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar se çfarë duhet të ndodhë më tutje”, thekson Jakaj.

    Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër dështimit në tri tentime. Megjithatë e kanë konsideruar të nevojshme arritjen e një marrëveshje politike për zgjedhjen e saj dhe të nënkryetarëve të tjerë të Kuvendit. Mirëpo, në bazë të deklaratave politike nuk janë shprehur të hapur për gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e kësaj krize politike.

    Vazhdimi i gjashtë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë mbahet të premten. /kp

  • ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Bislimi dhe Sorensen diskutuan rreth zbatimit të marrëveshjeve të nivelit teknik e poashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, raporton KosovaPress.

    Sipas zyrës së kryeministrit ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar.

    “Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sorensen për takimin e bisedën si dhe bashkëpunimin mes tyre.

    Derisa Sorensen tha se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij. Pas takimit me kreun e ekipit negociator të Kosovës, zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, diplomati danez tha se do udhëtojë për në Beograd.

  • Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në Pallatin Presidencial në Helsinki, ka ndarë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës.

    “Dje, në Pallatin Presidencial në Helsinki, kisha nderin ta ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin tyre e palodhur në mbështetje të Kosovës, që nga viti 1999, si pjesë e misionit të KFOR-it.

    Paqeruajtësit janë heronjtë që bëjnë të mundur paqen, edhe kur është e vështirë. Faleminderit Finlandës dhe çdo ushtari finlandez për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit!”, ka shkruar Osmani.

  • ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    Në Rogovë të Hasit sot është përuruar ura e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E ndërtimin e kësaj ure e konsideroi lajm të mirë për gjithë hasianët edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo urë kaq e vonuar më në fund u realizua, raportin KosovaPress.

    Kurti tha se brenda një viti janë kryer të gjitha punët për përurimin e urës sot.

    “Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet, falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025 po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në një farë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo ura kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, tha ai.

    Ministri në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në këtë urë janë kryer punime profesional.

    Ai pret që komuna e Gjakovës ta mbaj zotimin e dhënë që rruga të zgjerohet.

    “Mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës që do të jetë me dimensionet e saj dhe që besoj edhe komuna do ta bëjë pjesën e vetë të punës ashtu siç kanë premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra pra 125 metra e ndërtuar me traje dhe kompania ka bërë një punë profesionale dhe kemi qenë në përcjellje të këtyre punime”, tha ai.

    Zëvendësministri në detyrë i MPHI-së, Hysen Durmishi tha se tashmë kjo urë e cila ka qenë e ngushtë tani është e ndërtuar sipas kritereve regjionale.

    “Kemi pas shqetësime të banorëve për rregullimin e kësaj ure dhe ka qenë disa vite në buxhet dhe komuna nuk ka bërë veprime. Prandaj, ne si ministri jemi detyruar që ta marrin përsipër ndërtimin e kësaj urë vetë. Në fillim ekipet profesionale kemi diskutuar këtu se si ta bëjmë një zgjidhje më të shpejtë pasi kjo ura është e frekuentuar. Kemi menduar në fillim ta bëjmë sanimin e urës me disa shtylla pa e prishur urën dhe në fund konkluzioni ka qenë që duhet të prishet ura pasi që duhet ndërtuar edhe trotuaret. Ju e dini qe ka qenë urë e ngushtë dhe tani i plotëson të gjithë kriteret regjionale edhe pse rruga është lokale”, tha ai.

    Rindërtimit të kësaj ure që lidh Rogovën me pjesë tjera të Kosovës i janë gëzuar shumë edhe banorët e kësaj ane.

    Gëzim Thaçi tha se kjo urë është dashur të bëhej edhe më herët, por edhe tani që përfundoi do iu shërbej 60 mijë banorëve të kësaj ane.

    “Është shumë e rëndësishme se i ka 60 mijë banorë që kalojnë mbi këtë urë. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët u vonua pak, por mirë pasi u krye”, tha ai.

    Të rëndësishme urë për gjithë trevën e sheh edhe Baki Gashi i cili ka ardhur nga diaspora.

    “E rëndësishme është shumë për neve… për fshatin tonë dhe gjithë trevën është shumë e rëndësishme”, tha ai. /KP

  • Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Ka dështuar në mungesë të kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës, ku do të diskutohej Plani Zhvillimor komunal 2025-2033.

    Në seancë nuk kanë shkuar asambleistët e PDK-së dhe të Vetëvendosjes.

    Pas dështimit të seancës, aktivisti Dardan Sejdiu ishte i zëshëm duke i bërë pyetje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se në cilat lagje dhe me cilat lagje e kanë diskutuar këtë plan.

    “Kjo ka qenë puro politike që vetëm të zhagitet kjo çështje. Pikat që janë përmend aty, janë pika kur ne e kishim hapë këtë diskutim publik. Nuk janë cështje për bllokadë”, tha Rama.

    “Me cilat lagje e keni diskutu këtë plan? Veç keni thënë “lagje” – kurrgjë më shumë”, tha Dardan Sejdiu nga hapësira e gazetarëve.

    Por aty, Përparim Rama e quajti dezinformues Sejdiun, i cili kritikon ashpër që ky plan të diskutohet pak muaj para zgjedhjeve komunale.

    “Në të gjitha lagjet e kryeqytetit kemi pasë diskutime me publik. Ta qesim në miratim, jo sic dezinformon çifti i tij”, tha Përparim Rama.

    Këtë plan rregullativ, po e kundërshtojnë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, për faktin se ata thonë se është bërë në mënyrë jotransparente dhe pa asnjë diskutim publik. Një arsye tjetër pse kritikohet plani, është se ai po vjen pak muaj para zgjedhjeve.

  • Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Deputeti kroat në Parlamentin Evropian dhe raportuesi për Serbinë, Tonino Piculla, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa hequr dorë nga politika e “botës serbe”, transmeton Paparaci.

    Në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Piculla ka shprehur skepticizëm lidhur me zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, duke theksuar se as Mali i Zi, i cili ka përparuar më së shumti në negociata, nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian deri atëherë.

    “Nuk jam optimist për sa i përket pranimit të anëtarëve të rinj. Sikur nesër të ishte mbajtur një referendum për anëtarësimin e Serbisë në BE, nuk duhet pritur ndonjë rezultat spektakolar”, ka thënë Piculla.

  • Albulena Haxhiu dështon sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit

    Albulena Haxhiu dështon sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit

    Në tentativën e pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, përmes deputetit Glauk Konjufca. Megjithatë, edhe kjo përpjekje për zgjedhje dështoi, raporton ATV.

    Haxhiu mori sërish vetëm 57 vota pro – të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë post të rëndësishëm institucional. Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë qëndruar në vendimin e tyre për të mos e mbështetur këtë kandidaturë.

    Pas dështimit të pestë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre sërish këtë të hënë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se punimet do të vazhdojnë të premten, më 25 prill, në ora 11:00.

    Kujtojmë se në këtë seancë u hodh sërish në votim kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e nevojshme – njëjtë si në tentativat e mëparshme.

    Opozita e deritashme, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk e përkrahu kandidaturën, duke thelluar më tej bllokadën institucionale. Tani, sytë janë drejtuar nga dita e premte, ku mbetet të shihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik. /atvlive.tv

  • LIVE | Tentativa e pestë për kryeparlamentarin – a do të konstituohet sot Kuvendi?

    LIVE | Tentativa e pestë për kryeparlamentarin – a do të konstituohet sot Kuvendi?

    Për herë të pestë radhazi, sot po mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, me synimin për të përmbyllur zgjedhjen e kryesisë së re të legjislativit. Seanca është planifikua të nisë në orën 10:00 dhe vjen pas tri përpjekjeve të dështuara për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Në tri seancat e kaluara:

    • Është miratuar raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve,
    • Janë betuar 120 deputetët e zgjedhur,
    • Por ka dështuar zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, pasi në dy votime mori vetëm 57 vota – pestë më pak se minimumi i nevojshëm.

    Në përpjekjen e tretë, kandidatura e Haxhiut nuk u hodh fare në votim. Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë për të gjetur një marrëveshje politike, dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu mbledhjen, duke e caktuar vazhdimin për sot.

    Qëndrimet e partive mbesin të pandryshuara.
    Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se posti i kryetarit të Kuvendit i takon ekskluzivisht partisë fituese, duke u thirrur në Kushtetutë dhe praktika të mëhershme.

    Ndërkohë, PDK, LDK dhe AAK kanë konfirmuar se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun.
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar dy emra të tjerë nga VV – Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi – të cilët sipas tij do të mund të gjenin konsensus më të gjerë.

    Tash për tash, mbetet e paqartë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të tërhiqet nga kandidatura e Haxhiut apo do të insistojë sërish në të, pa pasur mbështetjen e opozitës.

    Të gjitha zhvillimet e fundit nga seanca mund t’i ndiqni në transmetim të drejtpërdrejtë në ATV dhe në platformën atvlive.tv.