ATV

Tag: Ballina

  • NATO-ja deklarohet për dronët e Kosovës nga Turqia

    NATO-ja deklarohet për dronët e Kosovës nga Turqia

    Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore të Kosovës të bëhet në bashkërendim të duhur me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i parandaluar tensionet dhe për të garantuar siguri, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore.

    Autoritetet kosovare njoftuan më 8 tetor se pranuan “mijëra” dronë luftarakë nga Turqia, duke nxitur reagime të ashpra nga fqinji verior, Serbia.

    Zyrtari i NATO-s e vlerësoi Turqinë si kontribuuese të kamotshme në misionin e udhëhequr nga ajo në Kosovë, KFOR, dhe në stabilitetin rajonal.

    Por, ai nuk deshi t’i përgjigjej pyetjes së REL-it se në çfarë rrethanash Kosovës mund t’i lejohet që t’i përdorë këta dronë, duke ditur se vetëm misioni i udhëhequr nga NATO-ja e ka autoritetin mbi hapësirën ajrore të saj, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “KFOR-i mbikëqyr rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe burimet që ka në dispozicion, në përputhje me autoritetin dhe mandatin e saj ekzistues, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha zyrtari i NATO-s.

    Ai theksoi se KFOR-i mbetet i përfshirë “ngushtë në këtë çështje të rëndësishme dhe është në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me forcat e armatosura të Serbisë, për këtë qëllim”.

    KFOR-i, gjithashtu, është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

    Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete.

    “Kosova duhet të ketë kapacitete për t’u mbrojtur”

    Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, tha për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht se Kosova nuk e ka autoritetin mbi hapësirën e vet ajrore, ajo duhet t’i zhvillojë kapacitetet e mbrojtjes.

    “Kjo është njëfarë gare në armatim që po zhvillohet në rajon, ku unë mendoj që është e pritshme që Kosova të reagojë në një garë të tillë, për shkak se siguria territoriale e saj është e cenuar në mënyrë të hapur nga një shtet fqinj”, tha Vrajolli, duke iu referuar pretendimeve të zyrtarëve kosovarë për shkelje me dronë nga Serbia.

    Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë. Por, ata nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo se kur saktësisht kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.

    KFOR-i, në anën tjetër, i tha Radios Evropa e Lirë, më 26 shtator, se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonte në sigurinë e gjithë vendit.

    Vrajolli i tha REL-it se ky investim i Kosovës nuk është “jashtë kontekstit rajonal dhe global”, duke i parë edhe shkeljet e dyshuara me dronë rusë në Evropën Lindore javët e fundit.

    “Këta janë dronë mbrojtës, pra nëse dikush vjen dhe e sulmon Kosovën, këta dronë përdoren për veprime të tilla, dhe nuk kanë synim për të hyrë në territorin e kujtdo për të kryer operacione të ndryshme”, shtoi ai.

    Ai beson se qëllimi i Kosovës është mbrojtja dhe jo shënjestrimi i ndonjë vendi.

    “KFOR-i është trup jo shumë i madh dhe ky mision jo medoemos e ka teknologjinë më të avancuar, për shkak se Kosova akoma nuk shihet nga NATO-ja si vend i rrezikut të drejtpërdrejtë… Prandaj institucionet e Kosovës duhet ta rrisin kapacitetin për t’i luftuar këta dronë”.

    Ai shtoi: “Kosova ka shumë më shumë nevojë të zhvillojë teknologji që i verën dhe i deaktivizon këta dronë, sepse Kosova mund të përballet edhe me sulme terroriste me dronë, e realisht nuk e di sa kemi kapacitete që të ballafaqohemi me kërcënime të tilla”.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e akuzoi Turqinë – njërën prej anëtarëve më të fuqishme të NATO-s – se e “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se është i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe pretendoi se ajo e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    “Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, tha presidenti serb përmes një postimi në X.

    Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se, pas dërgimit të dronëve turq në Kosovë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq e ka zhvilluar një bisedë telefonike urgjente me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

    Në komunikatën për media u se gjatë bisedës me komandantin e KFOR-it, Mojsilloviq ka shprehur protestë të ashpër kundër “vazhdimit të armatosjes së Kosovës”.

    Çfarë është droni Skydagger RTF?

    Kosova pranoi dronë të llojit Skydagger RTF 7 dhe Skydagger RTF 15, sipas zyrtarëve të vendit. Ata thanë se pranuan “mijëra” sosh, pa treguar saktësisht sa.

    Vranjolli tha se dronët Skydagger RTF nuk janë dronë sulmues, por mbrojtës dhe se Kosova i ka marrë këta dronë për mbrojtjen, dhe sektori i mbrojtjes është “hipotetik”.

    “Shpresojmë se nuk do të kemi nevojë t’i përdorim këta dronë, për shkak se këta janë dronë shkatërrues, por nëse ndodh që Kosova të përballet me ndonjë sulm të jashtëm, atëherë Kosova duhet të ketë kapacitete për t’u mbrojtur”, tha ai.

    Skydagger RTF është dron “i gatshëm për fluturim”, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme, megjithëse ka edhe aplikime profesionale si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.

    RTF nënkupton se droni është plotësisht i montuar dhe i përfshin të gjithë komponentët e nevojshëm, si vetë droni: një transmetues radioje, një marrës dhe bateritë, duke e bërë atë të gatshëm menjëherë për fluturim sapo të blihet.

    Droni Skydagger RTF 7 mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130 kilometrash në orë, në largësi maksimale deri në 10 kilometra, ngjashëm sikurse ai RTF 15.

    Por, i ngarkuar maksimalisht 2 kilogramë, ky dron RTF 7 mund të fluturojë maksimalisht 12 minuta, ndërsa pa ngarkesë 20 minuta. Ndërsa, droni Skydagger RTF 15 mund të fluturojë maksimalisht 14 minuta me ngarkesë maksimale 5 kilogramë, ndërsa pa ngarkesë 36 minuta.

    Çfarë pajisjesh tjera i posedon Kosova?

    Në gusht të këtij viti, Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) – e cila është në proces të transformimit në ushtri – është pajisur edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara.

    Vitin e kaluar, ajo ka paraqitur kërkesë për t’i blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.

    Kosova ka blerë edhe një flotë të dronëve turq, Bayraktar, në vitin 2023.

    Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes – këtë vit ka arritur në 207.8 milionë euro.

    FSK-ja stërvitet vazhdimisht në bazat amerikane dhe evropiane, dhe gjithashtu merr pjesë në ushtrime shumëkombëshe si “Defender Europe”.

    Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve./REL

  • Presidentja Osmani mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së Kosovës

    Presidentja Osmani mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

    Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

    Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues./ATVLIVE/

  • Arrestohet një person për rrëmbim në Gjilan, viktima arriti të largohej nga një vilë

    Arrestohet një person për rrëmbim në Gjilan, viktima arriti të largohej nga një vilë

    Një person është arrestuar të premten në Gjilan, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në rrëmbimin e një personi tjetër.

    Ngjarje kjo e ndodhur në mbrëmjen e së martës.

    I dyshuari ishte në kërkim nga autoritetet për tri ditë me radhë, derisa u arrit lokalizimi dhe ndalimi i tij.

    Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në një vilë.

    Pas një kohe, viktima kishte arritur të largohej nga vendi ku po mbahej dhe si pasojë e lëndimeve të marra, ka pranuar trajtim mjekësor.

    Pas identifikimit dhe arrestimit nga njësitet policore, i dyshuari është dërguar në stacion policor për intervistim, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • KQZ thirrje votuesve: Në këtë platformë mund ta gjeni qendrën ku do të votoni

    KQZ thirrje votuesve: Në këtë platformë mund ta gjeni qendrën ku do të votoni

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku është caktuar të votojë.

    Për t’u qasur në platformën e KQZ-së, votuesi duhet të shënojë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes. Pas kësaj menjëherë do të hapet një faqe e re që do të shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë, e cila mund të shikohet përmes GoogleMap.

    Çdo votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i caktuar, pasi në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë.

    Gjithashtu, edhe votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mundësohet në qendrën e veçantë për votim me kusht e cila është caktuar nga KQZ.

    Në çdo komunë, KQZ ka caktuar nga një Qendër Votimit për mundësimin e votimit me kusht./ATVLIVE/

  • KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po finalizon përgatitjet për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor. Sot, e shtunë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha vendvotimet.

    “Ju njoftojmë se nesër (e shtunë, 11 tetor 2025, ora 08:00) nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor për Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025”, thuhet në njoftiimin e KQZ-së.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Vendvotimet pritet të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në orën 19:00. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për komunën e tyre, si dhe për një asamblist të kuvendit përkatës komunal.

    Për të mundësuar votimin me kusht në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, në çdo komunë është caktuar nga një qendër votimi.

    Sipas KQZ-së më 12 tetor, do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Në Zgjedhjet Lokale votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi.

  • Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:40 në rrugën “Liqeni” në Mitrovicën e Jugut, ku pas një aksidenti mes dy veturave, një person ka humbur jetën si dhe janë lënduar katër të tjerë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, i cili bëri të ditur se personi që ka humbur jetën është një 55 vjeçar.

    “Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, si pasojë e aksidentit  ka humbur jetën viktima m/k/sh rreth 55- vjeçar, ndërsa lëndime kanë  pësuar edhe katër persona tjerë.”, tha ai.

  • Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Kryeparlamentari Dimal Basha ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook lidhur me seancën e sotme, ku u zgjodh nënkryetar Nenad Rashiq. Pro Rashiqit votuan 71 deputetë, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Basha ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht, shkruan Reporteri.net.

    “Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Basha.

    Ai ka falenderuar deputetët që votuan pro Rashiq.

    “Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votat e tyre mundësuan konstituimin e plotë të Kuvendit në legjislaturën e IX-të”, thuhet në postim.

  • Ursula von der Leyen viziton Kosovën të hënën, pritet të takohet me Osmanin e Kurtin

    Ursula von der Leyen viziton Kosovën të hënën, pritet të takohet me Osmanin e Kurtin

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë turneun e saj ballkanik në fillim të javës së ardhshme, është konfirmuar nga ky institucion.

    Vizitën treditore në rajon ajo do ta fillojë të hënën, më 13 tetor, në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën, më 15 tetor, në Shkup.

    Po të mërkurën, sipas agjendës, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime bilaterale me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë, ndonëse ajo kishte vizituar gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor saktësisht një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë.

  • Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

    Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

    Sot, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Nenad Rashiq si nënkryetar të pestë të Kuvendit, përfaqësues nga komuniteti serb, duke përmbyllur kështu një proces të gjatë votimesh që dështuan për disa kandidatë të tjerë të propozuar nga Lista Serbe.

    Zgjedhja e Rashiqit erdhi pas nëntë raundesh votimi në të cilat emra të ndryshëm të propozuar nga Lista Serbe.

    Me këtë zhvillim, Kuvendi i Kosovës plotëson pesëshen e nënkryetarëve dhe i hapet rruga fazës së ardhshme për formimin e institucioneve të reja.

  • Dështojnë të gjitha propozimet e Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës

    Dështojnë të gjitha propozimet e Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës

    Të gjitha propozimet e Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar, duke bërë që deputeti Igor Simiq, si dhe kandidaturat e tjera, të mos arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

    Edhe ai, ashtu si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, nuk ka mundur të marrë shumicën e votave për këtë post.

    Me këtë, nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për t’u zgjedhur nënkryetar.

    Tani, i vetmi deputet i komunitetit serb që ka mundësi të kandidohet për këtë post është Nenad Rashiq, i cili është anëtar i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetësë, dhe jo i Listës Serbe.

    Dështimet e vazhdueshme për këtë post kanë shtyrë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e bërë më të vështirë përmbylljen e këtij procesi, i cili është i detyrueshëm sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.