ATV

Tag: Ballina

  • Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj në Serbi – gjithçka që dihet deri tani

    Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj në Serbi – gjithçka që dihet deri tani

    Vetëm disa ditë pas lirimit të ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu i cili në qershor të këtij viti ishte arrestuar në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, një tjetër ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit është arrestuar nga autoritetet në Serbi.

    Lajmi për arrestimit e Qenajt nga autoritetet në Serbi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe nga OVL e UÇK-së.

    Nga MPJD kanë theksuar se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tij.

    Sipas njoftimit të MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te autoritetet serbe për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen ku po mbahet si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

    Ministria njofton gjithashtu se është informuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe janë dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, për të siguruar mbikëqyrje dhe angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të Qenajt.

    Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me kërkesën për lejimin e vizitës së të arrestuarit sapo të konfirmohet lokacioni i saktë i tij.

    MPJD rithekson se do të informojë opinionin publik në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim lidhur me këtë rast.

    Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve serbe, duke theksuar se Serbia vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    Ndërkaq, edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet në Serbi kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.

    Sipas Sylës, Qenaj – ish-pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë kalimit në territorin serb, ndërsa dyshohet se organet e sigurisë serbe ia kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit.

    Ai theksoi se Qenaj kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa probleme.

    E presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, të hënën ka pritur në një takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiut pas lirimit nga burgu në Serbi.

    Ajo ka ripërsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht atyre që planifikojnë të udhëtojnë gjatë festave të fundvitit, që të shmangin transitin nëpër Serbi.

    Sipas saj, në Serbi ende janë në pushtet struktura që, siç u shpreh ajo, “nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, çka paraqet rrezik për sigurinë e udhëtarëve kosovarë.

    Osmani takon Arbnor Spahiun pas lirimit nga Serbia: Udhëtarët të shmangin kalimin nëpër Serbi

    Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e qytetarëve të saj kudo që ndodhen dhe për parandalimin e rasteve të ngjashme të ndalimeve të padrejta.

    Por, avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi pas rasteve të përsëritura të arrestimeve të kosovarëve nga autoritetet serbe.

    Në një reagim publik, Koci tha se ndonëse shqetësimi është i drejtë dhe rreziku real, qasja e institucioneve nuk duhet të prodhojë frikë apo ndjenjë dorëzimi te qytetarët.

    “Kur thua ‘mos shkoni’, atëherë duhet të tregosh edhe ‘si do t’ju mbrojmë’ dhe ‘çfarë zgjidhje po ofrojmë’. Përndryshe, thirrja mbetet e cunguar dhe krijon hapësirë për pasiguri,” theksoi Koci.

    Ai kërkoi që shteti të shoqërojë paralajmërimet me masa konkrete, duke përfshirë: ofrimin e rrugëve alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën; garanci për mbrojtje konsullore të menjëhershme në rast të ndalimeve; koordinim të ngushtë me shtetet mike për monitorimin e situatës; masa reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; presion diplomatik të vazhdueshëm për të ndalur praktikat e autoriteteve serbe.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.

    Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari dyshohet se iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill të vitit 1998 dhe mori pjesë në luftimet e vitit 1999 në Koshare si anëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Qenajt i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa MPB e Serbisë ka njoftuar se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori.

  • Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 26 nëntor ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për RTKLive detaje për periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përmbyllet më 6 dhjetor 2025.

    Elezit ka thënë se “gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes (1) platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”.

    Më tej, Elezi ka treguar se “në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës”.

    Po ashtu, Elezi ka sqaruar se “në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”.

    Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.

  • Ky është ish-ushtari i UÇK’së që u arrestua në Serbi

    Ky është ish-ushtari i UÇK’së që u arrestua në Serbi

    Avni Qenaj nga fshati Romaj është ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili është arrestuar të martën në Serbi. Kjo u konfirmua nga nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla.

    “Avni Qenaj nga fshati Romaj dikun në rrethin të Prizrenit edhe ka shërby gjatë kohës së luftës në brigadën “138 Agim Ramadani””, tha Syla për Demos.

    Ai shtoi se arsyet e tij se pse ish-ushtari ka kaluar nga Serbia nuk i dijnë por ai ka lëvizur disa herë nga ky vend.

    “Ai ka lëvizë disa herë dhe nuk ka pas probleme”, tha ai.

    Tutje shtoi se ende nuk kanë pasur komunikim me familjen e ish-ushtarit.

  • Seanca në Asamblenë e Prishtinës, Vetëvendosje thotë se do t’i japë votat për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në 2025

    Seanca në Asamblenë e Prishtinës, Vetëvendosje thotë se do t’i japë votat për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në 2025

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të marrë pjesë dhe do të votojë pro bartjes së të hyrave vetanake të kryeqytetit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila do të mbahet të enjten, më 27 nëntor.

    Asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, ka thënë se debati rreth ligjshmërisë së seancës nuk është në dorën e tyre, por në kompetencë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Sipas tij, seanca është thirrur shumë vonë dhe kjo ka krijuar polemika të panevojshme.

    “MAPL-ja është ajo që e vlerëson nëse është e ligjshme apo jo. Rama ka mundur ta thirr këtë seancë edhe në tetor, edhe në shtator, kur nuk do të kishte fare polemika. Por megjithatë, a është ligjore apo jo do të vendosin organet e tjera. Qëndrimi ynë është i qartë: do të marrim pjesë në seancë dhe do të votojmë për bartjen e mjeteve. Ne asnjëherë nuk kemi qenë bllokues të Kuvendit”, deklaroi Azemi në “60 Minuta” të KTV-së.

    Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal për dy çështje kryesore: bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 dhe shqyrtimin e buxhetit të Prishtinës për vitin 2026.

  • Kjo është partia që pritet t’i bashkohet LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetori

    Kjo është partia që pritet t’i bashkohet LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetori

    Aleanca Kosova e Re pritet të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. AKR që tash udhëhiqet nga Vesel Makolli, sipas të gjasve do të jetë pjesë e listës së kandidatëve që garojnë me LDK-në.

    Makolli ka thënë se për shkak se edhe në zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë bashkë në Prishtinë, pret që këtë bashkëpunim ta vazhdojnë edhe për zgjedhje nacionale.

    “Po do të marrim pjesë në zgjedhje. Këto ditë e definojmë. E kemi parë ftesën publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këto dy tri ditë e vendosim. Edhe anëtarësia jonë është më e afërt me LDK-në se sa me partitë tjera”, ka thënë ai për indeksonline.

    I pyetur se sa kandidat do t’i ketë AKR në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Makolli ka thënë se pret që t’i kenë 5 kandidatë.

    Ai ka thënë se tash për tash nuk dihet nëse, Behgjet Pacolli do të jetë në mesin e kandidatëve të AKR-së për deputetë.

  • Ekzekutohen me rritje shtesat për fëmijë

    Ekzekutohen me rritje shtesat për fëmijë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar shtesat për mbi 400 mijë fëmijë, me rritjen prej 50 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte paralajmëruar më herët.

    Murati tha se gjatë ditës, të gjitha familjet përfituese do të marrin pagesat në llogaritë e tyre.

    “Shtesat për mbi 400 mijë fëmijë tashmë janë ekzekutuar me rritjen prej 50%, dhe sot gjatë ditës të gjitha familjet përfituese do t’i kenë në llogari. Vazhdojmë me punë të mira. Qeveria për Familjen”, tha ai.

  • “Për kursime dhe ndarje” – Qeveria në detyrë merr një vendim

    “Për kursime dhe ndarje” – Qeveria në detyrë merr një vendim

    Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka marrë një vendim, raporton Periskopi.

    Sipas një njoftimi për media aty është miratuar vetëm një kërkesë nga Ministria e Finacave.

    “Qeveria në detyrë ka mbajtur dje mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje”, thuhet në njoftimin e zyrës për media.

  • Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë

    Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Ai këto deklarata i bëri gjatë Samiti të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.

    Ai gjatë këtij samiti tha se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar.

    “Në të gjithë Kosovën dhe rajonin më të gjerë, shoqëritë po lundrojnë përmes sfidave të paprecedentë. Dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Kosovë, një mundësi për të vepruar së bashku. Në gjithë Evropën dhe më gjerë, dezinformimi synon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë ndarjet. Këto sfida tejkalojnë kufijtë, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Sipas gjetjeve të partnerit tonë, Hybrid.info, dezinformimi dhe ndjenjat nxitëse të tij janë shumë të theksuara, veçanërisht rreth zgjedhjeve dhe çështjeve të sigurisë”, tha ai.

    Ambasadori theksoi se hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm, ndërsa qytetarët janë të ekspozuar ndaj dezinformimit për shkak të mungesës së edukimit medial sistematik.

    “Sipas këtyre gjetjeve, dezinformimi në gjuhën shqipe përhapet kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa dezinformimi në disa gjuhë të tjera shpesh shfaqet në mediat tradicionale, me narrativa që shpesh ngjajnë me dezinformimin rus, sidomos në çështjet politike dhe të sigurisë. Si rezultat, hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm. Kërkimet e partnerëve tanë, si ‘BIRN’ dhe ‘Democracy Plus’, tregojnë se mendimi kritik dhe verifikimi i burimeve nuk mësohen në mënyrë sistematike në shkolla dhe nuk janë të integruara në arsimin publik, duke i lënë qytetarët shumë të ekspozuar ndaj manipulimit dhe dezinformimit. Kosova renditet e 40-ta nga 41 vende në Indeksin Evropian të Edukimit Mediatik, që pasqyron një vetëdije të dobët institucionale dhe investime të kufizuara në edukimin medial. Kapacitetet e verifikimit të fakteve mbeten të kufizuara, dhe nuk është miratuar asnjë strategji gjithëpërfshirëse kombëtare për edukimin medial”, tha ai.

    Orav nënvizoi rëndësinë e shoqërisë civile dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian.

    “Këto sfida kërkojnë jo vetëm vigjilencë, por një përgjigje të sigurt, të bashkuar dhe të udhëhequr nga vlerat, të bazuar në parimet demokratike, transparencë dhe sundimin e ligjit. Shoqëria civile qëndron në vijën e parë të këtij përpjekjeje. Puna juaj, qoftë në gazetari të pavarur, angazhim komunitar, kërkim apo verifikim faktesh, ka qenë thelbësore në forcimin e kulturës demokratike, mbajtjen përgjegjëse të institucioneve dhe ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve. Bashkimi Evropian është krenar që është partneri juaj në këtë mision. Ne do të vazhdojmë të mbështesim një shoqëri civile dinamike dhe të qëndrueshme, e cila është e aftë të rezistojë ndaj manipulimit, të mbrojë normat demokratike dhe të promovojë një debat publik të informuar. Rruga evropiane e Kosovës varet nga këto themele”, tha ai.

    Ai bëri thirrje për një qeveri funksionale dhe theksoi nevojën për dialog me Serbinë.

    “Për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, mundësia ekziston, por kërkon angazhim serioz. Në këtë kontekst, rruga e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë: përparimi varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e lirisë së mediave, sigurimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës. Këto nuk janë pengesa të vendosura nga Bashkimi Evropian — ato janë themele për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Por për të ecur përpara, na duhet qeveria këtu sa më shpejt të jetë e mundur. Na nevojitet një partner. Bashkimi Evropian duhet të mbetet i angazhuar, i qëndrueshëm dhe mbështetës. Dhe ne jemi. Angazhimi ynë ndaj rajonit është thelluar, jo dobësuar. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim”, tha Orav.

  • Kosova e Bosnja të vetmet vende që rrezikojnë të mos i marrin fondet e BE-së

    Kosova e Bosnja të vetmet vende që rrezikojnë të mos i marrin fondet e BE-së

    Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.

    Përderisa BeH nuk ka miratuar reformat, gjë që ia pamundëson ndihmën financiare nga blloku, Kosova ka një “telashe” tjetër.

    Zvarritja e formimit të institucioneve ka lënë prapa vendin, që përkundër se ndër vendet e para ka miratuar reformat, nuk e ka ratifikuar marrëveshjen në parlament.

    Fillimisht, zvarritjet erdhën sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparalamentare, pastaj çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese.

    Derisa më 10 tetor, pas më shumë se gjashtë muajsh u konstituua Kuvendi i Kosovës, që i hapte rrugë formimit të Qeverisë, përsëri partia fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit nuk kishte numrat e nevojshëm

    Edhe kjo, çoi në një zvarritje tjetër, fillimisht 15 ditë për të dështuar në zgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër, pastaj dhjetë ditë që presidentja, Vjosa Osmani të mandatojë Glauk Konjufcën, i cili e zvarriti procesin edhe për 15 ditë tjera, për të dështuar më 19 nëntor.

    E gjithë kjo zvarritje, Kosovës mund t’i kushtojë edhe me humbjen e kësaj pakete që kap vlerën e 880 milionë eurove.

    Kjo pasi, Komisioni Evropian kishte njoftuar se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin kushtet, pagesat mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht.

    “Në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti [ose dy vjetësh nga viti i parë i zbatimit], shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet pasuese”, deklaronte KE.

    Kosova që nga tetori do të mund të kishte pjesën e parë të fondeve, në rast se marrëveshja do të ishte ratifikuar para muajit tetor.

    E duke qenë se Kosova rrezikon të humbasë këto mjete financiare, Lëvizja Vetëvendosje u mundua të bullizojë deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 19 nëntor të miratojnë këtë marrëveshje që ia siguron vendit pjesën e parë të fondeve.

    Megjithatë, partitë që kanë qenë në opozitë nuk morën pjesë në një seancë të jashtëzakonshme që ishte thirrur atë ditë, duke çuar mesazhin që vendi shkon në zgjedhje e qeveria e ardhshme e zgjidhë këtë çështje.

    Tre ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që u mbajt në Tiranë.

    Duke pranuar që Kosova ka mbetur prapa me zbatimin e agjendës, Kurti u arsyetua duke thënë se kjo ndodhë për shkak të “rrethanave”.

    “Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë”, u shpreh ai.

    Në po të njëjtën ditë, Marta Kos, komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian dhe një mesazh shumë të qartë për Kosovën.

    “Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, u shpreh ajo.

    Plani i Rritjes mbulon periudhën 2024-2027 dhe përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

    Në mënyrë që vendet të përfitojnë nga këto fonde, ato duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, në sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.

  • Kurti: Nesër nisin shtesat e rritura për fëmijët

    Kurti: Nesër nisin shtesat e rritura për fëmijët

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga dita e nesërme do të fillojë ekzekutimi i shtesave të rritura për fëmijët, pas vendimit të Qeverisë për rritjen prej 50 për qind të këtij programi social.

    Përfitues të kësaj rritjeje do të jenë rreth 400 mijë fëmijë në mbarë vendin.

    Në një postim në Facebook, Kurti e quajti këtë një lajm të mirë për mijëra familje kosovare, duke theksuar se mbështetja financiare për fëmijët po zgjerohet ndjeshëm.

    “Lajm i mirë për të gjitha nënat që marrin shtesa për fëmijët: nga nesër fillon ekzekutimi i pagesave me rritjen e miratuar prej 50%. Nga kjo rritje do të përfitojnë 400 mijë fëmijë,” shkroi Kurti.

    Ai sqaroi se me rritjen e re, mbështetja mujore për familjet do të jetë dukshëm më e lartë.

    “Një familje me dy fëmijë, që ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro; një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, nga nesër do të marrë 135 euro; një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, nga nesër do të marrë 180 euro, e kështu me radhë”.