ATV

Tag: Ballina

  • Osmani: Uniforma e Policisë akt atdhetarie dhe simbol i dinjitet shtetëror

    Osmani: Uniforma e Policisë akt atdhetarie dhe simbol i dinjitet shtetëror

    Në ceremoninë e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart rolin, guximin dhe përkushtimin e kësaj force që nga themelimi e deri më sot.

    “Ne kremtojmë historinë e policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat që ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë,” tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e Policisë së Kosovës si një ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Ajo theksoi se besnikëria e Policisë së Kosovës ndaj Republikës ka qenë e palëkundur në të gjitha rrethanat, krizat dhe kërcënimet me të cilat është përballur vendi ndër vite. “Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besnikërinë tuaj ndaj Republikës”, theksoi Presidentja.

    Duke u ndalur në sfidat e sigurisë në veri të vendit, Osmani vlerësoi profesionalizmin dhe guximin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Sidomos gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq duke e garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim,” tha ajo.

    Presidentja Osmani theksoi se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është vetëm një detyrë ligjore, por mbi të gjitha është një akt i thellë atdhetarie. “Çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim, është simbol i rendit, i ligjit dhe i dinjitetit tonë shtetëror,” u shpreh ajo.

    Ajo përmendi edhe rolin ndërkombëtar të policëve të Kosovës, duke thënë se ata janë të gatshëm të kontribuojnë në misione të sigurisë globale. “Policët tanë janë të gatshëm që krahas garantimit të sigurisë brenda vendit, të kontribuojnë edhe në misione ndërkombëtare të sigurisë, duke e vendosur kështu Kosovën në hartën e partneritetit global,” deklaroi Osmani.

    Në fund, Presidentja ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë. “Për këtë arsye, mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë – në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë,” përfundoi ajo.

  • Bajrami: Kurti po e zhyt vendin në krizë, është bërë aleat me Listën Serbe në bllokimin e institucioneve

    Bajrami: Kurti po e zhyt vendin në krizë, është bërë aleat me Listën Serbe në bllokimin e institucioneve

    Shefja e deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se Kosova po zhytet drejt një krize të thellë ekonomike. Bajrami thotë se e gjithë kjo po ndodh derisa institucionet po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga Kurti dhe aleatët e tij.

    Bajrami në reagim thotë se norma e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 4.3%, derisa për shportën bazë të konsumit ai kap numra dyshifror.

    Shefja e Grupit Parlamentar dhe ish-ministrja Bajrami ka përmendur edhe ngritjen e çmimit të rrymës për bizneset dhe mungesën e investimeve kapitale nga Qeveria.

    Bajrami ka akuzuar Kurtin se ka faktorizuar Listën Serbe dhe sipas saj, Kurti dhe Lista Serbe janë bërë aleatë në bllokimin e institucioneve të Kosovës.

  • Haradinaj: Policia e Kosovës, një nga arritjet më të mëdha të shtetit

    Haradinaj: Policia e Kosovës, një nga arritjet më të mëdha të shtetit

    Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar lartë kontributin e këtij institucioni, duke e cilësuar atë si një nga sukseset më të mëdha të shtetit të Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një nga arritjet më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit”, ka shkruar Haradinaj, duke theksuar përkushtimin dhe guximin e pjesëtarëve të saj ndër vite. Ai ka shtuar se është detyrë e shtetit të sigurojë kushte dinjitoze për këtë institucion jetik.

    “Në këto 25 vjet, policët tanë kanë dëshmuar përkushtim dhe uguxim në shërbim të qytetarëve dhe rendit publik. Andaj, është detyrë e shtetit që t’u krijojë kushte dinjitoze, në përputhje me misionin e rëndë e fisnik që mbajnë”, ka shkruar Haradinaj.

  • Sot mbahet ceremonia qendrore për shënimin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës

    Sot mbahet ceremonia qendrore për shënimin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës

    Me rastin e 26 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, sot do të zhvillohet Ceremonia Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
    Në këtë ceremoni, e cila pritet të fillojë nga ora 19:00, do të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, drejtues të Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë. Policia e Kosovës, e themeluar më 6 shtator 1999, mbetet një nga institucionet kyçe të vendit, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
    Ceremonia vjen si një moment për të nderuar punën dhe angazhimin e gjithë punonjësve të saj gjatë dy dekadave e gjysmë të shërbimit ndaj qytetarëve.

