ATV

Tag: Ballina

  • Kallas: Liderët të lënë ndarjet anash, në plan të parë e ardhmja e Kosovës

    Kallas: Liderët të lënë ndarjet anash, në plan të parë e ardhmja e Kosovës

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i përmblodhi mesazhet që i ka përcjellë në vizitën e saj në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

    Gjatë kësaj vizitës së saj në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Kallas, dha porosi të qarta për secilin vend.

    “Në Serbi, kërkova që autoritetet të përshpejtojnë reformat dhe të përcaktojnë qartë drejtimin strategjik të vendit drejt BE-së, përmes rikthimit të besimit dhe përkushtimit ndaj parimeve demokratike. Bisedova edhe me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi – zëri dhe energjia e tyre janë thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ajo dje në një postim në Instagram.

    Kurse, sa i përket Kosovës, kryediplomatja e BE-së bëri thirrje për tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin sa më të shpejtë të një qeverie funksionale.

    “Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, theksoi ajo.

    Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Kallas nënvizoi se vendi ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe përfitoi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    “Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, u shpreh ajo.

  • Sot nis “Defender Europe”, Kosova-nikoqire, marrin pjesë mbi 25 mijë ushtarë

    Sot nis “Defender Europe”, Kosova-nikoqire, marrin pjesë mbi 25 mijë ushtarë

    Mbi 25 mijë ushtarë nga 29 shtete do të jenë pjesë e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – Defender Europe, që nis sot dhe do të zgjasë deri më 9 qershor.

    Kosova do të jetë nikoqire e këtij organizimi të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Evropë dhe Afrikë. Ushtrimet do të zhvillohen kryesisht në Gjakovë.

    Pjesë e ushtrimeve disa ditore do të jenë forcat e armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen për 21-tën herë me radhë në seancën konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Çështja e votimit të fshehtë , që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzojnë që ta propozojnë një përfaqësues që të formohet komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryetarin e Kuvendit

    Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë e tjera e kundërshtojnë këtë kandidim, duke e konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse.

  • Osmani udhëton drejt ShBA-së në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Osmani udhëton drejt ShBA-së në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA.

    Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve.

    Në agjendë të Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e poashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.

  • Komunat e Kosovës në rrezik humbjeje të miliona eurove për shkak të bllokadës institucionale

    Komunat e Kosovës në rrezik humbjeje të miliona eurove për shkak të bllokadës institucionale

    Moskonstituimi i institucioneve në Kosovë po rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik të komunave dhe njëherësh humbjen e dhjetëra milionë eurove nga fondet ndërkombëtare.

    Kështu paralajmëroi në një intervistë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

    Ai tha se moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka pasoja të drejtpërdrejta për komunat, si në aspektin financiar, ashtu edhe legjislativ.

    “Edhe te komunat mosfunksionalizimi i institucioneve qendrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.

    Së pari në aspektin financiar, ku marrë parasysh që BE-ja i ka paraparë disa qindra miliona euro për Planin e Rritjes, ku nëse Kosova nuk e konstituon Parlamentin, atëherë këto mjete financiare mund të mos merren.

    Shumica absolute të atyre mjeteve janë të dedikuara për komunat e Kosovës. Janë të parapara investime në infrastrukturë lokale, në digjitalizim, në ngritje të kapaciteteve e të tjera. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në komunat e Kosovës”, tha ai.

    Ibrahimi shtoi se investimet e parapara në infrastrukturë lokale, digjitalizim dhe ngritje të kapaciteteve janë në pikëpyetje, ndërkohë që mungesa e institucioneve pengon edhe miratimin e ligjeve kyçe për funksionimin komunal.

    Në këtë situatë, tri komuna, Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, sipas tij, pasi nuk kanë arritur të aprovojnë me kohë buxhetet e tyre, tani si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, janë të detyruara që edhe këtë vit të mbështeten në buxhetin e vitit paraprak dhe të mos zbatojnë projekte të reja.

    “Moskonstituimi i parlamentit dhe qeverisë gjithashtu do të sjellë pasoja sa i përket mosamandamentimit të shumë ligjeve të cilat janë tejet të rëndësishëm për komunat, siç është projektligji për financa lokale, projektligji për prokurim publik, projektligji për prokurim publik, projektligji për planifikim hapësinor. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunave.

    Moskonstituimi i parlamentit gjithashtu është një problem edhe për tri komunat, të cilat nuk kanë mundur që me kohë t’i aprovojnë buxhetet e tyre, siç janë komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Dhe këtë vit, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ata nuk mund të zhvillojnë apo të zbatojnë projekte të reja. Gjithmonë duhet të thirren në buxhetin e vitit paraprak. Duhet marrë parasysh që ky vit është edhe vit zgjedhor edhe në nivelin lokal dhe komunat me padurim e presin që sa më shpejt institucionet e nivelit qendror të konstituohen, në mënyrë që të rikthehet normaliteti i zhvillimeve të jetës”, tha ai.

    Ibrahimi tërheq vëmendjen edhe për një rrezik të menjëhershëm humbjeje të 15 milionë eurove për komunat e Kosovës nga fondet e Komisionit Evropian, të dedikuara komunave të Republikës së Kosovës, në kuadër të thirrjes IPA III “EU for Good Governance”, për shkak të, siç e quajti, neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

    “Një ndër problemet që është ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes komunave të Kosovës është edhe mundësia e humbjes së mjeteve financiare nga BE-ja deri në 15 milionë euro.

    Kjo mundësi është bërë për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila nuk i ka marrë parasysh disa rekomandime të dala nga takimet me Komisionin Evropian sa i përket garantimit të skemës së performancës. 15 milionë euro ato mjete janë të dedikuara për komunat e Kosovës e jo për MAPL-në dhe për këtë arsye ne kërkojmë që niveli qendror, përkatësisht MAPL të jetë më transparente ndaj komunave në hartimin e projekteve që kanë përfitim komunat e Kosovës. Në këtë rast, MAPL-ja në takime që ka pasur me Komisionin Evropian, nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së dhe është një rrezik potencial që komunat e Kosovës si pasojë e papërgjegjësisë institucionale të MAPL-së mund t’i humbasin deri në 15 milionë euro e që këta miliona euro së bashku me mjetet financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim, nga SIDA suedeze, nga Ambasada Norvegjeze, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, por gjithashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarit”, tha për EO Ibrahimi.

  • Kosova nikoqire e “Defender Europe 2025”, Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për lëvizjet ushtarake në Gjakovë

    Kosova nikoqire e “Defender Europe 2025”, Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për lëvizjet ushtarake në Gjakovë

    Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 25”, nga data 26 maj deri më 9 qershor.

    Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbanimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës. Për këtë arsye, Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet tutje në njoftim.

  • Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për spiunazh për inteligjencën serbe

    Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për spiunazh për inteligjencën serbe

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri, të cilin e akuzon se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për kohë të papërcaktuar.

    Të dyshuarin, e identifikuar vetëm me inicialet A.V., prokurorët e ngarkojnë me dy vepra penale, spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës, i dyshuari kishte “mbledhur të dhëna dhe dokumente të rëndësishme, të cilat, më pas dërgoi në cilësinë e Agjentit Rezident BIA-s serb”, duke e “cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës si dhe jetën e zyrtarëve shtetëror dhe të qytetarëve të saj”.

    Ai dyshohet se e ka kryer veprën për kohë të papërcaktuar deri në arrestimin e tij në qershor të vitit 2024.

    “Nga provat e siguruara… A.V kishte krijuar një rrjet të punësuarve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe kishte mbledhur informacione, për persona të nacionalitet serbë, me qëllimin që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

    Ai dyshohet se të dhënat dhe dokumentet e siguruara ia kishte “dorëzuar zyrtarit të lart të BIA-së, R.G, shef i njërës prej Qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike”.

    Prokuroria tha se në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një spërkatës gaz lotsjellës, gjatë një bastisjeje policore.

    Prokurorët kanë kërkuar që ai të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.

    Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth identitetit apo kombësisë së A.V., por vitet e fundit serbë e shqiptarë janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

    Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite.

  • EULEX-it i zgjatet mandati edhe për dy vjet

    EULEX-it i zgjatet mandati edhe për dy vjet

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se mandati i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) do të zgjatet edhe për dy vjet të tjerë, deri në qershor të vitit 2027.

    Kallas e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi përpara stafit të EULEX-it.

    “Për të gjitha këto arsye, po e zgjasim mandatin e EULEX-it edhe për dy vjet. Vlera juaj e shtuar është qartazi e dukshme për të gjithë. EULEX-i është misioni më i madh civil CSTP dhe i vetmi që operon në Ballkan Perëndimor. Kjo pasi që një Kosovë e sigurt dhe me prosperitet është thelbësor për sigurinë e gjerë në Evropë. Dhe është tregues i vendosmërisë së BE-së për Kosovën dhe rrugën e tyre drejt anëtarësimit”, ka thënë Kallas.

    Kallas ka theksuar se puna e EULEX-it ka qenë kyç edhe në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe në rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

    “Është kënaqësi që jam këtu në këtë ditë me diell dhe shoh vetë punën e rëndësishme që po bëni. Për 17 vjet, EULEX-i ka dëshmuar vlerat në vazhdimësi. Po ndihmoni në forcimin e sigurisë, sundimin e ligjit dhe pajtimin mes komuniteteve lokale. Qoftë kjo në monitorimin ditor të zonave të ndjeshme, trajtimit të të ndaluarve në ambiente të dala nga konflikti ose në këshillimin e institucioneve të sundimit të ligjit se si t’u shërbejnë në mënyrë më të mirë komunitetit. Ose në punën tuaj mjekoligjore, për të qartësuar fatin e të të pagjeturve dhe të që keqbërësit të vihen para përgjegjësisë. Kjo punë është e rëndësishme në ndërtimin e besimit mes komuniteteve dhe besimin në institucione, por edhe ndihmon familjet e pikëlluara që të kthejnë një faqe, që është e rëndësishme për pajtimin.

    EULEX-i ka dëshmuar kapacitetet për t’u përshtatur në rrethanat, në vitin 2018 për shembull me transferimin e përgjegjësive ekzekutive tek autoritetet lokale, që ishte një arritje e madhe, duke nënvizuar efektshmërinë e raporteve tuaja me autoritetet vendore.

    Së voni, serbët u tërhoqën nga institucionet kosovare dhe tensionet u kthyen sërish. Dhe EULEX-i sërish, me shpejtësi u përshtat, dhe dua t’u përgëzoj për punën, në veçanti për njësitë e policisë këtu në Mitrovicë, ku rendi publik ka qenë më në rrezik, si edhe në pjesë të tjera të vendit.

    Incidentet e dhunshme në Zveçan dhe në Banjskë më 2023, ishin dëshmi për këtë. Dhe nuk mund të harroj punën tuaj në zgjedhjet e shkurtit. Ju siguruat që BE-ja te jetë e dukshme përgjatë gjithë Kosovës gjatë një periudhe të tensionuar, duke siguruar pjesëtarët e të gjitha komuniteteve për sigurinë e tyre. Dje fola me liderët e partive politike kryesore këtu në Kosovë dhe i inkurajova që ta shfrytëzojnë momentumin, t’i themelojnë institucionet. Mbi të gjitha, EULEX-i ka treguar se si duket bashkëpunimi i mirë me NATO-n në praktikë, duke u angazhuar bashkë”, ka shtuar Kallas.

  • Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

    Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

    Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka marrë oferta joformale për një pozitë profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

    Ajo deklaroi se oferta ka ardhur përmes personave që nuk janë drejtpërdrejt të përfshirë në politikë, por që kanë lidhje shoqërore me të.

    “Është e vërtetë, ka pasur disa thirrje nga persona të shoqërisë, jo direkt nga politika. Më është përmendur mundësia për një vend pune si profesoreshë në Maqedoni, por e kam refuzuar menjëherë,” tha Balje për mediat.

    Ajo sqaroi se oferta nuk ishte e drejtpërdrejtë dhe kishte ardhur përmes një shoqeje të saj, një mjeke nga Kosova.

    “Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”. Po, nuk ka qenë direktë por. Është një shoqe, një mjeke e Kosovës. Disa herë jemi taku rastësisht. Përgjigja ime ka qenë jo, kam refuzu sepse unë nuk i njoh këta persona dhe vërtet ka qenë e papranueshme. Ka pasë dy tri thirrje”, tha ajo.

  • Dështon edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit

    Ka dështuar edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për shkak të mungesës së mbështetjes për ndryshimin e formës së votimit për Kryetarin e Kuvendit.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, ka insistuar sërish që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet përmes votimit të fshehtë. Megjithatë, kjo nismë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë opozitare.

    PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë. Në momentin kur kjo çështje u hodh në votim, këto parti zgjodhën të mos marrin pjesë në procesin e votimit.

    Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë, por mungesa e konsensusit bëri që procesi të ndërpritej.