ATV

Tag: Ballina

  • Sot tentimi i tetë për konsistuimin e Kuvendit

    Sot tentimi i tetë për konsistuimin e Kuvendit

    Sot, me 29 prill, 48-orëshi i radhës do të zhvillohet konsistuimi i Kuvendit. Kjo është tentativa e 8 e radhës për hapat tutje të Kuvendit, e 5 me radhë ku deputetja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk po arrin të zgjidhet si kryekuvendare. Haxhiut i mungojnë edhe 4 vota për zgjedhjen e “zgjidhjes së bllokadës politike”.

    Ndryshe, deputetët e opozitës dje deklaruan se nuk presin ndryshim të situatës por as edhe votimin e Haxhiut për kryeparlamentare.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur me 27 prill, të konstituojnë legjislaturën e nëntë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar për të pestën herë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, mirëpo ajo sërish mori vetëm 57 vota për, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post.

    Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan sërish.

    Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim.

    Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

    Mirëpo paraprakisht, përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që ta mbështesin të nominuarën e tyre për kryeparlamentare.

    “Lëvizja Vetëvendosje sërish e propozon Albulena Haxhiu si kryetare të Kuvendit. I nderuari kryesues kërkoj që ta vendosni në votim këtë propozim, kurse ju të nderuar kolegë kërkoj ta mbështesni me votën e juaj”, tha ai.

    Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë të martën më 29 prill në orën 10:00 në tentimin e tetë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

  • Afrim Gashi: Nuk ka nevojë për panik apo zgjedhje të parakohshme parlamentare

    Afrim Gashi: Nuk ka nevojë për panik apo zgjedhje të parakohshme parlamentare

    Shumica parlamentare është e qëndrueshme pavarësisht tronditjeve në koalicionin VLEN, thotë kryetari i Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    Ai vlerëson se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në afatin e rregullt.

    Çfarë po ndodh në koalicionin VLEN?

    Përçarjet në koalicionin VLEN, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nisën më 16 prill, kur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, bëri të ditur se në zgjedhjet lokale të vjeshtës do të garojë i vetëm me kandidatët e tij.

    Kjo lëvizje shkaktoi reagime brenda koalicionit, me akuza se Taravari kishte bërë marrëveshje me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.

    Për këtë arsye, VLEN vendosi ta përjashtojë Taravarin nga koalicioni.

    Nëse ai do të largohet edhe nga posti i ministrit të Shëndetësisë, do të vendosë kryeministri Hristijan Mickoski pas festave të 1 majit.

    Ndërkohë, VLEN ka paralajmëruar transformimin e koalicionit në parti politike.

    Grupi parlamentar i VLEN-it, me gjithsej 14 deputetë, ende nuk ka marrë vendim për mënyrën e veprimit në Kuvend, nëse Taravari bashkë me pesë deputetë të tjerë largohen nga koalicioni.

    Ka shumë spekulime për orientimin e këtyre deputetëve – nëse do të qëndrojnë në VLEN apo do t’i bashkohen opozitës – çka do të ndikonte edhe në shumicën e Badenterit, të domosdoshme për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë përkrahjen e komuniteteve etnike.

    Aktualisht, grupi parlamentar i VLEN-it përbëhet nga pesë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, tre nga Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, dy nga Lëvizja BESA dhe një deputet i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës.

    Ngjarjet e fundit kanë hapur diskutime në skenën politike nëse përçarjet në koalicionin shqiptar mund të çojnë në rikonstruim të Qeverisë ose në zgjedhje të parakohshme, krahas zgjedhjeve lokale.

    Në zgjedhjet e majit 2024, koalicioni VLEN ia doli ta largojë BDI-në nga pushteti, pas gati dy dekadash qeverisje dhe bashkëpunimi si me VMRO-DPMNE-në ashtu edhe me LSDM-në.

    Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë zhvillimet brenda VLEN-it edhe ndryshime në Qeveri apo në Kuvend? Dhe a është në rrezik shumica e Badenterit? A mendoni se bashkë me zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare?

    Afrim Gashi: Jemi këtu në Kuvend, dhe përpiqem të jem sa më i shkëputur nga politika ditore dhe partitë politike. Jam vërtet i përkushtuar ndaj punës në Kuvend, por natyrisht nuk mund të shmangim politikën, sepse edhe ne jemi pjesë e strukturave politike. Mendoj se nuk ka arsye për panik, shumica është stabile dhe duhet të vazhdojmë punën, pa marrë parasysh nëse dikush hyn apo del nga koalicioni. Nuk pres ndryshime të mëdha në numrin e deputetëve. Shumica është e fuqishme, kemi rreth dy të tretat.

    Nga ana tjetër, po afrohen zgjedhjet lokale, por nuk duhet të na kapin ethet e zgjedhjeve për çdo gjë. Lokalet janë natyrshëm të fokusuara në probleme të infrastrukturës, kanalizimeve, ndriçimit, rrugëve – nuk duhet që politika e lartë të ndikojë në këtë proces. Prandaj nuk do t’i vija në të njëjtën peshore zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kuvendi dhe Qeveria duhet të vazhdojnë punën deri në fund të mandatit, për të garantuar stabilitet politik për qytetarët. Zgjedhjet lokale janë temë tjetër.

    Radio Evropa e Lirë: A prisni që partneri juaj i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari të mbeten në Qeveri?

    Afrim Gashi: Kjo është çështje që do ta vendosin liderët politikë të VLEN-it. Ka sinjale për unifikim të koalicionit në një subjekt të vetëm politik. Nëse kjo ndodh, ata do të vendosin se si do të pozicionohen Aleanca për Shqiptarët dhe Taravari. Unë për momentin nuk do të hyja në këtë temë. Mendoj se, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ketë ndikim të thellë në politikat qendrore. Dhe gjithsesi nuk duhet të ndikojë aspak në zgjedhjet lokale – janë dy procese të ndryshme dhe qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

    Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se VLEN duhet të shndërrohet në një parti politike?

    Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar ndaj një deklarate të bërë nga kryeparlamentari Afrim Gashi, lidhur me gjuhën shqipe.

    Afrim Gashi: Qytetarët duan stabilitet. Një nga arsyet kryesore pse dikush voton për një parti politike është ndjenja e qëndrueshmërisë që ajo i ofron. Ne ishim katër parti në koalicionin VLEN dhe duam të tregojmë se ky projekt është afatgjatë. Me stabilitetin që i ofrojmë qytetarëve, rritet besimi dhe potenciali për të tërhequr më shumë votues. Nuk është vetëm për numra, është për stabilitet politik.

    Radio Evropa e Lirë: A prisni që Ziadin Sela t’i bashkohet nismës suaj?

    Afrim Gashi: Nuk e di, nuk është në dorën time kjo çështje.

    Radio Evropa e Lirë: Kuvendi në këtë përbërje ka punuar një vit. Si e vlerësoni punën e tij? Me notë nga një deri në pesë?

    Afrim Gashi: Sinqerisht, ndihem ende si nxënës dhe nuk do t’i jepja vetes një notë. Por, në përgjithësi, Kuvendi ka përmirësime në disa fusha kyçe: funksionalitet, efikasitet, transparencë dhe diplomaci parlamentare. Këto përmirësime janë të matshme me të dhëna konkrete. Por në politikë perceptimi është shumë i rëndësishëm dhe ai ndryshon ngadalë. Në këto 30 vjet demokraci, qytetarët kanë zhvilluar perceptim negativ ndaj Kuvendit. Nuk mund ta ndryshojmë atë përnjëherë, por besoj se kemi hapur mjaft kanale për të liruar energjinë negative. Synimi im është që deri në fund të mandatit, edhe qytetari nga një fshat i thellë, që na sheh në televizior, të thotë: “Jam i lumtur që kemi këtë Kuvend”.

    Radio Evropa e Lirë: Kuvendi u kritikua për mungesën e një seance komemorative për tragjedinë në Koçan. Cili ishte qëndrimi juaj?

    Afrim Gashi: Tragjedia në Koçan na preku të gjithëve. U mblodhëm me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe biseduam si njerëz përgjegjës, jo si përfaqësues partish. Kishim konsensus se, në ato ditë zie, mosmbajtja e seancave parlamentare mund të interpretohej si mungesë respekti. Deputetët ishin aktivë në zonat lokale, morën pjesë në komemorime me qytetarët. Prandaj vendosëm të tregojmë respekt, jo me një seancë në sallë, por përmes veprimit tonë të përbashkët.

    Radio Evropa e Lirë: Por ushtruesi i detyrës së kryetarit të Koçanit tha se ishte mungesë respekti.

    Afrim Gashi: Një person nuk përfaqëson gjithë opinionin publik. Ai është kryetar i një qyteti, por nuk është vetë qyteti.

    Radio Evropa e Lirë: A pajtoheni me qëndrimin e kryeministrit Mickoski që nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj minoriteteve?

    Afrim Gashi: Nuk dua të komentoj qëndrimet e të tjerëve. Është e ditur se të gjitha partitë shqiptare, përfshirë VLEN-in, mbështesin nisjen e negociatave me BE-në. Por ka edhe një ndjeshmëri të madhe – edhe gjatë marrëveshjes me Greqinë – që shqiptarët të jenë krah popullit maqedonas në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Integrimi europian është qëllim strategjik, por duhet ruajtur kohezioni ndëretnik – shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit.

    Radio Evropa e Lirë: BE ka kërkuar që, në pritje të ndryshimeve kushtetuese deri më 2027, të përmbushen reformat e Planit të Rritjes. A është kjo përparësi?

    Afrim Gashi: Ne jemi shteti i parë në rajon që ka përmbushur të gjitha obligimet e fazës së parë të Planit të Rritjes. Prandaj morëm dhe donacionin e parë nga BE. Reforma do të mbetet prioritet. Nuk mund të presim vetëm për ndryshimet kushtetuese. Ka shumë punë për t’u bërë: harmonizimi i legjislacionit, reforma gjyqësore, etj. Nëse ndryshimet kushtetuese mbeten për në fund, të paktën gjithçka tjetër të jetë përfunduar.

    Radio Evropa e Lirë: Reforma në gjyqësor përfshin edhe ndryshimet në Kodin Penal. Kur pritet diskutimi dhe votimi?

    Afrim Gashi: Po punohet intensivisht. Gjykata Kushtetuese dha rekomandime për Kodin Penal dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike. Kemi krijuar grupe pune. Ligji për komunikimet është dorëzuar në Qeveri sepse kërkon ekspertizë të veçantë. Ne jemi të përqendruar edhe në reformat tjera. Reforma në drejtësi është prioritet i yni, jo vetëm për BE-në. Na duhet një sistem gjyqësor i besueshëm për vete, pastaj hapen edhe dyert për kapitujt negociues.

    Radio Evropa e Lirë: A pritet që në qershor të përmbushen afatet?

    Afrim Gashi: Do të varet nga grupet punuese. Kuvendi nuk ka ekspertizën teknike për çështje si komunikimet elektronike, por jemi shumë efikasë në procedimin e ligjeve. Çdo ligj që vjen në fillim të muajit, e votojmë brenda atij muaji. Ka rregull, parashikueshmëri, seanca të rregullta çdo muaj. Dhe për reformat, jemi të përkushtuar ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo të marrim propozimet e përgatitura.

    Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron ligji për përfaqësim të drejtë – i ashtuquajturi “balancues”?

    Afrim Gashi: Ka vullnet politik, është kërkesë kushtetuese. Po punohet me kujdes për të mos pasur probleme me kushtetutshmërinë apo opinionin e Komisionit të Venecias. Synimi është që të miratohet një ligj funksional, pa dilema. Nuk ka afat zyrtar, por jam shumë optimist se deri në fund të muajit do të arrijë në Kuvend. Dhe do ta procedojmë menjëherë sipas Rregullores.

    Radio Evropa e Lirë: Filluat me shumë premtime për reforma në Kuvend, për digjitalizim, por ajo që doli e para ishte shpallja për logo të re. A është kjo më e rëndësishmja?

    Afrim Gashi: U prezantuan dy mjete të reja. Pas çdo seance, ajo do të ngarkohet në YouTube dhe qytetarët apo gazetarët do të mund t’i bëjnë pyetje inteligjencës artificiale për secilin diskutant, për votimet, e kështu me radhë. Do të ketë edhe mjet për komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët, për takime virtuale apo fizike. Transparenca dhe llogaridhënia do të rriten ndjeshëm. Logoja e re është pjesë e trendit për t’u përshtatur me kohën dhe për t’i dhënë hapësirë edhe kreativitetit dizajnerëve. Do të vendoset nga një komision profesional. Çdo gjë që është funksionale për Kuvendin dhe për qytetarët, është për të mirën e përbashkët. /REL/

  • Presidentja Osmani përkujton Masakrën e Mejës: Njëra nga plagët më të thella të Kosovës

    Presidentja Osmani përkujton Masakrën e Mejës: Njëra nga plagët më të thella të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, vjosa Osmani, përkujtoi Masakrën e Mejës, duke e cilësuar si një

    nga plagët më të thella të Kosovës.

    “Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë.

    Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet.

    Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi.

    Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet.

    Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona.

    Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”, u shpreh në fb presidentja Osmani.

  • Dështon përsëri zgjedhja e kryetares së Kuvendit

    Dështon përsëri zgjedhja e kryetares së Kuvendit

    Tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk solli rezultat.

    Në sallë ishin të pranishëm 109 deputetë, por e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

    Në votimin e mbajtur, Haxhiu mori vetëm 57 vota për, numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në krye të legjislativit.

    Kuvendi do të tentojë sërish konstituimin të martën, më 29 prill./ATV/

  • Nis tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit

    Nis tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit

    Ka nisur tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

    Pavarësisht disa dështimeve të njëpasnjëshme në seancat e kaluara, ku Haxhiu nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, Vetëvendosje po vazhdon me të njëjtin propozim, duke insistuar në të drejtën e partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit.

    Kujtojmë se në seancat e mëparshme, Haxhiu mori 57 vota për – numra të pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë – ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar vazhdimisht se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj.

    Ndonëse pas më shumë se 70 ditësh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, gjasat për zhbllokim mbeten të vogla, pasi liderët e partive opozitare kanë konfirmuar se nuk kanë ndryshuar qëndrim. Tentimi i radhës pritet të bëhet pas 48 orësh.

  • Sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot do të vazhdojë seanca e shtatë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Sipas njoftimit për media, seanca do të mbahet nga ora 10:00 në Sallën Plenare.

    Të premtën për herë të gjashtë nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

  • Presidentja Osmani dhe Kurti arrijnë në Vatikan për të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut

    Presidentja Osmani dhe Kurti arrijnë në Vatikan për të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me delegacionin presidencial ka arritur në Vatikan për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut.

    ”Presidentja Vjosa Osmani arrin në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, kryeson delegacionin e Republikës së Kosovës në ceremoninë mortore për Papë Françeskut”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Bashkë me presidenten Osmani aty shihet që ka arritur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

  • Osmani: Kosova s’e humb shpresën për BE e NATO, e ardhmja jonë është në Perëndim

    Osmani: Kosova s’e humb shpresën për BE e NATO, e ardhmja jonë është në Perëndim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median finlandeze “Yle” ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në komunitetin euroatlantik, duke nënvizuar përkushtimin e vendit ndaj integrimeve në BE dhe NATO.

    “Kosova e ka një qëllim të qartë dhe të vetëm – anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. E ardhmja jonë është në Perëndim”, tha Osmani për “Yle”.

    Ajo theksoi se Kosova ka bërë më shumë reforma se çdo vend tjetër në rajon dhe se qytetarët janë të vendosur për këtë rrugë.

    “97 për qind e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO. Ne nuk e humbim kurrë shpresën”, u shpreh ajo.

    Sipas saj, sfidat ende ekzistojnë, përfshirë mosnjohjen nga pesë vende anëtare të BE-së, por pavarësisht kësaj, Kosova nuk do të ndalet.

    Presidentja nuk harroi të falënderojë edhe Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

    “Jemi mirënjohës për përkrahjen e palëkundur të Finlandës. Ka qenë një aleat i fortë i Kosovës ndër dekada”, theksoi ajo.

  • Mbyllja eventuale e MCC-së, Kosova pa siguri energjetike

    Mbyllja eventuale e MCC-së, Kosova pa siguri energjetike

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Departamenti për Efikasitet i administratës amerikane, që udhëhiqet nga Elon Musk raportohet se synon t’i jap fund punës së Korporatës së Sfidës së Mijëvjeqarit – MCC.

    “Si qëllim kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë për t’u rikthyer në gjendjen e shtetit, në shkollën Kejnsiane, d.m.th me ndërhy shteti në ekonomi dhe t’i mbrojë prodhimet vendore”, tha profesori i ekonomisë Shkumbin Mesini.

    MCC-ja përkrah me 202 milionë euro programin kompakt për ruajtje të energjisë, që ka cak pavarësimin energjetik të Kosovës.

    Referuar marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar, Kosova të kontribuojë me 34.7 milionë euro në projektin që ofron zgjidhje për energji të pastër.

    Bateritë do të mundësonin sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

    Nga Qeveria nuk u përgjigjën nëse ky projekt është në rrezik.

    Ish-anëtari i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Izet Ibrahimi, thotë se bllokimi i projektit, do ta dëmtonte Kosovën.

    “Pasojat më të mëdha do të ishin në atë që quhet sigurim i sigurt me energji, e dyta, nuk do të mundë të reflektonim tarifa ose kosto të reflektive të prodhimit dhe shërbimeve që do të rezultonte me tarifa të larta të energjisë dhe nuk do të mundë ta mbante nën kontroll sistemin energjetik, sidomos ky i transimisionit të energjisë”, tha Ibrahimi.

    Rrjedhimisht, kosovarëve mundë t’u shtohen shtrenjtohet jeta.

    “Shumicën e mjeteve financiare, duhet t’i ndajmë për energji elektrike dhe nuk është vetëm tek kjo pikëpamje, por kjo do të ketë efekt zinxhiror që do të ndikojë drejtpërdrejtë në emëruesin e bërshkët – mirëqenia e qytetarëve të Kosovës”, tha profesori i ekonomisë Shkumbin Mesini.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria pati gabuar kur e kishte refuzuar projektin për gazin.

    “Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi Hoti.

    MCC ka ndihmuar Kosovën edhe me projekte të tjera.

    Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, u krijua në vitin 2004, dhe që atëherë ka bashkëpunuar me 47 vende./atvlive.tv

     

     

     

     

  • Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Lëvizja Vetëvendosje duket se është e vetmja nga partitë e mëdha që i ka deklaruar shpenzimet e fushatës zgjedhore, në raportin tre mujor financiar.

    Në dokumentin që e ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Vetëvendosje i ka shpenzuar 1 milionë e 734 mijë euro, mbi 1 milion euro më shumë se në gjatë tre muajve të fundit të 2024-ës.

    Dallime të dukshme në shpenzime nuk vërehen në raportet e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. PDK-ja dhe AAK-ja e konfirmuan për televizionin se nuk i kanë përfshirë këto harxhime, pa treguar arsye.

    Mirëpo KQZ-ja tha se në raport do të duhej të përfshiheshin të gjitha shpenzimet.

    Megjithatë, ky institucion është në përgatitje të një raporti të veçantë për financat e fushatës.

    “Data e fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore për 28 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, është 28 prill 2025”, deklaruan nga KQZ-ja.

    Sipas njohësit të proceseve zgjedhore, Blerim Cana, raporte të tilla janë pasqyra më e qartë e asaj që ndodh pas skenës në zgjedhje.

    “ Është një raport që duhet të jetë transparent sepse është e rëndësishme të dihen shpenzimet e partive në fushatë zgjedhore…” tha Cana.

    Ndërsa ekonomistët vlerësojnë se partitë zakonisht janë dorëlirë nëpër fushatë.

    Sipas raportit financiar, PDK në periudhën janar-mars shpenzoi 360 mijë euro, LDK 155 mijë, ndërsa AAK 67 mijë euro./atvlive.tv