ATV

Tag: Ballina

  • Dështimi i 53-të, seanca konstituive vazhdon sot në orën 22:00

    Dështimi i 53-të, seanca konstituive vazhdon sot në orën 22:00

    As në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputeit të PDK-së, Abelard Tahirit, deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu dhe deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se seanca do të mbahet sonte në orën 22:00.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

    Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis.

  • Shoqëria civile me thirrje të fundit: Të zhbllokohet Kuvendi sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues

    Shoqëria civile me thirrje të fundit: Të zhbllokohet Kuvendi sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues

    Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke u bërë thirrje deputetëve që ta përdorin me përgjegjësi këtë mundësi të fundit për të zhbllokuar procesin dhe për të hapur rrugën e formimit të institucioneve të reja.

    Sipas reagimit, dalja nga kriza politike është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership nga subjektet politike. Organizatat kërkojnë që partitë të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit.

    Shoqëria civile thekson se kthimi në praktikën e votimit të hapur për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është një hap kyç dhe i domosdoshëm për të kapërcyer bllokadën institucionale.

    “Nëse dështon edhe kjo përpjekje, kriza aktuale vetëm sa do të thellohet, me pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin”, thuhet në reagim, ku u bëhet thirrje liderëve politikë dhe çdo deputeti që të veprojnë me maturi dhe përgjegjësi në frymën e interesit publik.

  • Kurti bën homazhe në 7-vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: Ishte personalitet unik

    Kurti bën homazhe në 7-vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: Ishte personalitet unik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar në detyrë sot në mëngjes bënë homazhe dhe vendosen lule pranë varrit të veprimtarit të shquar, Adem Demaçit, në 7-vjetorin e vdekjes së tij.

    “Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët.Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”, tha Kurti.

  • IKD: Kosova pa Kuvend dhe pa Qeveri legjitime po rrezikon miliarda ndihma ndërkombëtare

    IKD: Kosova pa Kuvend dhe pa Qeveri legjitime po rrezikon miliarda ndihma ndërkombëtare

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se situata në vend ka tejkaluar krizën politike dhe është kthyer në një kaos institucional, për shkak të mungesës së Kuvendit të konstituar dhe pamundësisë për të pasur një qeveri me kompetenca të plota.

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, vuri në dukje se pasojat e kësaj bllokade tashmë janë duke cenuar rëndë interesat strategjike të Kosovës.

    “Mund të themi që më Kosova nuk është vetëm në një krizë politike, po Kosova është duke kaluar përmes një kaosi, i cili do të thotë ka qenë i paparë deri më tani. Nuk kemi Kuvend të konstituar, nuk kemi një Kuvend, i cili mund t’i ushtrojë kompetencat, përgjegjësitë që ia ofron Kushtetuta dhe ligji. Po ashtu pasojat janë që ky Kuvend nuk është në gjendje të ushtrojë kontrollin parlamentar ndaj qeverisë në detyrë”, tha Miftaraj.

    Ai tha se edhe përbërja aktuale e qeverisë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme, pasi një pjesë e ministrave janë njëkohësisht edhe deputetë, çka bie ndesh me Kushtetutën.

    “Mos të harrojmë që kemi një vendim të Gjykatës Supreme, i cili ka përcaktuar se secili ministër që është edhe deputet nuk mund të njëjtën kohë t’i ushtrojë këto dy funksione, sepse është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj. Sot qeveria e Kosovës, edhe pse në detyrë, nuk ka as kuorum për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Tetë ministra, të cilët janë edhe deputetë, ose të njëjtit marrin vendime të reja në sferën penale dhe në njëfarë mënyre e shkelin jo vetëm ligjin, por e shkelin edhe vetë Kushtetutën e vendit”, tha ai.

    Sipas Miftarajt, mungesa e funksionimit të Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt edhe në punën e institucioneve të pavarura dhe bordeve publike.

    “IKD ka publikuar një raport përmes së cilit konfirmoi që kemi një numër të madh të institucioneve të pavarura që tani më nuk kanë kuorum e nuk mund të ushtrojnë funksionin dhe përgjegjësitë e tyre dhe jemi në pritje të një numri të madh të institucioneve të tjera të pavarura, të cilave do t’u skadojë mandati bordeve të ndërmarrjeve dhe nuk do të jenë në gjendje t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, tha ai.

