ATV

Tag: Ballina

  • Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion gjatë një kontrolli në një shtëpi të braktisur në komunën e Leposaviqit, pas pranimit të një informacioni për praninë e tyre në atë lokacion.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut, ku njësitë policore kanë dalë në terren për të verifikuar informacionin e pranuar.

    Pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë, një kallash, një pistoletë me dy karikatorë të zbrazët dhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    “Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thuhet në njoftim.

  • Vdekje e dyshimtë në Zveçan, një burrë gjendet pa shenja jete – policia nis hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Zveçan, një burrë gjendet pa shenja jete – policia nis hetimet

    Një rast i vdekjes së dyshimtë është regjistruar sot në veri të vendit, ku një person është gjetur pa shenja jete në një fshat të Zveçanit.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar gjatë ditës së sotme, pasi autoritetet janë informuar nga stafi mjekësor për një person që dyshohej se kishte ndërruar jetë.

    “Në lidhje me këtë informatë, njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje, ndërsa nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës në vendngjarje. Viktima është identifikuar si D.M (1962).”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Këshilltari i Kurtit: Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë presidente

    Këshilltari i Kurtit: Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë presidente

    Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe rolin e Vjosa Osmani në këtë proces.

    Zulfaj ka theksuar se Osmani është zgjedhur në dy nga pozitat më të larta shtetërore falë votave të Lëvizja Vetëvendosje.

    “Vjosa është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente me votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Dy nga tri pozitat më të larta në shtet, Kryeparlamentar dhe President, pozita që nderojnë çdo qytetar, Vjosa Osmani i ka marrë me ndihmën e Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjë figurë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka mbajtur të dy pozitat, pavarësisht kontributit dhe atributeve të tyre”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, Osmani nuk është anëtare e Vetëvendosjes dhe karrierën politike e ka ndërtuar fillimisht te Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Vjosa nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo është ngritur si figurë politike përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Megjithatë, gjatë kohës sa ishte në LDK, ajo nuk arriti të marrë asnjë post të lartë shtetëror pa votat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Zulfaj.

    Ai ka rikujtuar gjithashtu se në zgjedhjet e vitit 2019 Osmani ishte vendosur nga LDK si kandidate për kryeministre, por sipas tij nuk arriti të fitojë zgjedhjet.

    “Për herë të parë kur LDK e konsideroi për një pozitë më të lartë ishte në zgjedhjet e vitit 2019. Në kohën kur pritej që Albin Kurti të fitonte zgjedhjet, LDK e vendosi Vjosën si kundërkandidate për kryeministre dhe në listë ia dhanë numrin 81. Ajo i humbi ato zgjedhje, ndërsa kur filluan negociatat për koalicionin qeveritar, LDK e mënjanoi nga procesi”, ka shtuar ai.

    Zulfaj ka theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur rast që koalicioni qeverisës të zgjedhë një president nga opozita.

    “Në historinë e pasluftës së Kosovës nuk kemi pasur asnjë rast kur pozita, pra koalicioni qeverisës, ka zgjedhur një president nga opozita. Po ashtu duhet theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur kurrë rast kur një subjekt i vetëm fiton gjysmën e elektoratit, siç është rasti me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, edhe në vitin 2021 koalicioni qeverisës kishte tri pozitat kryesore shtetërore.

    “Në vitin 2021 koalicioni Vetëvendosje–Guxo kishte edhe qeverinë, edhe kryeparlamentarin, edhe presidencën. Ky është koalicioni që e bëri Vjosën presidente”, ka theksuar Zulfaj.

    Ai ka shtuar se aktualisht i njëjti koalicion po propozon një kandidat tjetër për president.

    “Sot është i njëjti koalicion që, sikur më 2021, po propozon një kandidat tjetër për president nga radhët e veta. Kësaj here një kandidat që ka gëzuar konsensus si kryetar i Kuvendit dhe mbështetje të madhe popullore”, ka shkruar ai.

    Në reagimin e tij, Zulfaj ka thënë se Osmani është figurë e respektuar, por sipas tij Vetëvendosje nuk ka obligim ta mbështesë për një mandat tjetër.

    “Vjosa është figurë e nderuar, ish kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”, ka deklaruar ai.

    Ai ka folur edhe për rolin e presidentit në sistemin politik të Kosovës, duke theksuar se fuqia kryesore vendimmarrëse i takon Kuvendit dhe shumicës parlamentare.

    “Republika jonë është demokraci kushtetuese parlamentare. Presidenti nuk ka fuqi ekzekutive, sepse fuqia ndodhet në Kuvend, te shumica parlamentare. Është shumica parlamentare ajo që miraton buxhetin dhe përcakton orientimin e politikave dhe zhvillimit të vendit”, ka shkruar Zulfaj.

  • Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës.

    Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve.

    Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

    Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë.

    Sot vazhdon dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së, Christofer Kelly, i cili aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së, hetime kriminalistike digjitale.

    Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, dje ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

    Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

    Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

    Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

  • Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Ora e parë mësimore në shkollat fillore dhe ato të mesme në Kosovë nuk do të fillojë si zakonisht.

    Pasi, kjo orë e parë do t’i kushtohet luftës çlirimtare të familjes Jashari.

    Sot njëherësh, nis shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq manifestimet në nderim të luftës çlirimtare dhe familjes Jashari do të mbahen më 5, 6 dhe 7 mars.

    Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  • Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

    Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.

    “Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.

    Ajo theksoi se procesi i votimit nuk mund të nisë pa u plotësuar kushti themelor për të pasur së paku dy kandidatë të mbështetur me nënshkrimet e nevojshme.

    “Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e kërkuar, nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi ajo.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo çështje rregullohet nga Neni 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se:

    “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

  • Presidenca e demanton Nagavcin e VV’së se Vjosa Osmanit iu ofruan 30 nënshkrime: Kjo është gënjeshtër

    Presidenca e demanton Nagavcin e VV’së se Vjosa Osmanit iu ofruan 30 nënshkrime: Kjo është gënjeshtër

    Presidenca e Republikës së Kosovës përmes një reagimi kanë demantuar deklarimet e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila në konferencën e sotme ka deklaruar se ia kanë ofruar edhe Vjosa Osmanit 30 nënshkrime për kandidaturë për presidente.

    Në reagim thuhet se Osmani s’ka marrë as ofertën për nënshkrime e as përkrahjen nga LVV për t’u rizgjedhur si presidente edhe për një mandat të dytë.

    “Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga VV për rizgjedhje si Presidente e Republikës se Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, thuhet në reagim.

  • Nagavci: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja nëse nuk ka kourum për Presidentin

    Nagavci: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja nëse nuk ka kourum për Presidentin

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë në konferencë për media se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë.

    Ajo tha se nëse deputetët e PDK, LDK e AAK dhe të tjerët vendosin mos të respektojnë këtë obligim si deputetë, atëherë LVV është e gatshme për zgjedhje.

    Ajo thotë se ky nuk është vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Nëse deputetët e PDK, LDK,AAK vendosin mos të respektojnë këtë obligim të tyre si deputet, për të mundësuar funksionalitetin e shtetit. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje të reja përkundër se kjo nuk është vullneti jonë”, ka thënë ajo.

  • Skenarët e mundshëm kur vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

    Skenarët e mundshëm kur vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

    Janë orët e fundit kur duhet të bëhet zgjedhja presidenti apo presidentja e re e vendit.

    E në rast që nuk bëhet zgjedhja të enjten, ekziston rreziku që vendi të shkoj edhe zgjedhje të parakohshme.

    Juristi, Ardian Bajraktari ka treguar skenarët e mundshëm të shpërndarje se Kuvendi dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

    “Për dallim prej rrethanave të tjera kur në mënyrë eksplicite që vendi përcaktohet që shkon direkete në zgjedhje në rast që nuk i merr numrin e mjaftueshëm të votave herën e parë dhe të dytë prej 2/3 dhe herë e trete 61 vota ose nëse dështojnë procedurat prej 60 ditëve nga momenti i fillimit të tyre në rrethanat e rastit konkret nuk ka sanksion kushtetues se çka do të ndodhë në rast që nuk arrihet ky detyrim. Iu mbetet palëve të të atakoi në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit të vlerësojë si rezultatet për pasojat e këtij tejkalimi”, thotw avokati, Ardian Bajraktari.

    E kjo hapësirë kushtetuese, sipas Bajraktarit i hap mundësi palëve të ankohen në Kushtetuese.

    “Fakti që nuk ka në mënyrë eksplicite sanksion që vendi duhet apo do të shkojë në zgjedhje në rast që nuk përmbushet ky detyrim atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë kalkulim të natyrës politike përkitazi me këtë afat.”, shprehet ai.

    Që vendi shkon në zgjedhje, në rast se asnjëri nga dy kandidat nuk marrin votat e mjaftueshme e thotë edhe profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu.
    Por sipas tij, ky skenar ndodhë edhe nëse pas 60 ditëve të fillimi të procedurave nuk ndodhë një gjë e tillë.

    “Procedura konsiderohet që fillon me fillimin e mbajtjes se seancës, për shembull nesër, prandaj ky neni 82 paragrafi 3 thotë që Kuvendi shpërndahet nëse brenda 60 ditëve nga dita e fillimit të procedurës, pra ajo seancë mund të fillojë mund të ndërpritet deri sa të zgjidhet presidenti. Nëse kjo bëhet brenda 60 ditëve, Kushtetuta thotë se është në rregull .Nëse nuk bëhet atëherë shpërndahet Kuvendi”, thotë Baraliu.

    Por sa do të jenë zgjedhjet një zgjidhje për të dal nga një ngërç i ri institucional?

    “Nuk është në dobi për askënd janë humbje, janë fatalitet për çdo parti politike për çdo institucion për gjithë Kosovën. Prandaj shkuarja në zgjedhje të reja do të kurorëzonte perceptimin dhe mendimin e qytetarëve të Kosovës që kjo klasë politike nuk është e ndershme, nuk është etike nuk është institucionale por mund të quhen si kalkulonte dhe e papërgjegjshme”, shprehet Baraliu.

    Për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Në dy rundet e para të votimit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota./teve1/