ATV

Tag: Ballina

  • Pratipati: Qeveria e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe përfaqësimin e serbëve

    Pratipati: Qeveria e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe përfaqësimin e serbëve

    E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë Anna Pratipati, në një intervistë me një grup mediatik në gjuhën serbe, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj dhe se Kushtetuta dhe ligjet garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

    “Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të mund të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës.”

    Ajo tha se në të njëjtën kohë, pritet që serbët e Kosovës të marrin përgjegjësinë për ndihmë në ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë.

    “Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha zyrtarja amerikane duke shtuar se çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me serbët në Kosovë. Nuk ka alternativë tjetër për këtë, dhe nuk ka proces të njëanshëm, shtoi ajo.

    Duke folur mbi institucionet paralele të Serbisë në Kosovë – arsimi dhe shëndetësia, zyrtarja e lartë amerikane tha se ato do të duhet të përfshihen në sistemin e Kosovës, raporton KosovaPress.

    “Institucionet paralele të drejtuara nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është me rëndësi thelbësore. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë në lidhje me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura. Ky nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Varet nga komuniteti serb i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të punojnë së bashku, me një theks të veçantë në sigurimin që institucionet të ruajnë ose përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”, tha Pratipati./ATVLIVE/

  • 9 vjet nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shenjtorja që frymëzon botën

    9 vjet nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shenjtorja që frymëzon botën

    Sot shënohet 9-vjetori i shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, figurës së ndritur shqiptare e njohur botërisht për përkushtimin ndaj më të varfërve dhe të braktisurve.

    Më 4 shtator 2016, në një ceremoni madhështore të mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku e shpalli Nënë Terezën “Shenjtore”, duke e quajtur “shenjtore e mëshirës” dhe “ikonë e dashurisë hyjnore”.

    Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, nga prindër shqiptarë.

    Në moshën 18-vjeçare, ajo u largua nga Shkupi për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë. Që prej asaj dite, nuk do t’i shihte më kurrë prindërit.

    Ajo themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë të Indisë, ku kaloi dekada në shërbim të të sëmurëve dhe të varfërve. Veprat e saj frymëzuan miliona njerëz në mbarë botën, duke e bërë atë simbol të dashurisë dhe përulësisë së krishterë.

    Në vitin 1979, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Ajo u lumturua nga Papa Gjon Pali II më 2003 dhe u shpall shenjtore në vitin 2016.

    Vizita e saj e parë në Shqipëri ndodhi në gusht të vitit 1989.

    Më 5 shtator 1997, Nënë Tereza ndërroi jetë. Kjo datë sot njihet si Dita e Shenjtërimit të saj.

    Figura e Shën Nënë Terezës vazhdon të jetë burim frymëzimi për bamirësi, besim dhe shërbim të përulur, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të përçarë nga varfëria dhe padrejtësitë sociale.

    Çmimet më të rëndësishme të fituara nga Nënë Tereza:

    • 11 gusht 1962 – Çmimi Padma Shri, nga Presidenti i Indisë
    • 31 gusht 1962 – Çmimi Ramon Magsaysay, në Filipine
    • 6 janar 1971 – Çmimi i Paqes Papa Gjon XXIII, nga Papa Pali VI
    • 16 tetor 1971 – Çmimi Ndërkombëtar John F. Kennedy
    • 15 nëntor 1972 – Çmimi Jawaharlal Nehru
    • 25 prill 1973 – Çmimi Templeton, për ndihmën ndaj fëmijëve të pastrehë
    • 1977 – Doktor Nderi në Teologji, Universiteti i Kembrixhit, Angli
    • 1978 – Çmimi Balzan, për humanizëm dhe paqe mes popujve
    • 10 dhjetor 1979 – Çmimi Nobel për Paqen
    • 22 mars 1980 – Çmimi Bharat Ratna (Xhevahiri i Indisë)
    • 27 qershor 1980 – Medalja e Meritave nga qyteti i Shkupit
    • 24 tetor 1983 – Urdhri i Meritës, nga Mbretëresha Elizabeth II
    • 1985 – Medalja Presidenciale e Lirisë, nga Presidenti Ronald Reagan
    • 1996 – Qytetare Nderi e SHBA-së
    • 5 qershor 1997 – Medalja e Artë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara
  • Ngërçi në Kuvend: Kur politika ndeshet me Kushtetutën

    Ngërçi në Kuvend: Kur politika ndeshet me Kushtetutën

    Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të forta mbi interpretimin e Kushtetutës dhe rolin e partive politike. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa aktgjykime, zbatimi i tyre ka mbetur i pjesshëm, duke ngritur pyetje mbi nevojën e ndryshimeve të mundshme kushtetuese.

    Gjykata Kushtetuese ka dhënë tashmë dy aktgjykime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe së paku edhe një i tretë pritet.

    Paqartësitë dhe dyshimet për hapat e ndërmarrë në këtë proces i kanë detyruar partitë politike t’i drejtohen instancës më të lartë për interpretimin e Kushtetutës.

    Nga debati mbi votimin e fshehtë deri te zgjedhja e ndarë e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, një sërë çështjesh janë vënë nën lupën e kushtetutshmërisë.

    Por, edhe pse aktgjykimet janë shpallur, ato nuk janë zbatuar plotësisht.

    Vendimi i 26 qershorit, që urdhëronte konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, është shembulli më i qartë: afati ka kaluar, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.

    Mungesa e masave ndëshkuese në aktgjykimet e Gjykatës ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme – si nga politikanët, ashtu edhe nga ekspertët ligjorë.

    Një prej pyetjeve që qarkullon në mesin e komentuesve është: a mund të quhet Kuvendi funksional me një kryetar dhe katër nënkryetarë, siç është sot?

    Kushtetuta e përcakton qartë: Kuvendi duhet të ketë një kryetar dhe pesë nënkryetarë, dhe nuk përmend ndonjë formulë tjetër.

    Por, në këtë vakum institucional shtrohet edhe një çështje tjetër: a është koha për ndryshime kushtetuese që do të sillnin më shumë qartësi, apo, thjesht, më shumë hapësirë për interpretime të reja?

    Disa ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe analistë politikë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, nuk e shohin të domosdoshëm ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

    Sipas tyre, ngërçi aktual në konstituimin e Kuvendit nuk buron nga paqartësitë kushtetuese, por nga mungesa e vullnetit politik të partive.

    “Në parim, kushtetutat janë të hartuara që të jenë të parashikueshme për një kohë të gjatë dhe që dilemat eventuale rreth përmbajtjes së normave kushtetuese të zgjidhen përmes interpretimit kushtetues”, thotë Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës.

    Sipas tij, ndryshimet e shpeshta do të zbehnin vetë rolin e Kushtetutës.

    “… do të prodhonin pasiguri juridike dhe do ta bënin atë një akt fleksibil, përmbajtja e të cilit ndryshon varësisht nga konstelacioni i dinamikave politike në vend”, thotë Morina në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

    Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

    Ajo u ndryshua disa herë, si për të shënuar fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës më 2012, apo për të përfshirë Konventën e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje më 2020.

    Morina kujton se për të shmangur ndryshimet e shpeshta, Kushtetuta e Kosovës përmban kritere të rrepta materiale dhe procedurale: ato lejojnë amendamente vetëm kur janë realisht të domosdoshme për një objektiv kushtetues, i cili nuk mund të arrihet përmes mjeteve të tjera, si interpretimi kushtetues.

    Kushtetutat nuk janë kurrë dokumente të përkryera dhe me gjuhë plotësisht të qartë, sipas tij.

    “Kushtetuta e Kosovës nuk bën përjashtim nga ky standard. Së pari, ato (kushtetutat) përcaktojnë vetëm parimet themelore të funksionimit të shtetit dhe nuk është e pritshme që të përmbajnë detaje për çdo situatë konkrete”, thekson Morina.

    Ai shton se gjuha e gjerë që përdoret zakonisht në kushtetuta është e qëllimshme, pasi lë hapësirë për interpretim.

    Kjo, sipas tij, u mundëson gjykatave kushtetuese dhe praktikës gjyqësore t’i plotësojnë boshllëqet përmes jurisprudencës dhe zhvillimit të doktrinës.

    Njohësi i çështjeve politike, Avni Arifi, vlerëson gjithashtu se Kushtetuta nuk ka nevojë të ndryshohet për të shmangur ngërçet institucionale, si ai aktual.

    “Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mund t’i zëvendësojë partitë politike. Nëse partitë politike duan të devijojnë nga Kushtetuta, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk mund ta mbrojë Kushtetutën”, thekson Arifi për Radion Evropa e Lirë.

    Konstituimi i Kuvendit ngeci te zgjedhja e nënkryetarit serb.

    Lista Serbe, si partia më e madhe në Kuvend, propozoi vetëm një kandidat, i cili në tri runde votimi nuk i mori votat e mjaftueshme.

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndryshe nga ajo që shkruan në Kushtetutë, hodhi shortin për të përcaktuar kandidatin tjetër serb, dhe ndryshe nga praktikat e deritashme, nuk e futi për t’u votuar në paketë me kandidaten e pakicave joserbe.

    Asnjëri prej nëntë kandidatëve të zgjedhur me short, nuk mori 61 votat e kërkuara.

    “Kushtetuta është e qartë dhe i jep të drejtë shumicës së deputetëve të komunitetit serb që ta propozojë nënkryetarin”, thotë Arifi.

    Lista Serbe iu drejtua pastaj Kushtetueses për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb.

    Çfarë thonë partitë politike?

    Nëse duhet apo jo të bëhen ndryshime kushtetuese për të shmangur ngërçet institucionale, deputetët e partive parlamentare ndajnë mendime të ndryshme.

    Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe bllokadës që ka zgjatur prej muajsh, Kushtetuta ofron zgjidhje të qarta dhe, sipas tij, nuk ka nevojë për ndryshime.

    “Deputetët i kanë shfrytëzuar të gjitha të drejtat kushtetuese për të votuar”, thotë Rexhaj.

    Ndryshe nga ai, Nait Hasani, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, vlerëson se ngërçi në konstituimin e Kuvendit ka dëshmuar se Kosova ka hyrë në një fazë politike ku ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të ofruar zgjidhje të qarta dhe për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

    Në këtë drejtim, ai i sheh si të nevojshme sidomos ndryshimet që lidhen me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

    Sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga deputetët e Kuvendit, siç ndodh aktualisht, dhe shpjegon përse:

    “Kjo do t’i shkarkonte mundësitë e kombinacioneve politike për krijimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit. Partitë që dalin në zgjedhje, partia e parë [fituese] e ka më të lehtë me partinë e dytë ose të tretë të bëjë kombinime të qeverisjes, në rast se nuk do të ishte në këtë kombinim posti i presidentit”.

    Nga ana tjetër, Lutfi Haziri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se ngërçi aktual në Kuvend nuk lidhet me paqartësitë kushtetuese, por me mungesën e gatishmërisë së partive politike për të bashkëpunuar në zbatimin e frymës së Kushtetutës.

    Sipas tij, kjo mungesë vullneti ka bërë që partitë politike t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e më pas t’i riinterpretojnë edhe vetë vendimet e saj.

    “Më eksplicite se i ka Kushtetuta jonë, asnjë kushtetutë nuk i ka… shumë eksplicite i ka të drejtat dhe mekanizmat. Krejt problemi është politik. Duke u thirrur në procedura e rregullore, mundohen ta deformojnë frymën kushtetuese. Ky është problemi. Kushtetuta nuk ka asnjë problem”, sipas Hazirit.

    Partia tjetër në Kuvend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar në këtë temë.

    Sidoqoftë, për çdo ndryshim kushtetues janë të domosdoshme dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

    Morina, edhe pse nuk e sheh të nevojshëm ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës tash për tash, thotë se, në parim, ajo duhet të mbetet e hapur ndaj evoluimit shoqëror, pasi realitetet politike, ekonomike dhe shoqërore ndryshojnë vazhdimisht.

    Në të njëjtën kohë, ai përmend edhe “klauzolat e përjetshme”, të cilat “për shkak të karakterit fundamental që kanë, nuk mund të jenë objekt i ndryshimit kushtetues”.

    “Në rastin e Kosovës këtu do të mund të hynte, pa diskutim, pakësimi i lirive dhe të drejtave kushtetuese”, thotë, mes tjerash, Morina.

    Opinioni publik tani është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e Listës Serbe.

    Kësaj gjykate i është drejtuar më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kërkesën për të sqaruar se çfarë ndodh në rast se nuk respektohet afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i vendosur nga gjykata.

    Më pas, Osmani e ka tërhequr kërkesën, duke u bazuar në faktin se gjykatësin Radomir Llaban, i cili ishte raportues për këtë rast, e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.

    Megjithatë, njohës të çështjeve kushtetuese vlerësojnë se, edhe pas tërheqjes së kërkesës nga Osmani, Gjykata ka të drejtë të vazhdojë procedurën.

     

  • Dokument: Roja që u bë prokuror në Hagë kërcënonte fizikisht krerët e UÇK-së, Thaçi krahasoi Specialen me regjimin e Putinit

    Dokument: Roja që u bë prokuror në Hagë kërcënonte fizikisht krerët e UÇK-së, Thaçi krahasoi Specialen me regjimin e Putinit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë publikuar transkriptin e seancës së 27 marsit 2025, në të cilën Hashim Thaçi kishte ngritur shqetësimet e tij lidhur me praninë e një prokurori, i cili më parë kishte punuar në Njësinë e Parbaurgimit në Hagë. Sipas transkriptit, Thaçi kishte përmendur se prokurori John Devaney, atëherë pjesë e stafit të Qendrës së Paraburgimit, i kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht.

    Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se ky person njëherë ishte prezantuar si roje, më pas hetues në Qendrën e Paraburgim, shef e zëvendësshef i asaj qendre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “U befasova vërtetë sot kur pash përballë nesh zotërinë në fjalë. Nuk ia di emrin, por kjo nuk ka rëndësi. Kur na sollën këtu në qendrën e paraburgimit, ai u prezantua si roje, pastaj si hetues në qendrën e paraburgimit, më pas si zëvendësshef i kësaj qendre, dhe nganjëherë edhe si shef i qendrës së paraburgimit. Dhe ka fakte dhe dëshmitarë që vërtetojnë atë që po them. I nderuar, zotëria në fjalë – sot Prokuror; dje roje burgu – ka kryer [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR]. Dhe ne, të akuzuarit në procesin numër 6, nuk përdorim as cigare. Ai personalisht e ka bërë, ky Prokuror aktual, [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] mekanizma në këtë qendër paraburgimi. [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] Në raste të caktuara, i nderuar dhe Paneli juaj, ai ka cenuar fizikisht dhe kërcënuar. Ky prokuror, nga praktika që ka përdorur, [E REDAKTUAR)”, thuhet në transkriptë.

    Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se dëshiron që fjalën e tij ta bëjë në seancë publike. Theksoi se Specialja është gjykatë e Kosovës.

    “Kjo Gjykatë është një gjykatë e Kosovës. Ajo është themeluar nga Kuvendi i saj për të punuar mbi bazën e ligjeve të saj kushtetuese, dhe unë besoj se kjo do të jetë deri në fund të procesit. Megjithatë, problemet që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve e gjysmë, gjatë kësaj periudhe, dhe meqë e shoh këtë prokuror para nesh, unë dua të shpreh shqetësimet e mia që ju si trup gjykues dhe ju si kryetar i trupit gjykues të jeni në dijeni”, kishte thënë Thaçi.

    Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se nuk ndihen as të respektuar ligjërisht dhe as njerëzisht kur sheh dikë që deri dje ishte roje burgu, ndërsa tani prokuror.

    “Dhe, së treti, i nderuar, dhe Panel i nderuar, zotëria ka [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] me avokatët tanë. Dhe unë jam vërtet, siç thashë, i befasuar që e shoh këtë zotëri këtu sot. Ndoshta ai ka kaluar një procedurë të veçantë të promovimit, por unë nuk ndihem rehat, dhe ne nuk ndihemi të respektuar – as ligjërisht e as njerëzisht – kur shohim dikë që dje ishte roje e sot është Prokuror në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ndoshta ai ka kaluar një proces shumë të shpejtë. Nuk e di këtë. Por thjesht doja të thosha – të shpreh habinë time. Dhe ju falënderoj që më dhatë këtë mundësi”, kishte thënë Thaçi.

    Gjatë kësaj seance, Thaçi ishte i pranishëm përmes videolidhjes, por gjatë pushimit kishte telefonuar avokatin e tij për ta njoftuar panelin se dëshironte që të fliste.

    Avokati Luka Mishetiq kishte thënë se nuk i di detajet, por bëhej fjalë për prokurorin që ka punuar në Njësinë e Paraburgimit dhe mund të ketë pasur qasje në informacione për të cilat Thaçi beson se nuk duhej të kishte qasje.

    Se kishte punuar në Njësinë e Paraburgimit më parë, e kishte pranuar edhe prokurori Devaney, por tha se punësimi i tij atje kishte përfunduar në fund të 2022-ës.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Ambasadori britanik i shkon në zyre Bashës: U pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit

    Ambasadori britanik i shkon në zyre Bashës: U pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit

    Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka thënë se me kryeparlamentarin Dimal Basha janë pajtuar për rëndësinë e konstituimit të plotë dhe sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës.

    Në një shkrim në Twitter, duke treguar për bisedën që ka pasur të enjten me Bashën, Hargreaves ka thënë se ka shpresuar që ngërçi në Kosovë të zgjidhej shpejt.

    “Sot takova kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, për ta uruar për zgjedhjen e tij. U pajtuam për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundshme, duke respektuar çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kemi shpresuar që situata do të zgjidhej shpejt që t’i mundësohej Kuvendit dhe Qeverisë së re të merreshin me punët vitale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Po ashtu biseduam për rëndësinë e konsultimit kuptimplotë me komunitetin serb të Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë në Kosovë dhe u dakorduam për vizionin e së ardhmes për një Kosovë me mundësi për të gjithë”, ka shkruar Hargreaves.

    E në njoftimin e Kuvendit, bëhet e ditur se Basha dhe Hargreaves “zhvilluan diskutim të hapur për reformat demokratike të ndërmarra nga vendi ynë, ku Kryetari e siguroi ambasadorin që Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit tonë në familjen evropiane, dhe synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO”.

    Basha ka shpallur të konstituuar Kuvendin edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari serb. Javën e shkuar, deputetët e zgjodhën nënkryetarin e komuniteteve joserbe, por nuk mori mbështetje propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Ai dështoi tre herë në votim. Kryetari Basha u shpreh se vendimi i Kushtetueses thotë që as për nënkryetarët një emër nuk mund të votohet mbi tre herë. Kështu ai i kërkoi emra të tjerë Listës Serbe, por që ajo nuk ofroi. E si pasojë, Basha çoi Kuvendin në votimin përmes shortit për nënkryetarin serb. Nga 10 deputetët, përfshirë Nenad Rashiqin që s’është i kësaj partie, askush s’i mori 61 votat e kërkuara. Pa nënkryetar serb, më 30 gusht, Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin.

  • I çonte informacione BIA’s, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE’së

    I çonte informacione BIA’s, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE’së

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër ish-zyrtares së OSBE’së për veprën penale “Spiunazh”, e cila ishte arrestuar në mars të këtij viti.

    J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.Sipas Prokurorisë, J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

    “Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disaraste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, thuhet tutje në njoftim.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi./ATVLIVE/

     

  • Tërhiqet shorti, kjo është renditja e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet lokale

    Tërhiqet shorti, kjo është renditja e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Nga tërheqja e shortit renditja e partive politike në fletëvotime do të jetë si vijon:

    Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë numrin 105

    Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 191

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 113

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta ketë numrin 174

    Lista Serbe në fletëvotim do ta ketë numrin 170

    Nisma Socialdemokrate do ta ketë numrin 186

    Partia Guxo do ta ketë numrin 118

    Alternativa do ta ketë numrin 103

    Subjekti Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin do ta ketë numrin 101

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se procesi për zgjedhjet lokale ka hyrë pothuajse në fazën përfundimtare. Ai tha se zgjedhjet janë themeli i demokracisë.

    “Zgjedhjet janë themeli i një demokracie pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivel in qendror dhe lokal. Në këtë drejtim, KQZ ka detyrë të rëndësisë së veçantë, të sigurojë proceset zgjedhore në Kosovë të jenë të lira, të drejta, transparente, të mbështetura në Kushtetutë, Ligjin për Zgjedhjet dhe të mbështetura në standardet më të mira ndërkombëtare”, tha ai para të pranishmëve në këtë ngjarje.

    si drejtues i KQZ-së u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike e kandidatëve që të angazhohen për një proces zgjedhor duke respektuar ligjet e rregullat zgjedhore në fuqi.

    “Zgjedhjet nuk janë vetëm një garë për pushtet, por edhe një proces i rëndësishëm për demokracinë. Vlerësoj që secili prej nesh ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij procesi”, deklaroi Radoniqi.

    Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

  • Kurti pyetet për mandatarin, thotë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

    Kurti pyetet për mandatarin, thotë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pyet sot nëse partia e tij do të dërgojë mandatarin për kryeministër te presidentja, por ai u përgjigj shkurt, duke thënë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm.

    “Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën”, tha Kurti.

    Ai këto deklarata i bëri në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025./EO

  • Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes një autobusi dhe një veture.

    Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 07:30 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Ai bëri të ditur se të gjithë të lënduarit kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Pllana ka thënë se, me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti po merret Njësia e Trafikut të Kryeqytetit.

  • Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor që ushtronte detyrën në Njësinë Speciale Operative, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

    Arrestimi është bërë mbrëmë, si pjesë e një hetimi të përbashkët nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Në kuadër të hetimeve, është kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Vushtrri me autorizim të organeve të drejtësisë.

    Gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova që mund të jenë të lidhura me rastin.

    Inspektorati Policor, duke vepruar në përputhje me autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë përkohësisht zyrtarin e arrestuar.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa priten veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës.