ATV

Tag: Ballina

  • Hill për Demaçin: Ishte i rreptë, kishte opinione të egra ndaj Serbisë

    Hill për Demaçin: Ishte i rreptë, kishte opinione të egra ndaj Serbisë

    Ish-ambasadori, Christopher Hill tha se Adem Demaçi ishte gjithmonë shumë i rreptë dhe strikt për çdo temë.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Hill shtoi se i ndjeri, asokohe kishte një lloj mllefi pasi kishte qenë i burgosur, dhe sipas tij, dihej dhe njihej si një person me opinione të egra ndaj Serbisë.

    “Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Nuk ishte person me të cilin mund të bashkëpunoje. Nuk ishte person që mund të punoje me një dokument, kishte opinione të forta lidhur me disa rrethana në jetë, dhe shumë mirë që i kishte ato, por në aspektin e bashkëpunimit, nuk ishim të interesuar ta promovonim”, deklaroi Hill.

     

    Christopher Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi

     

    Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.

    “Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.

    “Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.

    Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.

    “Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.

    Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në

    “Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.

  • Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill, vazhdon sot dëshminë në Gjykatën Speciale, duke filluar nga ora 09:00.

    Ai nisi dëshminë dy ditë më parë dhe deri më tani, Hill është dëshmitari i pestë i paraqitur nga ekipi i mbrojtjes në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”.

    Çfarë tha ai gjatë ditës së djeshme në Hagë?

    Edhe në ditën e dytë të dëshmisë, diplomati amerikan foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

    Në fillim, Hill u mor në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiq, i cili ndër të tjera e pyeti pse kishte vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Hill u përgjigj se nuk besonte dhe as nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që Thaçi të kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme gjatë luftës, prandaj kishte ndjerë detyrim moral që të tregonte atë që dinte.

    Më pas, fjalën e mori avokati i Jakup Krasniqit. Gjatë kësaj pjese, Hill deklaroi se nuk kishte besuar që Jakup Krasniqi kishte qenë një nga figurat kryesore të UÇK-së.

    Sipas tij, ky ka qenë një problem i madh për amerikanët, pasi u është dashur të udhëtojnë nëpër zona të rrezikshme të konfliktit në Kosovë për të gjetur persona që mund të flisnin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që më pas të mund të negocionin me ta.

    Hill tha se ishte i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por se kjo nuk e kishte shqetësuar, pasi misioni i tij kishte qenë ndalja e luftimeve mes shqiptarëve dhe serbëve.

    Në dëshminë e tij, Hill theksoi se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë që Rexhep Selimi – një nga të akuzuarit në këtë proces – kishte mbajtur pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.

    Ai gjithashtu deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse Hashim Thaçi kishte qenë një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Nuk e di nëse Hashim Thaçi ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, më sugjeron që ai nuk ka qenë”, tha Hill.

    Në vijim të dëshmisë, diplomati amerikan theksoi se nuk mban mend që çështje që lidhen me persona të ndaluar nga UÇK-ja të jenë diskutuar në takimet e tij me Thaçin apo me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së gjatë vitit 1998.

  • Hajdari pas ngritjes së aktakuzës: Ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre për sigurimin e rezervës shtetërore

    Hajdari pas ngritjes së aktakuzës: Ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre për sigurimin e rezervës shtetërore

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Kështu ka konfirmuar ministrja Hajdari, e cila ka thënë se Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e Rezervave Shtetërore.

    Ajo ka thënë se ndihet krenare për punën që ka bërë si ministre në rastin për Rezervat Shtetërore.

    Postimi i saj:

    Të nderuar qytetarë,

    Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne.

    Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media.

    Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

  • Aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari për rezervat shtetërore

    Aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari për rezervat shtetërore

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me rastin e kontraktimit të rezervave shtetërore të mallrave gjatë vitit 2022.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë ministrja Hajdari përmes një postimi në Facebook, ku bëri të ditur se është informuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    “Sapo u njoftova nga avokati im për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne”, ka shkruar Hajdari.

    Ajo tha se do të deklarohet më gjerësisht për media pasi të ketë pranuar dokumentin e plotë të aktakuzës.

    Hajdari mbrojti punën e saj gjatë periudhës së menaxhimit të rezervave shtetërore, duke e quajtur atë “kohën më të vështirë” për vendin, kur duhej siguruar furnizimi me produkte bazë.

    “Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar tutje ajo.

    Hajdari ishte intervistuar për rastin e rezervave shtetërore në prill të vitit 2024 dhe korrik të vitit 2025, por në të dyja rastet ishte mbrojtur në heshtje.

    Si dëshmitar për këtë rast është ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani ai ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, por ka insistuar që të japë dëshminë në Kryeministri.

    Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Dy prej tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

    Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje. Bastisjet dhe arrestimet në MINT ndodhën pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërritën kurrë.

    Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.

    Sipas Ligjit për rezervat shtetërore, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

    Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë.

    Rezervat shtetërore konsiderohen sekret shtetëror./ATVLIVE/

  • Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

    Sipas njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania përgjegjëse ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konfirmuar se problemi ndodhi vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërkohë që sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u zbulua gjatë shtypjes.

    “CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në reagimin e KQZ-së.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit.

  • Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Vetëm në 24 orëshin e fundit, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje si dhe një lëndim i lehtë trupor, ku një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj në Mitrovicë të Veriut.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rastet kanë ndodhur në Obiliq, Fushë Kosovë, Lipjan, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

    Lëndim i lehtë trupor

    Mitrovicë Veri 10.11.2025 – 02:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Dhunë në familje

    ·         Obiliq 10.11.2025 – 04:30. Ka ndodhur rasti ‘dhunë në familje’, ku të përfshirë kanë qenë bashkëshortët,  lëndime ka pësuar bashkëshorti dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Fushë Kosovë 10.11.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht tre anëtarë të familjes. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Lipjan 10.11.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin bashkëjeton. Viktima është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.11.2025 – 15:00 – 18:00. Me 10.11.2025 viktima e mitur femër kosovare, ka raportuar se një ditë më parë babai i saj, i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari i cili më pas me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  10.11.2025-13:00. Janë shoqëruar dy meshkuj (vëllezër) njëri si i dyshuar dhe tjetri viktimë, në stacion policor për intervistim, pasi të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Rasti duke u hetuar.

    Ferizaj 10.11.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur në shtëpi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë  10.11.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht viktimën-bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vullnetin e saj është kthyer tek familja e vet. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një aksident mes dy automjeteve ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në rrugën Ferizaj-Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Për pasojë, një person është lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

    “Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.”, tha ajo.

  • Hill pritet të vazhdojë dëshminë edhe sot në Hagë

    Hill pritet të vazhdojë dëshminë edhe sot në Hagë

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill sot do të vazhdojë paraqitjen në Gjykatën Speciale në Hagë, duke dëshmuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

    Hill do ta vazhdojë dëshminë sot në orën 9:00.

    “Zoti Hill, për sot përfunduam, do të duhet të rifillojmë sot në orën 09:00. Do të përpiqemi që të fillojmë pikërisht në orarin e caktuar”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

    “Mos flisni me askënd jashtë sallës së gjyqit – e di që ju e dini këtë gjë, por unë duhet ta them sidoqoftë”, tha ai.

    Çfarë dëshmoi dje Hill?

    Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.

    Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

    Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

    “Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.

    Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.

    Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.

    Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.

    “Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.

    Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.

    “Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

    “Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.

  • Prokuroria urdhëron ndërprerjen e përkohshme të numërimit në Mitrovicë

    Prokuroria urdhëron ndërprerjen e përkohshme të numërimit në Mitrovicë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën  Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

    Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

    “Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftim.

    Në balotazhin e të dielës, në këtë komunë sipas rezultateve preliminare, ka fituar Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje përballë Arian Tahirit të Partisë Demokratike të Kosovës.

  • BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    Ushtruesja e Detyrës së Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në 18 komuna të Kosovës.

    Palatova e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një dëshmi të demokracisë në vend dhe ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të ciklit të zgjedhjeve lokale.

    Ky raund i zgjedhjeve ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet demokratike dhe për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

    Qytetarët në 18 komuna votuan më 9 nëntor për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

    Në këtë rund, LDK-ja fitoi pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër, ndërkaq PDK-ja në tre.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.