ATV

Tag: Ballina

  • Sot përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e 23-të me radhë për ta konstituar Legjislaturën e Nëntë.

    Seanca është caktuar të vazhdojë nga ora 11:00.

    Edhe përpjekja e fundit për konstituim, e mbajtur të martën, ka dështuar, pasi Kuvendi nuk arriti ta formojë as komisionin për votim të fshehtë – hap ky i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Në votimin e së martës morën pjesë vetëm 55 deputetë – 54 prej tyre votuan pro, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Pjesa tjetër e deputetëve nuk mori pjesë fare në votim, duke bërë që të mungojë kuorumi i nevojshëm. Si pasojë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e saj, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të enjten në të njëjtën orë.

    Në përpjekje për ta zhbllokuar situatën, deputetja Albulena Haxhiu – e cila është kandidate e Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentares – u bëri thirrje kolegëve të saj që të mundësojnë votimin e komisionit për votim të fshehtë.

    “Pavarësisht qëndrimeve personale dhe asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne jemi shumë të hapur të bashkëpunojmë me subjektet politike, por asnjëherë nuk do t’i pranojmë kërkesat e tyre të paarsyeshme, të pajustifikueshme, të cilat nuk përkojnë as me Kushtetutën e as me aktgjykimin e Kushtetueses”, deklaroi Haxhiu, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.

    Pavarësisht apeleve për bashkëpunim dhe hapje politike, Kuvendi po vazhdon të mbetet i paralizuar për më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve – dhe e gjithë vëmendja tashmë është te dita e nesërme, për të parë nëse legjislatura do të marrë më në fund formë institucionale.

  • Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Të enjten e 29 majit hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset, në shenjë proteste ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat, transmeton Koha.net.

    Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës:

    Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

    Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini tower) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

    Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

    Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.

    Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.

    “Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.

  • ​Shefi i Zyrës së BE-së bën thirrje për formim të shpejt të institucioneve

    ​Shefi i Zyrës së BE-së bën thirrje për formim të shpejt të institucioneve

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka bërë thirrje për formim të shpejt të institucioneve ta reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Ai tha se Bashkimit Evropian i duhet një partner në qeveri për të punuar dhe diskutuar së bashku për proceset integruese.

    Përkitazi me këtë, Orav tha se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka filluar, andaj nevojitet një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet në vend.

    Megjithatë, ambasadori i BE-së në Kosovë nënvizoi nevojën për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këto komente Orav i bëri gjatë tryezës së diskutimit të mërkurën në lidhje me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL

  • ​Faton Peci reagon pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë

    ​Faton Peci reagon pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar një ditë pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    “Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

    Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.

    Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

    Ndërkaq, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

    “Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike [kompjuterë, telefona], si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • “Drejtësia foli, plagët janë më të lehta tani”, deklarimi i avokatit të familjes së të ndjerit Bedri Rexhepit pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve

    “Drejtësia foli, plagët janë më të lehta tani”, deklarimi i avokatit të familjes së të ndjerit Bedri Rexhepit pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve

    Me burgim të përjetshëm janë dënuar Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Bedri Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë.

    Menjëherë pas shpalljes së dënimit ndaj të akuzuarve është deklaruar edhe avokati i familjes Rexhëpi, Besnik Berisha.

    “Sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta, ndërkaq dënimi i shqiptuar është dënim i pritur për të cilin kemi punuar”, deklaroi ai.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.

    Bytyqi tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”, andaj i dënoi me burgim të përjetshëm ku do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.

    Obligohet secili i akuzuar të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 300 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit nga 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

    Të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin dy të akuzuarit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Jeton e Nexhat Vllasaliu dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Jeton e Nexhat Vllasaliu dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Në këtë rast, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.

    Bytyqi tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”, andaj i dënoi me burgim të përjetshëm ku do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.

    Obligohet secili i akuzuar të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 300 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit nga 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në potfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • “FSK me aleatët e saj do t’i mbrojë kufijtë”, Maqedonci: 70 për qind e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës

    “FSK me aleatët e saj do t’i mbrojë kufijtë”, Maqedonci: 70 për qind e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i është përgjigjur kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia për luftë dhe pushtim të Kosovës.

    Maqedonci thekson se kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 për qind të ushtrisë në jug dhe jo larg kufirit me Kosovën.

    Ministri Maqedonci garantoi se FSK, bashkë me aleatët amerikanë dhe të NATO-s, do të mbrojnë çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.

    “Ne i shohim gjithmonë si të mundshme këto kërcënime. Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia në një moment mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar rajonin. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë, duke përqafuar gjithmonë vlerat e NATO-s, vlerat perëndimore dhe duke shtyrë përpara interesat, të cilat i kemi si vendet demokratike”, tha Maqedonci, për A2CNN.

    Ai tha se Kosova në vazhdimësi ngre shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

    “Diku 70 për qind e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë vlerësojmë se paraqesin kërcënim. Kur fqinji ti vendos në kufi forcat ushtarake në një farë forme apo një tjetër e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi”, tha ai.

    Maqedonci tha se kjo nuk po bëhet rastësisht.

    “Dhe kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste, siç ishte ai i Radoiçiqit, që tentoi aneksim të Veriut të vendit tonë, tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.

     

  • Prokuroria Speciale e konfirmon: Bastisje në katër lokacione mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore

    Prokuroria Speciale e konfirmon: Bastisje në katër lokacione mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore

    Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, po zhvillon sot një aksion policor, në disa lokacione, si rezultat i nisjes së hetimit mbi dyshimet për një rast të kundërligjshëm.

    Nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar për Ekonomia Online se operacioni lidhet me dyshimet për fabrikën për mbetje shtazore.

    “Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës.”

  • Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 22-të

    Kuvendi nuk konstituohet as në tentimin e 22-të

    Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 22-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës.

    Përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Nga 109 deputetë të pranishëm në seancë, 54 votuan për, një kundër dhe asnjë abstenim.

    Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 29 maj, në orën 11:00.

  • Osmani në darkën e NATO-s: Ëndrrat tona u mbrojtën nga ushtarët tuaj

    Osmani në darkën e NATO-s: Ëndrrat tona u mbrojtën nga ushtarët tuaj

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

    Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

    “Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Osmani.

    Sipas Osmanit në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona.

    “Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”, tha presidentja.

    Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.