ATV

Tag: Ballina

  • KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme do të nisë më 17 dhjetor dhe do të përfundojë më 28 dhjetor.

    Pas shpërndarjes së Kuvendit të enjten, presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky vendim u mor për shkak të dështimit për formimin e Qeverisë së re, përbërjen e të cilës Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar dy herë pa sukses.

    Caktimi i datës së zgjedhjeve erdhi pas takimit që presidentja Osmani e zhvilloi me liderët e partive parlamentare.

    Ajo ka thënë se gjatë këtij takimi bëri përpjekjen e fundit për t’i kthyer deputetët në seancë dhe për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e vitit 2026, buxhetin për tri komuna dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

    Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që nga zgjedhjet parlamentare të fillimvitit. Tani vendi shkon në zgjedhje të reja, pa miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë euro, pa miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe pa miratuar financimin për RTK dhe për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

    Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.

  • Policia kap rreth 120 kilogramë drogë në një autobus në Prishtinë, arrestohet shoferi

    Policia kap rreth 120 kilogramë drogë në një autobus në Prishtinë, arrestohet shoferi

    Rreth 120 kilogramë substancë narkotike janë gjetur dhe sekuestruar në një autobus që po qarkullonte në rajonin e Prishtinës, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të autobusit, të cilin e drejtonte i dyshuari B.K.

    Menjëherë pas gjetjes së drogës, shoferi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

    Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, së bashku me Prokurorinë Speciale, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

    Me vendim të Prokurorisë Speciale, B.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit.

  • Brenda 48 orësh rritet niveli i ujit në Badoc e në Batllavë, KRU “Prishtina”: Pritet normalizimi i furnizimit me ujë

    Brenda 48 orësh rritet niveli i ujit në Badoc e në Batllavë, KRU “Prishtina”: Pritet normalizimi i furnizimit me ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se është përmirësuar situata pas rritjes së nivelit të ujit nga të reshurat në Badoc e Batllavë.

    Si rezultat i reshjeve, niveli i ujit në liqenin e Badovcit është rritur për 1.3 metra, duke shkaktuar turbullira dhe vështirësi në procesin e trajtimit të ujit. Ndërsa në Batllavë 1.4 metra nga niveli që ishte para 48 orëve, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

    KRU “Prishtina” tha se “sot situata është përmirësuar dukshëm dhe gjatë ditës pritet normalizimi i furnizimit me ujë në të gjitha zonat e prekura”.

  • Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës së Kosovës nga e hëna kanë hyrë në grevë. E greva ka filluar pasi që kërkesat e tyre, si rritja e pagave, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, nuk u janë realizuar, përkundër kërkesave të vazhdueshme, që ata i kanë bërë tek menaxhmenti.

    Driton Gashi, i cili së bashku me 25 punëtorë të tjerë të postës numër 6 në Prishtinë janë në grevë, janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    “Nga e hëna jemi në grevë. I kemi paralajmëru. Kërkesë ka qenë rritja e pagës, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, sepse nuk po mundemi me e mbulu tërë rajonin e Prishtinës”, tha Gashi.

    Ndërsa theksoi se që nga e hëna kur dhe ka filluar greva e tyre, puna është paralizuar dhe se nuk është realizuar asnjë shpërndarje e dokumenteve, letrave as në Gjykata dhe as në ndonjë institucion tjetër.

    Ndërsa thotë se përkundër takimeve me menaxhmentin e Postës, ata nuk kanë marrë ndonjë konfirmim për realizimin e kërkesave të tyre.

    “Gjithçka është paralizu, nuk ka shpërndarje as në gjykata as në institucione tjera. Jemi takuar me menaxhmentin, të cilët na kanë thënë nisjani punës dhe ne do të shikojmë për kërkesat tuaja. Por s’ka reflektim, nuk na kanë dhënë ndonjë datë apo konfirmim. Jemi të vendosur të vazhdojmë grevën, deri në realizimin e kërkesave”, tha ai.

  • Një grua humb jetën si pasojë e një aksidenti në Drenas, policia jep detaje

    Një grua humb jetën si pasojë e një aksidenti në Drenas, policia jep detaje

    Një grua ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit.

    Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së enjtes, ku sipas policisë, drejtuesi i mjetit nuk u ishte përshtatur kushteve të shpejtësisë dhe si pasojë kishte humbur kontrollin e veturës dhe kishte përfunduar në një kanal.

    Lëndime kanë pësuar edhe tre persona të tjerë, që janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

    “Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar si pasojë e mospërshtatjes se shpejtësisë me kushtet e rrugës, humb kontrollin mbi veturën del jashtë rruge dhe përfundon në një kanal. Si pasojë, drejtuesi dhe katër pasagjerë (tre femra dhe një mashkull kosovarë) kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK ku njëra nga pasagjeret si pasojë e lëndimeve ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet ne IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Plani i Rritjes, Tirana pret sot liderët e Ballkanit Perëndimor

    Plani i Rritjes, Tirana pret sot liderët e Ballkanit Perëndimor

    Në Pallatin e Brigadave këtë të premte do të zhvillohet samiti për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

    Në këtë samit të pranishëm do të jenë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos ku pritet të diskutohet lidhur me planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt tregut të Bashkimit Evropian.

    Samiti do të nisë në orën 09:30 ku pritet që kryeministri Edi Rama së bashku me Kos të mbajnë fjalën hapëse për të vijuar më pas me punimet e samitit.

    Gjithashtu do të mbahet edhe një konferencë e përbashkët e Ramës dhe Kos, raporton euronews.al. Rama mbrëmjen e së enjtes ka zhvilluar edhe një darkë zyrtare me komisioneren.

  • “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët” – Isa Mustafa e zbulon se çka i kishte thënë Kadri Veseli

    “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët” – Isa Mustafa e zbulon se çka i kishte thënë Kadri Veseli

    Ish-kryeministri Isa Mustafa, në një intervistë të fundit, ka folur për procesin gjyqësor në Hagë dhe ka kujtuar një deklaratë të ish-kryeparlamentarit dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

    Mustafa tregoi se Veseli i kishte thënë se ishte i gatshëm të përballej vet me drejtësinë, në vend që të ndiqeshin shokët e tij.

    Sipas Mustafës, Veseli i kishte thënë: “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët.”

    Këtë deklarim ish-kryeministri e tha në një intervistë në ATV.

    Deklarata e plotë:

  • Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë sot liderët partiakë për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, pas dështimit të mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverinë e re të Kosovës.

    Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka konfirmuar se takimi do të nisë nga ora 10:30, dhe të njëjtit do të marrin pjesë.

    Po ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky takim vjen një ditë pas dështimin të Glauk Konjufcës për t’u zgjedhur kryeministër i vendit.

    Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

    Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se seanca e sotme është tregues se partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit.

    “Besoj që me sjelljet dhe veprimet e sotme të partive opozitare, ka kulmuar apo është materializuar në tërësi ajo që kemi thënë nga fillimi, ku tash e 9 muaj partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit. Qëllimi i vetëm i tyre është kundërshtimi ndaj Albin Kurtit pa pasur as alternativë, por edhe duke lënë çdo interes shtetëror e të qytetarëve anash”, tha ai.

    Ai përmendi edhe seancën e buxhetit ku opozita nuk mori pjesë.

    “Me qenë se sot kishim votimin e buxhetit për vitin e ardhshme, buxhetin për tri komunat, marrëveshjet ndërkombëtare, opozita nuk tregoj gatishmëri që ti votoj këto buxhet që të mos mbetshin qytetarë pa këto mjete. Ata thanë që nuk duna të votojnë as buxhet e marrëveshje pa një qeveri. Kur ju ofrua mundësi, përsëri refuzuan. Ai buxhet që ka qenë i KQZ është shpenzuar, duhet të shihen mundësit që brenda kursimeve, apo mbetjeve në organizata buxhetore që kanë mbetu”, deklaroi ai.

  • Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por ka vetëm ankesa të opozitarëve

    Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por ka vetëm ankesa të opozitarëve

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme, të cilën e konsideroi të jashtëligjshme, deklaroi se në Kosovë nuk ekziston krizë ekonomike.

    Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij, rritja ekonomike nuk ka rënë kurrë nën 4 për qind, dhe se rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind, duke shtuar se për këtë arsye nuk ka protesta qytetarësh, por vetëm ankesa nga opozita.

    “Të nderuar deputetë, në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Në çerekun e dytë të këtij viti ka qenë 4.58 për qind e bruto produktit vendor. Në këto katër vite, sa isha kryeministër dhe tash edhe kryeministër në detyrë, asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja mesatare është 6 për qind, prandaj dhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, po rrezikojmë të kemi krizë sociale nga kriza buxhetore-financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdorim procedurat, le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit”, deklaroi Kurti.