ATV

Tag: Ballina

  • Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Sot janë bërë dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt në një fshat të Prishtinës. Ajo u vra më 29 nëntor të vitit 2023, derisa bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshortin Naim Murseli po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin ngrënë darkë në një restorant. Për këtë rast është akoma duke u zhvilluar gjykimi, ku në mesin të akuzuarve për vrasjen është edhe vet Murseli.

    Në përvjetorin e dytë të vrasjes, familja e Liridona Ademajt është në pritje të drejtësisë.Kanë kaluar dy vjet qëkur Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    Për vrasjen e saj po gjykohet bashkëshorti Naim Murseli, i cili akuzohet se e ka planifikuar vrasjen e saj me qëllim hakmarrjeje e përfitim financiar, konkretisht, nga një sigurim jetësor në Suedi që arrinte vlerën rreth 260 mijë eurosh.

    Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet të ketë planifikuar vrasjen me Kushtrim Kokallën, i akuzuar se ka njoftuar Murselin me dorasin Granit Plava, duke iu premtuar të dyve 30 mijë euro.

    E ky përvjetor i dytë i vrasjes së Ademajt e gjen familjen e saj ende duke pritur drejtësinë.

    “Këto 2 vite nuk kanë qenë të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për praninë tënde; asgjë nuk është më e njëjtë. Vitet po ecin shpejt dhe ne ende po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Leonard Ademaj – vëllai i Liridona Ademajt.

    Rasti në gjykatë monitorohet në vazhdimësi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga i cili thonë se rasti mund të marrë epilog në dhjetor.

    “Kemi disa seanca gjatë dhjetorit dhe normalisht, sipas planit, mund të kemi edhe epilogun e rastit por gjithmonë duke pasur parasysh, gjithmonë prej mbrojtjes së të akuzuarve se a do deklarohen apo mbrohen në heshtje. Mund të kemi edhe datën më të saktë të përfundimit të gjykimit në këtë rast. Pa përfundu kjo fazë, nuk mund ta dimë saktë epilogun dhe kohën kur përfundon”, ka thënë Flamur Kabashi – hulumtues në IKD për Tv Dukagjini.

    Sipas Kabashit, ka një element konkret që e ka karakterizuar rastin.

    “Gjatë gjykimit deri më tash, mund të themi se është karakterizu me dëgjimin e dëshmitarëve dhe leximin e provave konkretisht me dëgjimin e dëshmitarëve, konkretisht, baba i të akuzuarit. Normalisht këto prova do vlerësohen nga ana e gjykatës në ndërlidhshmëri mes vete duke sqarua se çka kanë provu. Duhet me pas parasysh që gjatë gjykimit një rol jashtëzakonisht aktiv në marrjen në pyetje e ka pas i akuzuari ku ka parashtru pyetje në drejtim të dëshmitarëve që është e drejtë e garantuar me legjislacionin tonë në fuqi në krahasim me rastet e tjera kur të akuzuarit shumicën e rasteve, pyetjet për ta i bëjnë mbrojtësit”, ka shtuar Kabashi.

    Sipas ekspertit mjeko-ligjor që dha dëshmi në gjykatë, e ndjera ishte vrarë nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

    Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra.

  • Gjykata në Beograd ia cakton një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj

    Gjykata në Beograd ia cakton një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj

    Gjykata në Beograd i ka caktuar një muaj paraburgim ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, njëherësh shtetas i Republikës së Kosovës, pa paraqitur asnjë provë konkrete ndaj tij.

    Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, përmes një shkrimi në Facebook.

    “Ish pjestarit te UÇK-se shtetasit te Republikes se Kosoves Avni Qenaj pa asnje prove te vetme Gjykata ne Beograd dje ia ka caktuar 30 dite paraburgimin ne vend qe ai te lirohej nen presionin diplomatik efektiv te Qeverise normale e serioze qe na mungon”.

    Sipas Smakiqit, familja Qenaj po kalon ditë të rënda, ndërsa pretendon se institucionet e Kosovës nuk po ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

    “Familja Qenaj është lënë e vetme në këtë betejë ligjore. Në këto ditë feste kombëtare, ata po përballen me ankth dhe me mungesë të plotë të mbështetjes shtetërore. Pafajësia e Avni Qenaj do të triumfojë, por çfarë kuptimi ka ekzistenca e shtetit kur dështon në secilën fushë? Liri për Avni Qenaj, i cili po kalon 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit, ku po mbahet në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, ka shkruar Smakiqi në Facebook.

    Ai ka akuzuar autoritetet e Kosovës, pasi sipas tij, po ia lehtësojnë Serbisë shkeljet e marrëveshjes së Brukselit.

    “Ne mungesë te një Qeverie serioze te Kosoves vazhdojnë kindnapimet e ish pjestarëve te UÇK-se sepse Qeveria duke u sjellur ne menyren me jo serioze qe 5 vite ne negociatat ne Bruksel Serbia lehtesishte shkel marrveshjet e Brukselit ku garantohet liria e levizjes dhe kapitalit si e drejte themelore njerzore dhe parime themelore te BE-se, por qe kjo e drejte nuk po zbatohet per ish pjestaret e UÇK-se”, tha mes tjerash Smakiqi.

  • Mandati i Peter Sorensenit zgjatet për dy vjet shtesë

    Mandati i Peter Sorensenit zgjatet për dy vjet shtesë

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar zgjatjen e mandatit të emisarit për dialog, Peter Sorensen, për dy vjet shtesë, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

    Burime diplomatike në Bruksel konfirmuan se mandati i Sorensenit, i cili skadon në fund të shkurtit, do të vazhdojë për dy vjet. Edhe pse mandati i tij i parë, 13-mujor, nuk ka sjellë përparim të dukshëm në procesin e dialogut, BE-ja thekson se mungesa e lëvizjeve është e lidhur me zhvillimet politike të brendshme në Kosovë dhe Serbi.

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kaja Kallas synon organizimin e një takimi në nivel liderësh, por vetëm kur të krijohen kushtet e nevojshme. BE-ja vazhdon të theksojë se progresi në rrugën evropiane për të dyja vendet varet nga avancimi në dialog.

    Ministrat evropianë do të rikujtojnë në dhjetor se, në mungesë të përparimit, palët mund të humbasin mundësi të rëndësishme. BE-ja kërkon gjithashtu përmbushjen e detyrimeve të dala nga dialogu dhe zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, të arritur në Ohër.

  • Incident i armatosur në rrugën “Dardania”, plagosje pas një zënke në trafik në Fushë Kosovë

    Incident i armatosur në rrugën “Dardania”, plagosje pas një zënke në trafik në Fushë Kosovë

    Një mosmarrëveshje e çastit në trafik dyshohet se u bë shkaktare e një plagosjeje me armë zjarri pasditen e sotme në Fushë Kosovë.

    Incidenti u regjistrua rreth orës 15:50 në rrugën “Dardania”, pranë shkollës “Mihal Grameno”, ku nga të shtënat mbeti i plagosur një 40-vjeçar.

    Ky i fundit u paraqit vetë në stacionin policor me plagë në këmbë, ndërsa mjekët konfirmojnë se është jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së viktimës, gjithçka nisi pas një konflikti verbal në komunikacion me drejtuesin e një veture Audi A3, të cilin nuk e njihte.

    I dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia, me autorizim të prokurorit, ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

  • OVL-UÇK: 13 vjet më parë u vulos e vërteta për Haradinajn, drejtësia do të vijë edhe për ish-krerët e UÇK-së

    OVL-UÇK: 13 vjet më parë u vulos e vërteta për Haradinajn, drejtësia do të vijë edhe për ish-krerët e UÇK-së

    Sot shënohen 13 vite që kur Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.

    Për këtë rast ka reaguar OVL-UÇK, duke theksuar se para 13 vitesh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti një fitore historike përballë Serbisë dhe akuzave të saj të pabaza.

    Nga OVL-UÇK është theksuar se vendimi i pafajësisë për Ramush Haradinajn nuk ishte vetëm një drejtësi për një komandant, por një drejtësi për gjithë luftën e UÇK-së.

    “Vendimi i pafajësisë për Ramush Haradinajn nuk ishte vetëm një drejtësi për një komandant, por një drejtësi për gjithë luftën e UÇK-së. Ishte dëshmi se edhe kur përballemi me gjykime politike, e vërteta e luftës sonë del fituese”, shkroi Organizata e Veteranëve.

    OVL e UÇK-së ka shprehur besim se pafajësia do të konfirmohet edhe për ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë.

    “Sot, si atëherë, OVL UÇK qëndron me të njëjtin besim të palëkundur, derisa drejtësia të konfirmojë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt. Ashtu siç u provua e drejta për komandantët e tjerë, edhe për ta do të vijë dita e bardhë, sepse lufta e UÇK-së nuk është njollosur kurrë, as në fushëbetejë, as në gjykatë”, thuhet në reagim.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ: Nis afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ: Nis afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se ka nisur periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë kësaj periudhe 11-ditore, nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor 2025, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndërrojnë atë brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit:

    1.Përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose

    2.Duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku janë të regjistruar si votues.

    KQZ sqaron se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga Komisioni, pasi kjo lidhet me deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

    Përmes KQZ-së, votuesi mund të ndryshojë Qendrën e Votimit vetëm brenda komunës së vet. Ndërsa për të kaluar nga një Qendër Votimi në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën zyrtare të vendbanimit në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës E-Kosova.

    Ndryshimet e bëra gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor 2025 do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së pas përfundimit të saj: https://qv.kqz-ks.org.

  • Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Janë bërë dy vjet prej vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në sy të fëmijëve të saj e me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murseli për të cilin tashmë ka edhe një aktakuzë e po gjykohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në këtë përvjetor e ndjera është kujtuar nga vëllai i saj Leonard Ademaj, i cili thotë se malli për të shtohet çdo ditë e nuk mund të pajtohet me faktin që më nuk është në mesin e tyre, duke theksuar se mungesa e saj vërehet në çdo kohë.

    “Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote Motër. Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin qe ti nuk je më ne mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde asgjë më nuk është e njejtë”, ka shkruar Leonardi.

    Teksa shkruan për mungesën e saj, Leonard Ademaj thotë se do të luftojnë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se vitet po ecin e akoma po përballen me kriminelët që padrejtësisht ia morën jetën.

    “Vitet po ecin shpejtë e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty Motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mallë e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemtë Diar&Dion”, ka shkruar vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi.

  • Gjueti e paligjshme në Koshare – pesë persona kapen nga Policia, sekuestrohen armë dhe derri i vrarë

    Gjueti e paligjshme në Koshare – pesë persona kapen nga Policia, sekuestrohen armë dhe derri i vrarë

    Një rast i rëndë i gjuetisë së kundërligjshme është regjistruar paraditen e së premtes në fshatin Koshare të Gjakovës, ku pesë persona dyshohet se janë kapur duke gjuajtur brenda zonës së parkut nacional.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:54, kur Policia ka marrë informacion nga një burim i besueshëm, nga struktura të afërta me hetimin, se disa persona po lëviznin me armë gjuetie dhe qen gjuetie, duke ushtruar aktivitet të ndaluar në territor të mbrojtur.

    Patrulla ka shkuar menjëherë në lokacion, ku ka lokalizuar dhe ndaluar pesë personat e dyshuar dhe sipas të dhënave që ka mësuar Sinjali, të dyshuarit ishin duke kryer gjueti të kundërligjshme dhe kishin vrarë një derr të egër, i cili është gjetur në vendngjarje.

    Policua tha se gjatë kontrollit dhe bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale, fishekë, tre radiolidhje, një thikë, një pushkë gjahu kal. 12 mm, një pushkë gjysmë automatike, një pushkë karabinë gjuetie.

    Ndërkohë, armët e sekuestruara janë dërguar për procedura të mëtejme, ndërsa derri i vrarë është groposur në një vend të sigurt në koordinim me Drejtorinë Komunale të Bujqësisë.

    Pesë personat janë arrestuar, intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Hetimet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Gjuetia e kundërligjshme” po vazhdojnë.

  • Gjendet pa shenja jete një i mitur në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një i mitur në Prizren

    Një i mitur është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij të premten në Prizren.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se i mituri u dërgua në Spitalin e Prizrenit e ku aty iu konstatua vdekja.

    “Fsh.Reqan, Prizren 28.11.2025-20:30. Raportohet se nga familjaret është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar, i mitur. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Festa e Flamurit, Rama e cilëson kuptimplotë pjesëmarrjen e Presidentes Osmani

    Festa e Flamurit, Rama e cilëson kuptimplotë pjesëmarrjen e Presidentes Osmani

    Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi nga Mbrëmja Tradicionale për nder të Ditës së Pavarësisë që është organizuar në Tiranë.

    Në përshkrimin që Rama ka vendosur në profilin e tij në “facebook”, ka veçuar pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e quajtur “prani kuptimplotë”.

    “Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës”, ka shkruar Rama.