  • 26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës sot mbush 26 vjet nga themelimi i saj.

    Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999.

    Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

    Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit mbahet ceremonia Qendrore në drejtoritë e përgjithshme të Policisë së Kosovës.

  • Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka miratuar kërkesën e Listës Serbe, duke vendosur një masë të përkohshme që pezullon të gjitha procedurat për formimin e Qeverisë së re.

    Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme dhe bllokon çdo veprim të mëtejmë institucional.

    Në aktgjykimin e saj, Gjykata urdhëron ndalimin e çdo veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, si dhe çdo procedure tjetër që lidhet me themelimin e ekzekutivit.

    Masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri më 30 shtator 2025.

    Kjo do të thotë se asnjë hap nuk mund të ndërmerret për caktimin e mandatarit apo votimin e kabinetit qeveritar deri në këtë datë, ose deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    Lajmi duke u përditësuar…

  • Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në Esen, në perëndim të Gjermanisë, ku një mësuese është sulmuar me thikë nga një nxënës. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se sulmuesi i dyshuar është nga Kosova.

    Mësuesja ka pësuar lëndime të rënda në stomak, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Nuk ka persona të tjerë të plagosur në shkollë, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi e kishte shënjestruar mësuesen qëllimisht.

    Sipas mediave gjermane, sulmuesi 18-vjeçar iku menjëherë pas incidentit, por më pas u lokalizua nga policia në një park. Teksa forcat e rendit iu afruan për ta arrestuar, ai vrapoi drejt tyre me thikë në duar, dhe policia e qëlloi me armë zjarri. I dyshuari po trajtohet aktualisht në spital pas plagëve të marra.

    Në shkollën profesionale në Esen u panë një numër i madh policësh, përfshirë edhe të njësive speciale. Një zëdhënës i qytetit bëri të ditur se shkolla ka rreth 1.780 nxënës.

    LEXONI EDHE:

    Theret me thikë një mësuese në Gjermani, Bild: Sulmuesi dyshohet se është një 18 vjeçar nga Kosova

  • Rekord historik: 3 milionë pasagjerë në Aeroportin e Prishtinës deri në gusht

    Rekord historik: 3 milionë pasagjerë në Aeroportin e Prishtinës deri në gusht

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve dhe zgjerim të hartës së destinacioneve.

    Vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2025, përmes aeroportit kanë udhëtuar rreth 3 milionë pasagjerë, një rritje prej 16% krahasuar me vitin e kaluar. Gushti ka rezultuar muaj historik, me gjysmë milioni udhëtarë, shifër që konsiderohet rekord.

    Nga 1 tetori, pritet të nisë edhe linja e re direkte për në Xheda të Arabisë Saudite, duke e pasuruar listën e destinacioneve ndërkombëtare. Vetëm pak muaj më parë, aeroporti shtoi linja të reja për në Paris dhe Lion të Francës, ndërsa gjatë shtatorit fluturimet drejt Lionit do të realizohen edhe nga një kompani tjetër ajrore.

    Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka theksuar se pavarësisht fluksit të madh të udhëtarëve, nuk ka pasur vonesa apo anulime fluturimesh, falë implementimit të shërbimit auto check-in, i cili ka shmangur radhët e gjata.

    Në vitin 2024, aeroporti u mbyll me mbi 4 milionë pasagjerë, ndërsa për këtë vit pritet që numri të arrijë në mbi 4.5 milionë udhëtarë.

  • Aksion kundër fajdesë në Prishtinë, bastisen disa lokacione

    Aksion kundër fajdesë në Prishtinë, bastisen disa lokacione

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë relevante dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar një aksion policor në Prishtinë, duke zbatuar urdhër-kontroll të lëshuar nga gjykata.

    Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bastisjet janë kryer në vendbanimet e personave të dyshuar, në lidhje me veprat penale fajde dhe shpëlarje parash.

    “Operacioni Policor është realizuar mbi dyshimet për veprat penale Fajdeja dhe Shpërlarja e Parave. Pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë.”, tha Kelani për Sinjalin.

  • Osmani: Nënë Tereza ishte zëri i të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve – rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz

    Osmani: Nënë Tereza ishte zëri i të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve – rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar trashëgiminë e Shën Terezës përmes një postimi në Facebook, duke theksuar ndikimin global dhe humanin e veprës së saj, raporton Gazeta Sinjali.

    Osmani theksoi se Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.

    “Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore“, thuhet mes të tjerash.