Për të lehtësuar pjesëmarrjen në edicionin më të madh ndonjëherë të “Sunny Hill Festival”, Kolegji AAB ka vënë në dispozicion transport të rregullt me autobus për të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival.
Gjatë datave 1, 2 dhe 3 gusht, nisjet do të bëhen çdo orë nga Stacioni i Trenit në Prishtinë, nga ora 14:00 deri në 23:00, ndërsa kthimet janë të mundshme nga ora 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Festivali pritet të sjellë mijëra vizitorë, duke përfshirë edhe një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku ndërkombëtar. Sipas organizatorëve, pjesëmarrës nga mbi 60 shtete të ndryshme të botës tashmë i kanë siguruar biletat dhe kanë bërë rezervime në hotele e bujtina në Prishtinë dhe qytetet përreth.
Këtë vit, skenat e festivalit do të jenë më të mëdha se kurrë më parë, ndërsa programi do të sjellë një listë të pasur artistësh, përfshirë emra të njohur globalisht si Dua Lipa, Shawn Mendes, Peggy Gou, Mochakk, Anyma dhe Fatboy Slim, si dhe performues të njohur vendorë.
Kujtojmë se “Sunny Hill Festival” është nominuar për herë të dytë radhazi në mesin e Top 10 festivaleve më të mira në Evropë, dhe renditet gjithashtu si një nga 25 ngjarjet muzikore që nuk duhen humbur gjatë vitit.
KFOR-i ka njoftuar se autorizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të marrë pjesë në operacionin për kërimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u hodh të dielën në Ujman është bërë nën kërkesa specifike.
Sipas njoftimit të misionit të NATO-s, operacioni do të sigurohet nga ushtarët e KFOR-it.
“Të martën, më 29 korrik, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneral-major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës të vendoste ekipe kërkim-shpëtimi në zonën e Liqenit të Ujmanit. Autorizimi u dha në përputhje të plotë me autoritetin e komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë. Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike dhe i vendosur nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Tutje thuhet se përdorimi i ekipeve SAR të FSK-së “bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”.
Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, siç thuhet për të kontribuar në një mjedis të sigurt.
Dërgim i FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale 2025.
“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, thuhet në mesazhin informues të kryesuesit të KQZ-së.
Në emër të KQZ-së, Radoniqi ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke thënë:
“Pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”.
Afati për regjistrimin e votuesve jashë Kosovës ka filluar më 23 korrik dhe do të pëfundojë më 29 gusht 2025. Vetëm shtetasite Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.
Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.
Ka më shumë se një muaj që punëtorët e “INFRAKOS” në shenjë proteste ndalën trenat për të kërkuar atë që nuk e kanë marrë tash e 15 vjet, rritjen e pagave.
Veprimet sindikale i patën lënë në gjysmë në shpresë të negociatave për kërkesat e tyre.
E pavarësisht kësaj, nuk u arrit asnjë rezultat.
“Të gjitha bordet pa përjashtim, nuk kanë dashur të dëgjojnë kërkesat tona…Kërkesa jonë mbetet indeksimi i pagave në raport me ngritjen e inflacionit. Bordi dhe menaxhmenti nuk kanë arritur ta bindin qeverinë për realizimin e obligimeve të tyre”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.
Rroga më e ulët në Infrakos është 320 euro e sipas Nikçit, asnjëherë në 15 vitet e fundit s’është rritur.
Për rrjedhojë, ata kanë paralajmëruar veprime sindikale.
“Kjo ndikon keq se secili punëtorë i Infrakos ndihet i anashkaluar, paga skandaloze…kemi probleme edhe me konkurse, kërkojmë inxhinier për larmi të ndryshme dhe nuk plotësohen vendet e punës sepse rroga është 480 euro”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.
Në qershor të këtij viti, grevës së “Infrakos”-it iu kishin bashkangjitur edhe ata të “Trainkos”-it.
Por për këta të fundit, greva asokohe solli rezultate.
“Kemi arrit një marrëveshje të lehtë, rritja mesatare 100 euro. Është degradu paga, është koha e fundit të reflektojnë të gjitha strukturat që punëtorët e hekurudhave t’i trajtojë dinjitetshëm”, ka thënë Florim Gjyrefci, Kryetari i Sindikatës në “Trainkos”.
Ditëve të ardhshme, ata pritet të bëjnë të ditur veprimet sindikale të tyre në rast të ndonjë mosreflektimi nga menaxhmenti.
Operacioni i kërkimit për mërgimtarin që ra të dielën në Liqenin e Ujmanit po vazhdon ende. Ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij. Të dielën pasdite, ai u hodh në liqenin e Ujmanit, dhe nuk u pa më në sipërfaqe.
Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për ta gjetur 33 vjeçarin, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka thënë mbrëmë se operacioni i kërkimit duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.
Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, që ndodhi në dhjetor të vitit 2022 dhe u cilësua si akt terrorist.
Sipas vendimit të gjykatës, Millun Millenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq janë dënuar secili me nga 5 vjet burgim, ndërsa Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burg. Ndërkohë, i akuzuari Miomir Vakiq është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga të gjitha akuzat.
Millenkoviq dhe Vllajiq kishin kërkuar që të mos marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit, duke u arsyetuar me temperaturat e larta brenda sallave të Pallatit të Drejtësisë.
Një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi të dielën në jugperëndim të Gjermanisë, ku një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë qytetit Riedlingen, në landin Baden-Württemberg, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Në lidhje me këtë ngjarje, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve.
“Jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse dhe do të njoftojmë menjëherë për çdo zhvillim të ri,” thuhet në komunikatën e Konsullatës.
Kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit po vazhdojnë intensivisht. Sipas autoriteteve, operacioni është duke u zhvilluar në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe me mbështetjen e ekipeve të specializuara të zhytjes dhe terrenit.
“Ekipi ynë është angazhuar me përkushtim të plotë për të ofruar ndihmë në këtë situatë të rëndë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Rrethanat e incidentit ende nuk janë sqaruar plotësisht, ndërkohë që autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë deri në momentin kur trupi të lokalizohet.
Përkundër pritjeve për një zgjidhje të krizës institucionale, tentimi i 54-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Në seancën e mbajtur sonte në orën 22:00 – vetëm dy orë para skadimit të afatit kushtetues 30-ditor – Kuvendi nuk arriti të formojë komisionin për votim të fshehtë, për shkak se partitë ish-opozitare sërish nuk propozuan anëtarë, e as që morën pjesë në votim.
Kësisoj, Kosova hyn në një terren të paprekur kushtetues, pasi për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, legjislatura e re nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar me vendim nga Gjykata Kushtetuese.
Ngërçi kishte nisur më 15 prill, kur për herë të parë u mblodh Kuvendi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në atë seancë dështoi votimi i verifikimit të mandateve të deputetëve, për shkak të bojkotit të opozitës që kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Më 19 prill, u miratua raporti i verifikimit të mandateve dhe u bë betimi i deputetëve.
Në përpjekjen e parë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk siguroi votat e nevojshme. Më pas, seancat u zhvilluan çdo 48 orë, por pa sukses, pasi opozita refuzonte të propozojë anëtarë për komisionin për votim të fshehtë.
Për shkak të bllokadës së vazhdueshme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Kjo periudhë përfundon sonte më 26 korrik, por edhe në tentimin final, Kuvendi dështoi për të 54-ën herë.
Presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë, kërkoi nga Kushtetuesja interpretim për pasojat ligjore në rast të moskonstituimit. Ajo kërkoi gjithashtu masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor, të cilën Gjykata e miratoi. Sipas vendimit, nga 27 korriku deri më 8 gusht, ndalohet çdo aktivitet parlamentar, derisa të merret vendimi i radhës nga Kushtetuesja.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa rezultatet përfundimtare u certifikuan më 27 mars nga KQZ, me 9 vota për dhe 2 kundër. LVV doli fituese me 42.30%, e pasuar nga PDK me 20.95%, LDK me 18.27%, AAK–Nisma me 7.06% dhe Lista Serbe me 4.26%.
Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka deklaruar se do të ushtrojë përgjegjësitë si ekzekutiv kujdestar, derisa të formohen institucionet e reja. Me Kuvendin të pakonstituuar dhe me një periudhë të pezulluar, fati i procesit politik mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese. /atvlive.tv
Një fermer është dëmtuar rëndë nga zjarret e sotme në Stubëll të Vitisë. Atij i është djegur stalla me 42 dele brenda. Tek i dëmtuari shkoi për vizitë kryetari i komunës, Sokol Haliti.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi nga afër fermerin nga Stublla e Poshtme, të cilit iu dogj shtalla së bashku me 42 dele, në një ngjarje tragjike që ka shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe emocionale për familjen.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Haliti ishte i shoqëruar nga Komandanti i Policisë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Bujqësisë, të cilët reaguan menjëherë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmën e parë në terren.
Kryetari Haliti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për fermerin dhe familjen e tij, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të ndihmuar në rikuperimin e dëmeve dhe për të siguruar që familja të mos mbetet vetëm në këtë situatë të rëndë.
Kryetari gjithashtu falënderoi njësinë e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë, që bëri të mundur shpëtimin e jetës së një gruaje të familjes, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe” thuhet në njoftimin e komunës.