ATV

Tag: Ballina

  • Epopeja e UÇK-së: Publikohet agjenda e aktiviteteve për 5, 6 dhe 7 mars

    Epopeja e UÇK-së: Publikohet agjenda e aktiviteteve për 5, 6 dhe 7 mars

    Institucionet e Republikës së Kosovës kanë publikuar agjendën zyrtare të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së, që do të zhvillohen më 5, 6 dhe 7 mars në disa qytete të vendit.

    Aktivitetet përfshijnë mbledhje solemne, homazhe, ekspozita, aktivitete sportive dhe programe artistike, në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes fton qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet përkujtimore dhe festive sipas agjendës zyrtare.

    Le të bashkohemi për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe për të festuar me dinjitet vlerat e lirisë” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Agjenda e 5 marsit

    Epopeja nis më 5 mars në orën 08:00, kur ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

    Në orën 09:00 mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa në orën 10:00 do të zhvillohen seanca solemne në kuvendet komunale.

    Në mesditë, në orën 12:00, do të bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Ndërkaq, në orën 14:30, në Skenderaj do të mbahet gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari”.

    Agjenda e 6 marsit

    Aktivitetet e 6 marsit nisin në orën 10:00 me homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Nga ora 10:00 deri në 12:00, homazhe do të bëjnë edhe përfaqësuesit komunalë në komplekset memoriale të dëshmorëve.

    Në orën 13:00 do të hapet ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë”, e organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

    Në mbrëmje, në orën 19:00, do të mbahet Akademi përkujtimore për Epopesë e UÇK-së, me pjesëmarrje artistike nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës, në Pallatin e Rinisë (Salla e Kuqe), ndërsa në orën 21:00 parashihet mbyllja e ceremonisë.

    Agjenda e 7 marsit

    Epopeja përmbyllet më 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz, duke nisur nga ora 18:00.

    Në orën 18:15 do të bëhet ndezja e flakadanëve në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës, ndërsa në orën 19:00 në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj do të mbahet program artistik.

    Institucionet kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet përkujtimore, në nderim të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  • Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Me masa mbrojtëse, në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

    Identiteti i dëshmitarit është i ditur vetëm për ata që janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling, i cili pyetjet fillestare i bëri në seancë private për publikun.

    Ndërsa, mbrojtësja e Thaçit, Sofi Menegon, kërkoi nga gjykatësit që mbrojtësit pyetjet për dëshmitarin t’i bëjnë të hënën, për shkak se nuk janë të gatshëm për pyetjet.

    “Do të kërkoja që të filloja pyetjet për dëshmitarin të hënën. Ju kishit thënë në dosjen tuaj f705 paragrafi tetë, se në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm për të bërë pyetje mund të kërkojmë që të shtyhet ky afat dhe do të vlerësonim nëse do të na jepni kohë pak më të gjerë për të përmirësuar këtë proces’, tha Menegon.

    Gjykatësi Kristofer Gosnel pezulloi seancën për ditën e sotshme, e cila do vazhdoj të hënën.

    “ Atëherë do të pezullojmë seancën e ditës së sotme”, tha ai.

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë janë dhënë deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.

    Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

  • Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vendosur lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasja e rëndë.

    Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

    “Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë”, thuhet në njoftim.

    Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

    Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

    “Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

    Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

    Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

  • Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës: Lajmet në mediat serbe për të shtëna në brezin kufitar, janë dezinformatë

    Policia e Kosovës ka sqaruar se raportimet e fundit, kryesisht në mediat serbe, sipas të cilave persona të maskuar shqiptarë kanë vendosur pengesa dhe kanë qëlluar ndaj Policisë serbe në zonën Madljika, nuk përputhen me të dhënat zyrtare.

    PK njofton se ka verifikuar të gjitha informacionet përmes masave institucionale dhe nuk ka gjetur asnjë incident të tillë në territorin e Kosovës. Po ashtu, për veprimet e marra është njoftuar edhe KFOR-i, dhe patrullimet e përbashkëta në brezin kufitar vazhdojnë normalisht.

  • Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka lansuar hulumtimin “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës”, duke kërkuar hartimin e një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale për minatorët e Kosovës dhe ndryshime ligjore që do t’u mundësonin atyre njohjen e këtyre sëmundjeve dhe pensionim të parakohshëm, raporton Ekonomia Online. sipas hulumtimit 80 për qind e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, ndërsa 58 për qind janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit.

    Drejtoresha ekzekutive e IHDNj-së, Kaltrina Rexhepi, tha se iniciativa synon përmirësimin e jetës dhe shëndetit të minatorëve përmes ndryshimeve ligjore dhe krijimit të një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale, duke theksuar nevojën që atyre t’u njihet e drejta për pensionim para moshës 65-vjeçare.

    “Nuk dua të flas sot për kontributin e minatorëve, edhe pse jemi në përmbyllje të javës së minatorëve, në 37-vjetorin e përmbylljes së javës së minatorëve dhe kontributin e tyre gjatë asaj periudhe të lavdishme sepse është një gurthemel i lirisë që ne sot e gëzojmë dhe jetojmë. Por ajo që sot dua të ndalem konkretisht është shëndeti, jeta dhe puna e minatorëve në ditët e sotme dhe kontributi i tyre në ditët e sotme. Kjo është një iniciativë konkrete e iniciuar nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut për realizimin e një liste të sëmundjeve profesionale dhe gjithashtu për ndryshimet legjislative që duhet të ndërmerren që minatorëve t’u njihet kontributi i punës dhe nevoja për një pensionim të parakohshëm dhe jo ashtu siç ekziston deri më tani deri në moshën 65-vjeçare”.

    Rexhepi theksoi se pas hulumtimit, hapi konkret që synojnë është të arrihet inicimi i ndryshimeve ligjore.

    “Ky hulumtim është vetëm një nismë e vogël. Hapi i radhës dhe hapi konkret që ne synojmë të arrijmë me tutje në këtë çështje është inicimi i ndryshimeve ligjore si dhe krijimi i listës së sëmundjeve profesionale, e cila do të kontribuonte në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe punës së minatorëve”, tha ajo.

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vlerësoi se gjetjet e hulumtimit përbëjnë bazë për veprim institucional, duke paralajmëruar forcim të mekanizmave të monitorimit dhe vazhdim të mbështetjes për pensionim të parakohshëm sipas legjislacionit në fuqi, si dhe procedimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me këtë fushë.

    “Gjetjet e këtij hulumtimi që janë bërë për shëndetin dhe sigurinë në punë, kushtet e punës dhe trajtimi i sëmundjeve profesionale të minatorëve përbëjnë një bazë të mjaftueshme për refleksion institucional dhe veprim të koordinuar. Ne do të forcojmë mekanizmat e monitorimit dhe inspektimit si Ministri, me qëllim të garantimit të standardeve sa më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes në punë. Njëkohësisht përmes skemave të financuara nga shteti, ne do të vazhdojmë të sigurojmë realizimin e të drejtës për pension të parakohshëm për punëtorët e ndërmarrjes Trepça, të cilët përmbushin kriteret sipas legjislacionit në fuqi”, tha ai.

    Hoti u zotua se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës.

    “Ashtu si në çdo fushë tjetër të përgjegjësisë sime si ministër, angazhimi im do të jetë maksimal për përmirësimin e kushteve të punës, për mbështetjen sociale dhe për trajtimin dinjitoz të punëtorëve. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës tashmë veç ka proceduar nëntë ligje për plotësim-ndryshim dhe vlerësim, dhe këto ligje natyrisht që i përfshijnë edhe ato çka është diskutuar dhe çka është gjetur edhe në hulumtimin e zonjës Kaltrina dhe gjithë stafit të saj përmes institutit”, tha ai.

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund theksoi se njohja e sëmundjeve profesionale është çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e forcimit të besimit në institucione, duke bërë thirrje për kalim nga diskutimet në rezultate konkrete.

    “Mësimi është i thjeshtë. Kur institucionet njohin sëmundjet profesionale, ato mbrojnë shëndetin e punëtorëve. Kur shëndeti mbrohet, të drejtat e njeriut forcohen. Dhe kur të drejtat forcohen, rritet besimi në institucione. Suedia vazhdon të mbrojë të drejtat e njeriut globalisht, përfshirë të drejtën për kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme. Siguria në punë nuk është vetëm teknike apo mjekësore. Ka të bëjë me drejtësi, respekt dhe parimin e thjeshtë që askush nuk duhet të paguajë punën e ditës me shëndetin e tij. Kjo konferencë është një mundësi për të forcuar dialogun, për të përmirësuar kornizën ligjore, për të përmirësuar monitorimin shëndetësor dhe për të koordinuar veprimet në mënyrë më efektive. Është një mundësi për të kaluar nga diskutimet në rezultate reale dhe të matshme”, tha ai.

    Analistja e hulumtimit, Anita Plakolli, prezantoi gjetjet sipas të cilave mbi 80% e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58% janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit, ndërsa 70% kanë punuar pa pajisje mbrojtëse, duke e cilësuar gjendjen si alarmante për shëndetin dhe sigurinë e tyre.

    “Mbrojtja e shëndetit të minatorëve ndaj faktorëve të rrezikshëm në miniera si pluhuri, zhurma, lagështia, ventilimi i dobët, rreziku nga shembja dhe substancat toksike përbën një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Lidhur me këtë grafik, vlen të thuhet se mbi 80% të minatorëve të anketuar pohojnë se janë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve gjatë gjithë kohës apo shumë shpesh”, theksoi ajo.

    Tutje ajo ka treguar gjetjet edhe për temperaturat ekstreme, ku në zonat jugore të minierës është arritur 40 deri në 45 gradë celsius.

    “Ambientet e punës karakterizohen nga temperatura ekstreme. Në zonat jugore të minierave, temperatura, siç mund ta shihni, arrin deri në 40 deri 45 gradë Celsius dhe ventilimi është i pamjaftueshëm. Siç shihet në grafikun tre, 64.3% e të anketuarve pohojnë se ventilimi është i pamjaftueshëm. Ventilimi i dobët në miniera lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për sëmundje respiratore, ekspozim ndaj pluhurit mineral dhe gazrave të rrezikshëm. Sa i përket gjendjes shëndetësore, simptomave dhe sigurisë në punë, vetëm gjatë 12 muajve të fundit, 58% e minatorëve të intervistuar janë diagnostikuar me sëmundje të cilat mund t’i shihni. Ato më të shpeshtat janë: Vështirësi në frymëmarrje. Infeksione të traktit respirator. Bronkit. 81% prej tyre kanë përjetuar dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe marramendje. 38% raportojnë humbje të dëgjimit, ndërsa 44% kanë përjetuar probleme me shikimin dhe skuqje të syve”, tha ajo.

    Në hulumtim janë marrë në pyetje minatorët me përvojë 10-vjecare.

    “Një aspekt thelbësor për uljen e rreziqeve profesionale dhe ruajtjen e shëndetit të minatorëve në punë është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe zbatimi i standardeve të sigurisë në punë. Rezultatet tregojnë se në praktikë kjo nuk respektohet gjithmonë. Ky grafik tregon se 70% e të anketuarve u është kërkuar të punojnë pa pajisje mbrojtëse përgjatë përvojës së tyre. Ju rikujtoj se ky hulumtim është bërë për minatorët e intervistuar të cilët kanë përvojë pune mbi 10 vite po ashtu”, tha ajo.

  • “Plotësisht i pafajshëm”, Hashim Thaçi deklarohet para gjykatës së Hagës për aktakuzën e dytë

    “Plotësisht i pafajshëm”, Hashim Thaçi deklarohet para gjykatës së Hagës për aktakuzën e dytë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e dytë që i është ngritur nga Haga për ndërhyrje në drejtësi.

    “Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi i pyetur nga gjyqtari.

    Edhe të gjithë të tjerët e akuzuar për këtë rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që iu ngarkohen.

    Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

    Në aktakuzë, të akuzuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët.

  • Mustafi vazhdon detyrën e tij si Këshilltar Politik i Kurtit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

    Mustafi vazhdon detyrën e tij si Këshilltar Politik i Kurtit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

    Ragmi Mustafi ka bërë të ditur se e vazhdon detyrën e tij si Këshilltar Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga vet Mustafi.

    Ai falenderoi Kurtin për besimin e rikonfirmuar në këtë pozitë.

    “Me vendim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës vazhdoj detyrën si Këshilltar Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Falënderoj Kryeministrin Albin Kurti, për besimin e rikonfirmuar dhe për përkushtimin që institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë në trajtimin e çështjeve që prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës. Është nder të vazhdoj këtë përgjegjësi sepse kufijtë administrativë nuk mund të kufizojnë përgjegjësinë kombëtare. Sepse të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk janë çështje e jashtme e Kosovës. Janë provë e karakterit të saj politik”, ka shkruar Mustafi.

  • Zyrtarizohet drejtori i parë në Komunën e Prishtinës, Rama vazhdon me Sokol Havollin

    Zyrtarizohet drejtori i parë në Komunën e Prishtinës, Rama vazhdon me Sokol Havollin

    Përparim Rama e ka zyrtarizuar drejtorin e parë në mandatin e ri.

    Sokol Havolli do të jetë drejtor në Drejtorinë e Investimeve Kapitale të Kryeqytetit.

    “Me nder dhe përgjegjësi të madhe kam pranuar emërimin në Drejtorinë e Investimeve Kapitale të Kryeqytetit për mandatin e dytë të Kryetarit Perparim Rama.
    Falënderoj Kryetarin Rama për besimin e dhënë për vazhdimin e punës nga viti i kaluar, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për mbështetjen e vazhdueshme.
    Nuk do të jem shpesh në zyrë, sepse puna ime është në terren, aty ku realizohen projektet, aty ku preken drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe aty ku investimet kapitale marrin formë konkrete.

    Me përkushtim të plotë, do të punoj që çdo projekt të zbatohet me cilësi, efikasitet dhe përgjegjësi” shkruan Havolli në njoftim.

  • Kuvendi shpall thirrjen publike për nominim të dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese

    Kuvendi shpall thirrjen publike për nominim të dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese

    Kuvendi i Kosovës ka shpallë thirrjen publike për nominimin e dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese.

    “Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim më nenin 114.1 të Kushtetutës dhe më nenet 4 dhe 6, të Ligjit Nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, fton Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucionet gjyqësore, fakultetet juridike, Odën e Avokatëve, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, partitë politike, personat e tjerë relevantë juridikë dhe individët, që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Po ashtu, një person mund të propozojë veten për kandidat”, thuhet në thirrje.

    Komisioni në mënyrë të veçantë inkurajon gratë për të aplikuar.

    Kualifikimet:

    Kandidatët për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës; juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional, me jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë pune profesionale, veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civilë ose mësimdhënës universitarë dhe punë të tjera të rëndësishme të natyrës juridike, individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për ndonjë vepër penale.

    Të gjitha propozimeve dhe aplikacioneve për nominime, duhet t’u bashkëngjiten dokumentet si vijon:

    Formulari për nominimin e kandidatit;

    Formular të deklarimit të të nominuarit;

    Curriculum Vitae (C.V) (autobiografia);

    Letra e motivimit nga organizata ose institucioni propozues;

    Dëshmia se është shtetas i Republikës së Kosovës;

    Dëshmia për përgatitjen shkollore dhe profesionale;

    Dëshmia për përvojën e punës;

    Dëshmia se nuk janë të dënuar për ndonjë vepër penale.

    Nominimet dhe aplikacionet duhet të dërgohen jo më vonë se deri më 17 mars 2026, në orën 16:00.

  • Pamje të policëve duke marrë ryshfet në “Qafë Morinë”

    Pamje të policëve duke marrë ryshfet në “Qafë Morinë”

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot u mbajt seanca gjyqësore ndaj 23 policëve kufitarë, të akuzuar për marrje ryshfeti, derisa ishin duke punuar në pikën kufitare “Qafë Morinë” të Gjakovës.

    Të akuzuarit nuk e pranuan fajin për akuzat që u vihen në barrë.

    Megjithatë, prokurori i rastit i paraqiti provat që i ka ndaj tyre.

    Njëra nga to ishte një video ku një nga policët shihet duke i marrë nga pasaporta paratë që qytetarët ia lenin aty.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.

    Në aktakuzë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.

    E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

    Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe video-incizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.

    Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë.