ATV

Tag: Ballina

  • Balotazhi në 18 komuna, mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote

    Balotazhi në 18 komuna, mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Votuese për balotazhin e 9 nëntorit.

    Ky vendim erdhi në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku u theksua se bazuar në rezultatet preliminare votimi i dytë për zgjedhjet lokale mbahet në 18 komuna.

    Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat që pretendentët për kryetarë do të përballen në balotazh.

    “Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues”.

    “Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave është 29,725 votues”.

    “Duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore Nr. 03/2024 për krijimin, kundërshtimin dhe konfirmimin e Listës Votuese, Lista Votuese brenda vendit, e raundit të dytë, është plotësuar me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor 2025 arrijnë moshën e votimit, ndërkaq janë larguar personat që nga shtatori i këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësa e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë”.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.

    Gjithashtu në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypn 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet në një njoftim të KQZ-së.

  • Kurti s’tregon nëse i ka apo jo votat për qeverinë e re

    Kurti s’tregon nëse i ka apo jo votat për qeverinë e re

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve lidhur me sigurimin e 61 votave të nevojshme për formimin e qeverisë së re.

    Ai ka injoruar pyetjet, duke mos dhënë asnjë koment mbi situatën politike dhe procesin e krijimit të shumicës parlamentare.

    Në Kuvendin e Kosovës, të dielën, do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.

    Gjatë ditës, Kurti mori pjesë në konferencën “Software Freedom Kosova 2025” – ngjarja më e madhe vjetore për softuerin e lirë dhe me burim të hapur në Evropën Juglindore, e organizuar nga Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK).

  • Rama: Ministrja Diella është “shtatzënë”, 83 mini Diella do të shërbejnë si asistentë të deputetëve

    Rama: Ministrja Diella është “shtatzënë”, 83 mini Diella do të shërbejnë si asistentë të deputetëve

    Kryeministri njofton krijimin e asistentëve inteligjentë të bazuar në AI për çdo anëtar të Parlamentit: “Do regjistrojnë gjithçka dhe do informojnë deputetët për çdo zhvillim”

    Kryeministri Edi Rama ka bërë një njoftim interesant dhe simbolik gjatë fjalës së tij në një aktivitet publik, duke deklaruar se ministrja e Inteligjencës Artificiale, Diella, është “shtatzënë”.

    Rama sqaroi se bëhet fjalë për një projekt të ri inovativ që synon krijimin e 83 “mini Diellave”, sisteme inteligjente të bazuara në Inteligjencën Artificiale (AI), të cilat do të shërbejnë si asistentë personalë për secilin prej anëtarëve të parlamentit shqiptar.

    Sipas kryeministrit, këta “asistentë digjitalë” do të kenë funksionin të regjistrojnë çdo diskutim apo vendim gjatë seancave parlamentare, duke informuar deputetët për çdo zhvillim të ndodhur në mungesë të tyre.

    “Për herë të parë Diella është ‘shtatzënë’ dhe prej saj do të lindin 83 fëmijë — secili për çdo anëtar të parlamentit tonë. Ata do të shërbejnë si asistentë në seancat parlamentare, do të mbajnë shënim çdo gjë që ndodh dhe do të sugjerojnë anëtarët e parlamentit. Këto fëmijë do të kenë dijen e nënës së tyre,” tha Rama.

    Kryeministri shtoi se ky projekt është pjesë e një nisme më të gjerë për krijimin e sistemit të parë të prokurorimit të mbështetur në AI në Shqipëri, në bashkëpunim me kompaninë Microsoft.

    “Do të kemi sistemin e parë të prokurorimit të mbështetur në AI. Hapi i fundit vuloset nga njerëzit, sepse vendimi përfundimtar duhet t’u takojë atyre. Po punojmë për këtë me Microsoft dhe e shohim me shumë optimizëm. Shpresojmë ta përfundojmë në fund të vitit 2026,” deklaroi Rama.

    Duke e mbyllur me humor, ai shtoi:

    “Nëse herën tjetër do të më ftoni, do të keni 83 ekrane të tjera për fëmijët e Diellës. Për shembull, nëse shkon për kafe dhe harron të kthehesh, ky fëmijë do të tregojë çfarë është thënë në sallë dhe kujt duhet t’i kundërsulmosh”.

  • Kusari-Lila e pranon që Kurti s’i ka votat për qeveri: Jemi 4-5 deputetë mangu

    Kusari-Lila e pranon që Kurti s’i ka votat për qeveri: Jemi 4-5 deputetë mangu

    Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se tani për tani Albin Kurti nuk u ka votat e mjaftueshme për kryeministër.

    Ajo ka treguar se Kurtit i duhet edhe 4-5 deputetët për të formuar qeverinë e re.

    “Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, ka deklaruar Kusari-Lila.

  • Osmani: Nëse s’ka qeveri të dielën, do t’i ftoj partitë për të parë nëse ndonjëra mund ta bëjë

    Osmani: Nëse s’ka qeveri të dielën, do t’i ftoj partitë për të parë nëse ndonjëra mund ta bëjë

    Të dielën me fillim nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për seancën rreth formimit të qeverisë së re.

    Por, se a do të ketë marrëveshje apo jo, kjo mbetet të shihet të dielën.

    Për këtë çështje ka folur Presidentja Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje për qeveri të re, do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, nëse ndonjëra mund të krijojë shumicën.

    “Nëse ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. E nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të parakohshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, u shpreh Osmani.

  • Të dielën në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës mban seancën për zgjedhjen e Qeverisë

    Të dielën në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës mban seancën për zgjedhjen e Qeverisë

    Më 26 tetor mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare me rendin e vetëm të ditës zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Deputetët do të mblidhen në orën 10:00 për të votuar kabinetin qeveritar të mandatarit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Në rast të mos miratimit të qeverisë Kurti 3, presidentja e vendit do t’i jep mandatin një kandidati tjetër. Në rast se kjo dështon edhe për herë për dytë, atëherë Vjosa Osmani brenda 40 ditësh duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

  • Presidentja Osmani dekoron në Berlin politikane gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave

    Presidentja Osmani dekoron në Berlin politikane gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave

    Në një mbrëmje të veçantë në Berlin, e zhvilluar me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Gjermani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar politikane dhe aktivisten e njohur gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave.

    Osmani vlerësoi Beck për “mbështetjen e saj të palëkundur ndaj popullit të Kosovës”, duke theksuar se ajo është “një grua që e bëri kauzën e Kosovës pjesë të ndërgjegjes evropiane”.

    Marieluise Beck është një nga zërat më të hershëm në politikën gjermane që ka mbrojtur të drejtat e popullit të Kosovës dhe ka mbështetur shtetndërtimin demokratik të vendit që nga vitet ’90. Si ish-deputete e Bundestagut dhe bashkëthemeluese e Qendrës për Liberalizëm dhe Demokraci (Zentrum Liberale Moderne), ajo ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

    Në ceremoninë e mbajtur, Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj mërgatës shqiptare në Gjermani për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit, duke theksuar se kontributi i tyre mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të Kosovës.

  • KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    KQZ: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që aktivitetet zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave, do të jetë nga 3 deri më 9 nëntor 2025.

    Sipas vendimit të KQZ-së për miratimin e planit të aktiviteteve, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në raundin e dytë, do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.

    Po sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 deri më 29 tetor, është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë raundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet raundi i dytë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.

    KQZ do t’i japë mundësi subjekteve politike që do të garojnë në raundin e dytë që të akreditojnë vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë vëzhguesit e akredituar.

    Kjo mund të bëhet nga data 28 tetor deri më 3 nëntor.

    Edhe mediat, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatike, do të duhet që të konfirmojnë vëzhguesit e tyre nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2025.

    Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme.

    Vendvotimet e rinumëruara me vendim të KQZ-së për shkak të evidentimit të mospërputhjeve, janë: Deçan (0105/03 – Kuvend Komunal); Gllogoc (0305/02, 0327/01, 0329/02 – Kuvend Komunal), Gjilan (0408/05, 0408/06 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Lijan (1301/08 – Kuvend Komunal), Prishtinë (1904/04 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Prizren (2034/04 – Kryetar Komune; 2034/01 | 2034/03 – Kuvend Komunal), Shtime (2207/01 – Kryetar Komune) dhe Suharekë (2404/01 – Kuvend Komunal).

    Gjithashtu, në mbledhje është bërë e ditur se personat që mbushin 18 vjet do të përfshihen në listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve.
    Ndërsa ata që mbushin 18 vjet dhe jetojnë jashtë Kosovës do të duhet të vijnë në Kosovë për të votuar.

    Po ashtu, personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës do të largohen drejtpërdrejt nga lista e rregullt e votuesve në Kosovë.

  • Sorensen e Ulutas diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Sorensen e Ulutas diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në Kosovë, të mërkurën, ka takuar edhe komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas.

    “Takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, u tha në njoftimin e KFOR-it, të enjten.

    Gjatë takimit Ulutas, ka nënvizuar përkushtimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar në harmoni me qëllim të konsolidimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

    Sorensen, të mërkurën, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimin, ku ky i fundit i kërkoi diplomatit danez nisjen urgjente të punës së Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur

    “Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Zyrës së Kryeministrit.

    Sorenseni nuk është deklaruar ende për takimin me Bislimi.

    Ndryshe, vizita e Sorensenit vjen pas identifikimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore të katër personave në varrezat e lagjes Hajvali në Prishtinë, të cilat dyshohen se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitit 1998-1999./ATVLIVE/

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, data 23 tetor u shënua me një ceremoni të veçantë kushtuar letërsisë shqipe. Në këtë ditë të shenjtë, u kujtua lindja e Gjergj Fishtës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë kombëtare.

    Në një ambient të ngrohtë kulturor, Shqipëria hapi dyert për të nderuar edhe zërat poetikë, trashëgimtarë të flakës së Fishtës.

    Në mesin e tetëdhjetë poetëve të pranishëm, poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa u nderua me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”.

    “Kur një poet vlerësohet me një çmim është gjë e bukur sepse do të thotë se fjala e tij e ka prekur dikë. Unë poezinë kurrë nuk e kam konsideruar arritje, poezinë gjithmonë e kam konsideruar ecje. Ndoshta duke qenë edhe shkollë e Ali Podrimjes, sepse i takoj gjeneratës së poetëve të viteve të 90-ta në Kosovë. Podrimja kishte një varg ku thoshte “poezia më e bukur nuk është shkruar ende” – dhe një gjysmë-vargu tjetër që thoshte “as nuk është shkruar kurrë””, tha Tafa pasi e pranoi çmimin.

    Poeti Tafa theksoi se pavarësisht shumë çmimeve ndërkombëtare që ka marrë, ky i fundit ka një rëndësi të veçantë, të cilin do ta ruajë si një thesar i çmuar në sirtarin e tij.

    “Ky çmim më bën nder për disa arsye. E para, sepse ndahet nga një juri profesionale dhe shumë kompetente. Pastaj, sepse më jepet në një qytet historik. Kur një poet merr një çmim që mban emrin e një poeti, një shkrimtari që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen dhe ndjeshmëritë e kombit, atëherë ai nder bëhet edhe përgjegjësi”, shtoi Tafa.

    Në këtë organizim u ndanë edhe dy çmime tjera mbarëkombëtare. Çmimi për roman iu dha Ermal Hasimjës, kurse asi për përkthim, Milena Selimit.

    Ceremonia, herë pas here shoqërohej me pika muzikore të gërshetuara nga veprat e Fishtës.

    Juria, e përbërë nga emra të njohur të letërsisë, me kryetar Rudolf Markun, si dhe anëtarët tjerë Bajram Kosumin e Renestina Halilin, vlerësoi me kujdes të madh përzgjedhjen e fituesve, duke theksuar nivelin e lartë të krijimtarisë së tyre.

    Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerrin Ndreu, u shpreh krenar që kjo ceremoni u mbajt siç tha, në tokën e begatë të letërsisë.

    “Duke qenë se Lezha quhet qyteti i muzës, ku në fakt letërsia këtu ka një shenjë shumë të madhe, ka autorë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Ndreu.

    Për të pestin vit me radhë, Lezha vazhdon traditën e organizimit të kësaj ceremonie përkujtimore në nder të Gjergj Fishtës dhe për të mbështetur poetët që vazhdojnë të kontribuojnë në letërsinë shqipe.

    Letërsia, siç u theksua, mbetet një pasuri e përhershme e një dritë që ndriçon kombin.