ATV

Tag: Ballina

  • Zjarret e 2023-ës paralizuan laboratorët e IML-së, mbi 700 raste në pritje

    Zjarret e 2023-ës paralizuan laboratorët e IML-së, mbi 700 raste në pritje

    Më shumë se 700 raste, gati gjysma prej tyre vdekje të dyshimta dhe vrasje, po presin analizat laboratorike në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili prej më shumë se tri vitesh është jashtë funksionit. Shërbimet e laboratorit dhe të rëntgenit u paralizuan pasi Instituti, në vitin 2023, u përfshi dy herë radhazi nga zjarri.

    Volumi i rasteve në pritje për kompletimin e autopsive të vdekjeve të dyshimta apo vrasjeve ka arritur në më shumë se 700 në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Këto ekzaminime thelbësore mbeten në pritje, ngase prej më shumë se tri vitesh, kur dy zjarre përfshinë ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore, laboratori dhe rëntgeni kanë mbetur jashtë funksionit.

    Përderisa autopsitë po kryhen në një dhomë të improvizuar, analizat e toksikologjisë, histopatologjisë dhe radiografisë nuk po mund të realizohen, pasi renovimi i sallës së ekzaminimit po zgjat prej vitesh.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Agron Thaçi, i ka thënë Radio Kosovës se renovimi pritet të përfundojë më së largu javën e ardhshme.

    “Në pritje janë më shumë se 700 raste, nga të cilat rreth 300 janë raste për të cilat Prokuroria ka kërkuar ekzaminim të plotë”, ka thënë Thaçi.

    “Pas përfundimit të punimeve, do të realizohen procedurat e testimit dhe kalibrimit të pajisjeve laboratorike, të cilat janë parakusht për vënien në funksion të laboratorëve të toksikologjisë, histopatologjisë dhe radiografisë”, ka shtuar ai.

    Vetëm Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale i kanë konfirmuar Radio Kosovës se janë në pritje të kompletimit të 200 autopsive për shkak të mungesës së laboratorit dhe rëntgenit.

    Thaçi ka shtuar se, sapo të rifillojë kryerja e analizave laboratorike, përparësi do t’u jepet mostrave që janë në pritje.

    Ministria e Drejtësisë nuk është përgjigjur në kërkesën për raportin hetimor lidhur me zjarret në Institutin e Mjekësisë Ligjore, të cilat ndodhën pak kohë pasi, në dhjetor të vitit 2022, u raportua se 12 mostra që lidheshin me vdekjen në burg të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ishin zhdukur nga laboratori i toksikologjisë, ndërsa më pas rezultoi se ato nuk kishin humbur.

    Për mostrat dhe për zjarret kishte nisur hetime Prokuroria Speciale, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat për këtë çështje./RTK/

  • Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon tarifat e reja

    Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon tarifat e reja

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat vlejnë për datën 16 korrik 2026.

    Sipas vendimit të ri, nafta (dizeli) është shtrenjtuar për 2 cent krahasuar me një ditë më parë, duke arritur në 1.56 euro për litër.

    Çmimet maksimale janë:

    • Nafta (dizeli): 1.56 euro/litër (+2 cent);
    • Benzina: 1.40 euro/litër;
    • Gazi: 0.60 euro/litër.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Komandanti i KFOR-it pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, në fokus situata e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, në fokus situata e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

    Gjatë takimit, palët diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave ndërkombëtare në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutash prezantoi vlerësimin e tij për zhvillimet e fundit në rajon dhe ritheksoi përkushtimin e misionit për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Po ashtu, në takim u diskutuan prioritetet kryesore të KFOR-it dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për përmbushjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë.

    KFOR theksoi se vazhdon ta kryejë misionin e tij në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    Në njoftim u rikujtua gjithashtu se KFOR vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë.

  • Kurti hap derën për gazin amerikan: Po e shqyrtojmë mundësinë

    Kurti hap derën për gazin amerikan: Po e shqyrtojmë mundësinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vendi po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një bashkëpunimi me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës.

    Kurti këtë e deklaroi gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 105 megavatësh në Kramovik të Rahovecit, ku foli për projektet energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit.

    “Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha Kurti.

    Ai theksoi se krahas rritjes së prodhimit vendor të energjisë, Kosova po punon edhe në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe në forcimin e sigurisë energjetike.

    Gjatë fjalimit, Kurti përmendi edhe projektet e tjera në sektorin e energjisë, përfshirë ankandin për energji nga era me kapacitet deri në 100 megavat, si dhe parkun e erës në Selac me kapacitet 70 megavat, i cili sipas tij është afër përfundimit.

    Ai bëri të ditur gjithashtu se po vazhdojnë përgatitjet për ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë, projekt i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) përmes një granti prej 202 milionë dollarësh.

    Sipas Kurtit, në një kohë të pasigurive gjeopolitike dhe ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, zhvillimi i kapaciteteve vendore dhe diversifikimi i furnizimit me energji janë të rëndësishme për sigurinë ekonomike dhe kombëtare të Kosovës.

  • AAB udhëheq arsimin privat në rajon: Mbi 60 programe studimi për profesionet e së ardhmes

    AAB udhëheq arsimin privat në rajon: Mbi 60 programe studimi për profesionet e së ardhmes

    Kolegji AAB vazhdon të forcojë pozitën e tij si një nga institucionet më të mëdha dhe më të kërkuara të arsimit të lartë privat në rajon, duke ofruar mbi 60 programe studimi të ndërtuara në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet më të fundit profesionale e teknologjike.

    Oferta akademike e AAB-së përfshin një gamë të gjerë programesh në shkenca kompjuterike, inteligjencë artificiale, programim, siguri kibernetike, fintech, marketing digjital, ekonomi, drejtësi, komunikim masiv, produksion medial, psikologji, shkenca sociale, gjuhë të huaja, arte, arkitekturë, sport dhe shkenca shëndetësore.

    Në fokus të zhvillimit të programeve të reja janë profesionet që po formësojnë të ardhmen. Studentët kanë mundësi të zgjedhin drejtime që ndërthurin njohuritë akademike me aftësitë praktike, teknologjinë, inovacionin dhe përgatitjen e drejtpërdrejtë për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.

    Përmes laboratorëve modernë, praktikës profesionale, projekteve konkrete dhe bashkëpunimit me institucione e kompani të ndryshme, studentët e AAB-së përgatiten që gjatë studimeve të krijojnë përvojën e nevojshme për karrierën e tyre.

    AAB mbetet zgjedhje e mijëra maturantëve dhe studentëve, jo vetëm për numrin e madh të programeve, por edhe për mundësitë që ofron në zhvillim profesional, inovacion, mobilitet ndërkombëtar dhe punësim.
    Regjistrimet për vitin e ri akademik janë të hapura, ndërsa kandidatët mund të informohen nga afër për programet, kriteret e regjistrimit dhe mundësitë financiare në Qendrën për Regjistrim të Kolegjit AAB.

    Apliko online: https://applyonline.aab-edu.net/
    Informata: 048 999 006

    AAB – mbi 60 programe studimi për profesionet e së ardhmes.

  • Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së

    Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së

    Delegatët e LDK-së, i kanë dorëzuar sot në zyrën qendrore të partisë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

    Iniciativa për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, ka nisur nga figura brenda këtij subjekti që janë të pakënaqura me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Nëshkrimet janë dorëzuar në zyret e partisë nga Armend Zemaj dhe Florian Dushi.

    Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, janë shoqëruar me replika mes figurave drejtuese të partisë.

    Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë, dega në Rahovec, kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë në nivel qendror.

    Ata kanë kërkuar që përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të bartet nga udhëheqja e partisë.

  • Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka intervistuar kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçin, rreth hetimeve që ky institucion po i bën lidhur me shpronësimet në fshatin Shipitullë.

    Për këtë, janë deklaruar edhe Thaçi edhe Prokuroria Speciale, ani pse, me deklarime të ndryshme sa i përket intervistimit.

    Thaçi, ishte i pari që iu drejtua mediave, kur ndër tjerash, pasi u pyet se në çfarë cilësie u intervistua, tha se, ai u morr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

    “Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha mes tjerash kryetari i Obiliqit.

    Megjithatë, ndryshe u deklarua Prokuroria. Nga këta të fundit për Gazetën Express, thanë se Thaçi u mor në pyetje në cilësinë e të pandehurit.

    ‘’Mund të konfrimojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.

  • Gashi pranon zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit: Do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit

    Gashi pranon zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit: Do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka pranuar sot zyrtarisht detyrën në këtë pozitë nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, Gashi tha se do u shërbejë të gjithëve dhe bashkarisht do punohet në forcimin e sundimit të ligjit.

    “Sapo e pranova detyrën nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zoti Qalaj. Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit”, u shpreh ai.

  • Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, sot do ta pranojnë detyrën e re nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka njoftuar zyra e këtij institucioni.

    “Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhen në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dje ka dekretuar Gashin, duke ia përshkruar edhe rolin që ai duhet ta ketë.

    “Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, ka shkruar dje Haxhiu./Express/

  • Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Kosova e ka shpallur non grata Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë.

    Kjo pasi ajo ka deklaruar se “po të ishte në vend të Millosheviqit do të spastronte etnikisht Kosovën’.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se ka nxjerr vendim përmes së cilit Snezana Paunović shpalet person non grata.

    Postimi i plotë:

    Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit.

    Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.

    Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës.

    Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

    Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.