ATV

Tag: Ballina

  • Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Berlin, të enjten qëndroi në Aspen Institute. Osmani tha se aty foli për aspiratat e Kosovës dhe se një gjë mbetet e palëkundur, që e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.

    “Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

    Presidentja Vjosa Osmani, gjendet në Gjermani, ku do të mbajë një fjalim në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Berlinit. Osmani para studentëve dë të flasë për mbrojtjen e demokracisë. Në këtë universitet po zhvillohet “Java e Takimeve me Personalitete Evropiane”.

  • Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë shihet në Bashkimin Evropian si një hap i mirë drejt mundësisë së heqjes së masave të vendosura që nga viti 2023.

    Duke iu referuar vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, një zëdhënës i BE-së ka theksuar se ajo është inkurajuar nga raundi i parë paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

    “Ky ishte një sinjal i rëndësishëm i deeskalimit në veri, që do të merret në konsideratë në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave,” ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-në.

    Javën e kaluar, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, von der Leyen pati – siç thuhet – diskutime konstruktive si me Presidenten Vjosa Osmani, ashtu edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas të njëjtit burim, Bashkimi Evropian pret që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, si dhe një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale.

  • Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, i cili pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Votimi përmes postës do të organizohet vetëm për ata shtetas që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht.

    Sipas të dhënave jopërfundimtare, rundi i dytë do të zhvillohet në 18 komuna, ndërsa numri i votuesve jashtë Kosovës të këtyre komunave është 29,712.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se votuesit e regjistruar tashmë do të marrin përmes postës pakon me fletëvotim. Detyrë e tyre është të dërgojnë fletëvotimin në kutitë postare të vendosura në 22 shtete, përfshirë Australi, Gjermani, SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Kanada, Shqipëri e Kosovë.

    Numri i votuesve jashtë Kosovës për komunat e rundit të dytë është si më poshtë: Gjakovë (3,150), Gjilan (2,066), Dragash (2,776), Kaçanik (1,149), Klinë (2,229), Fushë Kosovë (490), Mitrovicë e Jugut (1,186), Obiliq (221), Rahovec (1,902), Pejë (1,897), Prishtinë (1,715), Prizren (2,866), Suharekë (3,325), Viti (1,980), Vushtrri (1,020), Junik (1,344), Mamushë (357) dhe Kllokot (39).

  • KFOR-i deklarohet për takimet e Ulutashit me Begajn dhe Kingjin

    KFOR-i deklarohet për takimet e Ulutashit me Begajn dhe Kingjin

    KFOR-i është deklaruar për takimet e të së mërkurës të komandantit Ozkan Ulutash me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji në Tiranë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, në këto takime u bisedua situata e sigurisë në Kosovë dhe stabiliteti rajonal.

    “Ata diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Gjeneralmajor Ulutash rikonfirmoi angazhimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai përshëndeti gjithashtu kontributet e gjata të Shqipërisë në KFOR dhe profesionalizmin e shfaqur nga personeli shqiptar në mbështetje të veprimtarive të përditshme të misionit”, thuhet në njoftim.

  • Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kurti dhe Haddad flasin për forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad.

    Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

    Përmes një postimi në “X”, Kurti ka bërë të ditur se në takim është biseduar për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale si dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “U takova me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër. Diskutuam forcimin e lidhjeve Kosovë-Francë, sigurinë, zhvillimet rajonale dhe integrimin në BE. Jam mirënjohës për mbështetjen e Francës si një anëtare kyçe e BE-së dhe për vlerat tona të përbashkëta që udhëheqin partneritetin tonë,” ka shkruar Kurti.

    Samiti i Procesit të Berlinit po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, ku po diskutohen bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i rajonit.

  • Presidentja udhëton drejt Gjermanisë, mban sot një fjalim në Universitetin e Berlinit

    Presidentja udhëton drejt Gjermanisë, mban sot një fjalim në Universitetin e Berlinit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nisur drejt Gjermanisë, ku do të mbajë sot një fjalim në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Berlinit.
    E para e vendit do të dalë përballë studentëve për të folur për mbrojtjen e demokracisë.
    Ngjarja është paralajmëruar të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme studentësh, meqë në universitet është duke u zhvilluar Java e Takimeve me Personalitete Evropiane.

    Kjo ndalesë e Osmanit është në vazhdën e takimeve të shumta që ajo do të zhvillojë, në vizitën e saj zyrtare në Gjermani.

  • Koalicion me LVV-në, Haziri: LDK nuk ka ndryshuar qëndrim, do të mbetemi në opozitë

    Koalicion me LVV-në, Haziri: LDK nuk ka ndryshuar qëndrim, do të mbetemi në opozitë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin politik në lidhje me një bashkëqeverisje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Haziri tha se LDK ka mbajtur një qëndrim të qartë që nga 9 shkurti: të garojë për fitore në zgjedhje dhe, në rast të kundërt, të qëndrojë në opozitë.
    “LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Që nga 9 shkurti, e kemi bërë të qartë se hyjmë në garë për të fituar dhe, nëse nuk fitojmë, qëndrojmë në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit, pas ofertave për bashkëpunim institucional nga VV-ja, ne e kemi konfirmuar qëndrimin tonë”, tha Haziri.

  • Përfundon Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

    Përfundon Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

    Në Londër është përmbyllur Samiti i 12-të i Procesit të Berlinit, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian diskutuan për sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE.
    Në qendër të diskutimeve, Kosova ngriti çështjen e sigurisë dhe përgjegjësisë së Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë, duke kërkuar që Beogradi të mos trajtohet me tolerancë politike.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se përparimet demokratike në Kosovë po zhvillohen “nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, ndërsa kërkoi veprim të prerë ndërkombëtar ndaj atyre që cënojnë stabilitetin e rajonit.

    “Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, sepse kjo dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pa ndëshkuara,” tha Kurti.

    Ai rikujtoi sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, dhe theksoi se organizatori i njohur i sulmit, Milan Radoiçiq, ende nuk është dorëzuar drejtësisë. Sipas Kurtit, heshtja ndaj këtij rasti “e inkurajon Beogradin të vazhdojë me provokime”.

    Në fjalën e tij, Kurti kërkoi një unitet më të fortë evropian, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e plotë e strukturave të sigurisë dhe të BE-së.

    “Ballkani Perëndimor ndodhet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por gjysma e vendeve tona mbeten jashtë këtyre strukturave. Kjo krijon një boshllëk të rrezikshëm që e shfrytëzojnë ndikimet ruse dhe kineze,” tha ai, duke shtuar se Britania e Madhe mund të luajë rol kyç në përmbylljen e këtij boshllëku.

    Në Samit morën pjesë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – si dhe përfaqësues të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
    Kosovën e përfaqësoi kryeministri Kurti, ndërsa Shqipërinë kryeministri Edi Rama, i cili ndau fotografinë familjare të liderëve me mbishkrimin “Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Londër 2025”.

    Kryeministri britanik Keir Starmer, nikoqir i takimit, e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “pikën ku testohet siguria e Evropës” dhe kërkoi përkushtim të përbashkët në luftën kundër ndikimit rus dhe kontrabandës ndërkufitare.

    “Rajoni është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë,” tha Starmer në hapje të samitit.

    Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojë ato drejt Bashkimit Evropian.
    Nga gjashtë vendet e rajonit, vetëm Kosova mbetet ende pa statusin e vendit kandidat për BE, ndërsa institucionet evropiane kanë theksuar nevojën për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe forcim të bashkëpunimit rajonal.

    Në komunikatën përfundimtare të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe u theksua se diskutimet u përqendruan në stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, me theks të veçantë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës.

  • Kurti takon kryeministrin britanik Starmer pas Samitit në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

    Kurti takon kryeministrin britanik Starmer pas Samitit në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

    Pas takimit me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme, Yvette Cooper, dhe përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

    Gjatë takimit, Kurti shprehu vlerësimin për udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe organizimin e Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që këtë vit po mbahet në Londër për herë të dytë pas vitit 2018.

    Dy kryeministrat diskutuan mbi temat kryesore të Samitit — sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin — ndërsa Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

    Në takim u bisedua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi. Kurti veçoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke theksuar se Kosova po vazhdon investimet në këtë drejtim.

    Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) edhe për të paktën tre vjet të tjera. Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Londrës në seancën e OKB-së, ku u bë thirrje për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq nga Serbia, i cili mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë, duke paraqitur rrezik për sigurinë në rajon.

  • Kurti takon sekretaren britanike: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

    Kurti takon sekretaren britanike: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

    Partneriteti i Kosovës me Britaninë e Madhe është kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë, është thënë në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

    Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet gjatë ditës në Londër: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

    “Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme,” tha kryeministri.

    Në fushën e mbrojtjes, Kurti theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

    Në komunikatë thuhet se Kurti ka deklaruar që Kosova është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon, duke marrë për bazë të dhënat e Gallup dhe Transparency International.

    Kryeministri ka përsëritur se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

    “Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja,” thuhet në komunikatë.

    Kurti ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë dhe lënien në liri të sulmuesve, pavarësisht se Milan Radoiçiq e ka pranuar fajin. “Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës,” thuhet në njoftim.

    Ai ka theksuar se Kosova është shembull në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, ndërsa ka përsëritur gatishmërinë e vendit për ta ndihmuar Britaninë e Madhe në çështjen e migrimit.

    “Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar,” thuhet në fund të komunikatës.