ATV

Tag: Ballina

  • Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Eparkisë Rashkë-Prizren, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se ky institucion ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

    Në reagimin e publikuar të premten, Policia e Kosovës ka thënë se këto pretendime “nuk mbështeten në fakte” dhe nuk pasqyrojnë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.

    “Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagimin e PK-së.

    Sipas Policisë, institucioni funksionon mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.

    “Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb”, thuhet në njoftim.

    Policia ka theksuar se çdo veprim i saj bazohet në ligj dhe në përgjegjësinë individuale, duke mohuar se vepron mbi baza etnike, fetare apo politike.

    “Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, ka deklaruar PK-ja.

    Policia e Kosovës ka folur edhe për ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, duke thënë se ajo është zhvilluar pa pengesa dhe ndërhyrje nga ana e policisë.

    “Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.

    Sipas PK-së, veprimet e ndërmarra pas ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve apo identitetit serb, por ndaj personave për të cilët, sipas saj, kishte dyshime për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik.

    “Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç”, ka bërë të ditur Policia.

    PK publikon të dhëna për sigurinë e objekteve fetare

    Në reagim, Policia ka prezantuar edhe të dhëna për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke thënë se aktualisht 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarë të saj.

    “Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK), e cila përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Sipas PK-së, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, prej të cilave 16 raste ose 30 për qind kanë ndodhur në objekte ortodokse.

    Në vitin 2025 janë evidentuar 35 raste, prej të cilave 10 ose 29 për qind në objekte ortodokse, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, prej të cilave 5 raste ose 15 për qind në objekte ortodokse.

    Policia ka thënë se shumica e rasteve lidhen me përftime pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në ruajtjen e sigurisë publike.

  • Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet që mori

    Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet që mori

    Zyra për Media e Kryeministrisë ka mbajtur sot një mbledhje online, ku janë marrë disa vendime.

    Vendimi i parë ka të bëjë më dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të tokave të Agjencisë Pyjore për nevojat e KRU-së.

    “Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës, për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh. A., me qëllim të realizimit të projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm, për Komunën e Leposaviqit”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu është miratuar vendimi për ndarjen e mbi 250 mijë eurove për Luginën, për pajisje me libra shkollore.

    “Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 255,153.45€ (dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë e tre euro e dyzet e pesë cent), për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë, që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026”, njofton ZKM.

    Në fund thuhet se gjithashtu është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000€ për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, të cilat kontribuojnë në promovimin e Republikës së Kosovë, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekosistemit vendor, si dhe në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës përmes organizimit të iniciativave dhe eventeve të njohura globale në këto fusha.

    Mjetet ndahen për organizatat, si në vijim:

    FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro); dhe

    ICK – (Inovation Center Kosovo), ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro).

  • Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova ka rritur ndjeshëm importin e energjisë elektrike gjatë muajit maj 2026, ndërsa në të njëjtën kohë ka shënuar rënie të theksuar të prodhimit vendor nga termocentralet, tregojnë të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas raportit, importi i energjisë elektrike arriti në 422.31 GWh, duke shënuar rritje prej 41.29 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

    Në të njëjtën periudhë, prodhimi bruto i energjisë nga termocentralet ra në 178.48 GWh, ose 45.40 për qind më pak se një vit më parë, raporton Gazeta10.

    Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet u rrit me 51.38 për qind, duke arritur në 49.22 GWh, ndërsa prodhimi nga era dhe panelet solare shënoi rritje prej 8.25 për qind, në 39.30 GWh. Megjithatë, këto rritje nuk mjaftuan për të kompensuar rënien e prodhimit nga termocentralet.

    ASK bën të ditur se konsumi i energjisë elektrike gjatë muajit maj arriti në 398.66 GWh, duke u rritur për 8.88 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa energjia elektrike bruto në dispozicion mbeti pothuajse në të njëjtin nivel, me një rënie të lehtë prej 0.41 për qind.

    Raporti tregon gjithashtu se prodhimi i thëngjillit ra me 37.25 për qind, në rreth 301 mijë tonë, ndërsa eksporti i energjisë elektrike shënoi një rënie të lehtë prej 1.58 për qind, duke arritur në 205.27 GWh.

  • Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

    Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

    Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj kryesore pa institucione të qëndrueshme, thotë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëron se ngërçi politik po e dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.

    Hovenier thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete për Kosovën.

    Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështjet e energjisë dhe të komunitetit serb, nëse synon ta rikthejë marrëdhënien me administratën e presidentit Donald Trump.

    Ai thekson se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”.

    “Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, thotë Hovenier.

    I pyetur se kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual, ai tha “Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës.

    Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja.

    Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale. Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.

    Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim”.

  • Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive do të mbahet në javën e parë të muajit gusht.

    Gjatë deklarimit të saj, Haxhiu dha edhe një premtim se së shpejti do të bëhet publike data dhe ora e mbajtjes së seancës.

    “Do të ketë seancë në javën e parë të gushtit. Ju premtoj që javën e ardhshme do të tregojmë datën dhe orën”, deklaroi Haxhiu.

    Më herët, Presidenca kishte njoftuar se Haxhiu ka vendosur që ta caktojë seancën konstituive afër fundit të afatit ligjor, i cili përfundon më 7 gusht.

    Sipas Presidencës, ky vendim është marrë me qëllim që t’u lihet kohë partive politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

  • Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Shtetasi kosovar, Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë kishte qenë duke u kthyer nga Medvegja në Prishtinë.

    Familjarë dhe miq të Osmanit kanë bërë apel për ndihmë teksa potencojnë se akuzat ndaj Selmanit për krime lufte janë të pabazuara pasi ‘gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, ai ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar’.

    “Sipas të gjitha informacioneve që disponojmë, gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, Osman Selmani ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar”, shkruhet në apel.

    Kujtojmë se Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ai u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.

  • Dorëzohet padi për anulimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan

    Dorëzohet padi për anulimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan

    Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, Pishtarët, EcoZ dhe Gjethi, me 16 korrik 2026, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Administrative në Prishtinë kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor (MMPH), për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet Deçani dhe Belaja, të publikuara më 16 qershor 2026.

    Në njoftimin e GLPS-së thuhet se padia lidhet me procedurën për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan. Megjithatë, rëndësia e saj shkon shumë përtej këtij rasti. Ky nuk është vetëm një rast për dy leje mjedisore. Ai ka të bëjë me mënyrën se si institucionet marrin vendime dhe me të drejtën e qytetarëve për të ditur nëse zëri i tyre është dëgjuar dhe është marrë seriozisht në konsideratë.

    Përmes kësaj padie, organizatat kërkojnë që gjykata të sqarojë një çështje me rëndësi për çdo qytetar: A përfundon pjesëmarrja publike me dorëzimin e komenteve, apo institucionet kanë detyrimin t’i shqyrtojnë ato, të shpjegojnë si janë marrë në konsideratë dhe si kanë ndikuar në vendimin që marrin?

    “Për vite me radhë, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan që publiku të ketë të drejtë të marrë pjesë në procedurat për lejet mjedisore. Kjo kërkesë lindi pas rastit të lëshimit të lejeve për hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit në vitin 2020.Këto kërkesa u mbështetën edhe nga ministrja e sotme e Mjedisit në atë kohë si deputete dhe me pastaj kryesuese e Komisionit Parlamentar për Mjedis.

    Në vitin 2024, 50 organizata të shoqërisë civile iu drejtuan me një letër të hapur Kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Lejet Mjedisore dhe garantimin e pjesëmarrjes së publikut në këto procedura për të i dhënë fund vendimeve arbitrare në Ministrinë e Mjedisit”, thuhet tutje.

    Në njoftim më tej thuhet se këto përpjekje çuan në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ në vitin 2025, duke krijuar për herë të parë një procedurë të qartë për pjesëmarrjen e publikut. Rasti i vazhdimit të lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan në Prill-Maj 2026 ishte një nga rastet e para ku këto ndryshime duhej të zbatoheshin në praktikë.

    “Duke besuar në këtë të drejtë, organizatat dhe aktivistët dorëzuan komente, analiza teknike dhe prova që ngritën çështje serioze lidhur me procedurën. Po ashtu, publikut nuk iu dha qasje në kohën e duhur në dokumente dhe informata me rëndësi, duke e bërë të pamundur një pjesëmarrje të plotë dhe të informuar. Përkundër se Ministria ishte në dijeni se procesi nuk po zhvillohej sipas ligjit, ajo vazhdoi me lëshimin e lejeve mjedisore për HC Deçani dhe HC Belaja pa u përgjigjur dhe pa i marrë në konsiderate komentet dhe provat e dorëzuara nga publiku.

