ATV

Tag: Ballina

  • Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baincë të Lipjanit, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në shtëpinë e Top Kolshit, i cili dyshohet për kryerjen e krimit dhe groposjen e trupit të viktimës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja u realizua më 3 shtator 2025, në orën 12:05, me urdhëresë të Gjykatës.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike.

    Kolshi ndodhet tashmë në paraburgim, me vendim të Gjykatës të marrë më 13 gusht 2025. Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që ai të arratiset apo të shmanget nga drejtësia, nëse do të lihej i lirë.

    Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime se vrasja nuk është kryer vetëm nga Kolshi, por edhe me përfshirjen e personave të tjerë ende të paidentifikuar.

    Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se, gjatë intervistimit, Top Kolshi e ka pranuar se ka kryer veprën penale.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.

  • Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Mbi 90 përfaqësues të subjekteve politike sot do të tërheqin shortin për renditjen e tyre në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Procesi i tërheqjes së shortit është paraparë të nis në orën 11:00 dhe do të mbahet në objektin e komunës së vjetër në Prishtinë.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se shorti do të zhvillohet në mënyrë të hapur, duke garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme do të nisë më 13 shtator dhe do të përfundojë para hapjes së qendrave të votimit më 12 tetor, në orën 06:59.

  • Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë janë plagosur në Lisbonë të Portugalisë, pasi teleferiku historik “Gloria” doli nga shinat mbrëmjen e së mërkurës.

    Autoritetet portugeze konfirmuan se dy prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

    Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi kur një kabllo u lirua, duke bërë që vagoni të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një ndërtesë. Shefi i Mbrojtjes Civile tha se ekipet e emergjencës punuan për nxjerrjen e personave që mbetën të bllokuar në vendngjarje.

    Teleferiku “Gloria” është ndërtuar në vitin 1885 dhe konsiderohet një nga simbolet më të njohura të Lisbonës.

    Prej më shumë se një shekulli, ai ka shërbyer si një nga atraksionet kryesore për turistët që vizitojnë kryeqytetin portugez.

  • MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

    MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe koordinatorët e verifikimit në shkolla, po e monitoron procesin e subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit.

    MAShTI tha se bazuar në Udhëzimin Administrativ 13/2026, nxënësit nga klasat e 6-ta deri në të 9-ta nuk kanë nevojë të blejnë tekste shkollore, pasi sipas tyre, ato bartën nga gjenerata e kaluar.

    Tutje, MAShTI tha se për sa i përket ndryshimeve të çmimeve të paraqitura në kopertinat e teksteve shkollore, shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

    “Sa i përket ndryshimeve të çmimeve të paraqitura në kopertinat e teksteve shkollore, sqarojmë se MAShTI nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe rrjedhimisht as negocim të çmimeve. Këto shqetësime tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (në kuadër të MINT) dhe në Autoritetin e Konkurrencës”.

    “Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga këto organe përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”.

    “Lidhur me furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e komuniteteve joshumicë dhe për nxënësit me kujdestar ligjor, theksojmë se, ashtu si në vitet e kaluara, subvencioni është i garantuar për çdo nxënës që ndjek mësimet në institucionet e Republikës së Kosovës. Qëllimi ynë i përbashkët është që të mos mbetet asnjë nxënës pa tekste shkollore”, thuhet tutje në njoftim.

    Kjo ministri tutje u shpreh se këtë vit janë shtuar masat e verifikimit për përfituesit e subvencionimit të teksteve shkollore, duke garantuar, sipas tyre, që askush të mos përfitojë pa u verifikuar.

    “Për vitin aktual, MAShTI ka shtuar masat e verifikimit përmes moduleve shtesë, ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë secilin nxënës në shkollën përkatëse, duke garantuar që askush të mos përfitojë pa u verifikuar”./ATVLIVE/

  • Kushtetuesja ia nis punës për rastin që ua çoi Lista Srpska, kërkon nga deputetët t’i japin komentet e tyre deri më 9 shtator

    Kushtetuesja ia nis punës për rastin që ua çoi Lista Srpska, kërkon nga deputetët t’i japin komentet e tyre deri më 9 shtator

    Lista Serbe është ankuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me votimin për nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kjo ankesë ka nisur të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit i ka dërguar letër Kuvendit të Republikës së Kosovës që t’i njoftojë deputetët për të paraqitur komentet e tyre, lidhur me këtë ankesë.

    Në letrën e plotë, të cilën e ka siguruar Gazeta Express, bëhet e ditur se deputetet kanë të drejtë të japin komentet e tyre deri më 9 shtator.

    Kjo kopje, është kërkuar të shpërndahet tek deputetët e Kuvendit.

  • Zyrtarët italianë që punojnë në Kosovë mblidhen për të analizuar situatën në Kosovë

    Zyrtarët italianë që punojnë në Kosovë mblidhen për të analizuar situatën në Kosovë

    Ambasada e Italisë organizoi dje një takim me zyrtarët italianë të angazhuar në Kosovë pranë organizatave ndërkombëtare, si mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi situatën në Kosovë nga perspektiva të ndryshme.

    Ky takim, që sipas njoftimit të Ambasadës italiane pritet të përsëritet edhe në të ardhmen, vlerësohet si një rast i rëndësishëm për të konfirmuar rolin strategjik të zyrtarëve italianë në organizatat ndërkombëtare, sidomos në një kohë kur sfidat për multikulturalizmin në nivel global janë në rritje.

    “Një falënderim i sinqertë Komandantit Barduani për kontributin e tij autoritativ dhe për analizën e ofruar mbi misionin KFOR”, thuhet në njoftimin e Ambasadës./ATVLIVE/

  • Paraqitja e Kurtit në Gjykatë, zëdhënësi i Qeverisë: Hetuesit e intervistuan në zyrën e tij në qershor për rastin e kanosjes

    Paraqitja e Kurtit në Gjykatë, zëdhënësi i Qeverisë: Hetuesit e intervistuan në zyrën e tij në qershor për rastin e kanosjes

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u kritikua pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj tij.

    Kurti u paraqit në Gjykatë, ndërsa pati reagime të shumta për faktin se ai po refuzon të dëshmojë në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një reagim ka thënë se paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.

    Kryeziu ka përsëritur se në rastin e rezervave shtetërore, Kurti kishte shprehur gatishmëri që të intervistohet në zyrën e tij. Ai ka bërë të ditur se në rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar nga zyrtarë hetues të autorizuar nga Prokuroria, pikërisht në zyrën e tij. Kryziu ka bërë të ditur se intervistimi ka ndodhur më 10 qershor.

    Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
    Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
    Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar./ATVLIVE/

  • Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjtën, më 4 shtator, më shumë se 90 përfaqësues të subjekte politike do të tërheqin shortin për renditjen e subjekteve të tyre në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se subjektet politike janë njoftuar për këtë aktivitet.

    “Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transprencë e plotë dhe trajtim i barabartë i të gjitha subjekteve politike”, tha Elezi.

    Fushata zgjedhore për subjektet politike do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë pak para hapjes së Qendrave të Votimit, në orën 06:59 të datës 12 tetor.

  • Osmani diskuton për konstituimin e institucioneve edhe me ambasadorin britanik

    Osmani diskuton për konstituimin e institucioneve edhe me ambasadorin britanik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për krijimin e institucioneve, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Në një postim në rrjetet sociale nga Presidenca, bëhet e ditur se presidentja Osmani, gjatë takimit, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

    “Ajo ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe përmbushjen e aspiratave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik”.

    Tutje bëhet e ditur se në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, thuhet, mes tjerash, në postim./ATVLIVE/

  • Gjykata Speciale pret që në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Gjykata Speciale pret që në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë tha se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

    Në shkresën e publikuar më 2 shtator u tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë që të paraqesë prova të tjera, sikurse edhe mbrojtja të paraqesë prova si kundërpërgjigje. Por, pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla, palët duhet të përgatiten që të paraqesin përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor.

    Paneli i gjyqtarëve tha se parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

    “Paneli i njofton palët dhe pjesëmarrësit se duhet të jenë të përgatitur të paraqesin përmbledhjet përfundimtare të gjykimit, si dhe deklaratën mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat pjesëmarrëse në procedurë, para fillimit të pushimit gjyqësor, të hënën, më 22 dhjetor 2025”, u tha në shkresë.

    Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.

    Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave.

    Në konferencën e fundit statusore të mbajtur më 19 gusht, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, dhanë data të përafërta se kur mendojnë se do të përfundojnë paraqitjen e rastit të tyre.

    Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se idealisht shpreson që të përfundojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve deri në fund të tetorit, apo më së largu deri në nëntor. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se parashikon se do t’i duhet një javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve. Por, mbrojtja e Krasniqit do të nisë paraqitjen e rastit, pasi të ketë përfunduar ekipi mbrojtës i Thaçit.

    Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.

    Në shkresën e panelit të gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – u paraqitën data kur mendohet se do të përmbyllet rasti i mbrojtjes të Thaçit dhe Krasniqit.

    “Paneli vendos si datë të synuar për përfundimin e paraqitjes së mbrojtjes, si për mbrojtjen e Thaçit ashtu edhe atë të Krasniqit, 14 nëntorin 2025 ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të mbrojtjes – cilado që të ndodh më herët”, u tha në shkresën e panelit të gjyqtarëve.

    Paneli tha se kjo datë është vetëm një vlerësim i tij për kohëzgjatjen e çështjet të mbrojtjes dhe “mund të zgjatet, sipas nevojës”.

    Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit tha se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmive të dëshmitarëve për këtë rast.

    Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe këtp dëshmi veçse u janë dorëzuar prokurorëve.

    Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë – pesë orë në ditë dëshmi – për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

    Ndërkaq, në konferencën paraprake statusore, të mbajtur më 22 korrik, ekipet e mbrojtjes të ish-krerëve të UÇK-së u ankuan se nuk kishin kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastit të tyre.

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.