ATV

Tag: Ballina

  • Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje pas arrestimit të Fatmir Shehollit për spiunazh.

    Në njoftim thuhet se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.

    “I dyshuari F.SH është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.

    Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë.

  • Trump: Izraeli dhe Hamasi, dakord për fazën e parë të planit të paqes

    Trump: Izraeli dhe Hamasi, dakord për fazën e parë të planit të paqes

    Donald Trump ka bërë me dije se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit tonë të paqes”, tha Trump nëpërmjet platformës Truth Social.

    “Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakordësuar, si hapat e parë drejt një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme”, shtoi Presidenti amerikan.

    Donald Trump shtoi për mediat amerikane se pengjet e mbajtura në Gaza ka të ngjarë të lirohen të hënën, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.

    “Pengjet do të lirohen, ndoshta të hënën… Tani për tani, po ndodhin shumë gjëra me lirimin e pengjeve dhe ne besojmë se të gjithë do të kthehen të hënën, përfshirë edhe trupat e të vdekurve”, deklaroi Trump.

    Deklarata erdhi disa orë pasi Trump njoftoi zyrtarisht marrëveshjen midis dy palëve, e cila përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.

  • Fatmir Sheholli arrestohet nën dyshimet për spiunazh

    Fatmir Sheholli arrestohet nën dyshimet për spiunazh

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar Fatmir Sheholli, i dyshuar për spiunazh.

    Sveçla ka shkruar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar ai.

    Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Sheholli është arrestuar pas hetimeve disa mujore.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sheholli ka qenë i ftuar herë pas here në televizionet e Kosovës në rolin e analistit politik. Ai është drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë. Ishte ftuar për dëshmi edhe nga Gjykata Speciale.

    Në paraqitjet publike, ai ka pohuar se ka punuar në Shërbimin e Sigurimit të Serbisë (UDB) dhe pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

  • Gjykata thirrje deputetëve: Çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi bie ndesh me frymën e Kushtetutës

    Gjykata thirrje deputetëve: Çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi bie ndesh me frymën e Kushtetutës

    Gjykata Kushtetuese po u bënë thirrje deputetëve të kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas Ligjeve të Republikës.

    Sipas aktvendimit të saj të plotë të nxjerrë sot për publikun, thuhet se çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

    ”Gjykata përsërit që përderisa funksionimi demokratik i institucioneve shtetërore është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike, të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizim publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar. Sipas Gjykatës çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës (shih, rastin e Gjykatës KO72/20, parashtrues Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i 30 prillit 2020, paragrafët 476-478 dhe KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 107)”.

    Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

     

  • Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

    Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit.

    Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.

    “Ashtu siç u theksua më lart, përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti Serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    “TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.

    Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    “Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.

    Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    https://api.webgjk-ks.org/Custom/e42461bd-a4ef-4845-b9f7-2e6b86518586.pdf?fbclid=IwY2xjawNTRlRleHRuA2FlbQIxMABicmlkETF4VVV5Q1JSRm9HcERmRTZ4AR7cBGR1tCLvtSoMrxKM1bvG33ZUKcLVcZrMuCaIFOMF5WcYbrCln5cuWXuvNA_aem_GfA74UBPFQ1Dm029hPTeJw

  • Ish-polici Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasjen e kolegut të tij, Lirim Haxholli, në Zllatar të Prishtinës në vitin 2022

    Ish-polici Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasjen e kolegut të tij, Lirim Haxholli, në Zllatar të Prishtinës në vitin 2022

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmetit, lidhur me akuzën për vrasjen e policit në Zllatar.

    Ai u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”.

    Në këtë rast, Fatlum Mehmeti akuzohej se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

    Ndaj Mehmetit u caktua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

    Të akuzuarit Mehmeti me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

    Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pasi vendimi të marrë formën e prerë.

    Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

    Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohej se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

    Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

    Andaj, me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

  • Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutas.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vendin tonë.

    “Diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

  • ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me mundësitë e formimit të qeverisë së përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e tij e koalicionit, Mimoza Kusari-Lila.

    Kurti heshti derisa u pyet në lidhje edhe me angazhimin e tij për formimit të qeverisë së re. Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve të reja.

    Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

  • Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Një person është arrestuar të martën në Prishtinë në lidhje me një rast të vrasjes në tentativë, që kishte ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet..

    Policia ka njoftuar se i dyshuari është një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet që prej pranverës së këtij viti.

    Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur në mbrëmjen e 23 prillit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë.

    Hetimet intensive të zhvilluara nga njësitet përkatëse policore kanë çuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit pas më shumë se pesë muajsh.

    Pas ndalimit, i dyshuari është intervistuar në stacionin policor në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Pejë: Djali rrah dhe ofendon nënën e tij, dërgohet në psikiatri

    Pejë: Djali rrah dhe ofendon nënën e tij, dërgohet në psikiatri

    Një person është arrestuar në Pejë pasi që e ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor rreth orës 23:30. Viktima ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e marra gjatë sulmit.

    Në deklaratën e saj, viktima ka raportuar se i biri vuan nga çrregullime mendore. Bazuar në këtë informacion dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në Repartin e Psikiatrisë për trajtim të mëtejshëm.

    Policia po vazhdon hetimet lidhur me rastin.