ATV

Tag: Ballina

  • ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    ZKM pas takimit Kurti-Spiropali: Hekurudha që lidh dy shtetet, prioritet i përbashkët

    Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, në takim u theksua rëndësia e projekteve strategjike infrastrukturore, me theks të veçantë te hekurudha Gjakovë–Shkodër, e cila u cilësua si prioritet i këtij mandati. Synim mbetet që punimet për ndërtimin e saj të nisin sa më parë.

    Ky projekt u vlerësua si investim me peshë të madhe ekonomike dhe rajonale, që pritet të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

    Po ashtu, gjatë takimit u theksua nevoja për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare (G2G), me synimin që një e tillë të organizohet gjatë vitit 2026.

    Në komunikatë bëhet e ditur se u diskutua edhe për koordinimin e politikës së jashtme dhe mbështetjen reciproke në organizata dhe forume ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit lidhur me diasporën shqiptare. Theks i veçantë iu kushtua promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare te gjeneratat e reja.

    Të dy palët u dakorduan se diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve, duke kërkuar angazhim të përbashkët dhe strategji të koordinuar.

  • Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Murat Jashari refuzon të bëhet President: Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

    Një prej emrave të përfolur si kandidat për president të Republikës së Kosovës, Murat Jashari, ka thënë për Vox Kosova se e ka bërë të qartë që s’ka ambicie për t’u përfshirë në politikë, sa herë që i është përmendur emri për këtë çështje.

    Ai ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.

    “Më shumë se gjithçka, për mu si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale me e fut emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike.

    “Emri jem sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendë, sa herë ka ardhë çështja e presidentit, emri im është përmendë. Ua kam sqaru protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër”, ka thënë ai për Vox Kosova.

    “I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëjë”, ka thënë ai.

    “Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë të tonit”, ka thënë Murat Jashari.

  • Balla bën thirrje për firmosjen e peticionit kombëtar për ish-krerët e UÇK-së

    Balla bën thirrje për firmosjen e peticionit kombëtar për ish-krerët e UÇK-së

    Deputeti i parlamentit shqiptar, Taulant Balla bashkë me anëtarin e Parlamentit Evropian, Adnan Dibrani i është bashkuar thirrjes për nënshkrimin e peticionit kombëtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të inicuar nga organizatat e dala nga lufta.

    Ai në Facebook ka shkruar se ky peticion është thirrje e hapur qytetare në mbështetje të UÇK-së dhe të ish-krerëve të saj që po mbahen në Hagë.

    “Bashkë me anëtarin e Parlamentit Europian Adnan Dibrani i bashkohemi thirrjes ndaj të gjithë shqiptarëve, në trojet kombëtare, në diasporë të nënshkruajnë Peticionin Kombëtar – drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”.

    “Ky PETICION është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të sa”, shkruan Balla.

  • Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin CONTEXT në ATV, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pse ende nuk ka bërë një propozim të një emri për president.

    Ai tha se në këtë përbërje parlamentare nuk mund të zgjidhet presidenti nëse partia më e madhe thotë nuk kam as kandidat.

    “Është cinike të fitosh 51% të votave dhe të shkosh në kuvend edhe të thuash: ‘Unë s’kam kandidat për president, e gjeni ju nëse doni’,” tha ai.

    Ai shtoi se në këto rrethana parlamentare, mungesa e një kandidati nga partia më e madhe e kuvendit bën që zgjidhja e presidentit të jetë pothuajse e pamundur.

    ARDIAN GJINI, KRYETAR I GJAKOVËS

  • OVL-UÇK njofton për një peticion kombëtar drejtuar Gjykatës Speciale: T’i bashkohen të gjithë qytetarët

    OVL-UÇK njofton për një peticion kombëtar drejtuar Gjykatës Speciale: T’i bashkohen të gjithë qytetarët

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi për nisjen e një peticioni kombëtar drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë.

    “Kategoritë e dala nga Lufta e UÇK-së njoftojnë opinionin publik se nga sot ka nisur Peticioni Kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ky peticion është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të saj”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së.

    Organizata i ftoi të gjithë qytetarët që “t’i bashkohen këtij peticioni, ta nënshkruajnë dhe ta shpërndajnë atë”.

    Spiropali: Njohja reciproke Kosovë – Serbi, e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë
    Read more

  • Konjufca: Sa më i fortë koordinimi Kosovë-Shqipëri, aq më e sigurt rruga drejt BE-së

    Konjufca: Sa më i fortë koordinimi Kosovë-Shqipëri, aq më e sigurt rruga drejt BE-së

    Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i nderuar me vizitën e homologes së tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali – të cilën gjatë konferencës për media e quajti edhe mike.

    Para mediave, Konjufca tha se takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë si ato tipike bilaterale, pasi, siç tha ai, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën.

    “Kisha nderin dhe kënaqësinë të pres sot ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, miken time Elisa. Takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë si takimet tipike bilaterale, sepse ne, ndonëse kemi ministri të jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën”, tha Konjufca.

    Këto takime, kryediplomati i quajti vëllazërore.

    |Vendet tona janë shumë më tepër se kaq dhe takimet tona janë takime vëllazërore, takime mes shteteve të të njëjtit komb, që ndajnë fatin e përbashkët historik dhe politik. Sot, kur flasim për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk flasim vetëm për marrëdhënie ndërqeveritare, por për përgjegjësinë e dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb për ta përfaqësuar atë me dinjitet dhe me vizion të qartë evropian”.

    Ministri Konjufca ndër të tjera bëri të ditur se me Spiropalin kanë diskutuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes të dyja vendeve.

    “Diskutuam për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për koordinim të plotë në politikën e jashtme. Shumë punë që kanë ndërlidhur fort republikat tona janë bërë gjatë mandatit të qeverive tona dhe shumë të tjera presin të bëhen gjatë këtij mandati. Mirënjohës për mbështetjen që Shqipëria ia ka ofruar Kosovës, si në shtetndërtimin tonë, ashtu edhe në përfaqësimin e interesit tonë në arenën ndërkombëtare”.

    Në fund, Konjufca tha se e ardhmja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të jenë të lidhura përgjithmonë.

    “E ardhmja jonë, si e kaluara jonë, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë koordinimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt bashkimit evropian”, u shpreh kryediplomati.

  • Një muaj pasi SHBA ia dhuroi Kosovës, skaneri zbulon një milion euro të padeklaruara në kufi

    Një muaj pasi SHBA ia dhuroi Kosovës, skaneri zbulon një milion euro të padeklaruara në kufi

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh, për të forcuar sigurinë kufitare.

    Ambasada Amerikane në Kosovë kishte bërë të ditur se luftimi i trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më konkurruese.

    “Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

  • Hagë: Gjykimi i dytë ndaj Thaçit nis këtë të premte

    Hagë: Gjykimi i dytë ndaj Thaçit nis këtë të premte

    Të premten, më 27 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.

    Dhomat e Specializuara njoftuan se pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave të saj.

    Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

    Sipas aktakuzës, “midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

    Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi “bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza, dhe z. Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

    Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024.

    Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.

    Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

    Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Smakaj, Thaçi dhe Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025.

    “Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, njoftoi DHSK.

  • Hill: Nuk kam njohuri për ndonjë krim të kryer nga Hashim Thaçi

    Hill: Nuk kam njohuri për ndonjë krim të kryer nga Hashim Thaçi

    Ambasadori amerikan Christopher Hill ka folur për UÇK-në, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, duke sqaruar rolin e tij në këtë çështje.

    Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, Hill tha se prokuroria kishte për qëllim të vërtetonte përgjegjësinë komanduese të Thaçit dhe të lidhte atë me çdo krim të mundshëm të kryer gjatë konfliktit në Kosovë.

    “Ashnjëherë nuk pashë një shembull të tillë. Nuk jam në dijeni të asnjë rasti konkret kundër Thaçit. Prandaj ndjeva se duhej të shkoja në Hagë dhe të rrëfeja atë që dija. Ju them qartë, nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga z. Thaçi, dhe për këtë shkova”, tha ambasadori

    Deklarata e Hill vjen ndërsa vazhdon procesi gjyqësor në Hagë, duke ngjallur interes dhe debate për përgjegjësinë e udhëheqësve politikë gjatë luftës në Kosovë.

  • Komandanti i KFOR-it: Nuk ka vendim për reduktim të trupave amerikane në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it: Nuk ka vendim për reduktim të trupave amerikane në Kosovë

    Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral majori Özkan Ulutaş, ka bërë të qartë se NATO nuk ka marrë vendim për të reduktuar trupat amerikane në Kosovë dhe do të ruajë praninë e saj të përhershme në pjesën veriore të vendit.

    Në një intervistë për RTV21, gjenerali Ulutaş ka theksuar se KFOR vazhdon të kërkojë llogaridhënie për sulmet ndaj forcave paqeruajtëse në Banjskë në vitin 2023, duke insistuar që kryerësit e sulmeve të përballen me drejtësinë.

    Ai shtoi se KFOR nuk ka qenë i përfshirë në asnjë negociatë të pretenduar për largimin e sulmuesve dhe se misioni i tij ka qenë rivendosja e sigurisë në zonë.

    Gjeneral Ulutaş tha se situata në veri të Kosovës mbetet stabile, por e brishtë, duke përmendur zbulimin e armëve dhe municioneve si shkak për vigjilencë të vazhdueshme.

    Tutje theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të kryejë misione në veri vetëm me lejen e komandantit të KFOR-it dhe se prania e forcave paqeruajtëse mbi urën kryesore në lumin Ibër do të vazhdojë, me patrullime të rregullta në zonë.

    Gjenerali gjithashtu përmendi mbështetjen e NATO-s ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve.

    Ai mohoi spekulimet për reduktim të trupave amerikane, duke theksuar se aktualisht nuk ka ndryshime të rëndësishme në përbërjen e KFOR-it.

    Gjeneral Ulutaş ripërsëriti se SHBA-ja, me rreth 600 trupa në mision, vazhdon të luajë rol kryesor në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit rajonal, përfshirë koordinimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    Në përfundim, komandanti i KFOR-it nënvizoi se misioni i NATO-s mbetet i përqendruar në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbështet dialogun politik si rrugë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.