ATV

Tag: Ballina

  • Abdixhiku takon përfaqësuesin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për situatën politike në vend

    Abdixhiku takon përfaqësuesin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për situatën politike në vend

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš, si dhe ambasadorin slloven në Kosovë, Borut Blaj.

    Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale politike në vend dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

    Po ashtu u trajtuan qëndrimet dhe vlerësimet e LDK-së lidhur me zhvillimet e përgjithshme politike.

    Njoftimi:

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës së Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, z. Anžej Frangeš, si dhe Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj.

    Gjatë takimit u diskutua lidhur me situatën aktuale politike në vend, sfidat me të cilat po përballet Kosova, si dhe qëndrimet dhe vlerësimet e LDK-së karshi kësaj situate dhe zhvillimeve të përgjithshme politike.

    Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pa kursyer që Sllovenia i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke e vlerësuar atë si një partnere të rëndësishme për Kosovën në proceset integruese euroatlantike.

  • Hoxha: Nga viti 2000 e deri më sot kemi humbur mbi 3,000 njerëz në trafik

    Hoxha: Nga viti 2000 e deri më sot kemi humbur mbi 3,000 njerëz në trafik

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në prezantimin e punës vjetore të Policisë rajonale të Prishtinës, ka thënë se nga viti 2000 e deri më sot në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën mbi 3 mijë njerëz.

    “Problemet që kanë shënuar rritje janë rastet të fatalitetet dhe jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës kemi pasë rritje të rasteve në trafik, ku kemi pasë diku mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 sa kemi pasë në 2024-tën. Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve, pastaj deri te marrja e patentë shoferëve, kontrolli i shtuar në rrugë”, tha ai.

    Ai ka numëruar disa nga faktorët që kanë ndikuar që të ketë më shumë problemë në trafik, e ku një nga to e nënvizon të jetë një numër i madh i njerëzve që kanë vizituar Kosovën. Këtu ai përmend edhe statistikat për patentë shoferë.

    “Disa prej faktorëve që kanë ndiku të kemi më shumë probleme në trafik gjatë viti që shkoj ka qenë numri i madh i njerëzve që kanë qarkulluar në rrugët tona, dhe po ashtu numri i madh i njerëzve që kanë hy në kufijtë e Kosovës, kemi pasë një rritje me milionë njerëz. Kemi pasë 2-3 milionë që janë fut në territorin tonë. Po ashtu është rritur numri i veturave të regjistruara dhe i patentë shfoerëve. Në vitin 2011-të, Kosova ka pasë diku rreth 400 mijë patentë shoferë, sot i kemi 900 mijë”, tha Hoxha.

    E rënie të rasteve në Prishtinë u vlerësua të ketë pasë në vrasje, grabitje dhe vjedhje të rënda, e dhunën në familje./EO

  • LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë.

    Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli.

  • Ndërpritet koalicioni LDK-Guxo në Mitrovicë

    Ndërpritet koalicioni LDK-Guxo në Mitrovicë

    Anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë këtë të mërkurë kanë pranuar një mesazh se koalicioni i tyre me Listën Guxo në këtë komunë, është ndërperë shkruan Klankosova.tv.

    “Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Ju njoftoj se në mbledhjen e Kryesisë së Degës, të mbajtur më 02.02.2026 në ora 19:45, me shumicë votash është marrë vendimi për ndërprerjen e koalicionit me Listën GUXO. Ky është vendim kolegjial dhe zyrtar i Kryesisë së Degës, i marrë në përputhje të plotë me Statutin dhe rregullat e LDK-së. Si çdo vendim i Kryesisë, edhe ky vendim është obligativ për të gjithë ne dhe duhet të respektohet e zbatohet nga secili anëtar, në funksion të unitetit, seriozitetit dhe dinjitetit të Degës sonë. Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe korrektësinë tuaj”, thuhet në mesazhin e dërguar anëtarëve të LDK-së në Mitrovicë.

    Ndryshe gjatë së martës u zhvillua një takim mes Faton Pecit dhe Gëzim Plakollit, por që mbeti në pikëpyetje nëse ata dy kishin biseduar rreth koalicionit mes dy partive.

  • Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

    Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës.

    “Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Po ashtu, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”, thuhet më tej në njoftim.

    Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me subjektet apo numrin e personave të përfshirë.

  • Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

    Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

    Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

    Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.

    Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.

    Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.

    “Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.

    Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.

    Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

    Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.

  • PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

    PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të shpallë rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik dhe kandidatët e tij në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky panel ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.

    Vendimi është marrë në seancën e mbajtur sot (3 shkurt), ku PZAP ka konstatuar se refuzimi i KQZ-së për publikimin e rezultateve për Listën Serbe ka qenë i pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në vendim thuhet se KQZ-ja, në mbledhjen e 31 janarit 2026, kishte shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet e tjera politike, por jo edhe për Listën Serbe, pasi votimi për këtë subjekt nuk kishte marrë shumicën e dy të tretave të votave të anëtarëve të KQZ-së.

    Sipas PZAP-së, një shpallje e pjesshme e rezultateve përfundimtare nuk ka bazë ligjore, pasi të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit të votave kishin përfunduar për të gjitha subjektet politike pa përjashtim. Paneli ka vlerësuar se një veprim i tillë cenon parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.

    PZAP ka theksuar gjithashtu se KQZ-ja nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultateve për Listën Serbe, duke e cilësuar vendimin si të mangët dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore.

    Në bazë të kësaj, Paneli ka ndryshuar pikën III të vendimit të KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj, shkruan Reporteri.net

    Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

  • Osmani takohet me presidentin e Sierra Leones, flasin për bashkëpunim mes dy vendeve

    Osmani takohet me presidentin e Sierra Leones, flasin për bashkëpunim mes dy vendeve

    Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se është takuar me presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio, gjatë vizitës së saj në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, në përfitim të qytetarëve tanë dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta”, tha ajo.

    Osmani shtoi se “Kosova mbetet e përkushtuar të ndërtojë partneritete të forta e të qëndrueshme me vende në mbarë botën”.

    Presidentja më herët njoftoi se kishte shkuar në Emirate për të marrë pjesë në World Governments Summit.

  • EFTA, Qeveria e Lihtenshtajnit miraton propozimin për marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën

    EFTA, Qeveria e Lihtenshtajnit miraton propozimin për marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën

    Qeveria e Liheshtajnit ka miratuar sot raportin dhe propozimin mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të EFTA-s me Republikën e Kosovës.

    Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis shteteve të EFTA-s Islandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit dhe Republikës së Kosovës mbulon, ndër të tjera, tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe masat ligjore dhe horizontale.

    Siç njofton ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit, të gjitha barrierat tregtare për produktet industriale duhet të eliminohen jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

    “Finalizimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lihtenshtajnit me Republikën e Kosovës nënvizon angazhimin e Lihtenshtajnit për të vazhduar politikën e saj të mbështetjes së reformave ekonomike të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare të bashkëpunimit ekonomik. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë forcon aksesin e ndërsjellë në treg dhe përmirëson sigurinë ligjore dhe parashikueshmërinë për operatorët ekonomikë të prekur.”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

  • Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë–Itali për eliminimin e tatimit të dyfishtë

    Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë–Itali për eliminimin e tatimit të dyfishtë

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ka informuar qytetarët dhe komunitetin e biznesit se ka hyrë në fuqi Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tij.

    Sipas një njoftimi të ambasadës së Kosovës në Itali thuhet se bazuar në këtë marrëveshje nuk tatoheni dy herë për të njëjtat të ardhura (në Kosovë dhe në Itali).

    “Tatimi i paguar njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër (sipas rregullave përkatëse), rregulla të qarta për paga, profesione të lira dhe biznese, pensionet tatohen vetëm në shtetin e rezidencës, punësimi afatshkurtër (deri 183 ditë): të ardhurat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës (kur plotësohen kushtet e marrëveshjes), përjashtime për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim/trajnim, norma më të favorshme për dividendë, interesa dhe honorare, më shumë siguri juridike për qytetarët dhe investitorët”.