ATV

Tag: Ballina

  • KEK ndal Njësinë A5 për sanim, operimi vazhdon me katër njësi prodhuese

    KEK ndal Njësinë A5 për sanim, operimi vazhdon me katër njësi prodhuese

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi mbrëmjen e sotme, për shkak të një rrjedhjeje të evidentuar në sistemin gypor.

    Sipas KEK-ut, rrjedhja është konstatuar në ekranet e njësisë, në kuotën 10 -15 metra, ndërsa ndalja është bërë në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë.

    “Njësia A5 është ndalur nga operimi si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), ndërsa ndalja është realizuar me qëllim të parandalimit të defekteve të mundshme dhe kryerjes së sanimeve të nevojshme”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    KEK bën të ditur se, pavarësisht ndaljes së Njësisë A5, prodhimi i energjisë elektrike po vazhdon sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2.

    “Në kushte të zakonshme operimi, KEK funksionon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me kërkesë të rritur ka angazhuar maksimalisht edhe njësinë e pestë”, thekson korporata.

    Në njoftim theksohet se gjatë këtij viti KEK ka arritur një nivel të lartë operimi, duke funksionuar njëkohësisht me pesë njësi prodhuese për më shumë se 25 ditë.

    “Ky nivel i operimit përfaqëson arritjen më të lartë operative të regjistruar që nga viti 2006, duke reflektuar stabilitet teknik, mirëmbajtje të avancuar dhe angazhim maksimal profesional,” thuhet më tej në njoftim.

    KEK njofton se menjëherë pas përfundimit të sanimit, Njësia A5 do të rikthehet në operim, me synimin për të vazhduar prodhimin me kapacitet maksimal dhe në përputhje të plotë me standardet e sigurisë.

    “Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, në funksion të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit”, përfundon njoftimi.

  • KE: Nga Plani i Rritjes më së shumti përfituan Shqipëria dhe Serbia, Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet

    KE: Nga Plani i Rritjes më së shumti përfituan Shqipëria dhe Serbia, Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet

    Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha e Kosova vazhdon të mos arrijë të përfitojë mjete nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për shkak të mos ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas zëdhënësit të Komisionit të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ndonëse Bosnja është bllokuar nga Republika Serbe, Kosova u bllokua nga vet subjektet politike si shkak i bllokadës politike. Komisioni ngriti alarmin për rrezikun që ka Kosova t’i humbasë mjetet e BE-së.

    “Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura, duke siguruar përmbushjen e tyre brenda periudhës së tolerancës. Periudha e tolerancës për hapat që duhej të përmbusheshin në fund të vitit 2024 përfundon në fund të vitit 2026, ndërsa për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025 përfundon në mesin e vitit 2026”.

    “Për këtë arsye, ne po u bëjmë thirrje partnerëve që të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin në kohë të reformave, përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që të shfrytëzojnë maksimalisht atë që Plani i Rritjes u ofron atyre”.

    Në përgjigjen e Komisioni Evropian për RTV21, thuhet se nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm katër prej tyre kanë përfituar mjete nga Plani i rritjes. Ndërsa më së shumti nga plani i rritjes deri më tani vlerësohet se ka përfituar shteti i Serbisë.

    Që nga maji i vitit 2024, Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët e tij. Ne po avancojmë reformat kyçe, duke hapur rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Plani i Rritjes tani është plotësisht në zbatim.

    Deri më sot, janë miratuar 6 Agjenda Reformash dhe 4 përfitues nga Ballkani Perëndimor kanë marrë parapagimin. Më konkretisht: • Shqipëria: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 99.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 64.5 milionë eurosh në formë parapagimi. • Mali i Zi: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 18.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 26.8 milionë eurosh në formë parapagimi. • Maqedonia e Veriut: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 27.7 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 52.5 milionë eurosh në formë parapagimi. • Serbia: në kuadër të kërkesës së parë për pagesë ka marrë 56.5 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 111.0 milionë eurosh në formë parapagimi. • Kosova: Kosova ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa. • Bosnje dhe Hercegovinë: BiH ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa.

  • Federata Sindikale denoncon moszbatimin e pagës minimale në QKMF-në e Klinës

    Federata Sindikale denoncon moszbatimin e pagës minimale në QKMF-në e Klinës

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka reaguar lidhur me moszbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale ndaj punëtorëve teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

    Sipas reagimit të Federatës, punëtorët teknikë në këtë institucion nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Kryeministrit të Kosovës në detyrë për pagën minimale.

    Vendimi, i marrë më 31 tetor 2025 me numër 10/273, parasheh që nga data 1 janar 2026 paga minimale të mos jetë më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 ajo të rritet në 500 euro.

    Megjithatë, Federata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF-në e Klinës kanë marrë pagë mujore në vlerë prej 350 eurosh, çka sipas saj përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar.

    Për këto shkelje, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, edhe Gjykatën, me qëllim të adresimit institucional të rastit.

  • Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës

    Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës

    Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 13 vjet burgim Muhamet Alidemajn, i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999. Në gjykimin e parë ishte dënuar më 15 vjet burgim.

    Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili me anëtarët Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani-Hajra.

    Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit.

    Alidemaj obligohet edhe për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

    Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

  • OEK paralajmëron pasoja ekonomike nga rritja e re e çmimit të energjisë elektrike

    OEK paralajmëron pasoja ekonomike nga rritja e re e çmimit të energjisë elektrike

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësimin e OEK-së lidhur me kërkesat për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për bizneset dhe qytetarët.

    Sipas tij, një rritje e re do të ndikonte në koston e prodhimit, standardin jetësor dhe fuqinë blerëse në vend.

    Rafuna tha se energjia elektrike përbën një kosto operative thelbësore për bizneset, veçanërisht për prodhuesit vendorë, të cilët tashmë përballen me një disbalancë të thellë tregtare.

    Importet, sipas tij, kanë tejkaluar 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë rënë në 940 milionë euro, nga 944 milionë sa ishin një vit më parë. Për qytetarët, ai vlerësoi se çdo rritje shtesë do të godiste drejtpërdrejt buxhetet familjare dhe konsumin.

    Ai kujtoi se qytetarët tashmë janë përballur me një rritje prej 16.1 për qind në prill të vitit të kaluar, ndërsa bizneset e mëdha janë nxjerrë në tregun e lirë, ku faturat për disa kompani janë rritur nga 200 deri në 400 për qind.

    Rafuna theksoi se OEK do të presë zyrtarizimin e vendimeve për të bërë një analizë të detajuar dhe për të kërkuar përfshirjen e Qeverisë dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Ndërkohë, KESCO ka kërkuar rritje mbi 21.3 për qind të tarifave për vitin 2026, me të hyra të lejuara maksimale prej 528.78 milionë euro, duke u thirrur në rritjen e kostove operative, importin e energjisë dhe sigurinë e furnizimit.

  • ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026-ë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028, duke theksuar se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë, raporton Ekonomia Online.

    Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, ka deklaruar se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë komponentët rregullatorë standardë, si kostot operative, kostot që lidhen me investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke theksuar se për Kosovën vlerat e propozuara si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026, 712 mijë e 410 euro për vitin 2027 dhe 835 mijë e 613 euro për vitin 2028, ndërsa struktura e tyre dominohet kryesisht nga kostot operative.

    “ZRRE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRRE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRRE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRRE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, ka thënë ai.

    Gashi ka shtuar se këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.

    “Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai.

  • Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji ka njoftuar se Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupit të një personi të shpallur të zhdukur pas një aksidenti automobilistik.

    Siç tha Kingji, ky operacion po dëshmon jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi.

    “Klos – Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupin e të ndjerit, i zhdukur pas një aksidenti automobilistik. Një operacion që dëshmohet jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi duke treguar mbështetje të plotë për familjen në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai.

  • Haradinaj nis vizitën zyrtare në SHBA, pritet të zhvillojë takime në Kongres

    Haradinaj nis vizitën zyrtare në SHBA, pritet të zhvillojë takime në Kongres

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Washington, ku ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur që ai është i ftuar të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit “National Prayer Breakfast”, si dhe në aktivitete të tjera zyrtare dhe takime me përfaqësues politikë nga vende të ndryshme.

    “Gjatë qëndrimit në Washington, Haradinaj do të zhvillojë takime në Kongresin Amerikan dhe institucione të tjera federale, do të mbajë një fjalim në Capitol Hill dhe do të diskutojë për partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, marrëdhëniet bilaterale, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin transatlantik, me theks në anëtarësimin e Kosovës në NATO”, thuhet në njoftim.

  • 36-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve

    36-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve

    Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

    Ky konsiderohet si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

    Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje e Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

    Rinia shqiptare e shëndoshë filloi aksionin e pajtimit dhe pa hezitim timonin e pajtimit ia dhuroi Prof. Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

    Njerëzit në atë kohë në krye me profesor Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh, pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër.

    Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin. Gjaqet faleshin për atdheun. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, Shalë, Karadak, Llap, Drenicë, Gollak, Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur, Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë.

  • BE-ja: Mosratifikimi i marrëveshjeve ka bllokuar fondet milionëshe për Kosovën

    BE-ja: Mosratifikimi i marrëveshjeve ka bllokuar fondet milionëshe për Kosovën

    Kosova ka mbetur jashtë përfitimit nga paketa prej 171 milionë eurosh e Komisionit Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve.

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka pamundësuar ende pagesat për Kosovën, duke thënë se vendi nuk mund të përfitojë nga këto fonde pa përmbushjen e procedurave ligjore.

    ‘’Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së’’, thuhet në përgjigjen e BE-së për FrontOnline.

    Në një përgjigje zyrtare, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar se BE-ja shpreson që kjo çështje të zgjidhet së shpejti, ndërsa ka rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi një ndihmë financiare prej 216 milionë eurosh, që përfshin programimin e fondeve të reja dhe vazhdimin e kontratave prioritare.

    Sipas Komisionit Evropian lirimi i shumës së mbetur prej 205 milionë eurosh pritet në fillim të këtij viti, çka do të mundësonte rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA dhe projekteve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, pas një marrëveshjeje mbi prioritetet e programimit.

    ‘’Komisioni kohët e fundit i dha Kosovës një ndihmë financiare prej 216 milionë eurosh.

    Kjo përfshin programimin e fondeve të reja (181 milionë euro) dhe vazhdimin e 4 kontratave prioritare (me vlerë 35 milionë euro) që do të përfitojnë popullsinë e Kosovës.

    Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti. Kjo do të lejojë rifillimin e kontraktimit të mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të ËBIF (132 milionë euro) pas një marrëveshjeje mbi prioritetet e programimit për fondet e mbetura’’, thonë nga BE-ja