ATV

Tag: Ballina

  • SHSKUK sqaron bashkëpagesën prej 3 euro për personat shoqërues

    SHSKUK sqaron bashkëpagesën prej 3 euro për personat shoqërues

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (QKUK) ka sqaruar opinionin publik lidhur me bashkëpagesën prej 3 euro për 24 orë qëndrim të personave shoqërues mbi moshën 15 vjeç.

    Sipas QKUK-së, ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore dhe vjen si pjesë e rishikimit të përgjithshëm të politikës së bashkëpagesave. Në udhëzimin paraprak tarifa për personin shoqërues ishte 5 euro për 24 orë, ndërsa me Udhëzimin Administrativ të miratuar në vitin 2024 kjo shumë është ulur në 3 euro.

    QKUK sqaron se kjo bashkëpagesë nuk aplikohet për pacientin, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë. Përjashtim bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të hospitalizuar edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.

    Menaxhmenti i QKUK-së po zhvillon diskutime për trajtimin e bashkëpagesave për pacientët me sëmundje kronike, me qëllim adresimin e nevojave specifike të tyre.

    Institucioni gjithashtu thekson se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional, ndërsa kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe nuk duhet të përgjithësohet.

    Në përmbledhje, QKUK nënvizon se shumica dërrmuese e shërbimeve shëndetësore mbeten pa pagesë, ndërsa shërbimet që përfshijnë bashkëpagesë ofrohen me kosto shumë më të ulët se më parë.

  • Kurti ‘përjashton’ Osmanin dhe një emër nga Jasharët, thotë se LVV s’i ka votat – zgjidhja është te tri partitë e para

    Kurti ‘përjashton’ Osmanin dhe një emër nga Jasharët, thotë se LVV s’i ka votat – zgjidhja është te tri partitë e para

    Kryeministri Albin Kurti tha se me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e kuptuan njëri-tjetrin në taket ku u diskutua për çështjen e Presidentit.

    I pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk kanë mbledhur nënshkrime për askënd.

    “Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne imbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, tha ai pas takimit të sotëm me Abdixhikun.

    Ai tha se mbrëmë ka qenë në Prekaz te Rifat Jashari, ndërsa nuk u përgjigj direkt nëse kanë folur për çështjen e Presidentit.

    Por Kurti tha pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku se zgjidhja është te tri subjektet më të mëdha politike në vend: LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja.

    “Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat. Kur u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të të pavarësisë, besuam që do të kemi mundësi që të qëndrojmë pak bashkë dhe të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk qe një mundësi e tillë. E kishim lënë të takohemi dhe shkuam atje. Biseduam për zhvillimet politike, biseduam për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e këtyre tri subjekteve politike”, tha ai.

    Kurti tha se “kur duhet të propozosh njerëz jashtë partive politike, as përmasa, as temperatura e mbështetjes nuk është identike”.

  • Kurti e degradon fort Besnik Bislimin, ky është roli i tij i ri

    Kurti e degradon fort Besnik Bislimin, ky është roli i tij i ri

    Besnik Bislimi, dikur zëvendëskryeministër me përgjegjësi për integrim evropian dhe zhvillim ekonomik, degradohet në udhëheqës të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, sipas vendimit të fundit të Kurtit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të ndryshojë rolin e njërit nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Besnik Bislimi, duke e autorizuar për një pozitë më administrative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

    Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, Bislimi do të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, një strukturë që funksionon nën drejtimin e Kryeministrit.

    Në vendim thuhet se mandati i tij në këtë pozitë do të zgjasë për aq kohë sa zgjat mandati i Kryeministrit, ndërsa Bislimi obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi.

    “Autorizohet z. Besnik Bislimi, të udhëheqë me Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike. Mandati i të autorizuarit nga pika 1 e këtij Vendimi, zgjat për aq sa zgjatë mandati i Kryeministrit. I autorizuari nga pika 1 e këtij Vendimi, obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi. Obligohen Zyra e Kryeministrit për zbatimin e këtij Vendimi. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në këtë vendim.

    Dokumenti, i nënshkruar nga Kurti më 20 shkurt 2026, detyron gjithashtu Zyrën e Kryeministrit të zbatojë këtë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

    Vendimi është dërguar edhe te vetë Bislimi, Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së dhe Arkivi i Qeverisë.

    Bislimi ka shërbyer si Ministër i Financave dhe Transfereve gjatë qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020, ku mbikëqyri buxhetin, financat publike dhe politikat fiskale të vendit.

    Nga 2021 deri më tani, Bislimi ka qenë Zëvendëskryeministër i Kosovës, përgjegjës për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e dialogut me Serbinë. Ai ka udhëhequr gjithashtu projekte strategjike qeveritare dhe ka përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare për çështje ekonomike dhe politike.

  • Veteranët me Këshill të tyre për Epopenë, Syla: U detyruam, qeveria nuk na përfshiu

    Veteranët me Këshill të tyre për Epopenë, Syla: U detyruam, qeveria nuk na përfshiu

    Me rastin e shënimit të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për këtë përvjetor. Në këtë këshill nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

    Si rrjedhojë, Organizata e Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, së bashku me kategoritë tjera, ka themeluar këshillin organizues për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje historike.

    Sipas OVL-së, edhe në rast se do të kishin marrë ftesë nga Qeveria e Kosovës, nuk do të merrnin pjesë për shkak të, siç thonë, fyerjeve dhe moskujdesit ndaj tyre për gjashtë vite me radhë.

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, Gazmend Syla tha për KosovaPress, se ishin të obliguar të krijonin këtë këshill në mënyrë që të mos mbesin jashtë organizimeve.

    “Meqenëse ne nuk u përfshimë në këshillin shtetëror që e krijoi Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë forme ne u obliguam si shoqata të dala nga lufta, që të kemi kujdes të veçantë në këto ditë historike. Prandaj e kemi menduar që të edhe ne të krijojmë një këshill, në këtë rast me disa personalitete, domethënë që kanë kontribuar, në fakt janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj luftëtarë të UÇK-së. Sigurisht që emrat e tyre janë më shumë ndoshta për simbolikën e tyre, për aktivitetin e tyre që e kanë pasur për çlirim të vendit”, tha Syla.

    Ai u shpreh se organizimet do të ishte e rëndësishme të bëheshin së bashku me institucionet, ani pse është e papranueshme për ta që të marrin pjesë në një vend ku anëtarë është Mimoza Kusari-Lila që kishte kërkuar largimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale apo fyerjeve tjera nga pjesëtarë të Qeverisë, përfshi edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

    Syla tha se të njëjtit duhet të kuptojnë se në karrigat ku ata ulën sot, është ndërtuar mbi sakrificat e çlirimtarëve.

    Ai kërkon një reflektim nga ana e institucioneve shtetërore.

    “Do të ishte tepër e rëndësishme që këto organizime të bëhen së bashku, edhe shoqatat e dala nga lufta, edhe qeveria, po qoftë edhe presidenca. Fatkeqësisht po bëhen gjashtë vite që ne nuk kemi fare komunikim me institucionet tona. Edhe për neve është goxha e papranueshme me marrë pjesë në një ngjarje shtetërore ku prej anëtarëve të qeverisë në këtë rast mund të jetë për shembull Mimoza Kusari-Lila, njëra prej atyre personazheve në atë kohë që fliste me Radojiçiq dhe Simiq, e i thonte më duhen votat e tuaja për të larguar veteranët nga rritja e pagës minimale në Kosovë në atë kohë… Fyerjet e vazhdueshme që i kemi pasur, ju e dini edhe me zotin Basha, me atë punimi akademik, pastaj edhe Kurti nuk është që u soll mirë as me çështjen e Gjykatës Speciale ku po trajtohen padrejtësisht bashkëluftëtarët tanë atje.. Përderisa nuk do të ketë një reflektim nga ana e qeverisë që ata me kuptuar që ky shtet, mbi të cilin ata tani më janë ulur në ato karrige, u ndërtua mbi sakrificën e këtyre djemve e vajzave e atyre që do t’i kujtojmë më 5, 6 e 7 dhe ditëve të tjera në vijim, është goxha e rëndë për neve që ne me vazhdu me shku me marrë një fotografi duke vendosur kurora lulesh”, u shpreh ai.

    “Po mendojmë homazhe me bë me datën pesë, se këto do të jenë propozime prej këshillit, këshilli do të vendosë, me datën gjashtë me bë vizita tek familjet e dëshmorëve, pastaj edhe të pranojmë vizita nëpër zyrat tona që i kemi edhe këtu në nivel qendror por edhe nëpër qendra të tjera, sepse kemi vizitorë, veç kemi marrë konfirmim që do të vijnë edhe nxënës të shkollave atë ditë na vizitojnë nëpër zyrat tona. Tani me datën shtatë është nata e zjarreve, do të organizojmë nëpër shtatë zonat operative që në atë kohë kanë qenë si zona të luftës, të ndezim zjarret”, tha ai.

    Në Këshillin Shtetëror për shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në krye do të jetë ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, bashkëkryesues ministri i Familjes dhe Mbrojtës së Vlerave të Luftës, Andin Hoti, kurse anëtar kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

    Ndërsa, në Këshillin Organizues të kategorive të dala nga lufta, do të përbehet nga kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ali Ahmeti, Shefket Musliu, Sokol Poga, Agim Çeku, Lahi Brahimaj, Shukri Buja, Ahmet Isufi, Rahman Rama, Nuredin Lushtaku, Abdyl Mushkolaj, Latif Gashi dhe Rrustem Berisha.

    Epopeja e UÇK-së shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, në ditët kur u vranë nga forcat serbe familja Jashari në Prekaz.

  • Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka renditur vërejtjet e FMN-së nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që nuk po fokusohet në këto çështje, por po merret me ligjin për çmimet tavan.

    Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje për problemin e inflacionit dhe se rritja e çmimeve nuk mund të kufizohet me ligje, transmeton Klankosova.tv

    “Në vend që qeveria e re të fokusohet në këto çështje që i ka ngritur FMN-ja, puna e parë që po bëjnë është përgatitja e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan në produkte të caktuara.

    Kjo nuk është zgjidhja për problemin e inflacionit dhe rënien e fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve. Historia ka treguar shumë qartë se, përveç për produktet dhe shërbimet që ofrohen në tregje të monopolizuara, siç është energjia, uji, transporti hekurudhor e të ngjashme, rritja e çmimeve të mallrave të tjera nuk mund të kufizohet me ligje.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, ekzekutivi nuk ka marrë asnjë masë të duhur në pesë vitet e qeverisjes, prandaj thotë që importi dhe inflacioni janë rritur sistematikisht.

    “Çmimet mund të mbahen të moderuara duke ulur kostot e prodhimit, kostot e transportit dhe tatimet mbi ato produkte.

    Mbi të gjitha, çmimet mund të mbahen të moderuara duke zbatuar politika industriale që mbështesin prodhuesit vendorë në prodhimin e atyre produkteve. Asnjëra nga këto masa nuk është ndërmarrë në pesë vitet e fundit; si rezultat, importi dhe inflacioni janë rritur në vazhdimësi.”

    Hoti po ashtu se nuk pret reflektim nga Qeveria Kurti.

  • Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me kryetarin e Lidhja Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për të shmangur zgjedhje të parakohshme.

    Një ditë më parë, Kurti zhvilloi takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku u diskutua po ashtu çështja e presidentit.

    “Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Kurse, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza njoftoi poashtu për takimin me Kurtin, ku theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

    Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore.

    Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.

    Kosova duhet të ketë president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit. Kjo e fundit po e kërkon edhe një mandat të dytë pesëvjeçar.

    Deri tani nuk është paraqitur apo përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për president.

  • Cakolli: E çuditshme, zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

    Cakolli: E çuditshme, zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për një procedurë ekskluzivisht parlamentare dhe jo qeveritare.

    Sipas Cakollit, është “pak e çuditshme” që takimet për këtë çështje të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte proces i Qeverisë.

    Ai ka nënvizuar se zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi e Kuvendit dhe kërkon marrëveshje politike ndërmjet forcave parlamentare.

    “Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare. Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak Kryeministër-deputetë”, ka deklaruar Cakolli.

    Ai ka rikujtuar se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus i gjerë prej 2/3 të deputetëve të Kuvendit, të paktën në dy raundet e para të votimit.

    Sipas tij, afati është vendimtar dhe më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të realizohet votimi i suksesshëm.

    Në të kundërtën, Cakolli paralajmëron se vendi mund të hyjë në një situatë të shkeljes kushtetuese, e cila praktikisht do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

  • E diela natë e kobshme për vendin, tre persona humbën jetën

    E diela natë e kobshme për vendin, tre persona humbën jetën

    Një natë e kobshme ka qenë dita e diele për vendin tonë, pasi tre persona kanë humbur jetën në rrethana të ndryshme brenda pak orësh.

    Fillimisht në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë një 18-vjeçar rreth orës 18:40 është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Mitrovicës.

    Disa orë më vonë në Bresje të Fushë Kosovë, një këmbësor humbi jetën pasi u godit nga një veturë.

    Sipas Policisë së Prishtinës, vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut.

    Ndërsa në Prizren një burrë 44-vjeçar vdiq po ashtu pas lëndimeve të rënda që kishte marrë pasi kishte rënë nga lartësia.

  • Artan Grubi kthehet në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Bllacë

    Artan Grubi kthehet në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Bllacë

    Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republika e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi sot në mëngjes vullnetarisht u paraqit pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën dhe se ndaj tij menjëherë u ndërmorren masat ligjoreu, pasi ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

    Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria. Ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.

    “Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

    Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

    Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

    Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. /Alsat

  • Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

    Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

    Debati për këtë çështje u iniciua këtë javë, kur gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, tha se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

    Aktualisht, në KFOR shërbejnë rreth 590 forca amerikane.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 19 shkurt, një zyrtar i Pentagonit tha se “sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.

    Radio Evropa e Lirë: Kolonel Wojcik, cilat janë gjasat që SHBA-ja ta reduktojë praninë e saj ushtarake në Kosovë, në kuadër të një ristrukturimi më të gjerë të NATO-s, dhe cilët faktorë do ta përcaktonin një vendim të tillë?

    Ray Wojcik: Shtetet e Bashkuara po rishikojnë pozicionin e tyre ushtarak në botë – me theks tek aleatët evropianë të NATO-s që të fokusohen në mbrojtjen kolektive në Evropë, ndërsa SHBA-ja t’i japë prioritet rolit të saj në Paqësor dhe në Hemisferën Perëndimore.

    Në këtë kontekst, priten ndryshime në dislokimin e forcave amerikane në Evropë. Kjo është edhe arsyeja përse kapaciteti i aleatëve evropianë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në Evropë, është tejet i rëndësishëm.

    Roli udhëheqës i Bashkimit Evropian në normalizimin politik midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë në një tranzicion drejt rritjes së përgjegjësive të sigurisë nga Evropa.

    Njëkohësisht, duhet të merren parasysh edhe kapaciteti, profesionalizmi dhe legjitimiteti i institucioneve të sigurisë së brendshme të Kosovës – përfshirë Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – kur të merren vendime lidhur me pozicionimin e NATO-s.

    Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të dukshme në ndërtimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë zhvillime shumë pozitive në PK dhe FSK.

    Këto përparime mundësojnë që NATO-ja të kalojë gradualisht nga një forcë stabilizuese në vijën e parë drejt një roli mbikëqyrës me fokus te frenimi i rreziqeve, ndërkohë që institucionet e sigurisë së Kosovës bëhen gjithnjë e më të afta për të ruajtur rendin dhe stabilitetin.

    Në fund, vlerësimi më i gjerë për stabilitetin rajonal do të ndikojë në marrjen e vendimeve. Sepse, paqëndrueshmëria në Kosovë mund të përhapet në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi ose Maqedoni të Veriut, duke rritur rrezikun strategjik dhe duke shtyrë, potencialisht, vendimet për tërheqjen e forcave.

    Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin pasojat e menjëhershme për sigurinë në Kosovë nëse SHBA-ja do të reduktonte ndjeshëm kontributin e saj me trupa në KFOR?

    Ray Wojcik: Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave të tjera aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri.

    Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se si duket një ndryshim radikal i dislokimit të forcave, dhe mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike, të orkestruar nga Amerika në Afganistan, në vitin 2021.

    Po ashtu, duhet të kemi parasysh se edhe në vitin 2023, paramilitarët serbë sulmuan forcat policore të Kosovës.

    Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën.

    Është e rëndësishme të kujtojmë se plani i NATO-s gjithmonë ka qenë që, me kalimin e kohës, të bëhet një reduktim në faza i forcave në Kosovë (përfshirë edhe ato amerikane). Por, ky plan duhet të bazohet në sigurimin e kushteve të duhura të sigurisë, para se të zvogëlohen trupat.

    Nëse SHBA-ja sinjalizon se po redukton praninë e saj, atëherë aleatët evropianë duhet të mendojnë se si t’i mbushin boshllëqet, duke u siguruar që çdo tërheqje e përgjithshme të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet e sigurisë.

    Një reduktim i madh i trupave amerikane në KFOR do të ndikonte më shumë në aftësinë për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt ndaj tyre, sesa në sigurinë e përditshme.

    Nëse shkurtimet amerikane përfshijnë kapacitete të rëndësishme si: zbulimi dhe mbikëqyrja, aviacioni dhe evakuimi mjekësor, transporti apo personeli komandues, atëherë KFOR-i mund të jetë më i ngadalshëm në zbulimin e rreziqeve, në marrjen e vendimeve dhe në dërgimin e forcave në rast të një krize të papritur, veçanërisht në zonat e ndjeshme.

    Kjo mund të krijojë një periudhë të brishtë gjatë tranzicionit, të cilën aktorë destabilizues mund të përpiqen ta testojnë.

    Edhe nëse vendet evropiane e kompensojnë këtë mungesë, ndryshimet në paralajmërime dhe në rregullat kombëtare të angazhimit mund të bëjnë që reagimi të duket më pak i shpejtë dhe më pak i vendosur.

    Policia e Kosovës është e aftë për sigurinë e përditshme dhe përpjekjet dypalëshe afatgjate – si Programi i Partneritetit Shtetëror Ajova-Kosovë dhe lidhjet mes qyteteve të binjakëzuara – do të vazhdojnë, por këto nuk janë zëvendësim për parandalimin e menjëhershëm të armatosur nga ana e KFOR-it, për autoritetin komandues të NATO-s dhe për reagimin e shpejtë ndaj krizave.

    Radio Evropa e Lirë: A mund të krijojë tërheqja e mundshme e trupave amerikane mundësi për Rusinë ose Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor?

    Rady Wojcik: Po. Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të krijojë mundësi për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha fushat – politike, informative, ushtarake dhe ekonomike.

    Duhet ta kemi parasysh se Rusia dhe Kina janë furnizuese armësh dhe zhvillojnë trajnime me forcat e armatosura serbe. Rusia, natyrisht, është një mbështetëse kryesore politike e Serbisë.

    Jini të sigurt se Beogradi po ndjek me kujdes rezultatin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Nëse ky rezultat shpërblen agresionin rus dhe mizoritë e tij, atëherë kjo mund ta inkurajojë Serbinë që të jetë më pak e shqetësuar nëse zhvillon ose mbështet sjellje agresive kundër Kosovës.

    E njëjta logjikë vlen edhe për Kinën. Rezultatet pozitive për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë do t’i rrisin padyshim mundësitë që Kina të sulmojë Tajvanin dhe të forcojë ndikimin e saj të dëmshëm global, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.

    Rusia, me shumë gjasa, do të shfrytëzonte çdo reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, dhe më gjerë në Evropë, për ta paraqitur NATO-n si të dobësuar. Rusia do të ndiente se ka më shumë liri për të minuar besimin në institucionet perëndimore në Ballkan.

    Edhe pse Kina ka zgjeruar ndikimin ekonomik dhe infrastrukturor në pjesë të tjera të rajonit – dhe në të gjithë Evropën – Kosova ka treguar vazhdimisht një përputhje të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe institucionet euro-atlantike. Megjithatë, Kina ka bërë disa investime strategjike në Kosovë – një model që përsëritet edhe në pjesë të tjera të Evropës.

    Prandaj, SHBA-ja duhet të marrë parasysh se si pozicioni global i forcave tona mund të përdoret jo vetëm për të kufizuar agresionin e Kinës në Paqësor, por edhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve agresive të Kinës për të zgjeruar ndikimin në Evropë dhe gjetiu, pasi këto fronte janë të lidhura drejtpërdrejt.

    Dislokimi ynë global i forcave duhet të marrë parasysh gjithashtu se, nëse dëshirojmë vërtet ta frenojmë Kinën, atëherë na nevojitet një qasje globale, që përfshin edhe parandalimin e Kinës në Evropë.

    Ky lloj i qasjes globale në parandalim është thelbësor për strategjinë gjithëpërfshirëse të Amerikës “Paqe përmes Fuqisë”.

    Ne duhet ta kemi parasysh se Rusia dhe Kina kanë shpallur “partneritet pa kufij” mes vete.

    Kina, ndërkohë, vazhdon përpjekjet e saj përmes projektit Brezi dhe Rruga në të gjithë Evropën. Amerika duhet të mbetet e angazhuar në projekte që kundërveprojnë, si për shembull Iniciativa e Tri Deteve, e udhëhequr nga Polonia, e cila tashmë përfshin dy vende të Ballkanit Perëndimor: Kroacinë dhe Slloveninë.

    Kosova duhet të ftohet të bashkohet me këtë grup si anëtare asociuese (tash për tash), për të forcuar lidhjet e saj politike dhe ekonomike në rajon dhe në Evropë. Kjo forcon qëndrueshmërinë e Kosovës dhe rrit stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë.

    Sa i përket frikës së shumë njerëzve për angazhimin e vazhdueshëm të Amerikës në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor, është mirë të përsërisim atë që sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në Konferencën e Sigurisë në Munih: “Jam këtu sot për ta bërë të qartë se Amerika po harton një rrugë drejt një shekulli të ri prosperiteti dhe se, edhe një herë, ne duam ta bëjmë këtë së bashku, me ju, aleatët tanë të çmuar dhe miqtë më të vjetër”. Ky është një sinjal i mirë për Evropën.

    Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase shërben prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë si faktor parandalues kundër paqëndrueshmërisë së mundshme?

    Ray Wojcik: Prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë ka një vlerë shumë të madhe parandaluese, shumë më të madhe sesa numri i trupave që ka në terren. Ajo dërgon një sinjal të qartë për angazhimin strategjik dhe të drejtpërdrejtë të Amerikës dhe forcon besueshmërinë dhe unitetin e NATO-s.

    Aktorët rajonalë e dinë se çdo incident serioz, që përfshin forcat amerikane, do të shkaktonte një reagim të shpejtë dhe të vazhdueshëm diplomatik, ekonomik dhe potencialisht edhe ushtarak nga Uashingtoni, duke rritur ndjeshëm koston dhe pasojat e çdo veprimi destabilizues.

    Përtej kapaciteteve operacionale, prania e SHBA-së forcon unitetin e aleancës, zvogëlon rrezikun e keqllogaritjeve dhe siguron popullatën lokale se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal. Ky kombinim përbën një shtyllë kryesore për parandalimin e jostabilitetit në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

    Radio Evropa e Lirë: Nëse SHBA-ja i redukton trupat, a mund dhe a duhet që vendet tjera të NATO-s të forcojnë praninë e tyre në Kosovë?

    Ray Wojcik: Pa asnjë dyshim, po. Nëse Shtetet e Bashkuara e reduktojnë kontributin e tyre në KFOR, aleatët e tjerë të NATO-s duhet ta forcojnë praninë e tyre për të ruajtur besueshmërinë e parandalimit dhe efektivitetin operacional. Edhe kjo prani, me kalimin e kohës, mund të reduktohet, por vetëm nëse kushtet e sigurisë e lejojnë.

    E, një nga kushtet më të rëndësishme, që do të ishte një ndryshim vendimtar për rajonin, do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO.Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?

    Radio Evropa e Lirë: Sa reale është të pritet anëtarësimi i Kosovës në NATO në një të ardhme të afërt?

    Ray Wojcik: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është shumë i rëndësishëm, por do të marrë kohë për t’u realizuar. Kosova në NATO do të ofronte garancinë më të fortë afatgjate për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke zgjeruar mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 dhe duke u ankoruar fuqishëm brenda arkitekturës së sigurisë euro-atlantike.

    Nga pikëpamja strategjike, kjo do ta bënte më të qartë se ku qëndron Kosova për sigurinë e saj dhe do t’i kufizonte mundësitë që aktorë të jashtëm ta shfrytëzonin pasigurinë në rajon.

    Zgjerimi i NATO-s kërkon konsensus nga të gjitha shtetet anëtare, dhe çështjet e njohjes politike, së bashku me faktorë më të gjerë gjeopolitikë, e bëjnë anëtarësimin në afat të shkurtër të pamundur.

    Megjithatë, procesi drejt anëtarësimit në NATO do të inkurajojë zhvillime të vazhdueshme pozitive politike, ekonomike dhe të sigurisë për Kosovën, dhe kështu, për të gjithë rajonin.

    Ndërkohë, mundësitë e zgjeruara për FSK-në për të marrë pjesë në stërvitje të NATO-s, programe të strukturuara të ndërveprimit, zhvillim të vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe iniciativa të qëndrueshme dypalëshe, siç është Programi i Partneritetit Shtetëror Ajova-Kosovë, kanë një ndikim stabilizues dhe kontribojnë në shanset afatgjate të Kosovës për integrim në NATO./Radio Evropa e Lirë