    Miftaraj përmendi edhe dëmet konkrete financiare që po i shkaktohen vendit për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

    “Kërkesa e presidentes e ka sqaruar këtë jashtëzakonisht mirë. Kërkesa e presidentes ka sqaruar edhe pasojat që do të ndodhin nëse nuk kemi një Kuvend të konstituar së shpejti, pa harruar faktin pastaj që Kosova po humbet qindra miliona euro apo edhe miliarda euro, për shkak se nuk po mund ta ratifikojmë marrëveshjen që ka të bëjë me Planin e Rritjes, ku janë 886 milionë euro, por janë edhe në pritje numër i madh i marrëveshjeve bilaterale me Francën, Gjermaninë, me shtete të tjera, të cilat kanë ofruar asistencë, ndihmë financiare Kosovës në fusha të ndryshme. Mund të themi që kemi arritur në një situatë ku çdo ditë e moskonstituimit të Kuvendit tanimë, jo vetëm që prek interesin, e prek mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por i cenon interesat strategjike të vetë Kosovës”, tha për EO, Miftaraj.

  • Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot është dita e fundit kur deputetët e Kosovës mund të përmbushin obligimin e tyre kushtetues për të konstituuar Kuvendin. Nëse s’ndodh kjo në përpjekjen e 53-të të tyre, “Kosova po hyn në territor të panjohur”.
    Deputetët sot do të mblidhen në më pak se 48 orë në herën e fundit brenda afatit 30-ditor që Gjykata Kushtetuese iu dha atyre për të konstituuar Kuvendin me një aktgjykim që e nxori në qërshor. Për 29 ditë deputetët s’e përmbushën këtë obligim, ndërsa edhe për sot s’ka fort sinjale se seanca do të mund të prodhojë diçka. Nëse edhe sot s’bëhet konstituimi i Kuvendit, deputetët s’kanë të drejtë të mblidhen për dy javë, sipas një mase të përkohshme që nxori Kushtetuesja para se të nxjerrë një aktgjykim final për t’i dhënë qartësi një situate të paprecedentë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës.

    Në sallën e Kuvendit dje shkuan edhe ambasadorë të vendeve perëndimore me një optimizëm se deputetët kosovarë do të reflektonin në seancën e djeshme, e cila u mendua të jetë edhe e fundit.

    Por, skenari i njëjtë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndodhi edhe dje me nxjerrjen në votim të Komisionit për votim të fshehtë, i cili s’gjeti mbështetje në dhjetëra seanca. I vetmi dallim ishte caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për sot në më pak se 48 orë për të provuar për herë të fundit konstituimin e legjislaturës së nëntë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Diplomatët perëndimorë dolën të zhgënjyer nga seanca dhe paralajmëruan politikanët kosovarë se po hyhet në një territor të panjohur.
    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.

    “Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re e të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, ka deklaruar Orav pas seancës.
    Më i ashpër e i dëshpëruar për dështimin e seancës së djeshme ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

    Ai ka thënë se kjo klasë politike po zhgënjen popullin e Kosovës dhe se masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Kushtetuese ishte një karton i kuq për të.
    “Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.

    Në sallë me kolegët e tij ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili më vonë në Facebook iu ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
    “Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

    Që të shfrytëzohen orët e pakta të mbetura bëri thirrje edhe ambasadori francez, Olivier Guerot.
    “Së bashku me ambasadorë të tjerë, mora pjesë në seancën e sotme të Parlamentit. Bllokimi aktual po dëmton Kosovën. I inkurajoj të gjithë politikanët që t’i shfrytëzojnë plotësisht orët e pakta të mbetura para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese nesër”.
    Prezentë në sallën e Kuvendit dje ishte edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, por ajo s’dha deklarim për media.
    Shpresat për të ndodhur një zhbllokim i mundshëm në Kuvend janë të varura vetëm te një marrëveshje potenciale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës. Megjithëse, pozicionet e këtyre dy partive janë shumë të kundërta.
    Nisma, e përfaqësuar me tre deputetë në Kuvend, ka kërkuar postin e kryeparlamentarit për kreun e kësaj partie, Fatmir Limaj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se një post kaq i lartë s’mund t’i takojë një partie me kaq pak deputetë.
    Vetëvendosje po insiston që Nismën ta bëjë partnere në koalicionin qeveritar, por kjo ofertë s’po gjen mbështetje te Nisma.
    Limaj, në deklarimet e tij të djeshme për media, s’dha fort optimizëm se seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv.
    Ai tha se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
    “Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
    “Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”, tha ai dje.
    Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si në çdo seancë edhe dje zgjodhi të heshtë dhe të mos përgjigjet në pyetjet e gazetarëve për përgjegjësinë e tij kushtetuese që të krijojë shumicën si parti e parë fituese dhe vendit t’ia japë institucionet.
    Ndërkaq, liderët e partive të tjera bënë thirrje të mos shkelet Kushtetuta dhe të kthehet në rend dite votimi i hapur.

  • Dështon seanca e 52-të: Nesër edhe një tentim, Avni Dehari sërish ua ndalojë fjalën deputetëve tjerë

    Dështon seanca e 52-të: Nesër edhe një tentim, Avni Dehari sërish ua ndalojë fjalën deputetëve tjerë

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ftoi seancën e radhës, të 53-tën, për nesër, të shtunën, në orën 14:00.

    Thirrja për seancën e radhës u bë pasi, me vetëm 54 vota pro formimit të komisionit për votim të fshehtë, sërish dështoi konstituimi i Kuvendit.

    Seanca e radhës do të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.

    Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun, të propozuar për kryeparlamentare, të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

    Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur.

    Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

    PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

     

  • Haradinaj: Jemi të gatshëm për zgjedhje, por si opsion i fundit

    Haradinaj: Jemi të gatshëm për zgjedhje, por si opsion i fundit

    Kreu i Aleancës së Ardhmërisë për Kosovën (AAK), Ramush Haradinaj, tha se ai e sheh si shenjë të mirë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme që të mos ndërmerret asnjë vendim për konstituimin të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.

    “Është e mundshme që gjykata e ka paraparë që kaq kohë i duhet për një vendim. Pra i bjen që jemi në një periudhë më dinamike”, tha Haradinaj, para seancës së 52-të konstituive.

    Tutje tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, por se ato i sheh si opsion të fundit.

    “Ne nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për t’i krijuar institucionet”, tha Haradinaj.

    Zemaj: Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë

  • Zemaj: Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë

    Zemaj: Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në nisje të seancës se masa e përkohshme i paraprin kërkesës së LDK-së në Gjykatën Kushtetuese.

    “Për mua vendimi i ka dy kuptime. E para, që nuk dëshiron të ketë vakum të keqpërdorimit të seancës kuvendore ose ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës, dhe e dyta që ndoshta të japë hapësirë akoma për Lëvizjen Vetëvendosje që të gjejë bashkëpunim, mirëkuptimin dhe të krijojë mirëbesim që mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të kalojmë në pjesën e Qeverisë”.

    Megjithatë, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë dhe për pasojë e ka bllokuar Kuvendin.

    Haxhiu: E vetmja zgjidhje do të jenë zgjedhjet

  • Mundësia e fundit për konstituim para afatit të Kushtetueses, ambasadorët sot përcjellin seancën nga Kuvendi

    Mundësia e fundit për konstituim para afatit të Kushtetueses, ambasadorët sot përcjellin seancën nga Kuvendi

    Në përpjekjen e 52-të dhe të fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës para skadimit të afatit kushtetues, pritet që ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë, sot të jenë të pranishëm.

    Ambasada Gjermane ka njoftuar se ambasadori Jorn Rohde, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit që do të mbahet sot.

    “Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament,” thuhej në njoftimin e ambasadës.

    Më 26 korrik skadon afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë për të sqaruar pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri në këtë afat, duke theksuar se “kompromisi nuk po shihet askund”.

    Seanca pritet të nis sot në ora 11:00.

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka thirrur konferencë për media.

    Konferenca do të mbahet para objektit të Qeverisë së Kosovës në Sheshin ‘Skënderbeu’ me fillim nga ora 12:00, teksa arsyeja nuk është bërë e ditur.

    Dje Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar bizneset që aktualisht janë duke u furnizuar me rrymë nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit, që nëse nuk lidhin kontrata me furnizues afatgjatë të licencuar do të mbesin pa rrymë pas 30 korrikut.

    ZRRE iu ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve të prekur që pa vonesë të kontaktojnë një furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë marrëveshje komerciale për furnizim me energji elektrike.

    Dhoma e Tregtisë disa herë ka kaluar anulim të vendimit të ZRRE-së për kalim të bizneseve në treg të hapur energjetik.

    Bizneset rrezikojnë të mbesin pa rrymë pas 30 korrikut, ZRrE-ja u bën thirrje që të lidhin kontratat me furnizues të licencuar