ATV

Tag: Ballina

  • Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Reagon PDK: Kjo është situata që po ndodhë në Kuvend

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me një komunikatë për situatën aktuale në Kuvend. DK ka treguar tre pika kryesore me anë të së cilës tregon anën juridike të punës së Kuvendit.

    “Për ta sqaruar thjesht për qytetarët se çfarë po ndodh me Kuvendin:

    Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.
    Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet.
    Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
    Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh.
    Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin.
    Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës.
    PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet” thuhet në reagimin e PDK-së.

  • Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Ngërçi politik, Sadiku: Kjo është kapja më e madhe e shtetit, Kurti ka me u përgjigj për këtë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me situatën politike, duke e cilësuar të njëjtën si ‘’kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës’’.

    Sadiku, ka deklaruar edhe se, si deputetë ‘’nuk po lejohen’’ të punojnë, dhe se për këtë do të ‘’përgjigjet’’ Kurti.

    Postimi:

    Certifikimi i zgjedhjeve është kryer më 8 korrik. Ne që jemi zgjedhur deputetë me votën e popullit, nuk po lejohemi të punojmë. Nuk po lejohemi të merremi me ligje, komisione, zhvillim dhe problemet reale të qytetarëve.

    Ndërkohë, Kurti vazhdon të jetë kryeministër, por pa Kuvend funksional, pa kontroll parlamentar dhe pa llogaridhënie.

    Kjo është kapja më e madhe e shtetit që ka ndodhur në historinë e Kosovës së pasluftës.

    Kurti ka me u përgjigj për këtë.

  • Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së

    Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Imeri, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

    Imeri ka lidhur deklaratën e Vuçiqit me zhvillimet politike në Kosovë, duke argumentuar se çështja e burimeve ujore dhe e sigurisë energjetike duhet të trajtohet në institucionet e Kosovës dhe jo përmes, siç e ka cilësuar ajo, “ngjalljes së panikut”.

    “Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së, sepse lumi Ibër e mbush liqenin e Ujmanit, lidhet me kanalin Ibër-Lepenc deri në Obiliq, ndërsa lumi vazhdon në Serbi”, ka shkruar Imeri.

    Ajo ka pretenduar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të paraqiste rrezik për sigurinë energjetike të Kosovës.

    “Ndryshimi i rrjedhës jo veç që nuk lejohet me të drejtë ndërkombëtare, por edhe rrezikon sigurinë energjetike 100 për qind, për çfarë Serbia penalizohet”, ka deklaruar Imeri.

    Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, Qeveria e Kosovës ka trajtuar çështjen e Ujmanit dhe deklaratat e presidentit serb.

    “Tash nuk ka nevojë as Albin Kurti, as ministri Sveçla të defilojnë në Ujman kinse e mbrojnë Kosovën. Kallxon rryma, guri e gruri sa e mbrojnë”, ka shkruar ajo.

    Imeri ka thënë se për këtë çështje duhet të flitet në Kuvendin e Kosovës, duke e lidhur reagimin e saj edhe me situatën politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

    “Çështja është Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nuk kryen punë as Vuçiqi në ngjallje paniku për me i dhanë shkak për trazira VV-së”, ka deklaruar ajo.

    Në fund, Imeri ka ngritur edhe një pyetje lidhur me pjesëmarrjen e kryeministrit në seancën e Kuvendit.

    “A del në Kuvend me u anku kryeministri në mashtrim e sipër, duke e ditur që mund të mos e përfundojë seancën vetëm si viktimë e gjuajtjes së vezëve?”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

  • Rama i përgjigjet Vuçiqit për lumin Ibër: Kosova është republikë sovrane

    Rama i përgjigjet Vuçiqit për lumin Ibër: Kosova është republikë sovrane

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë, duke e cilësuar si “shkëmbim shumë interesant veror” diskutimin për lumin Ibër dhe çështjet që lidhen me Kosovën.

    Rama ka kritikuar përmendjen e vazhdueshme të konceptit të “Shqipërisë së Madhe” sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk ka nevojë për një koncept të tillë për të mbështetur Kosovën

    “Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës. Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre”, ka shkruar Rama.

    Duke iu referuar statusit të Kosovës, Rama ka deklaruar se territori i Republikës së Kosovës nuk është territor i Serbisë dhe se burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë.

    Sa i përket lumit Ibër, Rama ka rikthyer vëmendjen te çështja fillestare, duke argumentuar se bëhet fjalë për një sistem ujor ndërkufitar.

    “Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të pretendojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalen në mënyrë magjike në kufirin serb”, ka thënë Rama, duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare për ujërat.

    Rama ka folur edhe për komunitetin serb në Kosovë, duke theksuar se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tij duhet të mbrohen.

    Në fund, Rama ka theksuar se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe që i gjithë rajoni, përfshirë Serbinë, të jetë pjesë e Evropës.

    “Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të jetojë përgjithmonë brenda versionit serb të historisë”, ka shkruar Rama.

  • Caktohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Caktohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat vlejnë për ditën e sotme, 11.08.2026.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë (dizel) është 1.64 euro, ndërsa për një litër benzinë 1.44 euro.

    Çmimi maksimal i gazit është caktuar 0.60 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi sot në orën 10:00.

  • Përurohet rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti: Investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit

    Përurohet rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti: Investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit

    Në Zubin-Potok është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, projekt që sipas institucioneve synon forcimin e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend. Në ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët vlerësuan rëndësinë e investimit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekti përfaqëson një investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit.

    “Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër-Lepencit për sigurinë ujore dhe mbrojtjen e kanalit. Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit, që tani nuk është më i dukshëm, dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar dhe, me kërkesë të banorëve, këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë. Prej se është ndërtuar në vitet e 80-ta, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali, që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në Rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë. Prandaj, mbrojtja e tij nuk është thjesht një çështje lokale dhe as vetëm teknike, është mbrojtje e përditshme e Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara”, u shpreh Kurti.

    Kurti tha se investimi prej 18 milionë eurosh nuk është vetëm reagim ndaj rreziqeve, por ndërtim i kapaciteteve për parandalimin e tyre.

    “Përmes këtij projekti, në vlerë prej 18 milionë eurosh, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente. Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut; ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet të vazhdojnë t’u ofrohen me cilësinë e duhur, pa ndërprerje. Ne zgjodhëm që përurimin e projektit ta bëjmë pikërisht në këtë vend, ku kanali dikur ka qenë rrezik për banorët, por ku sot ndërmarrja Ibër-Lepenc investon në infrastrukturë, punëson qytetarët dhe e përmbush misionin e vet për shtetin”, tha Kurti.

    Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti është i një rëndësie të veçantë për sigurinë ujore të Kosovës, duke kujtuar edhe sulmin terrorist ndaj kanalit vitin e kaluar.

    “Është kënaqësi e veçantë të jem këtu sot për të përuar një projekt tejet të rëndësishëm për sigurinë e kanalit dhe sigurinë ujore të Republikës së Kosovës. Herën e fundit që kemi qenë këtu ka qenë përafërsisht para një viti, kur puna në këtë pjesë ka filluar, ndërkohë që kishin kaluar më pak se gjashtë muaj prej se ishte përfunduar rehabilitimi i asaj pjese të kanalit që ishte cak i një sulmi terrorist. Ky rast na bëri më së miri ta kuptojmë e ta ndiejmë thellë atë që të gjithë e dinim racionalisht: që Ujmani është jetik për sigurinë e vendit tonë, duke qenë jetik edhe për furnizimin me ujë dhe për rezervat ujore, duke pasur dy të tretat e rezervave të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe për furnizimin me ujë të rreth 500 mijë banorëve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, shteti, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike nuk janë aty vetëm për të reaguar kur ka sulme. Mirëmbajtja e rregullt dhe e duhur e infrastrukturës kritike është po aq e rëndësishme për sigurinë”, tha ajo.

    Ajo shtoi se rehabilitimi ka përmirësuar kapacitetin dhe monitorimin e kanalit.

    “Ky projekt që po përurojmë sot ka dhënë tri rezultate kryesore: e para, e ka rehabilituar kanalin dhe ia ka rikthyer kapacitetin fillestar; e dyta, e ka përmirësuar cilësinë e ujit; dhe e treta, e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike. Rezultati i parë është rehabilitimi i plotë i 10 kilometrave të kanalit. Segmentet e dëmtuara janë veshur me beton të ri të armuar, ndërsa pjesët me dëmtime strukturore dhe rrjedhje aktive janë sanuar”, shtoi Rizvanolli.

    Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerësoi bashkëpunimin institucional dhe tha se projekte të tilla ndikojnë në ndryshimin e qasjes ndaj banorëve të veriut të Kosovës.

    “Unë po e falënderoj kryeministrin, mbi të gjithë të tjerët, juve, zonja ministre Rizvanolli. Keni treguar deri më tani veten që me të vërtetë jeni një person i përkushtuar për zhvillimin e secilit prej rajoneve të Kosovës. Unë gjithashtu po mbetem i përkushtuar, së bashku me juve, që t’i vazhdojmë këto projekte, të cilat në esencë e ndryshojnë krejt qasjen ndaj banorëve të veriut të Kosovës”, tha Rashiq.

    Drejtori i ndërmarrjes Ibër-Lepenc, Faruk Mujka, tha se projekti paraqet një investim të rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me ujë dhe stabilitetin e infrastrukturës jetike në vend.

    “Ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj në këtë inaugurim kaq të rëndësishëm, siç është projekti ‘Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit’, që ndikon dukshëm në rritjen e stabilitetit dhe kualitetit të furnizimit me ujë, pikë së pari për KRU Mitrovica, KRU Prishtina dhe KEK-un, që janë ndër institucionet më të rëndësishme në vend. Projekti që po inaugurojmë sot po ndikon në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me ujë. Nuk është thjesht vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në sigurinë kombëtare, mirëqenien tonë dhe në ekonominë e vendit tonë. Uji është burim i çmuar i jetës dhe siguria e furnizimit me ujë është një prej prioriteteve kryesore për çdo shoqëri që synon zhvillim të qëndrueshëm. Ne po garantojmë që qytetarët e nëntë komunave të Republikës së Kosovës, si dhe impiantet e KEK-ut, do të kenë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë edhe në kohët më të vështira”, tha Mujka.

  • Rritet sërish çmimi i naftës, litri arrin në 1.80 euro

    Rritet sërish çmimi i naftës, litri arrin në 1.80 euro

    Ministria ka publikuar çmimet tavan të lejuara për tregtimin e derivateve për datën 4 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.80 euro, duke vazhduar trendin e rritjes së ditëve të fundit.

    Çmimet e derivateve monitorohen dhe publikohen çdo ditë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në përputhje me vendimin për caktimin e çmimeve tavan.

  • Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    “Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.

    “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

    Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës së re.

    Por para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka nisur përpjekjet për të krijuar një dakordim mes subjekteve politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

    Ai ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me synimin për të diskutuar mundësinë e arritjes së një konsensusi për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

    LDK pranoi ftesën e Kurtit

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për liderët politikë.

    Prania e LDK-së në këtë takim shihet si një mundësi për të zhvilluar diskutime mes partive për hapat e ardhshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

    PDK refuzoi pjesëmarrjen

    Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

    Në përgjigjen e tij ndaj ftesës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie se në rrethanat aktuale do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

    Hamza ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

    AAK nuk merr pjesë në takim

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga Kurti.

    AAK, njësoj sikurse PDK, ka mbajtur qëndrimin se do të vazhdojë të veprojë nga opozita, duke mos u përfshirë në përpjekjet për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

    Ftesa e Kurtit për partitë politike vjen në një kohë kur pritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një hap i domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

  • Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar sot në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, aty ku kryhen gërmime me dyshimet për varrezë masive.

    Kurti theksoi se gërmimet mund të vazhdojnë ndoshta edhe me muaj, pasi eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi.

    “Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta heshtin e zhdukin, bërtet dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, ka thënë Kurti.

    Ai falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzinkës, antropologët dhe përfaqësuesit e EULEX-it për punën që po e bëjnë, ndërsa tha se e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit të Kosovës.

    “…E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit në mënyrë që ankthi, vuajta e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marr fund edhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta dhe më në fund të munden që në paqe dhe të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e 1999 vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

    Kryeministri tutje theksoi se duhet të priten analizat e ADN-së, por sipas tij me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarët e njohur si Grupi i Intelektualëve, ku 23 persona më 19 prill u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

    “… u rrëmbyen, u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor por u orvaten që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre, andaj në këtë vend që po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet me veturë ta varrosin të vërteten e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri në detyrë tha më tej se gërmimet do të vazhdojnë me javë, ndoshta edhe për shumë muaj meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi. /Telegrafi/

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, me 1 gusht do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    Në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë.

    Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime.

    “Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar” thuhet në njoftimin e Ministrisë.