ATV

Tag: Ballina

  • Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se do ta mirëprisnin një rishikim të qëndrimit të Vientamit lidhur me njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, duke nënvizuar se Kosova është një realitet i pakthyeshëm në Ballkanin Perëndimor.

    Ai kështu është shprehur gjatë pranimit të Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e Republikës Socialiste të Vietnamit në Republikën e Shqipërisë, Pham Thi Thu Huong.

    Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe tradicionale që ekzistojnë midis dy vendeve tona prej 75 vitesh, duke nënvizuar nevojën për intensifikimin e kontakteve politike, ekonomike dhe kulturore.

  • Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

    Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

    Dyfishimi i përpjekjeve diplomatike për njohjen e Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian, është një prej tri rekomandimeve të nxjerra për Britaninë e Madhe nga një raport i think-tankut “New Diplomacy Project” me disa autorë, me në krye ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, për “Rivendosjen e lidershipit britanik në Ballkanin Perëndimor”.

    Në prag të organizimit të samitit të Procesit të Berlinit në Londër, raporti nxjerr rekomandime se si duhet të veprojnë Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja për ta stabilizuar rajonin.

    Sipas raportit, të realizuar nga një grup autorësh, me në krye ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, rekomandim i parë është që Britania e Madhe të marrë një rol udhëheqës për Ballkanin Perëndimor. Raporti thekson se Britania duhet të udhëheqë krijimin e Forcës së Përbashkët për Ballkanin, të propozuar së fundmi, e që do të kishte si vende kryesore të vendosjes Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në rastin e Kosovës, kjo forcë, sipas raportit duhet të shërbejë si përkrahëse e KFOR-it. Me udhëheqjen britanike në Ballkan duhet të ketë edhe rritje të investimeve, sipas raportit.

    Pikë e dytë është vlerësuar avokimi i domosdoshëm i Britanisë për zgjerimin e NATO-s. Aty është theksuar se Britania duhet të avokojë për zgjerim të NATO-s në Ballkan, duke përfshirë Kosovën e Bosnjë-Hercegovinën. Në këtë rast si pengesë për Kosovën janë shtetet mosnjohëse. E raporti thekson nevojën që Britania të rrisë përpjekjet diplomatike dhe të punojë si pjesë e QUINT-it (krahas Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA-së) për njohjen e Kosovës, duke marrë për bazë se Spanja, Sllovakia dhe Rumania e njohin shtetin e Palestinës. Po ashtu në këtë aspekt është përmendur edhe një marrëveshje bilaterale e sigurisë mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, si sinjal për të bërë presion për pranimin e dy shteteve në NATO.

    “Britania duhet të veprojë si ndërmjetëse e ndershme në rajon”, është pika e tretë e këshillave në raport. Në këtë pjesë thuhet se Britania duhet të ndërhyjë dhe të ndikojë në zgjidhjen e “dialogut në prag të vdekjes”, Kosovë-Serbi. Aty është theksuar se Britania duhet të bëjë presion agresiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe të dyfishojë përpjekjet diplomatike për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që refuzojnë njohjen e Kosovës.

    Sfidat kryesore për Ballkanin janë vlerësuar ndikimi rus. Aty është thënë se sa i përket Kosovës, Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunuar për të nxitur krizën më të madhe të sigurisë në Evropë jashtë luftës në Ukrainë. Në këtë rast është përmendur sulmi terrorist në Banjskë nga ekstremistë të lidhur me qeverinë e Aleksandar Vuçiqit. Raporti thekson se që nga ajo kohë, Qeveria e Kosovës ka investuar në armatim si përgjigje për kërcënimet. Pavarësisht kësaj, raporti thekson se ka dallim të madh në kapacitetet ushtarake të Kosovën me Serbinë. “Teksa trupat e udhëhequra nga NATO, KFOR-i, ofrojnë shtresë shtesë parandalimi, ekziston paqartësi strategjike sa i përket mënyrës se si misioni do të reagonte ndaj një pushtimi të mundshëm territorial të Mitrovicës së Veriut nga Serbia, e mbështetur nga Rusia. Kjo ndodh sepse vetë Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe, rrjedhimisht, nuk mbrohet nga neni V i Aleancës. Për më tepër, forca paqeruajtëse e KFOR-it nuk ofron mekanizëm parandalues ndaj aktiviteteve nën pragun ushtarak, siç është ndërhyrja zgjedhore nga Serbia përmes mbështetjes aktive që i jep partisë serbe në Kosovë të përkrahur nga Beogradi, Lista Serbe”, thuhet në raport.

    Si sfida në Ballkan janë përmendur edhe ndikimi i Kinës, migrimi ilegal dhe krimi i organizuar dhe humbja e besimit në Evropë.

    Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen të mërkurën në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Londër.

    Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore./Koha

  • Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Londër për Procesin e Berlinit

    Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Londër për Procesin e Berlinit

    Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Londër për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit, së bashku edhe me udhëheqës të disa vendeve të Bashkimit Evropian, për të biseduar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

    Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do t’i mirëpresë udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së.

    osovën e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Shqipërinë kryeministri Edi Rama, Serbinë, kryeministri Gjuro Macut, Malin e Zi kryeministri Millojko Spajiq, Maqedoninë e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa Bosnjën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

    Një ditë para samitit, të martën, Mbreti britanik Charles III e organizoi një pritje për pjesëmarrësit.

    Ministria e Jashtme e Britanisë tha në një komunikatë se udhëheqësit do të bisedojnë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ku lufta kundër migracionit të paligjshëm, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës, do të theksohet si temë kyç.

    Britania pret që samiti ta forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të zbatuar strategjinë e Qeverisë për t’i forcuar kufijtë, për t’i goditur bandat dhe për t’i kthyer ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës.

    Gjithashtu, ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar po kërkon të rindërtojë marrëdhënien e saj me BE-në.

    Deri më tani, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.

  • Të shtëna, zjarr dhe arrestime para Kuvendit të Serbisë në Beograd

    Të shtëna, zjarr dhe arrestime para Kuvendit të Serbisë në Beograd

    Pak pas orës 10:00 të mëngjesit, në të ashtuquajturin “Çacilend”, përpara Kuvendit të Serbisë, shpërtheu zjarr që përfshiu disa tenda. Në pamjet që u publikuan në rrjete sociale dëgjoheshin edhe të shtëna me armë. Një person mbeti i plagosur dhe një tjetër u arrestua.

    Presidenti Aleksandar Vuçiq më vonë bëri publik emrin e sulmuesit, duke thënë se bëhet fjalë për një pensionist 70-vjeçar, ish-punonjës i Shërbimit të Sigurisë (DB). Gjatë konferencës së tij u transmetuan edhe pamje nga marrja në pyetje e të arrestuarit nga policia.

    Zjarrfikësit ndërhynë shpejt dhe zjarri u vu nën kontroll. Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, deklaroi se personi i plagosur – banor i “Çacilendit” – është në gjendje kritike për jetën dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent.

    Një numër i madh forcash policore ndodhen ende përreth kampit të tendave dhe ndërtesës së Kuvendit të Serbisë. Ndërkohë, seanca e Kuvendit është zhvilluar pa ndërprerje dhe ka përfunduar rreth orës 12:00.

  • Helmohen disa nxënës në Vitomiricë të Pejës, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

    Helmohen disa nxënës në Vitomiricë të Pejës, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

    Disa nxënës të shkollës së mesme “7 shtatori” në fshatin Vitomiricë në Pejë dyshohet se janë helmuar.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë se rasti dyshohet të ketë ndodhur pasditen e së martës.

    “Policia e ka marrë dje informatën. Disa nxënës dje masdite kanë kërkuar ndihmë në QMF në Vitomiricë, pasi dyshohet se kanë ngrënë në afërsi të një furre pranë shkollës. Nxënësit kanë pasur dhimbje barku. Kemi kontaktuar me Drejtorin dhe ai ka lajmëruar DKA-në. Është lajmëruar edhe Prokurori dhe ka caktuar hetuesit që ta hetojnë rastin”, tha Gashi.
    Ekipi i ATV-së është në terren dhe do të sjellë informata të përditësuara në edicionet e lajmeve.

  • Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë anuluar seancat e planifikuara për javën e ardhshme në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas njoftimit të “Betimi për Drejtësi”, seancat e datave 27, 28, 29 dhe 30 tetor 2025 nuk do të zhvillohen, ndërsa gjykimi do të vazhdojë më 3 nëntor. Ndërkohë, janë shtuar seanca shtesë për periudhën 17 nëntor – 11 dhjetor 2025.

    Nga ana tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj – 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174. Po ashtu, është bërë e ditur se autorizimi për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar për shkak të mbylljes së përkohshme të Qeverisë së SHBA-së, por pritet që ky dëshmitar të jetë i fundit që do të paraqitet nga mbrojtja.

    Procesi i mbrojtjes ka nisur më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, e më pas kanë dëshmuar edhe Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.

    Më 14 shtator u mbajt një protestë e madhe në Hagë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat e viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor.

    Në prill të këtij viti, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave të saj, ndërsa aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, e konfirmuar më 26 tetor 2020, ngarkon ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në disa lokacione në Kosovë.

  • Kurti i ofron Britanisë ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit në këmbim të mbështetjes për siguri

    Kurti i ofron Britanisë ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit në këmbim të mbështetjes për siguri

    Kosova është bërë vendi i parë që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Britania.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova “dëshiron të ndihmojë” Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

    Në prag të samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të mërkurën në Londër, Kurti konfirmoi se po zhvillohen bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.

    “Ne duam ta ndihmojmë Britaninë. E shohim këtë si detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka thënë ai për gazetën “The Times” të martën.

    Tri shtete të tjera të rajonit — Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina — kanë refuzuar ofertën britanike për ngritjen e qendrave të tilla. Kryeministri shqiptar Edi Rama përsëriti se “asnjëherë në Shqipëri” nuk do të pranohej një marrëveshje e tillë, ndërsa homologu malazez Milojko Spajiq u shpreh se Mali i Zi nuk është pjesë e rrugës së kontrabandës së emigrantëve në Ballkan.

    Britania po kërkon partnerë në rajon si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manche, ku këtë vit janë regjistruar rreth 37 mijë emigrantë, një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

  • Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja për shkak të bllokimit politik

    Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja për shkak të bllokimit politik

    Kosova rrezikon të mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa 61 milionë euro të parafinancimit tashmë janë humbur për shkak të bllokimit institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Njohësit e integrimeve evropiane paralajmërojnë se zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re po e dëmton seriozisht qasjen e vendit në fondet e BE-së, të cilat synojnë të mbështesin reformat ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin në rajon.

    Nga paketa prej 6 miliardë eurosh e Planit të Rritjes, që mbulon periudhën 2024–2027, Kosovës i janë ndarë rreth 880 milionë euro – 250 milionë prej të cilave në formë grantesh pa kthim. Por, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, fondet mbeten të bllokuara, ndonëse vendi e kishte miratuar ndër të parat agjendën e reformave.

    “Ky bllokim dërgon një sinjal negativ në Bruksel, ku frustrimi ndaj elitës politike kosovare po rritet”, tha për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga BiEPAG (Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit).

    Ekspertët theksojnë se nëse Kosova nuk e nis zbatimin e reformave brenda afateve të planifikuara, BE-ja mund t’i rishpërndajë fondet për vendet që kanë avancuar më shpejt. “Pamundësia për t’i tërhequr fondet nënkupton edhe pamundësi për të zbatuar reformat”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Ndërkohë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së vlerësohen si më të ulëtat në dekadën e fundit. Zyrtarët evropianë kanë pezulluar takimet brenda ndërtesës së Qeverisë deri në formimin e një ekzekutivi me mandat të plotë, ndërsa vendi mbetet nën masat ndëshkuese të BE-së të vendosura që nga qershori 2023.

    Sipas ekspertëve, nëse kriza politike zgjat apo çon në zgjedhje të reja, Kosova rrezikon jo vetëm të humbasë fondet e BE-së, por edhe të thellojë hendekun në raportet me Brukselin.

  • Agron Nesho: Ka ardhur koha të shuhet UNMIK-u në Kosovë – Rezoluta 1244 s’mund të mbahet peng nga Rusia

    Agron Nesho: Ka ardhur koha të shuhet UNMIK-u në Kosovë – Rezoluta 1244 s’mund të mbahet peng nga Rusia

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Agron Nesho ka deklaruar se ka ardhur koha që misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) të shuhet, pasi ekzistenca e tij është kthyer në një anomali politike që nuk pasqyron më realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.
    Në një intervistë dhënë për emisionin “Compass” në ATV, Nesho theksoi se “çelësi për mbylljen e UNMIK-ut është Rezoluta 1244”, dokumenti mbi të cilin bazohet ende prania e këtij misioni në Kosovë.
    “Sipas procedurave të OKB-së, një mision shuhet kur bie rezoluta që e mban në këmbë. Në rastin e Kosovës, kjo është 1244-a. Por për shkak të interesave të ngushta të Rusisë, e cila vazhdon të mbrojë Serbinë, kjo rezolutë mbahet ende artificialisht gjallë,” tha Nesho.
    Ai shtoi se, meqë Kosova është tashmë një shtet i pavarur dhe funksional, i njohur nga mbi 100 vende, ekzistenca e UNMIK-ut nuk ka më asnjë justifikim real.
    “Me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, bie vetvetiu edhe rezoluta, dhe misioni që e mbart atë. Por kjo vonohet për shkak të bllokadës ruse në Këshillin e Sigurimit,” tha më tej Nesho.
    Në sfond të kësaj çështjeje, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është zhvilluar së fundmi një debat i tensionuar midis Kosovës dhe Serbisë. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, akuzoi Serbinë për kërcënime ndaj rajonit dhe mosdorëzimin e autorëve të sulmit në Banjskë, ndërsa përfaqësuesit serbë e akuzuan Prishtinën për presion ndaj serbëve të Kosovës.
    Sipas Neshos, edhe qëndrimet e Kinës dhe Rusisë në këtë debat treguan se të dyja vendet po përdorin çështjen e Kosovës për interesa të tyre strategjike.
    “Kina e mbështet Serbinë për shkak të lidhjeve ekonomike dhe ushtarake, ndërsa Rusia e përdor Kosovën si instrument për të sfiduar Perëndimin,” shtoi ai.
    Megjithatë, Nesho theksoi se realiteti politik është i qartë: “Kosova është shtet i lirë, demokratik dhe funksional – dhe prania e UNMIK-ut është një relike e së kaluarës që duhet të marrë fund.”

  • Verifikimi i pensionistëve: mbi 80 vjeç ose me probleme shëndetësore, ekipi mobil shkon në shtëpi

    Verifikimi i pensionistëve: mbi 80 vjeç ose me probleme shëndetësore, ekipi mobil shkon në shtëpi

    Ministria e Financave, Punës, ka njfotuar se pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimi.

    Ministria ka publikuar edhe numrat e telefonit në gjashtë qytete, ku mund të thirren ekipet mobile.

    Më poshtë lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë:

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sqaron për opinionin publik se tashmë ekzistojnë ekipet mobile që vizitojnë në shtëpi pensionistët që duhet të lajmërohen çdo gjashtë (6) muaj, por e kanë të pamundur ta bëjnë këtë në zyrat e pensioneve për shkak të arsyeve shëndetësore.
    Që nga muaji gusht 2023, Ministria ka lansuar projektin e lajmërimit në shtëpi të pensionistëve, përmes ekipeve mobile që vizitojnë pensionistët në adresën e tyre të banimit.

    Me qëllim të lehtësimit të procedurave, pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimit.

    Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti dikush nga familjarët, mjafton të ofrohen të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e kërkesës.
    Ekipet mobile punojnë 7 ditë në javë, për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen në kohë dhe në mënyrë të rregullt.

    Pensionistët apo anëtarët e tyre të familjes mund të dërgojnë kërkesat për lajmërim në këto adresa elektronike ose numra telefoni, varësisht nga rajoni:

    Prishtinë – [email protected] | 038 213 268

    Pejë – [email protected] | 039 431 217

    Gjakovë – [email protected] | 039 326 999

    Gjilan – [email protected] | 028 324 555

    Ferizaj – [email protected] | 0290 320 403

    Mitrovicë – [email protected] | 028 533 010

    MFPT mbetet e përkushtuar që pensionistët të mos përballen me vështirësi gjatë procesit të lajmërimit dhe që shërbimet tona të jenë sa më afër qytetarëve.