    Për organizatat, thelbi i këtij rasti është i thjeshtë. Nëse qytetarët japin komente, paraqesin prova për mjedisin ku jetojnë, por institucionet nuk i marrin në konsideratë, atëherë cili është kuptimi i konsultimit publik?

    Përmes kësaj padie, organizatat kërkojnë që gjykata të anulojë lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani dhe ta kthejë procedurën në pikën ku u shkel e drejta e publikut. Ato kërkojnë që Ministria të zhvillojë një konsultim publik të ri, duke i bërë të qasshme në kohën e duhur të gjitha dokumentet dhe informacionet me rëndësi dhe duke treguar në mënyrë të arsyetuar se si komentet dhe provat e qytetarëve janë marrë në konsideratë përpara marrjes së vendimit.

    Si paditës besojmë se kjo është një mundësi që Gjykata të vendosë një standard për mënyrën se si institucionet marrin vendime, respektojnë procedurat dhe nuk ua mohojnë qytetarëve pjesëmarrjen në vendimmarrjen mjedisore si e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

  • Deklarata skandaloze e ministres serbe: Sot kallëzim penal në Speciale, kërkohet urdhërarrest

    Deklarata skandaloze e ministres serbe: Sot kallëzim penal në Speciale, kërkohet urdhërarrest

    Sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës do të dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres së Administratës Shtetërore në Serbi, Snezana Paunoviq, lidhur me deklaratat për ‘spastrim etnik në Kosovë’

    Avokati Gent Gjini ka bërë të ditur se përmes këtij kallëzimi penal do të kërkohet fletarrestim ndërkombëtar nga Interpolit.

    Sipas tij, deklaratat e ministres përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.

    Avokati deklaron se deklarata e Paunoviqit, që thënë se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” është skandaloze dhe e rrezikshme.

    Gjini vlerëson se, për shkak të pozitës së saj si pjesë e qeverisë së Serbisë, ministrja paraqet rrezik potencial për sigurinë e popullatës shqiptare në Kosovë.

    Avokati ka bërë të ditur se përveç Prokurorisë Speciale, një kopje e kallëzimit penal do t’u dorëzohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, si dhe zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

  • Haga kundërshton lirimin e Kadri Veselit: Po veprojmë më shumë shpejtësi për ta nxjerrë aktgjykimin pa vonesa

    Haga kundërshton lirimin e Kadri Veselit: Po veprojmë më shumë shpejtësi për ta nxjerrë aktgjykimin pa vonesa

    Trupi Gjykues ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirimin e përkohshëm të tij, shkruan Gazeta Express.

    Në vendim, trupi gjykues ka thënë se sipas praktikave ndërkombëtare, koha mesatare në tribunale penale ndërkombëtare për të nxjerrë aktgjykimin është 395.2 ditë dhe kanë thënë se po punojnë që aktgjykimi të shpallet pa vonesa.

    “Trupi Gjykues pranon se z. Veseli ndodhet në paraburgim prej një periudhe të konsiderueshme kohore dhe se gjykimi në këtë çështje ka qenë i gjatë. Siç ka theksuar edhe më parë, Trupi Gjykues po vepron me sa më shumë shpejtësi që është e mundur për ta nxjerrë aktgjykimin pa vonesa të panevojshme.Trupi Gjykues vëren se koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin dhe hartimin e aktgjykimeve në tribunalet penale ndërkombëtare dhe të ndërkombëtarizuara që kanë trajtuar çështje të kësaj natyre ka qenë 395.2 ditë. Gjithashtu, ai thekson se Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vendosur si objektiv që aktgjykimet e shkallës së parë të jepen brenda 10 muajve nga data e deklaratave përmbyllëse”, thuhet në vendim.

    Mbrojtja e Veselit në kërkesën për lirim të përkohshëm kanë përmendur edhe çështjet familjare e emocionale, duke thënë se procedurat për vizitat familjare në Hagë po iu kushtojnë familjarëve kohë dhe para.

  • Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendhsme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, mbi spastrimin etnik të Kosovës.

    Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai ka kërkuar një reagim më të madh nga Shqipëria.

    “Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë”, tha Sveçla në këtë intervistë.

    Ai shtoi se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv.

    “Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e grupit të miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha ministri në detyrë i Brendshëm.