ATV

Tag: Ballina

  • Osmani kërkon nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e afatit për konstituimin e Kuvendit

    Osmani kërkon nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e afatit për konstituimin e Kuvendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka paraqitur një kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, për pezullimin e afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në një konferencë për media të martën, Osmani tha se qëllimi i kësaj mase është të parandalohet bllokada institucionale dhe funksionimi jashtë kornizës kushtetuese.

    “Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë të pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme,” deklaroi ajo.

    Sipas saj, kjo kërkesë ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e një “dëmi të pariparueshëm”.

    Përveç kësaj, Osmani bëri të ditur se ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në Kushtetuese, për shqyrtimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese, të cilat kanë lindur si pasojë e mungesës së konstituimit të Kuvendit.

    “Rastin e kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues. Kërkesa është paraqitur për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” ka deklaruar Osmani.

  • Rasti “Thaçi dhe të tjerë”, sot mbahet seancë në Hagë

    Rasti “Thaçi dhe të tjerë”, sot mbahet seancë në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot pritet të mbahet seanca e radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme korrikut do të diskutohet për ecurinë e çështjes në këtë rast, pasi mbrojtësi i viktimave ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarëve që kishte thirrur.

    Në seancën e 16 korrikut, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Mocioni kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se incidentet e përmendura nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese.

    Smith tha se “ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara” që sipas tij përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzës.

    Sipas Smith, rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura.

    Ai theksoi se interpretimi i kësaj rregulle kërkon një shqyrtim të plotë të secilës pikë të aktakuzës, e jo të çdo fakti individual që kontribuon në ndërtimin e saj.

  • Temperatura të larta në Kosovë, MSh-ja apelon për mbrojtje të punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme

    Temperatura të larta në Kosovë, MSh-ja apelon për mbrojtje të punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme

    Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, u ka bërë thirrje institucioneve publike dhe private që të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët nga temperaturat e larta gjatë periudhës 22 – 25 korrik 2025.

    “Temperaturat ekstreme përbëjnë rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët në ambiente të hapura”.

    “Institucionet ftohen të respektojnë këto masa për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme të popullatës”.

  • Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

    Dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për rastin Banjska ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, vazhdoi i mbyllur.

    Prokurori Naim Abazi kërkoi mbylljen e kësaj seance për publikun, gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim.

    Abazi tha se ky dëshmitar gëzon mbrojtje të integritetit dhe se çdo prezantim lidhur me identitetin e tij përbën rrezik për të dhe mund të ketë ndikim në këtë proces gjyqësor.

    Seancat përveç sot, mbahen edhe më 24 korrik në gjykim të këtij rasti.

  • Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kurti: I kam bërë ofertë konkrete Nismës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha sot se të shtunën ka zhvilluar negociata për konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë së re me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Kurti, në një konferencë për media në objektin e qeverisë të hënën, tha se i ka bërë ofertë konkrete Nismës Socialdemokrate.
    “Me kryetarin e Nismës Socialdemokrate kemi zhvilluar një takim, me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, kemi shprehur jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë e sa më mirë, mirëpo kur këto bisedime përmbyllen me rezultatin final, atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, tha Kurti, duke bërë me dije se janë në pritje të përgjigjes së NISMA-s.

  • Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja Osmani pret në takim Shefin e BE-së në Kosovë, fokusi te konstituimi i Kuvendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.

    Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.

    Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

  • Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kurti: Deklaratat e Vuçiqit kërcënuese dhe krejtësisht të papranueshme

    Kryeministri në detyrë po mban konferencë për media në objektin e qeverisë në Prishtinë. Ai foli për kërcënimin ndaj Kosovës nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit në çdo cep të territorit të saj. Sundimi i rendit dhe i ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk njeh, pra nuk diskriminon, sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo çfardo përkatësie tjetër. Secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësi

    Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik më 18 korrik, sivjet, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

    “Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik, sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandat suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha kryeministri në detyrë, transmeton Paparaci.
    Ai tha se Beogradi zyrtar nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e “tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes në rajon”.

    “Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi. Por, ka kaluar njëherë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë, dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më”, tha ai.

  • Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Kujdes! Rikthehet vala e të nxehtit afrikan në Kosovë

    Një valë e fuqishme e të nxehtit afrikan, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39°C, pritet që të përfshijë vendin tonë gjatë kësaj jave.
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron për ndikime të mëdha në shëndet, mungesë reshjesh dhe rrezik të shtuar për zjarre në zonat pyjore dhe bujqësore. Autoritetet e emergjencës u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa janë ndaluar të gjitha zjarret në natyrë. Ndërsa nga Ujësjellësi kërkojnë që uji të shpenzohet në mënyrë më racionale.

    Sipas meteorologut Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vendi po ndikohet nga masa ajrore të thata dhe të nxehta që vijnë nga Afrika Veriore. Ai i tha Radio Kosovës se këto masa, shpeshherë gjatë verës shkaktojnë valë të të nxehtit në rajon.

    “Këto masa sjellin temperatura të larta, përmbajtje të ulët të lagështisë dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre. Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, me temperatura që mund të arrijnë nga 35 deri në 39°C.”, transmeton Indeksonline.

    ALiu shtoi se indeksi UV do të jetë shumë i lartë nga ora 9 deri në 17, dhe u bëri thirrje qytetarëve, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për mbrojtje nga rrezet e dëmshme. Pavarësisht motit të nxehtë gjatë javës, Aliu tha se IHK parashikon një lehtësim të vogël gjatë fundjavës.

    “Një masë më e freskët nga veriu i Evropës do të ndikojë në uljen e temperaturave. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë stuhi lokale.”

    Ndërkaq, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, u bëri thirrje qytetarëve për shpenzim sa më racional të ujit.

    “Nëse ne e keqpërdorim ujin, atëherë më të vërtetë do të ketë shqetësime për ujë, sidomos në pikat e larta furnizuese.”

    Nga ana tjetër, Genc Metaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave i tha Radio Kosovës se janë ndërmarrë të gjitha masat që në fillim të sezonës verore, por theksoi se situata mund të përshkallëzohet për shkak të zjarreve të shumta.

    “Kemi mbi 40 zjarre të mëdha të regjistruara. Fatkeqësisht, kemi pasur humbje jete ,një person në Klinë dhe një zjarrfikës javën e kaluar. Situata po bëhet e rrezikshme edhe për kapacitetet tona operacionale.”

    Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se janë ndaluar të gjitha zjarret në ambient të hapur, përfshirë piknikët, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

  • Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Përfundon pa rezultat edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

    Edhe tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Deputetët sërish kanë dështuar që të përmbyllin seancën konstituive të nisur më 15 prill.

    Nga 104 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.

    Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën, më 23 korrik në orën 11:00.

  • Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Avokati Arianit Koci, heq flokët para Kuvendit

    Në shenjë proteste për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, avokati Arianit Koci sot ka ndërmarrë një tjetër aksion simbolik.
    Ai ka rruar kokën para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur kështu zhgënjimin dhe pakënaqësinë e tij ndaj klasës politike për dështimin që kuvendi të nisë punën, pavarësisht kalimit të afateve ligjore dhe pritjeve të qytetarëve.

    Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve, ndërsa avokati është shprehur se ky ishte një akt i vetëdijshëm për të ngritur zërin në mënyrë paqësore dhe simbolike.
    Ndryshe, sot deputetët do të mblidhen për të 50-tën herë në përpjekje për të konstituar Kuvendin e Kosovës.Avokati Koci proteston para Kuvendit të Kosovës