ATV

Tag: Ballina

  • Mblidhet qeveria në detyrë, 14 pika në rend të ditës

    Mblidhet qeveria në detyrë, 14 pika në rend të ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Në njoftimin për media është bërë e ditur se mbledhja do të nisë në ora 12:00.

    Në rend të ditës në mbledhjen e sotme janë gjithsej 14 pika.

    Në mbledhjen e ekzekutivit sot pritet të shqyrtohen propozim-vendimet për disa shpronësime. Po ashtu sot kabineti qeveritar në detyrë pritet të shqyrtojë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në kategorinë e shpenzimeve “paga dhe shtesa” për nëntor 2025 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

  • Ndryshime në qeverinë shqiptare, lirime dhe shkarkime nga detyra

    Ndryshime në qeverinë shqiptare, lirime dhe shkarkime nga detyra

    Në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave, më datë 26 nëntor 2025, u vendosën disa ndryshime në postet drejtuese të institucioneve, duke përfshirë emërime të reja dhe largime nga detyra për disa funksionarë.

    Ndryshimet prekën disa nga ministritë më të rëndësishme në vend.

    Kështu, Oltjon Muzaka emërohet zv ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Entela Ramosaçaj, zv ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.

    Ina Majko, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Denada Seferi, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.

    Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë,Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

    Blerta Rama, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

  • “KOSOVA VOTON”, është slogani për votimet e 28 dhjetorit

    “KOSOVA VOTON”, është slogani për votimet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar sot raportin e Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Kjo listë përmban 2,076,422 votues, prej të cilëve 1,067,499 burra dhe 1,008,923 gra.

    Sipas një njoftimi të KQZ-së, ajo njëherësh përmban 7 mijë e 324 votues më shumë në krahasim zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    KQZ-ja ka miratuar edhe sloganin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës i cili do të jetë “KOSOVA VOTON!”, thuhet në njoftim.

  • Albin Kurti sërish kandidat i VV’së për kryeministër të Kosovës

    Albin Kurti sërish kandidat i VV’së për kryeministër të Kosovës

    Ashtu si edhe pritej, Albin Kurti do të jetë kandidat për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Glauk Konjufca e nominoi atë para delegatëve.

    “Të gjithë jeni duke thënë me siguri, kush do ta meritonte më shumë se ai?! Themelues i Lëvizjes Vetëvendosje, drejtues i saj nëpër të gjitha furtunat e kohës. Gjithnjë duke qenë i gatshëm të jap e sakrifikojë më së shumti nga ne të gjithë”, tha Konjufca.

  • BE: Serbia po shkel Marrëveshjen e Ohrit

    BE: Serbia po shkel Marrëveshjen e Ohrit

    Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia është duke i shkelur obligimet e saja nga procesi i normalizimit të raporteve me Kosovën dhe marrëveshjes nga dialogu, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke reaguar në njoftimet nga Serbia se ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, është lavdëruar se po vazhdon kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë dhe se, sipas këtij ministri, “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e Interpolit”. Daçiq po ashtu ka thënë se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e Interpolit” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mes tjerash, obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. BE insiston se kjo marrëveshje është valide, se ajo duhet të implementohet pa vonesa, dhe se zbatimi i saj mbetet kusht për Kosovën dhe Serbinë, si për integrimin e tyre në BE, ashtu edhe për përfitime financiare nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Këtë, në përgjigjen e tij, e ka thënë për Kohën përsëri një zëdhënës i BE-së.

    “Progresi i Serbisë në rrugëtimin evropian varet nga përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve nga marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit. Duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia është në shkelje të obligimeve nga marrëveshja e Ohrit, neni 4 i marrëveshjes”, ka thënë ky zëdhënës.

    Por në BE akoma nuk saktësojnë se cilat do të jenë pasojat për Serbinë për një sjellje të tillë që vetë BE e konsideron shkelje. Disa shtete anëtare shpesh kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e masave ndaj Serbisë, ndërkohë që Komisioni Evropian i mban në fuqi masat kundër Kosovës. Një qasje e tillë nga disa shtete anëtare të BE-së është vlerësuar si “qasje e pabalancuar”.

    “Sa i përket planit të rritjes, parakushtet e lidhura me progresin në normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës vlerësohen sa herë që të bëhen kërkesa për pagesa, në përputhje me rregulloren”, ka thënë për këtë zëdhënësi i BE-së.

    Serbia ka marrë pagesën e parë nga paketa e rritjes në formën e “parafinancimit”. Kosova nuk ka përfituar akoma nga kjo, për shkak se nuk ka ratifikuar marrëveshjen për kredi me BE-në.

  • Fillon shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave në Prishtinë, do të dërgohen në adresat e kundërvajtësve

    Fillon shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave në Prishtinë, do të dërgohen në adresat e kundërvajtësve

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.

    Në njoftim thuhet se ky sistem i avancuar është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e kryeqytetit, po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme.

    “Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve.

  • Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha në të cilën partitë politike të regjistruara duhet të informojnë institucionin lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Ky afat, i hapur më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025.

    Deri të mërkurën më 26 nëntor 2025, në orën 10:00, është paraqitur një koalicion për pjesëmarrje në zgjedhje.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    “Deri më tani (e mërkurë, 26 nëntor 2025, ora 10:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e një koalicioni për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

    Ai shtoi se partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

    “Gjithashtu, partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, theksoi Elezi.

  • Sorensen: Spanja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi

    Sorensen: Spanja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, ku diskutuan për çështjen e dialogut, të cilën Sorensen e ka cilësuar si të dobishme.

    “Mirënjohës për interesimin e qëndrueshëm të Spanjës dhe mbështetjen e fortë për avancimin e procesit të normalizimit”, ka shkruar ai në platformën sociale X.

    Javë më parë, Sorensen kishte takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

    Gjatë takimit, Sorensen dhe Valtonen kanë diskutuar në detaje mbi procesin e dialogut.

    “Jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e ofruar për procesin e normalizimit”, ka shkruar ai në platformën sociale X.

  • Dita e Forcës, FSK-ja të enjten hap dyert për qytetarët

    Dita e Forcës, FSK-ja të enjten hap dyert për qytetarët

    Forca e Sigurisë së Kosovës bën të ditur se të enjten, më 27 nëntor organizon Ditën e Forcës-Ditë e hapur nga ora 09:00 deri në ora 14:00.

    Në kazermën “Adem Jashari “ në Prishtinë nga ora 09:30 do të jenë të pranishëm udhëheqësit e lartë shtetërorë, mysafirë e ambasador të vendeve mike.

    “Të gjithë qytetarët janë të mirëseardhur të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në: Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan. Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste”, thuhet në njoftim.

  • Vdes këngëtari Shpat Kasapi

    Vdes këngëtari Shpat Kasapi

    Pas një sulmi në zemër, sot herët në mëngjes ka ndërruar jetë këngëtari i pop-muzikës, Shpat Kasapi. Ai nuk i ka mbijetur atakut kardiak, ndërkohë që nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër.

    Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore, që i dha shtysën e parë drejt skenës.

    Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike.

    Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera.

    Ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të industrisë muzikore.

    Prej vitesh ka qenë një figurë e pandashme e muzikës pop shqiptare, duke ruajtur popullaritetin falë stilit të tij karakteristik dhe këngëve që vazhdojnë të dëgjohen gjerësisht.

    I ndjeri ka qenë i martuar dhe ka lënë pas një fëmijë. (koha.mk)