ATV

Tag: Ballina

  • Bedri Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së

    Bedri Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së

    Bedri Hamza zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, një ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

    Në një shkrim në Facebook, tek njoftoi për shpalljen e kandidaturës, Hamza ka thënë se beson që PDK-ja e ka “forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.

    “Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar ai.

    Një ditë më parë, Krasniqi njoftoi për dorëheqjen. Ai po ashtu bëri të ditur se ka ftuar konventën e partisë për 17 nëntor. E Krasniqi edhe ka shprehur pëlqimin që Hamza të kandidojë për kryetar të partisë.

    Hamza në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër. Deri tash ka qenë kryetar i Mitrovicës.

  • Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Michael Durkee, ish-këshilltar i Wesley Clark, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

    Para Dhomave të Specializuara të gjykatës atje, ai u paraqit për herë të parë pasditen e së mërkurës.

    Të enjten, ai u rikthye sërish për të folur në kohën e pasluftës në Kosovë.

    Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.

    Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.

    Pos tjerash, ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.

    Durkee ndër të tjera është pyetur nga prokurorja se a e ka lexuar aktakuzën në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    “Jo nuk e kam lexuar”, tha shkurt Durkee.

    Ai po ashtu deklaroi se nuk e di se për çfarë krime akuzohen ata.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • “Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar”, Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së

    “Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar”, Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së

    Në përkrahje të 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), ku kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, thotë se mosekzekutimi i pagave për këta punëtorë tregon një inat të kryeministrit dhe ministrit të Financave.

    Ai, në protestën e sindikatës së punëtorëve, tha se ashtu siç u gjetën mjetet për studentët dhe pensionistët, njësoj do të mund të bëhej edhe për RTK-në, por që sipas tij, ata nuk duan një zgjidhje.

    Jasharaj ka theksuar se të kërkosh pagën nuk është privilegj, por një lutje për të jetuar.

    “Mirë që u gjetën paratë për studentët, mirë që u gjetën paratë për pensionistët. Në këtë mënyrë është dashur të gjenden mjetet edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e tyre. Mosgjetja e mjeteve tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë diçka, atë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në sektorin shtetëror, po e bëjnë një lloj inati me qëllimin më të keq që ta thyejnë vullnetin e sindikatës dhe punëtorëve. Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar. Pa pagë është e vështirë të përballet një punëtor këtu me çmime kaq të larta”, deklaroi ai.

  • Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar projektligjin për rihapjen e Qeverisë dhe përfundimin e mbylljes së saj më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

    Ai e ka nënshkruar dokumentin për të financuar Qeverinë deri në fund të janarit, pasi atë e kanë miratuar Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

    Në Zyrën Ovale, Trump ka thënë se Qeveria do t’i rinisë operacionet normale, pasi “njerëzit janë dëmtuar aq keq” nga mbyllja 43-ditore.

    Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punëtorë federalë kanë qenë në pushim pa pagesë, ose kanë punuar pa paga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Edhe ndihmat për personat me të ardhura të ulëta ishin pezulluar, si dhe trafiku ajror ishte çrregulluar, me fluturime të anuluara apo të shtyra.

    Shërbimet qeveritare pritet të rikthehen në ditët në vijim, ndërsa situata në trafikun ajror pritet të stabilizohet para Festës së Falënderimeve, kur shumë amerikanë kthehen në shtëpi.

    Festa këtë vit shënohet më 27 nëntor. Besohet se edhe kjo datë ka ndikuar që kongresistët t’i rrisin përpjekjet për të arritur një marrëveshje,.

    Presidenti Trump, republikan, e ka fajësuar vazhdimisht Partinë Demokratike për mbylljen e Qeverisë.

    “Ata e kanë bërë këtë për arsye të pastra politike. Kur të afrohen zgjedhjet për Kongres dhe gjërat tjera, mos e harroni çfarë i kanë bërë shtetit tonë”, ka thënë ai.

    Demokratët dhe republikanët nuk janë pajtuar me javë për paketën e financimit të Qeverisë, mirëpo të dielën tetë demokratë janë shkëputur nga linja partiake dhe kanë ndihmuar në miratimin e projektligjit për hapje të Qeverisë./REL

  • Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Zhvillimet e fundit politike në vend, kanë bërë që partitë të intensifikojnë takimet e brendshme.

    Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u bë e ditur dorëheqja e Memli Krasniqit, sot pritet të mbajë të njëjtën mbledhje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Siç mëson Telegrafin nga burime brenda AAK-së, në këtë mbledhje e cila është paraparë të nisë në orën 17:00, do të marrin pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë.

    Sipas të njëjtave burime në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, në një periudhë kur kanë mbetur pak ditë deri në thirrjen e seancës për votimin e mundshëm të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë, pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, pritet që pjesë e diskutimeve të jenë edhe përgatitjet e Aleancës në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Kujtojmë se në zgjedhjet komunale të mbajtura së fundmi, AAK konfirmoi fuqinë politike duke ruajtur 5 komunat ku kishte qeverisur deri tani.

    Partia e Ramush Haradinajt do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në mbi 10 komuna të tjera, ndërkaq do të përfaqësohet në asambletë komunale me 98 asambleistë, duke marrë mbi 87 mijë vota. /Telegrafi

  • Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

    Dy të dyshuarit tashmë janë sjellë në Gjykatë, transmeton Telegrafi.

    Gjykatësi Rrahman Beqiri në hyrje të seancë tha se janë njoftuar që Bedri Shabani ka marrë tretman mjekësor, dhe se i njëjti nuk është mirë me shëndet.

    Ndërsa, i akuzuari Bedri Shabani kërkoi që seanca të mos mbahet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    “Po kam marrë trajtim shëndetësor, por nuk jam mirë me shëndet. Ju kisha lut që kjo seancë mos të mbahet. Jam në mbikëqyrje të mjekëve. Gjendja shëndetësore është e vështirë, dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 min”, deklaroi ai.

    Pas kësaj trupi gjykues vendosi që të shkojnë në konsultime.

    Pas konsultimeve, u bë e ditur se seanca të ndërpritet përkohësisht deri në ora 10:30.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

  • Pas dorëheqjes, Memli Krasniqi rikthen frazën e famshme të Hashim Thaçit: “Kjo nuk është lamtumirë, kjo është vetëm mirëupafshim”

    Pas dorëheqjes, Memli Krasniqi rikthen frazën e famshme të Hashim Thaçit: “Kjo nuk është lamtumirë, kjo është vetëm mirëupafshim”

    Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka rikthyer një nga frazat më të njohura të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë:

    “Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirëupafshim.”

    Krasniqi dha dorëheqje gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, e cila u mbajt sot nga ora 15:00.

    Ai kishte marrë drejtimin e partisë më 3 korrik 2021, duke u zgjedhur me 469 vota për dhe vetëm 7 kundër.

    Në zgjedhjet lokale të fundit, PDK-ja ka fituar gjashtë komuna – Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit – ndërsa ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën.

  • Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Hill tha se ishte një përvojë e veçantë pjesëmarrja e tij në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ishte një përvojë e veçantë doja të them”, tha Hill.

    Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit se shpreson që kjo të mos jetë një përvojë e keqe.

    “Shpresoj të mos ketë qenë një përvojë e keqe”, tha Smith III.

    Ndërsa, Hill ia ktheu duke i thënë se “Kam pasur përvoja edhe më të këqija”.

    Gjatë fundit të dëshmisë, për dëshmitarin pati disa pyetje edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Për klientin e Dixon, dëshmitari tha se nuk e ka parë dhe nuk e di se ku ka qëndruar.

    Seanca pritet të vazhdojë pas pushimit me dëshminë e dëshmitarit të radhës.

  • Arrestohet një person për tentim vrasje në Istog, i dyshuari goditi viktimën me makinë

    Arrestohet një person për tentim vrasje në Istog, i dyshuari goditi viktimën me makinë

    Një person është arrestuar në Istog nën dyshimin për tentim vrasje dhe asgjësim të pasurisë.

    Sipas Policisë, njësitë reaguan menjëherë pas një konflikti mes dy personave, ku gjatë përleshjes janë përdorur mjete të ftohta dhe të forta.

    Si pasojë e incidentit, njëri nga të dyshuarit ka tentuar ta godasë tjetrin me veturë, duke dëmtuar tri automjete të parkuara dhe xhamat e një lokali. Personi tjetër ka pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes.

    Pas reagimit të shpejtë të policisë, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa tjetri, i njohur për organet e rendit, gjendet ende në arrati.

  • Arrestohet një shtetas i huaj në Lipjan, dyshohet për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

    Arrestohet një shtetas i huaj në Lipjan, dyshohet për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

    Një shtetas i huaj është arrestuar në Lipjan pasditen e së martës, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

    Rasti është konfirmuar nga Policia përmes raportit të saj 24-orësh.

    Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit është kryer rreth orës 15:30.

    Gjatë intervenimit, njësitet policore kanë sekuestruar një telefon celular, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar.